Sa herë vjen 11 marsi, na kthen në kujtesë atë të kaluar jo të largët dhe përgjithësisht i kujtojmë zhvillimet sociale e politike, që u manifestuan në mars, prill, maj të vitit 1981. I përkujtojmë të rënët, vizitojmë familjarët e tyre, shihemi me ndonjë bashkëvuajtës burgu, evokojmë ndonjë kujtim. Dhe, kështu nga viti në vit edhe pas 34 viteve, në disa segmente ende vendnumërojmë, mjaftohemi me botimin e shkrimeve, vështrimeve, komenteve dhe ndonjë studimi që megjithatë është ende larg nga studimi i mirëfilltë historik, shkencor.
Simpoziumi i organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë në 20-vjetorin e demonstratave, në prill të vitit 2001, (dy vjet pasi Kosova ishte çliruar nga regjimi serb), mendoj se nuk nxori konkluzione të qarta shkencore dhe nuk definoi qartë qasjen e mirëfilltë historike e shkencore lidhur me Lëvizjen e vitit 1981. Debati ishte zhvilluar në kualifikimin e zhvillimeve si protesta e demonstrata paqësore, si pranverë e studentëve, si Lëvizje paqësore, politike, studentore dhe u përjashtua opsioni i kryengritjes, apo i përpjekjes për kryengritje, të cilën e shfletuan vetëm dy apo tre pjesëmarrës.
Në kohën e pacifikimit të Lëvizjes, në vitin 1989-1990 kur Jugosllavia kishte filluar të shpërbëhej u bënë përpjekje që lëvizja e vitit 1968 dhe ajo e vitit 1981 të kualifikohen si lëvizje paqësore të studentëve, si një presion qytetar që ishte ndërmarrë brenda kornizave ekzistuese politike duke lënë anash dy segmentet më të rëndësishme të zhvillimeve, rrëmbimin e armëve në Besi të Prishtinës nga protestuesit më 2 dhe 3 prill dhe qëndresën e armatosur të Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të po atij viti, në Prekaz të Ulët të Drenicës, pikërisht në ditën kur Njësitë policore speciale të Jugosllavisë po manifestonin dhe po orgjizonin në mënyrë kriminale, ditën e themelimit, duke vrarë shqiptarë brenda shtëpive të tyre.
Anashkalimi, në konferenca, tubime dhe në medie i këtij segmenti të kryengritjes, mbase u bë me qëllim që Lëvizja paqësore të mos “komprometohej” dhe të lihej në heshtje segmenti thelbësor i saj, segmenti veprues, po ashtu jo aq spontan sikur mendohet edhe aktualisht nga disa analistë dhe studiues të asaj periudhe të historisë tonë të rezistencës.
Kulmimi i protestave në Besi, lokalitet mes Prishtinës dhe Besianës, rrëmbimi i armëve dhe i municionit nga forcat rezerviste që po hynin në Kosovë nga Serbia dhe çarmatosja e shumë prej tyre, shënoi fillimin e kryengritjes. (Atë ditë Protestuesit kishin rrëmbyer rreth 130 armë automatike dhe mitralozë, mijëra fishekë e pajisje luftarake. Pak muaj më vonë ishin dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri në 15 vjet, 38 pjesëmarrës, nxënës, studentë, punëtorë, mësues e fshatarë. Ishte kjo mesatarja më të lartë e dënimit të grupeve, prej vitit 1964).
Pikërisht për këtë shpërthim, më 2 prill të vitit 1981, në orët e mbrëmjes, kreu shtetëror e politik i Jugosllavisë shpalli shtetrrethimin në Kosovë, me shumë kufizime të lëvizjes së qytetarëve, ndalim rigoroz të qarkullimit të çdo personi gjatë natës, ndalim të grumbullimit të më shumë se tre personave, ndërprerja e mësimit në të gjitha nivelet në tërë territorin e Krahinës së Kosovës, ndjekja arrestimi dhe nxjerrja para gjykatave të të gjithë organizatorëve, apo atyre të cilët dyshoheshin se ishin të tillë, bastisjet e çdo shtëpie të dyshuar, hapjen e rreth 400.000 dosjeve, sa i dispononte regjimi dhe një mori masash represive, ekstreme, të cilat po i realizonte Ushtria dhe Policia federale e përbërë nga pjesëtarë të të gjitha republikave të Jugosllavisë. Për shkak të përmasës, që regjimi i kishte dhënë revoltës shqiptare, pse jo Kryengritjes shqiptare të marsit e prillit të vitit 1981, ato zhvillime historike, nga kreu i Shtetit dhe nga vasalët shqipfolës të RSFJ-së, u kualifikuan si kundër-revolucion, kualifikim zyrtar ky që pasoi me një represion të përgjithshëm mbi të gjithë liridashësit shqiptarë, kudo, jo vetëm në Kosovë por edhe në trojet e tjera shqiptare nën robërinë jugosllave.
Në fillim të viteve ‘90, konkretisht në vitin 1991, kjo ngjarje nuk ishte shënuar zyrtarisht dhe mezi ishte botuar një fejton përshkrues në Gazetën “Bujku”, ku për herë të parë, pas dhjetë vitesh ishin prezantuar edhe biografitë e dëshmorëve të rënë në protesta e demonstrata. Ishte lënë krejtësisht anash edhe segmenti i përpjekjeve për të krijuar çeta kryengritëse, apo sikur quheshin, celulat e para të armatosura. Po ashtu, në fillim të kohës së pacifizmit ishte anashkaluar krejtësisht nga aktualizimi i organizatës, “Lëvizja Revolucionare e Bashkimit të Trojeve shqiptare e Adem Demaçit me bashkëveprimtarë”, edhe pse aty ishte programi, i cili u shpalos nga demonstruesit në vitin 1968 në vitin 1981 e më vonë deri edhe në platformën politike të UÇK-së dhe betimin e ushtarit të kësaj ushtrie.
Asgjë në këtë mes nuk ka qenë e rastësishme, meqë një segment mjaft i avancuar i Lëvizjes së Rezistencës aktive, në mesin e atyre që ishin liruar nga burgjet të dënuar për veprimtari të kualifikuar nga regjimi si veprimtari “separatiste e irredentiste”, kishte përkrahur Lëvizjen pacifiste të Ibrahim Rugovës dhe kishte filluar rivlerësimi apo anashkalimi i disa segmenteve organizative të së kaluarës. Duhet sqaruar faktin se veprimtarët, të burgosurit politikë nuk ishin inkuadruar në LDK, për shkaqe karrieriste, apo se i besonin vetëm rrugës së improvizuar pacifiste, apo duke hequr dorë nga e kaluara, (edhe pse mund të ketë pasur ndonjë rast të izoluar), por me qëllim që Lëvizjes pacifiste t’ ia ndërronin kursin e orientimit dhe veprimit politik e strategjik. Prania e dy kaheve të ndryshme politike në perceptimin e Lëvizjes ngadalësoi proceset drejt kryengritjes së armatosur, pikërisht në kohën kur sllovenët, kroatët dhe boshnjakët ishin përfshirë në luftë për çlirim nga Jugosllavia, e cila po shpërbëhej duke përgjakur, duke ushtruar gjenocid dhe etnocid mbi popujt jo serbë.
Të burgosurit politikë të vitit 1981 dhe ata të mëhershmit përbënin avangardën e Lëvizjes së Rezistencës aktive, sepse opsioni i tyre kishte qenë dhe kishte mbetur kryengritja e armatosur, meqë shqiptarëve, të cilët për nga numri ishin popullata e tretë në RSFJ, kushtetuta e atij shteti federal nuk iu njihte të drejtën për Vetëvendosje dhe barazi me kombet e tjera madje as me ata popuj numerikisht më të vegjël, sikur ishin sllavo-bullgarët e Maqedonisë, malazezët, sllovenët etj.
Vijon…