Ahmet Qeriqi: Medreseja Al-laudin, në Prishtinë në vitet 60-të ka qenë çerdhe e atdhetarisë, më vonë edhe e luftëtarëve të lirisë II
Mulla Muharrem Adili me nxënësit e Medresesë "Alauddin", në Prishtinë, 1963

Ahmet Qeriqi: Medreseja Al-laudin, në Prishtinë në vitet 60-të ka qenë çerdhe e atdhetarisë, më vonë edhe e luftëtarëve të lirisë II

Në ambientet e Medresesë së mesme “Alauddin”,  me 1 nëntor 2019 me një program të pasur kulturor, u shënua 68-vjetori i themelimit të këtij institucioni arsimor fetar, shoqëror e shkencor. Në këtë solemnitet morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij, drejtori i Medresesë, Jakup ef. Çunaku, stafi mësimdhënës dhe nxënës.

Në këtë përvjetor, nuk u fol asnjë fjalë lidhur me kontributin konkret kombëtar të nxënësve të kësaj Medreseje, në vitin 1965-1966  dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Me qëllim për t i njoftuar gjeneratat e reja të medresistëve po u sjellim disa të dhëna për rolin dhe kontributin që i kanë dhënë kombit e atdheut disa nga medresistët, tashmë të harruar nga Drejtoria e kësaj shkolle.

 

 

Medreseja e Ulët në Prishtinë, u hap në vitin 1951

Këshilli Ekzekutiv i Këshillit Krahinor për Kosovën e Metohinë me vendimin Nr. 29503, të datës 26.06.1949, me kërkesë të kreut fetar dhe të popullatës me besim islam, kishte dhënë pëlqimin e hapjes së Medresesë së ulët në Prishtinë. Megjithatë, për shkaqe teknike( për shkak të mungesës së lokalit), medreseja nuk ia filloi punës deri në vitin shkollor 1951-52, saktësisht më 1 nëntor të vitit 1951). Ndërtesa e saj qe vendosur në lokalet e një ish- mejtepi, që gjendej buzë lumit të Vellushës së Epërme në oborrin e Xhamisë, “Alaud-din” të Prishtinës.

Medreseja e ulët e Prishtinës, filloi punën mbi bazën e plan-programit të miratuar nga KBI (Kryesia e Bashkësisë Islame). Në këtë medrese do të mësonin nxënës nga republikat e Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi.

Kjo ishte medreseja e parë që do të funksiononte, duke pasur bazë mësimi gjuhën shqipe. Pranë medresesë ishte ndërtuar dhe konvikti, për nxënësit meqë një pjesë e madhe e tyre ishte nga viset shqiptare të mbetur nën Jugosllavi.

Ndërsa mësimet zhvilloheshin mbi bazën e plan-programit mësimor, administrimi dhe jeta organizative në këtë medrese përcaktohej mbi bazën e një rregulloreje të posaçme që përfshinte 147 nene. Në bazë të këtij dokumenti percaktoheshin të gjitha normat e mbarëvajtjes së medresesë. Aty përcaktoheshin kompetencat e drejtorit, të edukatorëve, të kujdestarit të klasës, të mësimdhënësve etj.

Nxënësit e Medresesë së Ulët, “Alaud-din në Prishtinë” gjatë çdo viti shkollor zhvillonin mësimin në  2o deri 22 lëndë mësimore, dyfishin e të gjitha shkollave në Kosovë.

Lëndët mësimore ishin: Kur’ani, Gjuha shqipe, Gjuha serbe, Gjuha turke, Gjuha arabe, Matematika, Fizika, Kimia, Higjiena, Botanika,  Akaidi, Fikhu, Ahlaku, ( Edukatë islame) Histori islame, Histori e përgjithshme, Gjeografi, Bukurshkrim, Imamat,  Bukurshkrim arabisht, Fiskulturë.

Medreseja “Alaudin” e Prishtinës në vitet 60-të shekullit të kaluar ishte edhe çerdhe e nacionalizmit revolucionar shqiptar

 

Ky titull u duket paksa paradoksal, i stisur, kontrovers, por nëse e lexoni me vëmendje këtë vështrim,  do t’ iu bind me fakte e argumente se Medreseja e Prishtinës, në aspektin kombëtar barazohet e mbase edhe ua tejkalon shumë shkollave të mesme të Kosovë, madje në shumë segmente.

Në radhët e medresistëve që kualifikoheshin, gjatë shkollimit  për detyrën e imamit, të hoxhës, apo të tjerë që vazhdonin studimet në vend e në shtetet e jashtme, prej ri themelimit të saj në vitin 1951, kjo shkollë fetare dhe shkencore në të njëjtën kohë ka nxjerrë jo vetëm kuadro të lartë profesionalë, por edhe veprimtarë të lëvizjes kombëtare, të burgosur politikë dhe në fund edhe mbi 30 dëshmorë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e qindra pjesëmarrës, në luftë.

Ky është bilanci, apo prodhimi atdhetar i kësaj shkolle sa për fillim të këtij vështrimi. Nuk e di sa shkolla në Kosovë kanë dhënë më shumë se 30 dëshmorë. Është fjala për një shkollë të vetme, në mesin e qindra shkollave të Kosovës. Ky është kuriozitet kombëtar i Medresesë, e pranuam apo jo, e vërteta është kjo!

Këto të dhëna dikujt do t’ iu trokasin në ndërgjegje, dikush do të pezmatohet, dikush me gjuhën e tij të ndyrë e shpirtin kazmë e di sesi do të shprehet kundër meje, duke më etiketuar si taleban, enverist, marksist leninist, radikal, muslimc e çka jo. Sepse mendjet njëdimensionale, gjysmakët, hartuesit e shkrimeve me porosi nuk e marrin dot me mend që një fetar, një mysliman mund të jetë revolucionar dhe të luftojë për atdheun e vet, me lehtësinë e shpirtit të dëshmorit e martirit, me përkushtimin e njeriut të krijuar me njerëzi, atdhetari, fe, komb, drejtësi sociale…

Në këtë vështrim do të përkufizohem vetëm në përudhën prej vitit 1959 deri në fillim të vitit 1966, kur edhe kam qenë nxënës (talebe) i kësaj shkolle.

Që në fillim u sjellë një “kuriozitet”.

Nxënësit e Medresesë së Ulët, “Alauddin në Prishtinë” gjatë çdo viti shkollor zhvillonin mësimin në  2o deri 22 lëndë mësimore, dyfishin e lëndëve që mësonin nxënësit e  të gjitha shkollave në Kosovë.

Lëndët mësimore ishin: Kur’ani, Gjuha shqipe, Gjuha serbe, Gjuha turke, Gjuha arabe, Matematika, Fizika, Kimia, Higjiena, Botanika,  Akaidi, Fikhu, Ahlaku, ( Edukatë islame) Histori islame, Histori e përgjithshme, Gjeografi, Bukurshkrim, Imamat,  Bukurshkrim arabisht, Fiskulturë.

Nxënësit e Medresesë ishin të zgjedhur dhe ishte e natyrshme që ishin edhe  më të zgjuar, por edhe më të ngarkuarit nga nxënësit të të gjitha shkollave në Kosovë. Ata në të njëjtën kohë kryenin tetëvjeçaren me të gjitha lëndët obligative,  por edhe lëndët fetare, që ishin po kështu të obligueshme, sikur ishte edhe falja e lutja pesë herë në ditë dhe shumë  detyrime të tjera, por edhe shumë kufizime të lirive,  që nuk i kishin nxënësit e shkollave të tjera.

Në Prishtinë, për vitet që po flas ka ekzistuar në Kosovë një shkollë, ku janë mësuar lëndët fetare, shoqërore e shkencore dhe që nuk e ka pasur statusin zyrtar të shkollës publike. Sekretariati i Krahinës Autonome të Kosovës për arsim e kulturë nuk e kishte të  evidentuar këtë shkollë në radhët e veta, nuk i financonte arsimtarët, as kishte ndarë ndonjëherë qoftë edhe një ‘dinar” të vetëm për këtë shkollë, e cila trajtohej si mbetje e regjimeve antipopullore, pikërisht ashtu sikur na trajtonte Evropa në vitet 1912-1918 si popullatë aziatike që nuk i nevojitej  asaj, dhe e kishte lënë në mëshirën e sllavëve dhe grekëve të Ballkanit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …