leoni

Ahmet Qeriqi: Manipulim me realitetin apo me terminologjinë?

Një zyrtar i lartë i Kosovës, i cili merr mundin, që herë pas herë të shkruajë dhe të botojë ndonjë si koment apo vështrim, dhe ta afishojë atë në gazeta apo në portale të pavarura, kohë më parë hodhi kritika kundër gazetarëve, apo analistëve, të cilët sipas tij, po manipuluakan me “termat”, e veçmas me termin, “protektorat”. Meqë zyrtari nuk përmendi emra konkretë, mbase nga parandjenja e papëlqyeshme e ndonjë reagimi, edhe unë nuk po i përmend emrin, i vetëdijshëm se edhe ai do ta kuptojë se për kë është fjala, ashtu sikur kam kuptuar edhe unë, nëpër rreshtat e zyrtarit, i cili flet nga pozita e tij “superiore” dhe nuk begenis që reagimin ta adresojë, ashtu sikur ka hije, burrërisht, në emra konkretë. Këtë ai nuk e bën nga frika, por nga mendjemadhësia për të mos rënë në një “nivel” të ulët të komunikimit me emra të panjohur, apo pak të njohur për opinionin.

Ky zyrtar, i cili është i zëshëm, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, pretendon të na bind se disa nga ne, gazetarët dhe analistët, po manipulojmë me termat, sepse nuk po e kuptuakemi përmbajtjen e fjalës protektorat, ose po e keqpërdorim, meqë sipas tij Kosova është tashmë e pavarur, ajo e ka shpallur pavarësinë dhe fjala protektorat, jo vetëm që nuk paska hije, por nuk qenka aspak në akord me realitetin ekzistues!
Natyrisht se zyrtari, ose ne gazetarët nuk e kemi kuptuar si duhet termin “protektorat”, edhe pse kjo fjalë gjendet kudo në fjalorët e të gjitha gjuhëve.
Të konstatosh se Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe atë e kanë njohur 63 shtete të botës, kjo është krejt në rregull. Se, Kosova po përballet me një presion shumë të fortë nga shumë shtete të Evropës dhe të botës, se do të përballet me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, edhe këto janë fakte të pamohueshme, ashtu sikur është shumë i vërtetë fakti se Kosova ndodhet nën protektorat të BE-së, se në Kosovë mbretëron dhe sundon EULEX-i ashtu sikur ka mbretëruar dhe ka sunduar UNMIK-për 10 vjet rresht. Dallimi në mes të regjimit fashist, okupator serb dhe këtyre regjimeve protektore është i dukshëm, por jo diametralisht i kundërt, sikur po bën përpjekje të na bind politika zyrtare. OKB-ja ngul këmbë në rezolutën 1244, e cila parasheh sovranitetin e Serbisë në Kosovë, rezolutë e cila është ende në fuqi dhe EULEX-i mbështetet po në këtë rezolutë, por shkon më tutje në realizimin e planit prej gjashtë pikave të sekretarit të KS të OKB-së, Ban Ki Mun dhe planin e Ahtisarit. Mohimi i këtij realiteti nuk mjafton, ashtu sikur nuk mjaftojnë deklaratat e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe të Qeverisë se, nuk e njohin planin 6 pikësh, se nuk kanë të bëjnë me protokollin e nënshkruar nga EULEX-i dhe Serbia, por kanë të bëjnë me planin e Ahtisarit, që është zezona e të gjitha zezonave për të ardhmen e vendit tonë. Pranimi i pa rezervë i planit të Ahtisarit nga të gjithë politikanët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, bën që vendi ynë të jetë me një ardhmëri të rrethuar, përgjithmonë nën një protektorat, madje me afat të pakufizuar, bën që Kosova të jetë një shtet me pavarësi të kufizuar, një shtet gjithnjë nën mbikëqyrje ndërkombëtare, një shtet pa ushtri, pa ulëse në OKB dhe pa shumë atribute të tjera, që i kanë shtetet sovrane të botës.
Këto fakte nuk mbulohen me shoshë as me një terminologji të moderuar, as duke rrahur ujë në havan. Ky është realiteti faktik, që po mbretëron dhe do të mbretërojë edhe shumë kohë në vendin tonë, krejt derisa të dalë në sipërfaqe dhe të fillojë të derdhet zemërimi i popullit.
Të bësh përpjekje që këtë gjendje faktike, bardh e zi, ta ilustrosh me ngjyra të tjera, është një përpjekje e mjerë, por e kuptueshme për zyrtarin apo zyrtarët, që duke u mbështetur në këtë politikë poltrone e servile, duan me çdo kusht të mbeten në pushtet, natyrisht mbi kurriz të këtij populli. Edhe Ibrahim Rugova dikur e mashtronte vetveten dhe ithtarët e tij se Kosova e kishte shpallur pavarësinë, të cilën madje e kishte njohur edhe Tirana zyrtare, se po funksiononte tre për qindëshi dhe pushteti paralel, se vetëm po prisnin kur në Aeroportin e Prishtinës të na vinte pavarësia, e gatshme, në pjatë, ani pse Serbia na burgoste, na ndëshkonte, na vriste dhe më në fund bëri përpjekje edhe të na shfaroste.
Se është protektor EULEX-i në vendin tonë, këtë e dinë të gjithë, dhe jo vetëm ne gazetarët që nuk e njohim apo e keqinterpretojmë këtë fjalë, apo vetëm aktivistët e “Vetëvendosjes”, këtë e di po aq mirë edhe zyrtari i lartë i Kosovës, por “dinjiteti” dhe “biçimi” i tij prej politikani bën që ai të mos pranojë se është kuadër i një shteti të ri, i cili ndodhet aktualisht nën një protektorat të OKB-së dhe të BE-së. Se do ta quajmë këtë gjendje sundim nga të huajt, apo protektorët, apo sundim dhe mbikëqyrje nga të gjithëpushtetshmit e Evropës, kjo nuk ka edhe aq rëndësi, por ka shumë rëndësi fakti se dikush po mundohet me çdo kusht të na mashtrojë, dhe të na bind ta hamë sapunin për samun, të na bind se fajin e paska shtrembërimi i terminologjisë nga gazetarët e papërgjegjshëm, dhe jo realiteti që po mbretëruaka në vend.

EULEX-i është protektor, me faktin se nuk e pyet fare Qeverinë e Kosovës kur nënshkruan marrëveshje në emër të saj.

EULEX-i e ka shtrirë aktualisht sundimin në vendin tonë me policë, gjyqtarë, prokurorë, porotë, me tërë një staf spiunësh shqiptarë dhe me administratorë të shumtë, që veprojnë në të gjitha segmentet e sigurisë, apo sikur preferohet të thuhet në drejtim të “sundimit të ligjit”.

EULEX-i sundon në Kosovë me faktin se i dënon dhe i ndëshkon çlirimtarët e Kosovës, duke i shpallur fajtorë dhe duke i trajtuar si kriminelë lufte, bazuar në dosjet e regjimit të Milosheviqit. Për këtë ai nuk konsultohet fare me qeveritarët, madje i shpall fajtor dhe i dënon edhe kur janë deputetë, ministra apo kryeministra.

EULEX-i nuk e ka shtrirë sundimin në tërë territorin e Kosovës, por e ka shtrirë praninë e vet mbi këtë territor, madje edhe në veriun e ndarë Kosovës dhe kjo nuk është e njëjtë.

EULEX-i bashkëpunon me strukturat paralele serbe, po aq sa bashkëpunon edhe me qeveritarët tanë, duke i trajtuar si dy palë në konflikt. Ai bashkëpunon edhe me Qeverinë e Beogradit, duke ia njohur sovranitetin mbi vendin tonë, por nuk bashkëpunon me Shqipërinë lidhur me zonat kufitare, sepse Shqipëria nuk lejohet të ketë as edhe një qasje të vetme lidhur me të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës.

Ky është realiteti faktik dhe aspak i ekzagjeruar i pranisë, sundimit, dhe mbretërimit të regjimit të protektoratit me firmën, EULEX-it në vendin tonë. Për këtë gjendje të mjerë dhe të pa perspektivë, të popullit tonë, nuk është fajtore terminologjia, por ata që i lakojnë fjalët, jo nëpër trajtat gramatikore, logjike e kuptimore, por sipas trajtave të politikës makiaveliste, ditore.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …