Ahmet Qeriqi: Me tërë familjen vendosemi në shtëpinë tonë në Shtime, pas 13 muajve të qëndrimit në frontet e luftës çlirimtare. (E martë 22 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Me tërë familjen vendosemi në shtëpinë tonë në Shtime, pas 13 muajve të qëndrimit në frontet e luftës çlirimtare. (E martë 22 qershor, 1999)

Herët në mëngjes Ali Mullini, me veturën e tij i përcolli për në Shtime, Arbanën, Zymrytin, Zamirin dhe Rrezartën. Unë me Epirin dhe Labërien kemi qëndruar  në Krojmir deri në mbrëmje.

Jam takuar me Sylën dhe Elezin. Ata më tregojnë se ushtarët e Batalionit tonë janë vendosur te shkolla e fshatit Caralevë. Ushtarakët e KFOR-it kanë kërkuar të mësojnë vendqëndrimin dhe po ashtu kanë kërkuar nga ushtarët tanë të mos shëtisin me armë përveç në ambientin e caktuar.

Pas dite erdhi në Krojmir edhe Shaip  Musë Qeriqi, vëllai i Salihut dhe i Halilit, në shtëpinë e të cilëve kemi qëndruar gjatë luftës. Shaipi me familjen e tij jeton në Matiçan dhe ditë më parë është kthyer nga Maqedonia.

Në mbrëmje erdhi sërish Ali Gashi, të cilin pa dallim të gjithë e quajnë Ali Mullini. Pa vonuar nisemi për në Shtime.

Shtëpia ka shpëtuar. Edhe në këtë drejtim kam pasur fat. Dhe mbi të gjitha kam pasur fat që baba i ka shpëtuar edhe librat. Tjetër pasuri nuk kam dhe asnjë pasuri tjetër veç librave, nuk do të më dhimbsej.

Sërish në Shtime. Nga këtu jam larguar definitivisht në fillim të qershorit të vitit të kaluar.

Arbana dhe Rrezja e kanë pastruar shtëpinë. Vetëm pak gjëra mungojnë dhe as që duhen përmendur. Dyert e thyera i ka rregulluar Epiri. Ulem në këndin ku jam ulur zakonisht dhe më shpalosen kujtime të ndryshme.

Sa mirë është të jesh në shtëpinë tendë, në tokën tendë, qoftë edhe në varfërinë tënde.

Nëpër shtëpi janë kthyer edhe vëllezërit e mi me familjet e tyre. Vetëm Osmani me familje ka qenë në Shkup, të tjerët kemi qenë në zonat e luftës.

Jeta, dalëngadalë po nis edhe njëherë nga e para.

Dinamizmi i kohës së luftës, lëvizjet e shpejta, zërat e zhurmshëm dhe përgjithësisht të lartë, janë pjesë e inercionit të luftës…

Ka filluar jeta në liri.

Nga Kosova u largua anti-historia.

Tani po fillon një kapitull i ri i jetës dhe varet shumë si do të gjendemi në këto rrethana që sfidojnë.

Ka filluar koha e re në botën time të vjetër, në moshën tanimë 52 vjeçare. Tetëmbëdhjetë vjet rrugëtim, burg, izolim, keqtrajtime, dhunë skamje e nëpërkëmbje. Kaloi edhe kapitulli më i rëndë i jetës, lufta çlirimtare me faqen e saj heroike por edhe tragjike…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …