UÇK-ja në Medrese
Shumë nga medresistët që iu bashkuan luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë. Po të krahasohet me numrin e përgjithshëm të shkollave, Medreseja e Prishtinës tejkalon çdo shkollë në Kosovë me numrin e të rënëve dëshmorë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A nuk është një fakt ky, që tregon se ata dinjitarë të lirisë kishin marrë armën, në radhë të parë për kombin, pastaj pse jo edhe për fenë, kujt mund t’ i ketë prishur punë kjo? Përpjekjet e rralla të disa komandantëve lokalë të luftës për ta injoruar këtë segment të luftëtarëve të lirisë bëheshim me një hipokrizi tipike të pacifizmit, duke pretenduar se pjesëmarrjen e tyre do ta shfrytëzonte Serbia për propagandë. Ishte ajo Serbi që vriste e masakronte madje edhe gra e fëmijë dhe aq i bënte se në radhët e saj kishte edhe hoxhallarë, apo nxënës të një shkolle fetare. Disa prej luftëtarëve të lirisë nga këto radhë kanë qenë edhe në shënjestër të ndonjë komandanti, i cili ua shante fenë dhe kërkonte nga ata që në asnjë rast të mos kryenin obligimet e tyre fetare, madje as kur ndodheshin në pushim, por meqë ishin rase të veçuara askush nuk i merrte seriozisht.
Të gjithë hoxhallarët që kanë qëndruar në zonat e luftës iu kanë bashkuar asaj dhe kanë kryer shërbimet e varrimit. Madje ka pasur shumë raste kur gjatë ceremonisë të varrimit pjesëmarrësit janë goditur nga forcat serbe. Ata hoxhallarë ishin bërë një me luftën dhe nuk kërkonin që dëshmori i rënë në altarin e atdheut të lahej e të pastrohej paraprakisht, sipas traditës islame. Ishin unikë në qëndrimin se dëshmorët me vetë fatin se kanë rënë për Atdhe janë të pastruar paraprakisht dhe mund të varroseshin me rroba. Ata jo vetëm që nuk e kanë penguar varrimin zyrtar me nderime të shtëna armësh, por kanë marrë pjesë edhe vetë në atë ceremoni. Po ashtu u kanë thënë familjarëve se në rast se mungonte hoxha, ceremonia sido që të bëhej, ishte e pranuar.
Dua të prezantoj rastin atdhetar të Mulla Azem Ollurit, nga Krojmiri, në varrimin e Vehbi Metit nga Shala, gjatë natës të 29 gushtit të vitit 1998. Meqë rruga nga parakalonte kortezhi për të varrezat e lagjes granatohej nga serbët, ai kishte kërkuar që vetëm shtatë-tetë veta të merrnin pjesë në varrim, ndërsa vetë printe në ballë. Kurrsesi nuk kishte pranuar të rrezikoheshin luftëtarët e UÇK-së me pjesëmarrje në varrim. Edhe pse ishte terr, forcat serbe, të pozicionuara në hyrje të fshatit, Risinoc përcillnin lëvizjen e kortezhit me dylbi nate dhe granatonin rrugën. Atë natë, Mulla Azem Olluri nën breshërinë e granatave ka kryer ceremoninë e varrimit të Vehbi Shamollit.
Po ashtu është i ditur fakti se gjatë luftës në Kosovë, serbët kanë granatuar, bombarduar e rrënuar më shumë se 180 xhami në zonat e luftës. Në fillim të luftës ka pasur raste kur popullata strehohej nëpër xhami, me bindje se serbët, sado kriminelë nuk do t’ i sulmonin faltoret. Por me kohë ishin bindur se kriminelët serbë, që vrisnin e masakronin edhe gra e fëmijë, aq u bënte për xhamitë, për të cilat nuk kishte reaguar askush. Gjatë luftës, luftëtarët e lirisë së Kosovës nuk kanë djegur asnjë kishte serbe, nuk kanë vrarë asnjë fëmijë serb, nuk kanë dhunuar asnjë femër serbe. Po të kishte pasur raste të tilla serbët do t u kishin ngritur monumente madje në qendër të Beogradit dhe do ta kishin njoftuar tërë botën. Luftëtarët tanë nuk e kanë dëmtuar as kishën e vetme ortodokse, në Deviq të Drenicës, e cila u dëmtua në vitin 2004 gjatë revoltave popullore të asaj kohe.
Përkrahja unanime që hoxhallarët shqiptarë të Kosovës i kanë dhënë luftës së UÇK-së, është një shembull i veçantë i patriotizmit popullor, i dinjitetit të tyre fetar e kombëtar, meqë kishin ndier obligim para Zotit e Atdheut dhe atë e kishin kryer me nder, respekt e sakrifica. Askush deri sot, madje as Bashkësia Islame e Kosovës nuk e ka marrë përsipër ndriçimin e këtij segmenti të UÇK-së. Janë disa qindra hoxhallarë e shehlerë që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-së dhe që tani janë lënë në harresë, vetëm sepse kanë qenë imamë, vetëm pse i kanë takuar dhe i takojnë islamit. Po të kishte ndodhur të kishte rënë një prift i vetëm katolik në radhët e UÇK-së, ai do të ishte shpallur hero edhe para se të binte… Luftëtarët e lirisë, vëllezërit tanë katolikë nuk kanë hezituar të marrin pjesë në luftë dhe me siguri as kanë pyetur as u ka shkuar mendja të pyesin klerin katolik për pjesëmarrje apo jo në luftën e UÇK-së. Ata kishin dëgjuar zërin e tyre të ndërgjegjes kombëtare dhe iu kishin bashkuar radhëve të luftës, që në fillim të saj. Shembulli i rënies së Markalleshëve është unik të luftën tonë për liri.
Asnjë prift serb nuk është vrarë nga shqiptarët e Kosovës, para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Këtë fakt e kanë harruar politikanë shqiptarë, sepse nuk e dinë peshën e këtij veprimi të matur dhe nuk duan ta dinë se sa argument i fortë është ky fakt, para tërë botës së qytetëruar, që flet për pastërtinë e luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, flet për kulturën unike të tolerancës fetare që bërë bërë sendiment i ADN-së kombëtare e fetare të kombit.
Asnjë nga radhët e medresistëve që ranë për çlirimin e Kosovës, me sa di unë, nuk është shpallur “Heroi i Kosovës” nga Presidenca e vendit, vetëm sepse kanë qenë hoxhallarë apo nxënës të Medresesë.
Kjo është lista e dëshmorëve të UÇK-së, që zyrtarisht ishin pjesë e institucioneve të BIK-ut ose nxënës të Medresesë, por kjo nuk është lista e plotë. Këtu mungojnë myslimanët e disa sekteve shiite, të cilat Bashkësia Islame e Kosovës.
BIK, zyrtarisht ka pranuar statusin e këtyre dëshmorëve nga radhët e veta.
Abdullah Muqaj
Abidin Myrtezi
Alban Xhemajli
Arben Hyseni
Arif Shala
Asan Hasallari
Behar Abdylmexhiti
Beqir Krasniqi
Fadil Rashiti
Feti Sofi
Habib Hoxha
Hajdin Aruqi
Hajrullah Bega
Halim Bajraktari
Hysen Zeka
Isak Mazreku
Ismail Mziu
Ismet Limani
Januz Zejnullahu
Muhamed Biqku
Muhamet Ukshini
Muharrem Gashi
MustafeVeseli
Nisret Ajdari
Nuhi Ismajli
Nysret Musa
(Ramadan Shkodra, Sadik Mehmeti, Agim Gashi: Monografi, Boton BIK-Prishtine 2010.)
Në luftën e UÇK-së kanë rënë edhe
Selim Selimi,
Fadil Rashiti, pastaj në luftën e UÇPMB-së e sidomos në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kanë rënë: Harun Aliu, Shaban Zenuni e të tjerë. Ndërsa në radhët e luftëtarëve të lirisë kanë qenë qindra ish-medresistë nga gjeneratat e shumta.
Po të mos kishte pasur klimë kombëtare në Medresenë e Prishtinës, asnjë medresist nuk do t’ iu kishte bashkuar luftës, ashtu sikur nuk iu bashkua asnjë prift katolik, asnjë prift shqiptar ortodoks i Shqipërisë, për priftërinj e kam fjalën, jo për katolikët atdhetarë, të cilët kanë rënë edhe dëshmorë.
Përfundim
Fushata kundër islamit me pretekst sikur thuhet të ‘radikalizmit’ godet në radhë të parë tolerancën fetare
Fushata kundër islamit me pretekst sikur thuhet të ‘radikalizmit’ godet në radhë të parë tolerancën fetare, fut urrejtjen mes besimtarëve, dhe na shkakton plagë të pariparueshme. Po ashtu, duhet përkujtuar edhe faktet historike, tejet tragjike për kombin si rasti i miliona arvanitasve, që humbën kombin e gjuhën për ta ruajtur ortodoksinë greke. Asnjë arvanitas nuk e vrau Greqia sepse kishin rrënjë shqiptare, por masakroi zhduku dhe shfarosi të gjithë shqiptarët në Çamëri, vetëm sepse ishin myslimanë shqiptarë. Dikujt kjo nuk i bën përshtypje fare, madje e bekojnë Greqinë për një vepër të tillë antinjerëzore. Madje disa klerikë shqiptarë shkojnë edhe më larg. Ata shajnë e fyejnë Milosheviqin pse nuk i ka zhdukur njëherë e mirë 1.900.000 shqiptarë, që të flinin pastaj rehat krejt të krishterët në Ballkan. Ky ta themi “prifti”, e kishte fjalën vetëm për shqiptarët myslimanë të Kosovës, jo ata të Shqipërisë, të Sanxhakut, të Bosnjës e Hercegovinës, të Malit të zi, të Maqedonisë, që të gjithë tok kalojnë 10 milionëshin.
Është fakt real i statistikës në Greqi se çdo i treti grek ka origjinë arvanitase. Qindra mijëra shqiptarë të krahinës së Mavrovës e më gjerë ruajtën ortodoksinë, por flakën kombin e gjuhën. Nuk ka fakte për t’ i besuar teorisë së sllavizmit të shqiptarëve me dhunë, të paktën jo në kohën e Turqisë, sepse ata nuk kishin pushtet dhe ishin raja e skllavëruar, që nuk mund ta ruanin dot veten e jo më të sllavizonin shqiptarët.
Qindra mijëra shqiptarë ortodoksë që mbeten në Toplicë, Nish e Kurshumli dhe që nuk ikën drejt Kosovës e Turqisë sot janë serbizuar, ashtu sikur janë turqizuar të gjitha ata që shkuan në Turqi, sepse nuk shkuan atje për ta krijuar një atdhe të ri, por për të shpëtuar nga terrori e shfarosja kolektive që i kishte bërë ortodoksia sllave e Ballkanit.
Duhet parë shkencërisht dhe me gjuhën e fakteve se procesi i islamizimit të shqiptarëve solli largimin nga kisha e Bizantit, sepse trevat e sotme shqiptare në mijëvjeçarin e fundit ishin nën Bizant, një pjesë krejt e vogël ishte nën Italinë. Shqiptarët bizantinë sot janë grekë, bullgarë e serbë. Shqiptarët ortodoksë në Shqipëri i greqizoi fetarisht Janullatosi. Nuk ka më kishë autonome shqiptare. Të krishterët lindorë në Shqipëri nuk e njohim më Nolin, as At Markun, por Janullatosin që është shtrirë gjerë e gjatë në Tiranë, që shpërblehet nga Ilir Meta për antishqiptarizmin e tij dhe shkatërrimin e ortodoksisë shqiptare.
Dhe çfarë kuptimi ka sot lufta kundër islamit ndër shqiptarë?
A u dashka të demonizohen qindra mijëra besimtarë islam sepse nga mesi i tyre treqind veta paskan luftuar në Siri kundër regjimit më kriminal të kohës, edhe më kriminal se regjimi i Milosheviqit, sikur është regjimi i Bashar Assadit, i mbështetur fuqishëm nga Rusia, që Amerika as NATO-ja nuk guxuan ta ndëshkojnë. Ai regjim ka vrarë 500 mijë sirianë dhe ka dëbuar nga vendi 8 milionë të tjerë.
Po shqiptarëve islamë nuk u shlyhet dot nga kujtesa fakti historik se Sirinë ashtu sikur edhe Egjiptin në vitet 30-të të shekullit 19-të e kishin çliruar shqiptarët, fillimisht nga Franca e Bonapartës pastaj edhe nga Perandoria Osmane. Çka ka të keqe këtu, dhe pse u dashka të mohohet kjo histori? Për hir të kujt, kush e kërkon këtë, përveç agjentëve shqipfolës të Beogradit dhe të Athinës.