Ngjarjet po zhvillohen me shpejtësi marramendëse. Trupat serbe po largohen nga Kosova, së bashku me ta edhe kriminelë të tjerë që kanë kryer vepra të shëmtuara kundër popullatës civile. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po depërtojnë nëpër fshatra dhe qytete. Ata po pozicionohen në pika strategjike por sa kohë të dë zgjas e tërë kjo?
Ne, ekipi i Radios-Kosova e Lirë kemi ngelur këtu, në Berishë.
Bajram Kosumi, ministër i Informimit Publik në Qeverinë e Përkohshme ka nënshkruar një dekret në të cilin ka emëruar Berat Luzhën drejtor të Agjencisë Kosovapres. Ne të tjerëve me disa gazetarë që gjatë kohës së luftës kanë qëndruar në Tiranë, na ka caktuar në njëfarë Këshilli Drejtues për Radiotelevizion. Martin Çuni dhe Nezir Myrtaj as përmenden fare. Krejt kjo ka ngjallur një reagim të neveritshëm te i tërë stafi. Vendime të tilla marrin ikanakët, ata që gjatë tërë kohës së luftës kanë qëndruar në Tiranë, madje edhe të atillë që kanë ikur nga frontet e luftës, thënë ndryshe, dezertorët. Ja si dredhon historia, ja si përfundon fati i më të përkushtuarve,
…
Në orët e pasditës, Elez Durmishi dhe Ali Mullini kanë ardhur në Berishë. Pasi e kemi përgatitur emisionin, unë dhe Neziri së bashku me Aliun dhe Elezin, me veturë nisemi në drejtim të Kleçkës, e prej andej nëpër Grykë të Shalës. Gryka e Shalës tanimë është braktisur. Të gjithë të zhvendosurit që e kanë mbijetuar luftën janë kthyer nëpër shtëpi. Shihen vetëm konturet e kasolleve dhe tek tuk ndonjë tendë e braktisur.
Jemi kthyer sërish në Krojmir, në shtëpinë e Arian Qeriqit ku kemi kaluar një kohë të gjatë.
Atje tanimë janë kthyer të gjithë.
Në shtëpi takuam Zymryten, Epirin, Arbanën, Labërien, Rrezen dhe Zamirin.
Ngazëllimin e fitores edhe në familjen tonë e frenon rënia dëshmor e Milaim Behës. Pasi kemi pushuar së bashku me Nezir Myrtajn, Ali Mullinin, Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin nisemi për në Pjetërshticë ku po mbahet e pamja për dëshmorin, Milaim Beha.
Mehdiu, babai i dëshmorit po mbahet i fortë. Edhe vëllai, Milazimi luftëtar i lirisë, po ashtu po tregohet i përmbajtur.
Në mbrëmje, ka ardhur Reshat Gashi dhe Musa. Ai tregon se ka qenë në Shtimje, në Lipjan dhe në Magurë, prej nga ka ardhur sot. Reshati na tregon se serbët kanë ikur së bashku me ushtrinë e tyre vrastare, ndërsa shtëpitë tona në Shtime janë demoluar e plaçkitur, por nuk janë djegur. Është djegur shtëpia e Faruk Gashit dhe disa të tjera.
Në mbrëmje papritmas u dëgjuan të shtëna nga armët automatike. Edhe pse këto të shtëna bëhen në shenj fitoreje. Jemi frustruar e lodhur tejmase nga krismat. Ndiej nevojë jetësore për sa më shumë qetësi.
Epiri dhe Arbana kanë vendosur që nesër të shkojnë në Shtime së bashku me Ali Mullinin. I porosis që të kenë kujdes meqë serbët apo bashkëpunëtorët e tyre mund të kenë vendosur ndonjë mjet eksplodues.
…
Bashkëfshatarët janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Shumica i kanë rregulluar tendat në oborre. Kanë shpëtuar pa u djegur edhe shumë shtëpi, kështu që vendosja tani për tani është më e mirë se në Grykën e Shpëtimit, e cila e mbijetoi katrahurën e luftës.
E kishim emërtuar Gryka e Shpëtimit dhe ashtu ndodhi.
Jeta, tani ka më shumë kuptim. Nga Kosova po largohen definitivisht kolonizatorët barbarë serbë, së bashku me shumicën e kriminelëve.
Pasojat e luftës janë të mëdha dhe të pallogaritshme. Janë qindra varreza masive dhe nuk kemi informata të sakta sa mijëra veta do të kenë pësuar nga barbaria pushtuese…