leoni

vitit 1981

Ahmet Qeriqi: Marsi e prilli i vitit 1981, kthesë vendimtare në luftë për krijimin e Republikës së Kosovës

Ahmet QeriqiSa herë vjen 11 marsi, na kthen në kujtesë atë të kaluar jo të largët dhe përgjithësisht i kujtojmë zhvillimet sociale e politike, që u manifestuan në mars, prill, maj të vitit 1981. I përkujtojmë të rënët, vizitojmë familjarët e tyre, shihemi me ndonjë bashkëvuajtës burgu, evokojmë ndonjë kujtim. Dhe, kështu nga viti në vit edhe pas 36 viteve, në disa segmente ende vendnumërojmë, mjaftohemi me botimin e shkrimeve, vështrimeve, komenteve dhe ndonjë studimi që megjithatë është ende larg nga studimi i mirëfilltë shkencor për historinë tonë më të re e cila filloi pikërisht më 11 mars të vitit 1981.

 11 marsi i vitit 1981 ishte shkëndija që paralajmëronte fillimin e zbrazjes së zemërimit popullor kundër padrejtësive, kundër shtypjes e shfrytëzimit nga Serbia e përgjithësisht nga RSFJ, kundër idesë së përshtatjes, kundër pretendimeve për krijimin e një kombi hibrid kosovar, kundër jugosllavizimit të qetë dhe përbashkësisë me popujt sllavë.

Kërkesat sociale që u manifestuan në mbrëmjen e 11 marsit, në “Mensën e Studentëve”, në Prishtinë për kushte më të mira jete, nuk ishin spontane por kulmim i natyrshëm i një zemërimi, i cili nuk mund të përmbahej më tej.

Defilimi i qindra studentëve në orët e mbrëmjes të asaj dite, u pasua me solidarizimin e mijëra qytetarëve, të cilët për afër katër orë rresht protestuan paqësisht nëpër sheshet e Prishtinës.

Alarmi i fillimit të manifestimit të zemërimit popullor kundër pabarazisë dhe padrejtësive tashmë ishte dhënë. Lëvizja e fshehtë e Rezistencës, e njohur në kuptimin përgjithësues si Lëvizje ilegale kishte filluar të mobilizonte radhët dhe të artikulonte përveç kërkesave sociale edhe kërkesa politike, meqë me të drejtë konstatohej se barazia e plotë e shqiptarëve në Kosovë e më gjerë nën okupimin jugosllav, do të arrihej me krijimin e një Republike të barabartë me republikat e tjera të Federatës jugosllave.

Zhvillimet që pasuan më 26 mars, të po atij viti, në kohën kur nëpër qendër të Prishtinës po defilonte Stafeta e Titos, (një manifestim i kultit politik gjithë-jugosllav), Njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e më besnikëve të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Xhavit Nimani, Ali Shukriu, Mehmet Cikuli- Maliqi e të tjerë, sulmuan brutalisht demonstruesit, duke përgjakur qindra prej tyre. Intervenimi brutal i policisë dhe ushtrisë jugosllave, më 1, 2 dhe 3 prill 1981, nxori në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të fashizmit jugosllav dhe të bashkëpunëtorëve, të cilët i shërbenin asaj politike shoviniste antishqiptare. Revolta gjithë popullore, që pasoi më 2 dhe 3 prill, ia çjerri përfundimisht maskën politikës së ” përbashkësisë e barazisë së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”.

Përballë protestuesve në Prishtinë më 2 prill, krerët e Lëvizjes atdhetare e cila vepronte në fshehtësi kishin shpalosur programin kombëtarë të luftës për liri, drejtësi e barazi por edhe për aspiratën për bashkim kombëtar. Fjalimi i kreut të Lëvizjes së kohës, Hydajet Hyseni kishte mobilizuar masat e protestuesve, të cilët tanimë ishin bindur se Lëvizja kishte edhe kreun e saj dhe nuk ishte e rastit, ashtu sikur ishte paragjykuar.

Shtypi perëndimor dhe ai i Tiranës zyrtare konstatonin se në Kosovë kishte ndodhur njëra ndër gjakderdhjet më të pashembullta në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore. Në prill të vitit 1981 në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Vushtri, Mitrovicë, Drenas: ishin martirizuar, Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi.  Në aksionin gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, kanë rënë trimërisht Tahir Meha me babanë të Nebihun, duke lënë të vrarë 5 policë dhe ushtarë jugosllavë dhe duke plagosur shumë të tjerë.

 II.

Një segment të fuqishëm Lëvizjes çlirimtare më 1.2 dhe 3 prill të vitit 1981, ia kishte dhënë rinia revolucionare e disa fshatrave të Llapit në Besi, fshat i komunës së Prishtinës, ku ata ishin barrikaduar  me qëllim për të mos lejuar hyrjen e forcave intervencioniste serbe, në kryeqytet, në kohën kur kishin eskaluar protestat e demonstratat, me ç rast milicia e Jugosllavisë kishte vrarë nëntë protestues dhe kishte plagosur qindra të tjerë. Ata, të edukuar me frymën qëndrestare të Adem Demaçit, i cili ishte nga kjo pjesë e Kosovës, kishin arritur që më 2 prill të atij viti, të ndalojnë disa kamionë me policë serbë, të cilët i çarmatosin, ua kishin rrëmbyer rreth 150 armë, si dhe municion e pajisje lufte. Kishin vendosur  postbllokun në Besi, dhe nuk kishin lejuar  hyrjen e automjeteve shtetërore të Serbisë të  depërtonin në drejtim të Prishtinës. Më tre prill, ata kanë sulmuar një helikopter të policisë serbe, i cili kishte vëzhguar mbi malet e Besisë, ku ishin pozicionuar  flamurtarët e parë të Kosovës Republikë.

Në grupin të rriturve  kanë qenë pjesëmarrës aktivë dhe më vonë janë kapur e dënuar me burg të rëndë:

Ruzhdi Hajdini, nga fshati Miroc, Sami Leci nga fshati Barilevë, Zijadin Hoxha nga Prishtina, Vehbi Leci nga Barileva, Osman Krasniqi nga Bërnica e Epërme, Ibush Kelmendi nga fshati Prugoc, Agim Selmani nga Barileva, Agim Leci, po ashtu nga Barileva, dhe Hajrullah Dragusha nga Prugoci. Të gjithë janë dënuar me dënime maksimale me burg të rëndë dhe janë transferuar nëpër burgjet më famëkëqija të Jugosllavisë. Mesatarja e dënimit 12 vjet burg.

Në grupin e  dytë të të rriturve:

Zymer Krasniqi nga fshati Besi, Bajram Syla nga Rimanishta, Qerim Arifi nga Rimanishta, Nagip Bllaca, nga Besia, Naim Statocvi, nga fshati Prugovc, Sadik Dragusha, nga fshati Prugovc, Shaban Dragusha, po ashtu nga Prugovci, Ramadan Rexha nga Rimanishta, Enver Koliqi nga fshati Lupç i Poshtëm, Nexhmedin Pireva nga fshati Lupç, Sadri Berisha nga fshati Drenovc. Të gjithë janë dënuar me burg të rëndë. Disa nga këta janë ridënuar gjatë mbajtjes së burgut.

 

Në grupin e tretë të të  miturve:

 Afrim Bllacaku, Agim Selim Leci, Naser Rexha, Shemsi M. Leci, Fadil Shala, Ekrem Dragusha, Avni Llumnica, Veton Osmani, Xhemshir Leci, Pajazit Ndreca, Nexhat Dragusha, Osman H. Abdullahu, Sami Abdullahu, Osman S. Abdullahu, Ismajl Koliqi, Zenel Krasniqi, Lutfi Leci, dhe Xhafer Fetahu, në gjithë nën moshën 18 vjeçare. Të gjithë janë dënura prej 1 deri në 5 vjet burg për të mitur, por janë transferuar nëpër burgjet e Jugosllavisë, madje edhe në Goli Orok, në Gulagun e Jugosllavisë. Të gjithë janë ndëshkuar fizikisht dhe janë ndjekur e izoluar edhe pas kryerjes së dënimit.

Qëndresa heroike në Besi, demonstratat në Prishtinë dhe në shumë qytete të Kosovës, më 1.2 dhe 3 prill 1981,  bënë  që krerët më të lartë të shtetit dhe armatës jugosllave të shpallin gjendjen e luftës dhe shtetrrethimin në Kosovë,  prej 3 deri më 18 prill, të atij viti. Ishte ndërprerë mësimi në të gjitha nivelet e shkollimit, ishte ndaluar tubimi i më shumë se tre personave në një vend, kishte filluar kontrollimi  dhe bastisja në të gjitha familjet e dyshuara, ishte aplikuar ora policore prej orës 20.oo deri në orën 6.00 të mëngjesit dhe një varg masash të tjera represive.

III

Më 2 prill të vitit 1981, kreu politik dhe ushtarak i RSFJ-së kishte shpallur gjendjen e shtetrrethimit në Kosovë,

 Më 2 prill të vitit 1981, kreu politik dhe ushtarak i RSFJ-së kishte shpallur gjendjen e shtetrrethimit në Kosovë, e cila parashihej të zgjaste deri më 18 prill të atij viti. Ishte ndërprerë mësimi në të gjitha nivelet e shkollimit, ishte ndaluar tubimi i më shumë se tre personave në një vend, kishte filluar kontrollimi  dhe bastisja në të gjitha familjet e dyshuara, ishte aplikuar ora policore prej orës 20.oo deri në orën 6.00 të mëngjesit dhe një varg masash të tjera represive.

Në aksionin gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, kanë rënë trimërisht Tahir Meha me babanë të Nebihun, duke lënë të vrarë 5 policë dhe ushtarë jugosllavë dhe duke plagosur shumë të tjerë.

Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit. Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët, milicët, inspektorët e UDB-së, prokurorët, gjyqtarët, nxori para gjyqeve qindra grupe nxënësish, studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës Kosova Republikë angazhoheshin shumë grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.

Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar barazi dhe liri.

Në vitet 80 sipas informatave që sjell shtypi i huaj, por edhe ai jugosllav, për vepra të cilësuara si antijugosllave, janë dënuar prej 2 muaj e deri në 20 vjet burg rreth 12.000 shqiptarë, të moshave të ndryshme, por mesatarja e moshës së tyre ishte prej 20 deri në 30 vjet. UDB-ja kishte hapur rreth 400.000 dosje për shumicën dërrmuese të intelektualëve shqiptarë, kryesisht të familjeve që ishin shquar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe qysh prej vitit 1912. Vetëm në ushtrinë jugosllave qenë dënuar 1.200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe disa eprorë. Shtypi i kohës nuk i ka shënuar këto të dhëna, meqë nuk lejonte censura e kohës së totalitarizmit jugosllav.

Në Kohën e krijimit të strukturave të para organizative të UÇK-së brenda në Kosovë dhe në mërgatë, po thuajse në të gjitha nivelet komanduese ishin inkuadruar ish të përndjekurit dhe të dënuarit e vitit 1981 e më vonë. Ata tashmë drejtonin Shtabin e Përgjithshëm, shumicën e zonave Operative, sigurimin sekret, institucionet e para informative të UÇK-së. Përderisa shumica e të burgosurve të vitit 1981 qenë hedhur në ballin e luftës për liri, pati edhe disa oportunistë që i mbeten besnikë Lëvizjes pacifiste, duke mos i besuar forcës kombëtare e cila po e zhvillonte rezistencën e armatosur.

Në këtë aspekt marsi dhe prilli i vitit 1981 shënojnë njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi asokohe, shqiptarët sot do të jetonin ashtu sikur se jetojnë hungarezët në Vojvodinë, myslimanët në Sanxhak, apo vllahet në krahinën e Timokut në Serbi. Mirëpo në kushte dhe rrethana të caktuara lëvizja e rezistencës shqiptare, e përkrahur fuqimisht edhe nga Tirana zyrtare, arriti të konsolidojë idealin e lirisë, arriti ta mbajë gjallë atë dhe në rrugën e gjatë e të mundimshme të historisë, arriti të realizojë me sukses tri luftëra çlirimtare, të cilat u përkrahën nga mbarë shqiptarët atdhedashës dhe nga forcat përparimtare botërore. 

 

IV.

“Shkurorëzimi” nga Jugosllavia dhe fillimi i dejugosllavizimit

Duhet pranuar faktin se jeta e përbashkët e shqiptarëve me serbë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vitin 1981, kishte dhënë shumë rezultate në afrimin e popujve, por jo në afrimin mbi principe të barazisë, por mbi shembullin e skllavit të nënshtruar ndaj padronit. Në Jugosllavinë e atëhershme, shqiptarë të ndershëm, “poshteni shiptari” konsideroheshin vetëm ata që e donin pa lajka Jugosllavinë, si atdheun e tyre, ata që rezervoheshin të flisnin shqip, sapo futej në mesin e tyre një serb, dhe ata shqiptarë trutharë që nuk kishin as edhe ndjenjën më elementare të dashurisë për kombin e atdheun, por krenoheshin me patriotizmin jugosllave. Dhe, mjerisht, të tillë pati edhe mesin e turmave të arsimuara shqiptare, ashtu sikurse pati me bollëk edhe nga ata që u shkolluan në Beograd dhe nuk u shkëputen lehtë nga Jugosllavia. Mbi këtë klasë shqiptarësh ngrihej klasa politike projugosllave, e cila kishte pranuar rezignatën tragjike të asimilimit të ngadalshëm, meqë arrinte të mbijetonte ekonomikisht dhe arrinte të vilte favore të shumta dobiprurëse, duke u bërë pjesë e politikës jugosllave antishqiptare. Krijimi me sukses i një hibridi të tillë të çoroditur, çonte pa kthyeshëm në idenë e jugosllavizimit të shqiptarëve dhe të popujve të tjerë të federatës, ide e cila ishte përhapur sidomos në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, kur edhe ishte shpikur kombi unik jugosllav.

Është e natyrshme që periudha e tillë e rrojtjes bashkë, periudha e panatyrshme e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë, periudha e fillimit të një ngjizjeje, mes dy popujve që kishin të përbashkët vetëm armiqësinë 13 shekullore, jepte disa rezultate të caktuara, ashtu sikurse kishte dhënë edhe në kohën e Romës, kur qenë romanizuar shumë popuj të Ballkanit, por edhe në kohën e Perandorisë Otomane kur u turqizuan po ashtu një pjesë e madhe e popujve të Ballkanit.

Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve

Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve dhe kjo është merita më e madhe historike, që ndodhi në atë kohë, sepse filloi rruga e vetëdijesimit për liri, barazi dhe vetëvendosje të shqiptarëve, të cilët padrejtësisht dhe me bekimin e qarqeve politike evropiane kishin mbetur të okupuara nga Jugosllavia.

Këtë ide e përforconte edhe procesi i diferencimit ideopolitik, proces të cilin e zbatonte me përpikëri klasa titiste-rankoviqiste, shqipfolëse e Kosovës. Ishin këta partiakët e të gjitha niveleve nga LKJ, LSPPJ, LRJ, LANÇ, pastaj prokurorët, gjykatësit, porotët, milicët, sigurimi i shtetit i identifikuar si UDB si dhe një klasë e tërë denoncuesish, të cilët për shërbimet e tyre kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë shpërbleheshin në shumë aspekte. Të rralla kanë qenë shtëpitë e shqiptarëve të trojeve të robëruara të atdheut asokohe ku nuk kishte të paktën një denoncues shqipfolës. Ky është një fakt i palavdishëm, por mjerisht është një fakt historik, sepse të gjitha grupet ilegale, e tërë veprimtaria anti jugosllave është zbuluar nga shqipfolësit, nga ata që ishin shumicë, sepse popullata serbe gjithnjë ka qenë pakicë në Kosovë dhe nuk ka arritur të integrohet mes shqiptarëve.

 Në të gjitha arrestimet e qindra grupeve të rezistencës në Kosovë gjatë viteve 80, në krye të aksioneve kanë qenë SUP-ovcat shqipfolës dhe pjesëtarë të milicisë vendore. I tillë ishte rezultati i politikës 30-vjeçare të bashkim vëllazërimit. Dhe sa më shumë që këta lakej të jugosllavizmit tregoheshin besnikë, aq më shumë kërkohej nga ata, zbatimi sa më i thellë i një politike të tillë, të egër, antikombëtare.

Këto shërbime të panatyrshme që kryen bashkëpunëtorët e të gjitha ngjyrave, me kohë çuan në degradimin fatal të kësaj klase, e cila, edhe pse kishte shërbyer besnikërisht, më në fund u detyra të largohet kokulur nga shërbimi, në fillim të viteve 90 të shekullit XX. Ishte kjo koha kur komunistët shqiptarë jugosllavë, të indinjuar dhe të zhgënjyer në politikën e Beogradit bënë edhe atë “revolucionin e njohur” të hedhjes trimërore të triskave të partisë. Dashur pa dashur ata u gjenden të braktisur nga padroni, të cilit i kishin shërbyer plot 40 vjet.

V

Të kota ishin përpjekjet anakronike dhe donkishoteske për ta UJDI-sur Jugosllavinë e katandisur

Të kota, anakronike dhe donkishoteske u treguan edhe përpjekjet për të krijuar organizata gjithë jugosllave si UJDI i Veton Surroit, të kota u treguan edhepërpjekjet për ta varrosur dhunën, të kota u treguan edhe fikjet e dritave dhe trokitjet me lugë nëpër pjata, që ndërmorën të zhgënjyerit dhe braktisurit titistë, zagarët e Beogradit, të kota ishin edhe shumë orvatje, që bënë skllevërit shpirtshitur, tashmë të braktisur nga padroni, të cilit i kishin kryer shërbime duke vrarë e duke denoncuar pabesisht vëllezërit e tyre të gjuhës dhe të gjakut. Të kota u treguan edhe brohoritjet për Stipe Shuvarin e Kaçusha Jasharin, të kota edhe apelet me nënshkrime të “intelektualëve”, të cilët mendonin se me “potpiset” e tyre të ruanin as aq mund të ruhej në kohën e erozionit të madh, që kishte nisur me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë që në fillim të viteve 90, të kota ishin edhe dorëzimet e triskave të partisë, së cilës i kishin shërbyer deri në neveritja.

Klasa e komunistëve “kosovarë”, e braktisur nga Beogradi, në kohën e të ashtuquajturit pluralizmit politik u rreshtua në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në disa parti të tjera, të cilat në fillet e tyre u udhëhoqën nga ish-komisarët e LKJ-së dhe nga mbeturinat e fundërrinat e UDB-së, që gjetën strehë nëpër parti politike. Ky ishte rezultati që korrën komunistët shqiptaro-jugosllavë për shërbimet e tyre të verbra kundër kombit e Atdheut.

Kjo klasë njerëzish, për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, ende fajëson kreatorët dhe organizatorët e kryengritjes së vitit 1981, sepse ata ua prishën ëndrrat dhe aspirata e tyre për përbashkësi dhe asimilim të qetë. Dhe, çuditërisht, edhe tani 34 vjet më pas, të tillët ende kanë mbetur po në ato pozicione, edhe pse Kosovën e liruan pikërisht ata që projektuan platformën e vitit 1964, 1968, 11 marsin, 26 marsin dhe 1 e 2 prillin e vitit 1981 dhe që çuan përpara proceset çlirimtare duke i kurorëzuar me luftën heroike çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së. Ndodhi kjo, sepse lufta jonë nuk u zhvillua deri në fund dhe nuk i pastroi dot mbeturinat titiste, rankoviçiste e milosheviqiste, ose pastroi fare pak.

Nuk ishte e panatyrshme asokohe të ishe marksist leninist, as enverist, por ishte e panatyrshme të ishe komunist jugosllav, titist e rankoviqist i tipit të Azem Vllasit, Ali Shukriut, të Sinan Hasanit, Rrahman Morinës, etj. Ishte e panatyrshme të denoncoje vëllanë apo nxënësin e klasës sepse kishte shkruar tinëz KR (Kosova Republikë), por ishte e moralshme dhe kombëtarisht e preferueshme të rezistoje, pse jo edhe të mbaheshe i izoluar nëpër burgjet e pushtuesit, për ta kundërshtuar robërinë, qoftë edhe vetëm me bindje, duke iu qëndruar konsekuent, deri në fund, atyre bindjeve. Ishte krejtësisht e panatyrshme dhe e pamoralshme të fitoje grada duke denoncuar bashkëkombësit, apo duke izoluar, sulmuar e përbuzur familjet e atyre që ndodheshin nëpër burgje. Ishte e natyrshme dhe e moralshme të ndihmoje familjet e atyre që i kishte sakatosur regjimi okupator.

 

VI

Bërthama e ideatorëve të kryengritjes së vitit 1981 u bë më vonë edhe bërthamë e UÇK-së

Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit.

Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët nxori para gjyqit për vute të tëra sa e sa grupe studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës për Kosovën Republikë angazhoheshin dhjetëra grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.

Edhe pse në luftë për ta thyer “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar” ishte inkuadruar tërë aparatura politike dhe aparatura e represionit fizik, edhe pse luftën kundër këtij “nacionalizmi” e përkrahen të gjitha shtetet e Evropës, me përjashtim të Shqipërisë, e cila kërkesat e rinisë shqiptare i mbështeti fuqishëm, edhe pse në këtë luftë në mënyrën më të paturpshme dhe më të panatyrshme, po merrnin pjesë edhe shumë shqiptarë besnikë të jugosllavizmit, lufta për realizimin e idealeve kombëtare u tregua shumë më e fortë dhe përballoi me sukses të gjitha sfidat në rrethanat e caktuara shoqërore dhe historike.

Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar barazi dhe liri.

Në luftë për ta “thyer” nacionalizmin shqiptar kishte filluar edhe aksioni i diferencimit ideopolitik, të cilit i printe ideologu famëkeq titist, Azem Vllasi dhe kompania e tij diferencuese. Në këtë luftë të panatyrshme, antishqiptare, morën pjesë në mënyra të ndryshme të gjitha republikat e Jugosllavisë e veçanërisht ajo e Maqedonisë, ku po ashtu luftohej nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar. Kjo luftë nxiti fuqishëm nacionalshovenizmin serb, i cili pasi supozonte se i kishte nënshtruar shqiptarët, filloi luftën për të nënshtruar edhe sllovenët, kroatët e myslimanët e Bosnjës.

Me qëllim për të vepruar në drejtim të krijimit të një force kombëtare, kishin shkuar në Shqipëri për t’ u stërvitur ushtarakisht në kohën e regjimit të Ramiz Alisë, dy grupe atdhetarësh, në mesin e tyre edhe komandanti i ardhshëm legjendar i UÇK-së,Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Salih Çeku e disa të tjerë. Po për këtë qëllim qenë organizuar edhe grupe të ndryshme ilegalësh që kryenin stërvitje ushtarake sidomos në Drenicë Dukagjin dhe në Llap. Në krijimin e celulave të para të UÇK-së, po thuajse në të gjitha ato celula kishte ish të burgosur dhe të përndjekur që veprimtarinë e tyre antijugosllave e kishin nisur në Mars Prill të vitit 1981. Një pjesë nga këta veprimtarë, në kushte dhe rrethana të caktuara ishte inkuadruar në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila përjetoi batica dhe zbatica të shumta, meqë në kuadër të saj supozohej me të drejtë se ishin futur edhe kuadro të luhatshëm. Pavarësisht nga dobësitë, sektarizmi dhe bajraktarizmi, që mbretëroi në LPK, klasa e ish të përndjekurve kishte zgjeruar veprimtarinë në të gjitha vendet në Evropë, por edhe brenda në Kosovë, ku vepronin grupet e para guerile të armatosura, të cilat tashmë kishin kryer sa e sa aksione kundër stacioneve të policisë serbe kundër milicëve dhe kolaboracionistëve.

Në Kohën e krijimit të strukturave të para organizative të UÇK-së brenda në Kosovë dhe në mërgatë, në të gjitha nivelet komanduese ishin inkuadruar ish të përndjekurit dhe të dënuarit e vitit 1981. Ata tashmë drejtonin Shtabin e Përgjithshëm, shumicën e zonave Operative, sigurimin sekret, institucionet e para informative të UÇK-së, Fondin “Vendlindja Thërret” dhe përgjithësisht Lëvizjen për liri. Kryengritja e filluar në vitin 1981 u kurorëzua me luftën fitimtare të UÇK-së në qershor të vitit 1999. Kërkesa për çlirimin e vendit dhe krijimin e Republikës së Kosovës u kurorëzua më 17 shkurt të vitit 2008.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …