Mbulesa e kokës me shami e femrave në islam nuk është kusht fondamental, nuk është farz, nuk është njëra prej pesë sharteve të Islamit as gjashtë sharteve të Imanit. Dihet cilat janë “shartet” fondamentet që përbëjnë shtyllat e një feje. Mbulesa me shami është traditë e hershme e popujve, jo vetëm të Azisë por e të gjithë popujve të botës. Deri vonë të gjitha gratë e krishtera të popujve ballkanikë e më gjerë por edhe të fesë katolike i kanë bartur shamitë në kokë. Shamitë dhe veshjet e tyre karakteristike i praktikojnë edhe murgeshat kudo në botë.
Fushata për bartjen e shamisë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Kosovë ka qenë dhe po mbetet “mollë sherri” mes shqiptarëve me shumicë të besimit islam dhe pjesëtarëve pakicë të feve të tjera si dhe e ateistëve laramanë të padeklaruar.
Nga fushata po krijohet bindja se të gjitha vajzat shqiptare me besim islam që shkojnë në shkollë, janë të detyruara që në moshën 16-vjeçare e tutje ta bartin shaminë dhe veshjen e preferuar islame. E vërteta është se vetëm ato vajza të duan të bartin shaminë, lejohen ta bëjnë këtë pas moshën 16-vjeçare, edhe pse mendoj se kryeministri Albin Kurti ka qenë dashur të përcaktohet për moshën mbi 18-vjeçare, kur edhe me ligjin ekzistues fillon mosha e pjekurisë së individit, femër apo mashkull dhe më tej nuk konsiderohet i mitur dhe mbanë përgjegjësi të plotë para ligjit për veprimet apo mosveprimet veta.
Valles së keqe të “valpurgave”, në këtë fushatë iu kanë bashkuar të gjitha jugo-mediet, të cilat në faqet tyre bëjnë gara të postojnë sa më shumë femra lakuriqe, këngëtare, valltare, manekene, putana, foto modele, video porno sa më shumë amoralitete, sa më shumë deformime njerëzore, për të degjeneruar pakufi gjithçka që në radhë të parë i përket moralit njerëzor, pastaj atij fetar. Këta janë hallakatur, sepse po fiton terren veshja në radhë të parë veshja e traditës njerëzore e pse jo edhe fetare, ndërsa ata kërkojnë që të zhveshin sa më shumë, sepse vetë janë pjellë e tillë, mbase edhe e prindërve të tillë, e sojit të tillë…
Kjo fushatë, ka edhe pjesëtarë të tjerë nga radhët e besimtarëve islamë, të cilët duan të fitojnë hapësirë, duan ta shfrytëzojnë “të drejtën e shumicës fetare”, e cila nuk është ajo që identifikohet në dukje të parë. Ata, e dinë fare mirë se bartja e shamisë dhe e veshjeve tradicionale nuk është fondament fetar, por fondament i praktikës dhe trashëgimisë fetare islame.
Insistimi në arabizimin e islamit të Kosovë, duke lënë anash islamin tradicional ndër shqiptarë, do të shkaktojë edhe më tej mos durim të brendshëm fetar, sepse Islami nuk është fe ekskluzive e një kombi as e një populli, ashtu sikur nuk është as krishterimi. Përpjekja për arabizim, nuk sjellë më shumë ithtarë të islamit, por këtë nuk e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë disa imamë në Kosovë, mbase kanë edhe arsyet e interesat e tyre. Po ashtu, përjashtimi i modelit shqiptar e ballkanik i ndërtimit të xhamive, ashtu edhe i kishave ortodokse shqiptare në jugun e Shqipërisë, është një ndërhyrje e palejueshme në traditën shekullore të arkitekturës me elemente shqiptare.
Bashkësia Islame e Kosovës, është ajo e cila sipas detyrave dhe obligimeve që ka në statusin dhe rregulloren e saj, duke u thirrur në të drejtat dhe liritë e njeriut, ka kërkuar nga Qeveria ta nxjerrë sa më parë ligjin që përcakton bartjen e shamisë.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava më 5 gusht 2022 iu ka drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me një kërkesë që ta shfuqizojë urdhëresën administrative për lejimin e shamisë në institucione publike. Është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të shfuqizohet, respektivisht të hiqet e tëra sepse është diskriminuese, dhe si e tillë në disa raste ka pasur përpjekje që duke u thirr në këtë udhëzim, t’u mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesën myslimane – shaminë. Kërkojmë nga organet kompetente, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, si dhe nga kryeministri z. Albin Kurti, që sa më parë ta anulojnë këtë vendim, që në vete është diskriminues ndaj qytetareve të Kosovës – fëmijëve tanë. Kjo kërkesë e kamotshme e Bashkësisë Islame nuk duhet politizuar e as polarizuar, por duhet trajtuar me përgjegjësi e korrektësi maksimale”, është thënë në kërkesën e Tërnavës. Në këtë kërkesë, edhe pse nënkuptohet mungon deklarata decidive se nuk bëhet fjala për një kërkesë e cila obligon të gjitha nxënëset me besim islam që ta bartin shaminë në shkollat ku mësojnë.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë sqarime të duhura. Ai ka deklaruar se nuk do të ketë ndalim të shamisë në shkolla, mirëpo bartja duhet të fillojë nga mosha 16-vjeçare e vajzave në shkolla. Ministria e Arsimit është duke e përcjellë me vëmendje shqetësimin e disa qytetarëve që e kanë nisur një fushatë. Ne do ta kemi edhe projektligjin për liritë fetare, për komunitetet fetare në Kosovë. Unë e kam thënë qëndrimin tim, është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve tjera fetare në jetën publike të qytetarëve”, është shprehur Kurti, duke shtuar se nuk do të ishte keq që edhe në të ardhmen të votojnë edhe 16-vjeçarët. “Por gjithashtu, mosha 16-vjeçare është pragu. Meqë mund të marrësh kartën e identitetit në moshën 16-vjeçare, besojmë që në të ardhmen e afërt nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjeç, është shprehur Kurti, po nuk ka sqaruar se të gjitha vajzat pas moshës 16-vjeçare, janë apo nuk janë të obliguara ta bartin shaminë. Këtu hetohet edhe hileja e Albin Kurtit, lidhur me përcaktimin e moshës, të cilin e lidh edhe me të drejtën e votimit, që nuk do të mbetej pa u vërejtur në fushatat e ardhshme, sepse Qeveria Kurti do të mburrej se e para në Kosovës ka nxjerrë ligjin për mos ndalimin e bartjes së shamisë nëpër shkollat e vendit.
Megjithatë është për lavd qëndrimi zyrtar i Qeverisë, edhe pse i vonuar për shumë vite, por informata ka qenë e cunguar dhe ajo ka shkaktuar edhe huti, pasi nuk është fjala se të gjitha vajzat e besimit islam që shkojnë në shkollë duhet detyrimisht ta bartin shaminë, por vetëm ato që duan, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, përcaktimin për një veshje të caktuar.
As në Turqi, në shtetin më fetar ndër të gjitha vendet me besim islam, bartja e shamisë nuk është obligim para ligjit, por është pjesë e vetpërcaktimit fetar.