leoni

Ahmet Qeriqi: Marrëveshje me eufemizëm dhe hipokrizi politike nga BE-ja

Dialogu i Kosovës me Serbinë, i cilësuar si dialog për disa çështje të vogla teknike, mes dy vendeve,  tashmë është kthyer në dialog të mirëfilltë politik mes dy shteteve, të cilat ende nuk e kanë njohur njëra tjetrën dhe si duket edhe nëse e njohin këtë do ta bëjnë me eufemizëm, pa e përmendur njohjen. Kështu që, në vend se kufirit t’ i thonë kufi, këta do ti thonë pikëkalim, në mënyrë që palët të lëshojnë pe nga kërkesat optimale, sipas kërkesave të BE-së.  Terminologjia e bisedimeve me formulime lakonike është bërë  pjesë e filozofisë së këtyre bisedimeve, ku Kosova po e degradon pavarësinë edhe ashtu mjaft keq të degraduar nga pakoja e Ahtisarit, ndërsa Serbia po fiton në të gjitha drejtimet, qoftë duke e injoruar në mënyrën më brutale dhe më cinike pavarësinë e Kosovës, qoftë duke i shkëputur dhe duke i mbajtur peng territore të saj, qoftë duke përfituar statusin e vendit kandidat në BE vetëm  me dialogun sa për dialog me Kosovën, qoftë duke mbajtur nën okupim rreth 20 për qind të territorit të Kosovës, qysh nga qershori i vitit 1999.>>>


 


Të gjitha  ato, që quhen marrëveshje të arritura në  disa radhët e deritanishme të bisedimeve,  kanë pasur dhe kanë për qëllim  jo begatimin e pavarësisë së Kosovës, sepse ajo është e cunguar dhe invalide edhe me planin e Ahtisarit, por bisedimet po zhvillohen me të vetmin qëllim dhe po mbahen për ta ndihmuar Serbinë në shumë segmente, gjithnjë nën trysninë e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të këtij unioni globalist, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sepse nuk janë të gatshëm të pranojnë pavarësi për  territore të popujve brenda shteteve të tyre, që i mbajnë të okupuar, ashtu sikur ishte Kosova dikur.


Serbia ka kërkuar bisedime me shqiptarët për të zgjidhur konfliktin historik, por është mjaftuar të bisedojë edhe me kreun e Kosovës, duke i bërë me dije paraprakisht se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë, e cila për afro tri vjet është pranuar nga një e treta e shteteve të botës. Në kushte të tilla të injorimit ekstrem, denigrues, fyes, poshtërues, Qeveria e Kosovës për hir të miqve ndërkombëtarë ka pranuar të bisedojë me Serbinë, jo si dy shtete të barabarta, sikur thuhet nganjëherë me një prepotencë naive, por thjesht si bisedime të krahinës së Kosovës me Republikën e Serbisë, sepse Beogradi zyrtar i ka kushtëzuar bisedimet, me qëllim për të përfituar sa më  shumë në procesin e të ashtuquajturit integrim në BE. Politika nënshtruese e Kosovës, e vendosur në pozitë të pabarabartë në raport me Serbinë dhe caktimi në krye të delegacionit i një kryesueseje krejtësisht të paaftë  dhe të papërgatitur për të biseduar me një bashkëbisedues cinik, imponues, agresiv dhe të panjerëzishëm,  sikur është serbi Stefanoviq, ka bërë që këto bisedime të degradojnë më tej statusin e Kosovës, por gjithnjë duke shpallur fitore me një retorikë tashmë bajate, ashtu sikur bënte dikur Lutfi Haziri në krye të palës së Kosovës në bisedimet e Vjenës, kur trumbetonte se Serbisë ia kishte futur tetë me dy. Është një anekdotë popullore që e shpjegon më së miri këtë fitore me shpinë për fundi.


 


Ja si po interpretohet marrëveshja nga dyja  palët në bisedime dhe nga ndërmjetësuesi Kuper, i cili kërkon edhe më shumë marrëveshje, krejt derisa Kosova të pranojë të kthehet nën Serbi.


 


Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri ka njoftuar se  pas bisedimeve maratonike, treditëshe,  në Bruksel, është arritur marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  Kryesuesja, Tahiri deklaroi se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet nga që të dy palët, por edhe nga ana e ndërmjetësuesit Kuper nga BE-ja. Ajo madje përmend edhe Traktatin e Lisbonës, por pa sqaruar se ky traktat vlen vetëm për shtetet që e kanë pranuar dhe e njohin njëri-tjetrin dhe jo për dy shtete që në shumë segmente janë në luftë me njëri-tjetrin.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se i ka shumë të qarta qëndrimet sa i përket bisedimeve teknike. Ai ka thënë se çdo që do të dalë nga këto bisedime do të jetë në përputhje me dokumentin e Ahtisaarit, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës. Çdo pretendim për tejkalimin e këtyre dokumenteve për Qeverinë e Kosovës do të jetë i papranueshëm”, ka saktësuar me një vendosmëri tipike për raste të tilla, kryeministri Thaçi.


 


Mirëpo krejt ndryshe deklarojnë Borko Stefanoviq dhe Boris Tadiq


 


Kryesuesi i delegacionit të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borko Stefanovic, ka deklaruar se është arritur marrëveshja finale, për “vendkalimet administrative” në Kosovë, me respektimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të Kushtetutës së Serbisë. Ai ka thënë se kjo marrëveshje është arritur, pasi janë marrë garantime nga Bashkimi Evropian për lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë nga Kosova në Serbi dhe nga Serbia, me targa automobilistike dhe me dokumente të Serbisë. Sipas tij, marrëveshja është arritur pas negociatave të vështira, por me propozimin e palës serbe, “është penguar prejudikimi i statusit të Kosovës”. Ai ka theksuar se vendkalimet në Jarinje dhe Bërnjak do të kenë status të veçantë dhe do të jenë nën përgjegjësinë e EULEX-it. Edhe kryetari i Serbisë Boris Tadiq ka deklaruar se zgjidhja e arritur në dialogun Beograd-Prishtinë, është e harmonizuar me interesat nacionale serbe. Ai ka thënë se zgjidhja nuk nënkupton elemente të ashtuquajtura të shtetësisë së Kosovës dhe nga serbët e veriut ai kërkon që ta përkrahin. Zgjidhja nuk është ideale, por unë fuqimisht qëndrojë pas sajë, ka theksuar Tadiq. Kemi arritur aq sa ka qenë e mundur të arrijmë. Me këtë zgjidhja asnjëra palë nuk do të jetë e kënaqur plotësisht”, u ka thënë Tadiq gazetarëve në Berlin.


 


Ndërmjetësuesi, gjithnjë i buzëqeshur, (klouni i cirkut të BE-së), Cuper është shprehur i kënaqur për arritjen e marrëveshjes,  për sikur thuhet udhëheqjen e integruar të kufijve, e cila parasheh udhëheqjen e përbashkët policore, doganore dhe shërbimet kufitare në vendkalimet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai ka thënë se ideja e kësaj marrëveshjeje është që në një vend të punojnë bashkërisht shërbime të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë. Në tekstin e marrëveshjes, koncepti evropian për menaxhimin e integruar të kufirit përmendet vetëm përmes akronimit IBM për t’i ikur në këtë mënyrë eufemistike  fjalës “kufi” për shkak se Serbia, as BE-ja si tërësi nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe as  kufijtë e saj. Në këtë tekst me asnjë fjalë nuk përmendet kufiri “ndërshtetëror”. Në pikën shtatë të tekstit të marrëveshjes, ku flitet për implementimin e saj, thuhet se marrëveshja merr parasysh dallimet e palës “kosovare” dhe serbe rreth statusit. Dallimet statusore janë përmendur edhe në pikën katër të marrëveshjes, ku adresohet çështja e simboleve nëpër pikëkalimet e përbashkëta në mes të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat duhet të vendosen në një zonë të përbashkët. “Objektet e përbashkëta, të integruara, të vetme dhe të sigurta do të vendosen përbrenda një ‘zone të përbashkët të vendkalimeve të IBM-it’, të shënjuar bashkërisht, ku zyrtarët e secilës palë kryejnë kontrollet përkatëse. Në zonat e përbashkëta të vendkalimeve të IBM-së, palët nuk do të shfaqin simbolet e tyre shtetërore.


 


Duke folur për rolin e EULEX-it në këtë marrëveshje, Cooper ka qartësuar se misioni evropian do të jetë i pranishëm në të gjitha vendkalimet. Ai ka pohuar se një përparim i vogël është shënuar edhe sa i përket bashkëpunimit rajonal, porse ende kanë mbetur probleme të mëdha. Realisht shpjegimet e Kuperit tregojnë mirëfilli se pala humbëse në bisedime është Kosova, dhe pala për ditë e më tepër fituese është Serbia, e cila e përmbylli me sukses angazhimin për ta marrë Raportin e kandidimit në Be, edhe pse shpresa e vetme është Gjermania, e cila pas kësaj marrëveshjeje, mund edhe ta pranojë vendimin e Brukselit. E  keqja  e madhe qëndron në faktin se sikur jemi mësuar me këto humbje, ashtu sikur ishin mësuar dikur me filozofinë e pritjes së Ibrahim Rugovës dhe propozimin e tij, që Kosova të ishte e hapur si ndaj Shqipërisë ashtu edhe ndaj Serbisë. Me një vijë kufitare të përbashkët me Serbinë, Kosova realisht ka firmosur kufijtë administrativë, kufijtë e përbashkët, të cilët do të quhen pikëkalime, pa e përmendur fare as fjalën kufi, sepse këtë fjalë nuk e duron dot Tadiqi, as Stefanoviqi.


Por atë që nuk e duron dot Serbia po e duron në mënyrë tejet indolente Kosova dhe përfaqësuesit e zgjedhur të saj. Kosova po duron ashtu sikur ka duruar qe 12 vjet të nëpërkëmbët, të poshtërohet, të denigrohet, të copëtohet si në kufij ashtu edhe brenda kufijve nga Serbia dhe Pakoja e Ahtisarit.


Dhe kështu sikur ka filluar, Serbia do të kërkojë nga BE-ja të fillojnë edhe bisedime të tjera me Kosovën, derisa ajo, përmes BE-së të realizojë gjashtë pikat  e Bani Ki Munit, duke e vulosur fatin e ardhmërisë së Kosovës, të paktën formalisht në kornizat e Rezolutës 1244, të KS të OKB-së të vitit 1999 krejt kjo me qëllim që të ruhet paqja në rajon dhe që shqiptarët  të mos ushqejnë iluzione për bashkim kombëtar. Dhe kështu sikur po na shkel pamëshirshëm diplomacia e BE-së, nuk është çudi që një ditë do të gjenden diplomatë në BE, të cilët do të kërkojnë nga Prishtina zyrtare, që t i kërkojë falje Serbisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.


 


Po jo të gjithë shqiptarët do të pajtohen me këto marrëveshje dhe arritja e një marrëveshje të dëmshme nuk do të thotë se edhe duhet të respektohet, dhe me siguri se ajo nuk do të respektohet nga populli liridashës i Kosovës. Po të kishim respektuar konferencat ndërkombëtare, në Berlin, në Londër, në Bukuresht  e ku jo, sot nuk do të kishte as Shqipëri, as Kosovë dhe as Maqedoni.


Kjo gjendje e pakuptimtë, e mbështjellë me hipokrizi dhe deklarata verbale e krekosëse, në gjendjen në të cilën ndodhemi, nuk ka si të mos na kujtojë një anekdotë të famshme të Nastradinit.


Shkon fqinji dhe ia lyp gomarin Nastradinit për të kryer një punë.


Nastadini i thotë se nuk e ka gomarin në shtëpi.


Ndërkohë, gomari pall dhe fqinji i habitur drejtohet Nastradinit.


-Mor Nasradin, më mirë thuaj nuk po ta jap gomarin, e jo nuk është në shtëpi!


I zënë ngushtë, Nastradini ia kthen:


-Mor ti njeri, a i beson më shumë palljes së gomarit apo fjalës së një myslimani.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …