leoni

Ahmet Qeriqi: Medreseja Al-laudin, në Prishtinë në vitet 60-të ka qenë çerdhe e atdhetarisë, më vonë edhe e luftëtarëve të lirisë III
Mësimdhënës dhe nxënës të Medresesë "Alauddin" në Prishtinë

Ahmet Qeriqi: Medreseja Al-laudin, në Prishtinë në vitet 60-të ka qenë çerdhe e atdhetarisë, më vonë edhe e luftëtarëve të lirisë III

Si funksiononte kjo shkollë e veçantë në Kosovë, deri në vitin 1966 kur mori statusin  intern të shkollës së mesme, por jo në kuadër të sistemit shkollor të Kosovës?

Nuk kam të dhëna për donatorët, ata shqiptarë fetarë dhe liridashës që me kontributet e tyre kanë mundësuar shkollimin e sa e sa gjeneratave të medresistëve. Por kjo mund të vërtetohet e të verifikohet në Arkivin e Medresesë, nëse është ruajtur dhe nëse nuk është shkatërruar gjatë kohës së luftës nga serbët.

Nuk kam të dhëna si dhe kush i ka paguar arsimtarët, por e di se nuk janë paguar nga Buxheti i Kosovës, i cili trajtonte financiarisht tërë sistemin shkollor. Nuk ka as edhe një të dhënë të vetme që Medresenë e Prishtinës ta ketë financuar Turqia, vendet arabe, Bosnja apo ndonjë shtet tjetër. Edhe nëse është ndarë ndonjë ndihmë ajo ka qenë kesh. As është bërë fjalë për këtë, as ka mundur të ndodh diçka e tillë dhe të mos e dinte UDB-ja dhe armata e spiunëve serbë por edhe shqiptarë besnikë të Shtetit jugosllav.

Ishte një shkollë që e mbante populli, me zeqatë, iskatë, me ndihma në të gjitha segmentet. Shkollimin, ata që banonin në Konviktin e Medresesë e paguanin vetë, të tjerët që banonin jashtë konviktit, mund të kenë paguar ndonjë taksë, por jo shkollimin.  Nuk kanë qenë të paketa hyrjet e kohëpaskohshme  të “Iskatit” donacione nga familjet, në rast të vdekjes së ndonjë anëtari të familjes. Në të shumtën e rasteve  ajo sasi e të hollave u ndahej të gjithë medresistëve  dhe nuk i shkonte fondit të shkollës.

Ishte një shkollë vullnetarësh, për të cilën përkujdesej Bashkësia Islame e Kosovës, e cila përkujdesej edhe për financa, nga ato që inkasonte si kontribut-taksë të besimtarit, apo pagesa për anëtarësi, sikur quhej dhe quhet aktualisht.

Në kushte dhe rrethana të tilla, me mungesë të përkrahjes institucionale, jashtë sistemit zyrtar arsimor ka zhvilluar veprimtarinë dhe ka nxjerrë kuadro, Medreseja Alauddin e Prishtinës, shkolla më e veçantë e vendit, me një histori të veçantë identike me fatin e popullit shqiptar.

Kam lexuar disa shkrime përbuzëse madje edhe fyese kundër Medresesë së Prishtinës dhe kundër hoxhallarëve në përgjithësi, madje duke i etiketuar se të gjithë pa asnjë përjashtim paskëshin qenë agjentë të UDB-së në krye me një poliagjent një Mulla Sulo kontrovers nga Shkupi, përmes së cilit hidhet baltë në të gjithë nxënësit e Medresesë. Kam pritur mos po reagon ndonjë nga shokët e mi të dikurshëm të Medresesë, mos po reagon Bashkësia Islame e Kosovës, ndonjë veprimtar konsekuent por me sa di unë nuk ka reaguar askush.  Sepse islami sot ka për detyrë të heshtë, përndryshe “kryqi” i ISIS-it i rri mbi kokë. Andaj urtë e butë, sepse jo rastësisht Kosova është shpallur tokë e pëlleshme e Isisit. Kjo “pozitë”  e improvizuar bëhet për t u krekosur zyrtarët e lartë të Shtetit se po e luftojnë me sukses terrorizmin, madje mu në tokën e tij të pëlleshme.

Natyrisht se kjo bëhet për të qëndruar në pushte dhe për të vjelë mjete të majme financiare për një luftë të tillë, edhe pse në Kosovë nuk pati as edhe një shpërthim të një bombe dore, nga xhihadistët, ndërsa serbi që u zu me 20 kg trotil që kishte për qëllim ta ngrihte  në erë Katedralen e  Prishtinës, për t ia lënë dobiqin myslimanëve, u dënua 10 vjet burg, por do të lirohet sapo ta kryejë gjysmën e dënimet, mbase edhe është liruar.

Po të ishte kapur një shqiptar mysliman në Kosovë me aq trotil, do të ishin dënuar fillimisht krejt familja pastaj edhe shokë e miq  dhe do të kishim një aferë që do ta mësonte  tërë bota.

Po çuditërisht nuk po shkrep baroti i lagur i ISIS-it në Kosovë, dhe kjo ka vënë në sëkëlldi islamofobët, të cilët reagojnë si të çartur, sepse teoria e tyre për tokën e xhihadit, po del sheshit si instruktim, si “kopil” që lavirja mundohet t ia lë dikujt te dera.

 

Megjithatë duke qenë ndër kryengritësit e parë të Medresesës, i burgosur politik në vitin 1965, i angazhuar në radhët e LRBSH-së së Adem Demaçit, më vonë i burgosur dhe sërish e dënuar në platformën, të cilën regjimi titist e konsideronte si platformë “nacionaliste e irredentiste”, ndërsa ne quheshim marksistë leninistë të Kosovës e më gjerë, njëherë i dënuar dy muaj dhe një vit burg me kusht, në vitin 1965  dy muaj në vitin 1976, një vit e gjysmë burg në dhjetor të vitit 1980, nga gjykata e Ferizajt,  organizator dhe pjesëmarrës në bashku me nxënës dhe profesorë në demonstratat  e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, pastaj një kohë të gjatë në arrati i ndjekur hap pas hapi nga UDB-ja, më vonë i dënuar tetë vjet burg, pastaj luftëtar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me kohë e kam vrarë frikën dhe nuk hezitoj ta mbrojë të vërtetën, pavarësisht çdo pasoje që mund të ndodh. Pikërisht për këtë, i kam hyrë punës për të ndriçuar këtë segment ende të pandriçuar të aktivitetit të nxënësve, ( talebeve, kjo mund të ngatërrohet me “talebanët”, por ata që e njohin gjuhën arabe dhe lëvizjet në botën islame e dinë ku qëndron dallimi), hoxhallarëve revolucionarë dhe luftëtarë të lirisë së Kosovës, luftëtarë të legjendarit Adem Jashari.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …