Demonstratat e vitit 1981

Ahmet Qeriqi: Marsi e prilli i vitit 1981, protestë, demonstratë, përpjekje për kryengritje, apo kryengritje? II

“Shkurorëzimi” nga Jugosllavia dhe jugosllavizimi

Duhet pranuar faktin se jeta e përbashkët e shqiptarëve me serbë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vitin 1981, kishte dhënë shumë rezultate në afrimin e popujve, por jo në afrimin mbi principe të barazisë, por mbi shembullin e skllavit të nënshtruar ndaj padronit. Në Jugosllavinë e atëhershme, shqiptarë të ndershëm, “poshteni shiptari” konsideroheshin vetëm ata që e donin pa lajka Jugosllavinë, si atdheun e tyre, ata që rezervoheshin të flisnin shqip, sapo futej në mesin e tyre një serb, dhe ata shqiptarë trutharë që nuk kishin as edhe ndjenjën më elementare të dashurisë për kombin e atdheun, por krenoheshin me patriotizmin jugosllave. Dhe, mjerisht, të tillë pati edhe mesin e turmave të arsimuara shqiptare, ashtu sikurse pati me bollëk edhe nga ata që u shkolluan në Beograd dhe nuk u shkëputen lehtë nga Jugosllavia. Mbi këtë klasë shqiptarësh ngrihej klasa politike projugosllave, e cila kishte pranuar rezignatën tragjike të asimilimit të ngadalshëm, meqë arrinte të mbijetonte ekonomikisht dhe arrinte të vilte favore të shumta dobiprurëse, duke u bërë pjesë e politikës jugosllave antishqiptare. Krijimi me sukses i një hibridi të tillë të çoroditur, çonte pa kthyeshëm në idenë e jugosllavizimit të shqiptarëve dhe të popujve të tjerë të federatës, ide e cila ishte përhapur sidomos në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, kur edhe ishte shpikur kombi unik jugosllav.

Është e natyrshme që periudha e tillë e rrojtjes bashkë, periudha e panatyrshme e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë, periudha e fillimit të një ngjizjeje, mes dy popujve që kishin të përbashkët vetëm armiqësinë 13 shekullore, jepte disa rezultate të caktuara, ashtu sikurse kishte dhënë edhe në kohën e Romës, kur qenë romanizuar shumë popuj të Ballkanit, por edhe në kohën e Perandorisë Otomane kur u turqizuan po ashtu një pjesë e madhe e popujve të Ballkanit.

Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve

Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve dhe kjo është merita më e madhe historike, që ndodhi në atë kohë, sepse filloi rruga e vetëdijesimit për liri, barazi dhe vetëvendosje të shqiptarëve, të cilët padrejtësisht dhe me bekimin e qarqeve politike evropiane kishin mbetur të okupuara nga Jugosllavia.

Këtë ide e përforconte edhe procesi i diferencimit ideopolitik, proces të cilin e zbatonte me përpikëri klasa titiste-rankoviqiste, shqipfolëse e Kosovës. Ishin këta partiakët e të gjitha niveleve nga LKJ, LSPPJ, LRJ, LANÇ, pastaj prokurorët, gjykatësit, porotët, milicët, sigurimi i shtetit i identifikuar si UDB si dhe një klasë e tërë denoncuesish, të cilët për shërbimet e tyre kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë shpërbleheshin në shumë aspekte. Të rralla kanë qenë shtëpitë e shqiptarëve të trojeve të robëruara të atdheut asokohe ku nuk kishte të paktën një denoncues shqipfolës. Ky është një fakt i palavdishëm, por mjerisht është një fakt historik, sepse të gjitha grupet ilegale, e tërë veprimtaria anti jugosllave është zbuluar nga shqipfolësit, nga ata që ishin shumicë, sepse popullata serbe gjithnjë ka qenë pakicë në Kosovë dhe nuk ka arritur të integrohet mes shqiptarëve.

Nuk kishte fshat në Kosovë, apo lagje në qytete, ku nuk njiheshin ata që bashkëpunonin me UDB-në, sepse ky bashkëpunim bëhej madje krejt hapur. Në çdo aksion për të shpartalluar shqiptarët liridashës kanë marrë pjesë milicët shqiptarë, ndërsa aksionet janë drejtuar nga policët serbë të UDB-së.

Edhe në aksionin gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, në ballë të forcave të rrethimit kanë qenë milicët shqiptarë. Prej vitit 1981 e deri në vitin 1989, UDB-ja dhe besnikët shqipfolës kanë vrarë dhjetëra demonstrues në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Vushtri, Mitrovicë, Drenas, Gjermani e gjetkë. Gjatë protestave të marsit e prillit janë martirizuar: Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi, Afrim Abazi,

Më vonë në intervale të ndryshme kohore nda dora mizore e UDB-së, janë martirizuar:Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Bedri Sokoli, Ismet Krasniqi, Xhemaili Berisha, etj.

Në të gjitha arrestimet e qindra grupeve të rezistencës në Kosovë gjatë viteve 80, në krye të aksioneve kanë qenë SUP-ovcat shqipfolës dhe pjesëtarë të milicisë vendore. I tillë ishte rezultati i politikës 30-vjeçare të bashkim vëllazërimit. Dhe sa më shumë që këta lakej të jugosllavizmit tregoheshin besnikë, aq më shumë kërkohej nga ata, zbatimi sa më i thellë i një politike të tillë, të egër, antikombëtare.

Këto shërbime të panatyrshme që kryen bashkëpunëtorët e të gjitha ngjyrave, me kohë çuan në degradimin fatal të kësaj klase, e cila, edhe pse kishte shërbyer besnikërisht, më në fund u detyra të largohet kokulur nga shërbimi, në fillim të viteve 90 të shekullit XX. Ishte kjo koha kur komunistët shqiptarë jugosllavë, të indinjuar dhe të zhgënjyer në politikën e Beogradit bënë edhe atë “revolucionin e njohur” të hedhjes trimërore të triskave të partisë. Dashur pa dashur ata u gjenden të braktisur nga padroni, të cilit i kishin shërbyer plot 40 vjet.

Të kota ishin përpjekjet anakronike dhe donkishoteske për ta UJDI-sur Jugosllavinë e katandisur

Të kota, anakronike dhe donkishoteske u treguan edhe përpjekjet për të krijuar organizata gjithë jugosllave si UJDI i Veton Surroit, të kota u treguan edhepërpjekjet për ta varrosur dhunën, të kota u treguan edhe fikjet e dritave dhe trokitjet me lugë nëpër pjata, që ndërmorën të zhgënjyerit dhe braktisurit titistë, zagarët e Beogradit, të kota ishin edhe shumë orvatje, që bënë skllevërit shpirtshitur, tashmë të braktisur nga padroni, të cilit i kishin kryer shërbime duke vrarë e duke denoncuar pabesisht vëllezërit e tyre të gjuhës dhe të gjakut. Të kota u treguan edhe brohoritjet për Stipe Shuvarin e Kaçusha Jasharin, të kota edhe apelet me nënshkrime të “intelektualëve”, të cilët mendonin se me “potpiset” e tyre të ruanin as aq mund të ruhej në kohën e erozionit të madh, që kishte nisur me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë që në fillim të viteve 90, të kota ishin edhe dorëzimet e triskave të partisë, së cilës i kishin shërbyer deri në neveritja.

Klasa e komunistëve “kosovarë”, e braktisur nga Beogradi, në kohën e të ashtuquajturit pluralizmit politik u rreshtua në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në disa parti të tjera, të cilat në fillet e tyre u udhëhoqën nga ish-komisarët e LKJ-së dhe nga mbeturinat e fundërrinat e UDB-së, që gjetën strehë nëpër parti politike. Ky ishte rezultati që korrën komunistët shqiptaro-jugosllavë për shërbimet e tyre të verbra kundër kombit e Atdheut.

Kjo klasë njerëzish, për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, ende fajëson kreatorët dhe organizatorët e kryengritjes së vitit 1981, sepse ata ua prishën ëndrrat dhe aspirata e tyre për përbashkësi dhe asimilim të qetë. Dhe, çuditërisht, edhe tani 34 vjet më pas, të tillët ende kanë mbetur po në ato pozicione, edhe pse Kosovën e liruan pikërisht ata që projektuan platformën e vitit 1964, 1968, 11 marsin, 26 marsin dhe 1 e 2 prillin e vitit 1981 dhe që çuan përpara proceset çlirimtare duke i kurorëzuar me luftën heroike çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së. Ndodhi kjo, sepse lufta jonë nuk u zhvillua deri në fund dhe nuk i pastroi dot mbeturinat titiste, rankoviçiste e milosheviqiste, ose pastroi fare pak.

Nuk ishte e panatyrshme asokohe të ishe marksist leninist, as enverist, por ishte e panatyrshme të ishe komunist jugosllav, titist e rankoviqist i tipit të Azem Vllasit, Ali Shukriut, të Sinan Hasanit, Rrahman Morinës, etj. Ishte e panatyrshme të denoncoje vëllanë apo nxënësin e klasës sepse kishte shkruar tinëz KR (Kosova Republikë), por ishte e moralshme dhe kombëtarisht e preferueshme të rezistoje, pse jo edhe të mbaheshe i izoluar nëpër burgjet e pushtuesit, për ta kundërshtuar robërinë, qoftë edhe vetëm me bindje, duke iu qëndruar konsekuent, deri në fund, atyre bindjeve. Ishte krejtësisht e panatyrshme dhe e pamoralshme të fitoje grada duke denoncuar bashkëkombësit, apo duke izoluar, sulmuar e përbuzur familjet e atyre që ndodheshin nëpër burgje. Ishte e natyrshme dhe e moralshme të ndihmoje familjet e atyre që i kishte sakatosur regjimi okupator.

Bërthama e ideatorëve të kryengritjes së vitit 1981 u bë më vonë edhe bërthamë e UÇK-së

Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit.

Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët nxori para gjyqit për vute të tëra sa e sa grupe studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës për Kosovën Republikë angazhoheshin dhjetëra grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.

Edhe pse në luftë për ta thyer “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar” ishte inkuadruar tërë aparatura politike dhe aparatura e represionit fizik, edhe pse luftën kundër këtij “nacionalizmi” e përkrahen të gjitha shtetet e Evropës, me përjashtim të Shqipërisë, e cila kërkesat e rinisë shqiptare i mbështeti fuqishëm, edhe pse në këtë luftë në mënyrën më të paturpshme dhe më të panatyrshme, po merrnin pjesë edhe shumë shqiptarë besnikë të jugosllavizmit, lufta për realizimin e idealeve kombëtare u tregua shumë më e fortë dhe përballoi me sukses të gjitha sfidat në rrethanat e caktuara shoqërore dhe historike.

Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar barazi dhe liri.

Në vitet 80 sipas informatave që sjellte shtypi i huaj, por edhe ai jugosllav për vepra të cilësuara si antijugosllave, janë dënuar prej 2 muaj e deri në 20 vjet burg rreth 12,000 shqiptarë, të moshave të ndryshme, por mesatarja e moshës së tyre ishte prej 20 deri në 30 vjet. UDB-ja kishte hapur rreth 400.000 dosje për shumicën dërrmuese të intelektualëve shqiptarë, kryesisht të familjeve që ishin shquar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe qysh prej vitit 1912. Vetëm në ushtrinë jugosllave qenë dënuar 1.200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe ndonjë epror. Shtypi i kohës nuk i ka shënuar këto të dhëna, meqë nuk lejonte censura e kohës së totalitarizmit jugosllav.

Në luftë për ta “thyer” nacionalizmin shqiptar kishte filluar edhe aksioni i diferencimit ideopolitik, të cilit i printe ideologu famëkeq titist, Azem Vllasi dhe kompania e tij diferencuese. Në këtë luftë të panatyrshme, antishqiptare, morën pjesë në mënyra të ndryshme të gjitha republikat e Jugosllavisë e veçanërisht ajo e Maqedonisë, ku po ashtu luftohej nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar. Kjo luftë nxiti fuqishëm nacionalshovenizmin serb, i cili pasi supozonte se i kishte nënshtruar shqiptarët, filloi luftën për të nënshtruar edhe sllovenët, kroatët e myslimanët e Bosnjës.

Me qëllim për të vepruar në drejtim të krijimit të një force kombëtare, kishin shkuar në Shqipëri për t’ u stërvitur ushtarakisht në kohën e regjimit të Ramiz Alisë, dy grupe atdhetarësh, në mesin e tyre edhe komandanti i ardhshëm legjendar i UÇK-së,Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Salih Çeku e disa të tjerë. Po për këtë qëllim qenë organizuar edhe grupe të ndryshme ilegalësh që kryenin stërvitje ushtarake sidomos në Drenicë Dukagjin dhe në Llap. Në krijimin e celulave të para të UÇK-së, po thuajse në të gjitha ato celula kishte ish të burgosur dhe të përndjekur që veprimtarinë e tyre antijugosllave e kishin nisur në Mars Prill të vitit 1981. Një pjesë nga këta veprimtarë, në kushte dhe rrethana të caktuara ishte inkuadruar në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila përjetoi batica dhe zbatica të shumta, meqë në kuadër të saj supozohej me të drejtë se ishin futur edhe kuadro të luhatshëm. Pavarësisht nga dobësitë, sektarizmi dhe bajraktarizmi, që mbretëroi në LPK, klasa e ish të përndjekurve kishte zgjeruar veprimtarinë në të gjitha vendet në Evropë, por edhe brenda në Kosovë, ku vepronin grupet e para guerile të armatosura, të cilat tashmë kishin kryer sa e sa aksione kundër stacioneve të policisë serbe kundër milicëve dhe kolaboracionistëve.

Në Kohën e krijimit të strukturave të para organizative të UÇK-së brenda në Kosovë dhe në mërgatë, në të gjitha nivelet komanduese ishin inkuadruar ish të përndjekurit dhe të dënuarit e vitit 1981. Ata tashmë drejtonin Shtabin e Përgjithshëm, shumicën e zonave Operative, sigurimin sekret, institucionet e para informative të UÇK-së, Fondin “Vendlindja Thërret” dhe përgjithësisht Lëvizjen për liri, Kryengritja e filluar në vitin 1981 u kurorëzua me luftën fitimtare të UÇK-së në qershor të vitit 1999. Kërkesa për çlirimin e vendit dhe krijimin e Republikës së Kosovës u kurorëzua më 17 shkurt të vitit 2008 me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …