Ahmet Qeriqi: Mediet e lira dhe mendjet e robëruara

 


Në ditën e ashtuquajtur të Lirisë së Medieve, disa  gazetarë mendje robëruar të Kosovës, e ngritën zërin kundër, sikur thuhet, robërisë së medieve, kundër “mos pasjes” së lirisë së shprehjes, duke akuzuar në radhë të parë Qeverinë dhe institucionet e vendit, të cilat del se po e cenuakan “paturpësisht”  lirinë e shprehjes dhe mendimit të lirë. Këtyre konstatimeve të kota dhe krejtësisht të pamoralshme nuk iu beson askush,  madje këto konstatime nuk i besojnë,  as ata që llomotisin se në Kosovë nuk ka liri të medieve, ashtu sikur paska pasur dikur e në një kohë, të cilën disa syresh e marrin si model lirie dhe fryme kozmopolite të kohës së bashkim vëllazërimit.


 


Mediet në Kosovë, jo vetëm që janë të lira të shkruajnë gjithçka  dhe të njollosin këdo, jo vetëm që janë të lira të trillojnë dhe të gënjejnë, madje pa kërkuar as pardon, por janë aq të lira sa ta fyejnë Qeverinë dhe këdo, që konsiderojnë se iu bëhet pengesë për realizimin e qëllimeve të tyre, shumë larg të ashtuquajturës etikë gazetarie.


Në orgjitë e gazetarucëve të prejardhjes së bashkim vëllazërimit, të cilët, më 3 maj 2011, në Prishtinë organizuan kruzhoqe e takime për të derdhur mllefin kundër “shkelësve” të fjalës e mendimit të lirë, u zbulua lakuriq mungesa e fakteve, për të argumentuar konkretisht se cili është ai zyrtar apo mujshar politik që po bëka “shkelje”, cili është emri i tij, cili gazetar qenka rrahur brutalisht nga polici apo policët, apo ndokush tjetër, në cilën ditë iks gazetari qenka kërcënuar apo rrahur?  Asnjë fakt i vetëm i kësaj natyre  nuk u demonstrua dhe as është demonstruar ndonjëherë. Pa çka edhe nëse ka ndodhur ndonjëherë ndonjë rast i tillë? Dhe, kjo lë për të kuptuar se me zhurmë mediale, organizime e tubime, me tam-tame e alarme  të ef-em-eve dhe me sjellje majmunësh, nuk ndërtohet etika e gazetarit, as e njeriut të lirë, sepse mendjet e robëruara nuk arrijnë ta kuptojnë lirinë në korniza të përgjegjësisë, moralit dhe detyrës qytetare ndaj Shtetit e Atdheut.


 


Gazetarët e tillë, të cilët improvizojnë viktimën, janë vetë ata që cenojnë fjalën e mendimin e lirë, janë vetë ata që shpifin dhe sajojnë sensacione, madje edhe gënjeshtra, sikur ishte rasti i gazetarit të Kohës Ditore, K. J. i cili përhapi gënjeshtrën  se xhipi i Radios-Kosova e lirë ishte aksidentuar. Dhe Koha Ditore, është aq medium i lirë dhe i “përgjegjshëm”   sa nuk e boton as reagimin  e drejtorit të Radios. Ky është vetëm një nga qindra shembuj të trillimeve dhe keqinterpretimeve me qëllime, që i kuptojnë vetë ata dhe që nuk kanë të bëjnë aspak me cenimin e  lirisë së medieve.


 


Liria e keqkuptuar dhe e keqpërdorur


 


Disa nga gazetarët, mujsharë dhe të vetë-deklaruar si profesionistë, ankohen pse nuk kanë qasje të luajnë  rolin e hetuesve, rolin e inspektorëve të dikurshëm,  duke i futur hundët edhe atje ku gazetari e ka të ndaluar,  dhe natyrisht se për një nuhatje të tillë, dikush edhe mund të ndëshkohet, edhe mund të kërcënohet,  madje edhe mund të rrahet sikur rrahet qeni, që i fut hundët kudo.  Ose, përse një gazetare e “mirënjohur” për gjuhën e ndragur dhe qëndrimin patologjik kundër UÇK-së, mundohet me çdo kusht të marrë në intervistë, një kryetar komune, i cili me asnjë rregullore pune nuk është i obliguar, që doemos të pranojë të intervistohet nga akëcili gazetar apo gazetare. Në një rast të tillë, ajo sëkëlldiset dhe ankohet në EULEX, në UNMIK, mbase edhe në KFOR dhe në BIRN e në “bira” të tjera të nëntokës, duke ndërmarrë një fushatë të pashembullt, jo vetëm kundër kryetarit të komunës, por edhe kundër Drenicës, e cila etiketohet si një “bastion tmerri” ku mund të hyhet vetëm nëse je i armatosur me kallash, duke harruar se jo çdo kush është i aftë ta përdor kallashin, sikur ka aftësi ta dhunojë shkronjën e zezë mbi fletë të bardhë.


 


Gazetarët e tillë, të vetë-promovuar si gazetarë profesionistë, çirren e sëkëlldisen pse EULEX-i nuk po merr masa më efikase në burgosjen e  të gjithë çlirimtarëve të Kosovës, pse nuk po arrestohet filan ministri, pse u lirua me kusht filan kryetari, pse nuk po arrestohen “peshqit e mëdhenj” për korrupsion, pse veprimtarët e devotshëm të UÇK-së po bëhen deputetë, pse ka ekzistuar SHIK-u,   pse Qeveria e Kosovës ia lejon shfrytëzimin e përkohshëm e një veture një mediumi, që merret me botimin e monografive për dëshmorët e UÇK-së?


Të tillët pastaj ankohen dhe dërgojnë raporte për “ngulfatje” të medieve. Dhe mbi këto raporte me shpifje  e gënjeshtra paragjykuese, që blihen lirë nga shpifarakët e sojit të tillë, sajohen raporte lidhur me lirinë e medieve në vendet e botës.


Ishin gazetarë shqipfolës të këtij soji ata që sajuan “Shtëpinë e verdhë” dhe gjoja trafikimin e UÇK-së me organet e serbëve dhe që informatat e tilla ia shiten,  Carla del Pontes e më në fund dhe Dik Martit. Të gjitha këto, ata i bënë në emër të shprehjes së fjalës së lirë, edhe i bëjnë edhe sot kur me shpifje të tilla dëmtojnë interesin e kombit dhe fyejnë në mënyrë të neveritshme gjakun e derdhur për liri.


Në emër të lirisë se medieve një poltron dhe bir poltroni i ka quajtur fashistë, shqiptarët, të cilët, sipas tij kanë vrarë ndonjë serb pas luftës,  në Prishtinë apo në ndonjë vend tjetër të Kosovës. Nuk i ka quajtur asnjëherë, fashistë,  kriminelët e Milosheviqit që kanë vrarë fëmijë e gra,  që kanë masakruar mijëra shqiptarë dhe shqiptare kudo, gjatë luftës në Kosovë, sepse ai gjatë asaj kohe ishte marrë nën mbrojtje nga vetë kriminelët e Milosheviqit.


Krejt këto shpifje dhe gënjeshtra janë fabrikuar dhe po fabrikohen nga një staf i gazetarëve masonë dhe nostalgjikë të jugosllavizmit, të cilët në asnjë mënyrë nuk po arrijnë të pajtohen me kthesat historike që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, luftë e drejtë kjo dhe e pranuar nga forcat përparimtare të botës, e cila çoi në çlirimin dhe pavarësinë e vendit.


Ata, bëhen sikur kanë harruar kohën, kur u ka rrëshqitur nën këmbë toka e Atdheut duke ikur nga Kosova, duke u vetëshpallur të vrarë,  me qëllim për ta shpëtuar prapanicën dhe për ta akuzuar UÇK-në, e cila u kishte prishur rehatinë, jo vetëm nëpër fshatra, por  edhe në Prishtinë, ku kishin bërë kokrrën e qejfit, deri në kohën e intervenimit të NATO-s, kundër makinerisë serbe të krimit.


 


Gazetarët liridashës të Kosovës, nuk duhet të lejojnë që në emër të tyre të flasin të ashtuquajturit gazetarë “profesionistë”, apo “unionistë”, të cilët kanë formuar OJQ-të e tyre, me qëllime përfitimi, duke shpifur, duke paragjykuar dhe duke improvizuar viktimat. Është e patolerueshme, që servilët e nopranët e  tillë të flasin në emër të të gjithë gazetarëve të vendit,  aq më tepër në emër të gazetarëve të luftës së UÇK-së, të cilët asnjëherë nuk janë pajtuar me kualifikimet e tilla të gazetarëve të BIRN-it dhe të “birnistëve” të tjerë, që punojnë në disa mediume me prejardhje nga ish nomenklatura e gazetarisë servile dhe poltrone, dhe të cilët nuk lënë gur pa lëvizur për ta paraqitur Kosovën si shtet ku po u shkelka  liria e shprehjes dhe ku po u dhunuakan gazetarët, pa paraqitur asnjë rast konkret, pa shënuar asnjë dëshmi konkrete lidhur me këto farë “shkeljesh”  gjithnjë të improvizuara.


Mendjet e robëruara nuk ia dinë vlerën lirisë. Ata përngjajnë  me derrat, të cilëve po t’ ua hedhësh para margaritarin, e përlajnë me turi dhe e fusin në llucë.


Kosova është vend i lirë dhe ka mediume të lira, madje shumë më tepër të lira sesa nënkupton vetë fjala. Natyrisht se ka gazetarë zevzekë, madje ka edhe gazetarë “profesionistë” edhe gazetarë të tjerë, të cilët nuk ndihen të lirë, sepse nuk kanë dhënë asgjë për lirinë e Kosovës, për më tepër sa e sa herë e kanë përdhosur e përbuzur këtë liri, e cila ja që nuk matet dot me kutin dhe bindjet e tyre të përçudnuara.


Askush dhe asnjëherë nuk ka kërkuar, që mediet të mos kritikojnë Qeverinë për keqqeverisje, për korrupsion apo për abuzime të tjera. Kritika me vend dhe me fakte, është detyrë numër një e  një gazetari apo analisti të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm. Kritika, e cila nuk mbështetet në fakte, por në hamendësime, pushon të jetë kritikë, ajo është kritikë koti  dhe si e tillë, ajo vetëm ngrit pluhur dhe ngulfatet vetë nga pluhuri i tillë.


Ne gazetarët e luftës së UÇK-së, ftojmë ata që vetëquhen gazetarë profesionistë, të mos flasin në emër të të gjitha medieve, as në emër të gazetarëve, që nuk i takojnë OJQ-ve të tilla, por le të flasin e le të bërtasin për veti, pa u identifikuar me gazetarinë e Kosovës në përgjithësi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …