Ahmet Qeriqi: Mazohizmi politik i një pjese të kreut të PDK-së është i dëmshëm, i paarsyeshëm dhe i papërgjegjshëm

Ahmet Qeriqi: Mazohizmi politik i një pjese të kreut të PDK-së është i dëmshëm, i paarsyeshëm dhe i papërgjegjshëm

Injorimi, që një pjesë e kreut të PDK-s i ka bërë ofertës së Nismës Socialdemokrate për koalicion parazgjedhor, lë për të kuptuar se gjendja e përgjithshme në këtë parti është e nderë, e pa unifikuar  dhe me mjaft probleme, të cilat nuk mbulohen dot me retorikën e përditshme, në para fushatën zgjedhore, që tashmë po zhvillohet kudo në vend, nga të gjitha partitë.

Mungesa e përgjegjësisë dhe mungesa e perceptimit realist të rrethanave aktuale, nëpër të cilat po kalon vendi, sidomos e tri partive të dala nga lufta e UÇK-së, në radhë të parë dëmton elektoratin me prejardhje nga lufta çlirimtare e fitimtare dhe i dërgon mesazh të keq Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, thellon hendekun e përçarjes me asgjë të justifikueshëm dhe ngre në pikëpyetje seriozitetin e deklaratave nganjëherë edhe mujshare e prepotente të drejtuesve të këtyre partive.

PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma u bënë bashkë për ta marrë një hise të pushtetit dhe u bënë me LDK-në, për ta mundur Lëvizjen Vetëvendosje, por tani kur sulmohen  nga të gjitha anët vlerat e luftës së UÇK-së nga brenda e nga jashtë, tani disa nga krerët e këtyre partive nuk bëhen bashkë për Kosovën për Luftën dhe Lirinë që ka një emër apo shumë emra.

Tani ata llogaritin me logjikën e bajrakut, klanit, grupit dhe dëmtojnë në radhë të parë vetveten, por edhe krahun e luftës përgjithësisht.

Dihet historiku i shkizmës brenda PDK-së dhe nuk është rasti as momenti ta nxjerrim në sipërfaqe.

Dihet po ashtu se brenda PDK-së ka autokratë të papërmirësueshëm, si në çdo parti tjetër, ku më shumë e ku më pak, të cilët i kanë stopuar proceset e zhvillimit normal dhe të natyrshëm të partive, meqë interesin e klanit të vetë e kanë përvetësuar për qëllime thjesht përfitimi, sepse fitorja në zgjedhje sjellë në tryezë “tepsinë e madhe të buxhetit”, që në fund të fundit është aspiratë e pangopshme e të gjitha partive politike në vend, pa edhe më të voglin përjashtim.

Dihet po ashtu se si u anashkalua nga elektorati një deputet i kësaj partie, në Kuvend, i cili thoshte hapur se nuk janë asgjë të kesh nëpër dorë dy tre milionë euro, duke lënë të nënkuptohet se ai ka edhe shumë milionë të tjerë. Kjo prepotencë arrogante, mujshare dhe e papërgjegjshme e dëmton partinë, e fyen elektoratin, i nënvlerëson dhjetëra mijëra familje skamnore në vendin tonë, që marrin asistencë sociale me nga 100 euro në muaj.

Autokratë të tillë, mujsharë e prepotentë ka në të gjitha partitë, ku më shumë e ku më pak, sidomos në partitë e mëdha dhe për fatin tonë të keq, janë ata që vendosin mbi vullnetin e shumicës në parti dhe shpërfillin në tërësi elektoratin, sepse tekefundit,  meqë përditë kanë nga dy tre milionë në duar,  e blejnë votuesit  kur të duan.

Në mos për hir të Fatmir Limajt, kryetarit të Nismës, atëherë ka qenë dashur që për hir të kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, të lidhet një koalicion, ku do të përfitonin të dyja partitë, kuptohet secila me fuqinë e vetë elektorale. Ish-zëdhënësi i luftës së UÇK-së, personaliteti më konsekuent i luftës për liri e pavarësi, i burgosuri politik, intelektuali dhe besniku më i madh i luftës së UÇK-së dhe mbrojtjes së vlerave të saj, Jakup Krasniqi, është emër i nivelit të lartë mbarëkombëtar, jo vetëm për pozitat e larta shtetërore që ka bartur  gjatë dhe pas luftës, por edhe për mbrojtjen e UÇK-së, si askush tjetër deri tani.

Mund të ketë individë të caktuar në PDK që nuk e duan Jakup Krasniqin, por tani kur ai ndodhet padrejtësisht  i arrestuar nga Gjykata Speciale, ashtu sikur edhe gjashtë të tjerët, vlera kombëtare e këtij personaliteti tejkalon elektoratin e Nismës por edhe të PDK-së, ashtu sikur edhe vlera e bashkëluftëtarëve të tij, me të cilët ndodhet në burg.

Mendoj dhe shpresoj se prangosja e Jakup Krasniqit në burgun e Hagës, do ta rrisë elektoratin e Nismës, sepse në këtë mënyrë idealistët, luftëtarët e vërtetë të lirisë, do të votojnë për vlerën më  sublime por edhe për personalitetet e tjera të Nismës, e në veçanti për  kryetarin e  saj, Fatmir Limaj.

Po kështu, injorimi momental që iu ka bërë Nismës, për koalicion parazgjedhor, nuk do të thotë se nuk do të ketë afrim madje edhe bashkëpunim pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.

Për hir të ruajtjes së unitetit brenda “krahut të luftës”, për shkak të arrestimit dhe mbajtjes në burg të krerëve të luftës së UÇK-së dhe interesit kombëtar në përgjithësi, partitë me prejardhje nga lufta e UÇK-së duhet të tregojnë vetëpërmbajtje, mirëkuptim për njëri-tjetrin, sepse fitorja e tyre në zgjedhje e parakohshme, do të jenë  një plebishit që iu tregon forcave të caktuara antishqiptare të Evropës, veçmas Serbisë së Vuçiqit  se  shqiptarët janë dhe do të mbesin unikë  në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së, të cilat i ka përkrahur bota përparimtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe shtetet anëtare të NATO-s.

Dyqind e më shumë dëshmitarë shqipfolës e serb-folës në Gjykatën e Hagës kundër UÇK-së, pavarësisht epilogut të procesit të gjykimit, dhe pesë gjashtë jugo-medie,  nuk heqin në kandar dhe nuk e zbehin as edhe një vlerë të vetme të luftës. Ata, edhe pse me deklarata kundër luftës nuk  mund t’i qesin turp kombit, sepse jo rastësisht thuhet se një dele e keqe, qoftë e bardhë apo  e zezë,  nuk e prish dot kopenë. Të tillë ka pasur kurdoherë gjatë historisë, por dihet edhe fati i tyre i zi në kujtesën e popullit.

Nisma, AAK-ja dhe PDK-ja kanë të përbashkët vertebrën kombëtare, shoqërore  e politike, por janë krerët aktualë, apo disa nga ata, që ose nuk e kuptojnë këtë vertebër, ose e shpërfillim për interesat e tyre, të cilat kurrsesi nuk do të jenë edhe interesa të Kosovës e të kombit përgjithësisht.

Bashkimi e uniteti i bën të mundur gjërat në dukje të pamundshme, ndërsa ndarja e përçarja të mundshmet i bën të pamundshme.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …