(Vështrim për librin “Atentatet” të veprimtarit dhe publicistit, Ibrahim Kelmendi)
Përderisa shkrimtari, Nasho Jorgaqi mërgatën shqiptare në Perëndim e kishte emërtuar “Mërgata e Qyqeve”, e cila jo vetëm sepse qe përshkruar, por në shumë segmente ishte e tillë, veprimtari dhe publicisti i mirënjohur nga Kosova, Ibrahim Kelmendi, librin e tij me tematikë nga veprimtaria e mërgatës shqiptare, veçmas të asaj me origjinë nga trojet tona nën robërinë jugosllave në vitet 70-80 të shekullit të kaluar, e ka titulluar “Atentatet”.
Është ky një titull “bombastik” që cyt interesimin e lexuesit kureshtar, për këtë vepër, e cila gjithsesi parqet një arritje të veçantë në kuadër të kësaj tematike, jo të begatshme në letërsinë tonë. Edhe pse titulli paragjykon një roman me përmbajtje policore, brendia e veprës është mjaft e përshtresuar dhe e ngjeshur me kujdes në të gjitha segmentet, që e karakterizojnë si vepër dhe e cila është shkruar nga një autor i guximshëm, madje edhe krejtësisht i pamëshirshëm.
Ibrahim Kelmendi, pa dyshim është një personalitet i rëndësishëm i Lëvizjes çlirimtare, pasive dhe aktive, sidomos në mërgim, një emër shumë i përfolur dhe i lakuar në të gjitha rasat, ashtu sikur janë lakuar edhe të gjithë emrat e njohur të historisë së këtij populli të vonuar, por edhe të shkallmuar nga robëria shekullore.
Në librin “Atentatet”, autori përmes gjuhës, mjeteve shprehëse dhe konstruktit të romanit bashkëkohor, ka arritur të konfigurojë dhe të mbarështojë disa nga ngjarjet me rëndësi të historisë sonë të rezistencës antijugosllave, sidomos në vitet ‘70 e ‘80 të shekullit XX. Lexuesi kureshtar, sidomos ai që ka qenë i kyçur në organizimin e fshehtë kundër pushtuesit jugosllav, këtë vepër e lexon me kujdes, jo vetëm sa për ta lexuar si të tillë, por edhe për të zbuluar opinione, ngjarje e ndodhi të caktuara, rrethana dokumentare, me të cilat është e stisur dhe e mbushur përplot vepra “Atentatet”.
Titulli i veprës përkon me atentatin mizor që është projektuar dhe kryer nga UDB-ja jugosllave, më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbah, afër Shtutgartit, në Gjermani kundër vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe kundër veprimtarit, Kadri Zeka. Po jo vetëm kaq.
Autori ka përshkruar edhe sa e sa atentate të tjera, që janë kryer, apo janë bërë përpjekje të kryhen në forma të ndryshme, qofshin ato atentate me plumb dhe prapa shpine apo me thashetheme, kurdisje pas shpine, demonizim e linçim të veprimtarëve, jo vetëm nga UDB-ja, por edhe nga individë të caktuar, të paformuar si duhet, intelektualë dhe veprimtarë politikë gjysmakë, të cilët mjerisht i ka prodhuar me shumicë kombi ynë i nëpërkëmbur dhe i përbuzur nga pushtuesit. Këto atentate në mënyrë sistematike i ka përgatitur i ka përpunuar dhe i ka ndërmarrë UDB-ja jugosllave me ndihmën e atyre, që hiqeshin pas saj, qofshin edhe shqiptarë, të cilët ishin betuar në idenë e bashkim vëllazërimit dhe bashkëjetesës me serbë e sllavë të tjerë.
Veprën “Atentatet” autori e ka shkruar në vetën e tretë njëjës, për arsye që shpjegohen lehtë, duke koduar shumicën e emrave, (personazheve) disa prej tyre lehtë të zbërthyeshëm, por disa edhe të pazbërthyeshëm për lexuesin, i cili nuk ka sa duhet njohuri për aktivitetin e lëvizjeve të ndryshme në Mërgatë.
I vetësfiduar nga kjo mënyrë e komunikimit letrar, autori ka arritur të projektojë dhe të zbatojë me mjaft kujdes projektin e tij ideor, të cilin e ka radhitur duke u mbështetur në shumë ngjarje e ndodhi reale, në të cilat ai ka marrë pjesë drejtpërdrejt, por edhe duke përshkruar dhe duke komentuar ngjarje e ndodhi, në mbështetje të gjykimit apo nganjëherë edhe paragjykimit, të cilin e pranon më lehtë kjo formë e shkrimit dhe komunikimit me lexuesin.
Nga leximi i vëmendshëm dhe nga njohja paraprake e kësaj tematike, mund të zbërthehen një mori veçorish, ngjarje e situata të motivuara mirë, të cilat mbajnë gjallë kërshërinë, ashtu sikur seritë apo “tv novelat” e suksesshme bashkëkohore. Edhe pse në dukje të parë vepra është dokumentare dhe ngjarjet po thuajse në tërësi janë reale, në këtë vepër autori ka arritur të mbarështojë dhe të sintetizojë edhe situata që janë pjellë e fantazisë krijuese kreative, e cila i jep veprës edhe një kolorit të fuqishëm, të degëzuar edhe në relacione të kohës dhe hapësirës, ku zhvillohen ngjarjet e rrëfimet e personazheve të shumta, jo vetëm me origjinë shqiptare.
Teprimi në të drejtën
Duke qenë gjithnjë të bindur në të drejtën e tyre duke qenë madje edhe virulentë në imponimin e asaj të drejte, si e vetmja dhe e pagabueshmja, janë bërë dhe do të bëhen gabime, nga të cilat as janë kursyer, as kursehen, jo vetëm ata që marrin përsipër barrën për ta ndryshuar jetën e botën, apo për t’ u çliruar nga robëria, që është po kështu një përpjekje e ligjshme e ndryshimit të gjendjes së padurueshme ekzistuese.
Miran Bruçaj, personazhi kryesor i librit “Atentatet” është shembulli tipik i shqiptarit, i cili me çdo kusht përpiqet për të bërë ndryshimin e gjendjes, meqë robëria ishte bërë e padurueshme dhe meqë i beson lirisë, ashtu sikur i beson vetvetes dhe ekzistencës së tij. Ky personazh, mjaft sfidues për ta realizuar në mënyrën sikur e ka konceptuar autori, bart mbi supe tërë një bagazh të së kaluarës nën robëri. Ai është pjesëtar i një familjeje që ka përjetuar tmerrin dhe pasojat e pushtimit serb qysh nga të parët, gjyshërit, etërit e të afërmit e tij. Është pjesë e një kolektiviteti që lufton me mish e shpirt për të mbijetuar, qoftë edhe në formën më të dhembshme dhe më të keqtrajtuar të jetës. Është pinjoll i brezave që ndër shekujt e pushtimit kanë bërë përpjekje të pareshtura për të jetuar me besë, trimëri, dinjitet dhe shumë herë janë ndalur mu në mes të rrugës, në mes të rritës, janë këputur egërsisht, qoftë nga robëruesit, doket, apo edhe noprania e njerëzve të gjakut e të gjuhës. Një personazh i tillë, me rastin e arsimimit e vetëdijësimit të tij kombëtar dhe klasor, doemos se do të bëhej kryengritës, sidomos në rastet kur edhe edukata në familje e ka cytur kryengritjen dhe hakmarrjen, qoftë si dukuri apo fenomen. Mirani nuk është rastësisht i tillë. Ai është rritur dhe zhvilluar në një mes, ku deri vonë janë ruajtur me besnikëri traditat dokesore shqiptare. Ai është tejet i bindur në të drejtën dhe në të vërtetën e tij.
Por kohët kanë ndryshuar.
I ndodhur në një botë tjetër, në Gjermani, ku ka ikur ashtu sikur shumë të rinj nga Kosova dhe trevat e robëruara të Shqipërisë, që binin në konflikt të thellë apo aksidental me mekanizmin e pushtuesit, ai gjendet në një botë tjetër, të kamur, e cila josh me pasje e begati ndër më të ndryshmet. Një botë përrallore për shqiptarin e robëruar të Kosovës, i cili mezi arrinte ta ngopte barkun me bukë. Mirëpo, sado që hiret e jetës në një shtet të kamur nuk kanë të sosur, ai nuk kënaqet vetëm duke plotësuar dëshirat e pasionet e tij individuale, meqë nuk mund të lirohet nga përkatësia, nuk mund të lirohet nga ndjenja dhe vetëdija për të qenë shqiptar i lirë dhe i barabartë ashtu sikur të gjithë popujt e tjerë. Kjo është sfida, e cila e ka orientuar drejt Atdheut shumicën e mërgimtarëve, që në shpirt kanë ruajtur të shenjta konceptet: Liri, Barazi, Atdhe…
Si i tillë Miran Bruçaj e kupton se i vetëm nuk arrin dot qëllimin, por për të realizuar një aspiratë kolektive në këtë drejtim duhen bërë sakrifica të shumta, lidhje, organizime, veprime, duhet sakrifikuar gjumin, shëndetin, punën, studimet, dashurinë, duhet sakrifikuar madje edhe jetën, me qëllim për të arritur çlirimin e vendit nga kthetrat e robërisë, në rastin tonë, çlirimin nga një robëri barbare dhe tejet e egër.
Për dallim nga shumica e bashkëveprimtarëve, personazhe të kësaj vepre, Miranin e përshkon sinqeriteti, koncepti tejet i shprehur dhe realist i botëkuptimeve, besimi i patundur në vetvete, madje virulenca e shpeshherë edhe arroganca. Mirëpo në rrugën e komunikimit, ai do të ndeshet me botën tjetër, po ashtu kokëforte dhe të papërfillshme, e cila po ashtu mbron me fanatizëm “të drejtën” e vet.
I ndeshur me realitetin e kundërthënieve të shumta, ai jep dhe merr goditje, edhe pse me qëllimin më të mirë, u shkakton të tjerëve jo vetëm bezdi e shqetësime, por jo pak herë pëson edhe vetë, në përpjekje për ta ruajtur dhe për ta imponuar “të drejtën” e vet, për të cilën mendon dhe arsyeton se është më e përparuar dhe më e kapshme për t’ u realizuar. Autori i veprës, Ibrahim Kelmendi, ashtu sikur edhe shumë veprimtarë të tjerë të njohur të Lëvizjes sonë çlirimtare, është kalitur nëpër furtunat e rrezikshme të jetës, është kalitur ndonjëherë duke dhënë, por dhe duke marrë goditje të panumërta, është kalitur duke mos hequr kurrë dorë nga qëllimi i luftës për liri dhe duke mos u dorëzuar as atëherë kur e kishin satanizuar edhe shokët e ngushtë të “idealit”. Kështu nuk i ka ndodhur vetëm Miranit, por shumë atdhetarëve të tjerë, të cilët kanë ruajtur me fanatizëm egon, të drejtën dhe individualitetin.
Miran Bruçaj jetën e kishte pranuar ashtu sikur ishte ajo. Jo duke e idealizuar, jo duke kërkuar nga ajo anën e lehtë, të lezetshme e të favorshme, por duke u ndeshur ballë për ballë me të priturat e të papriturat e saj dhe duke mos u penduar asnjëherë, madje as atëherë kur e kishin ekskomunikuar, shantazhuar e denigruar. Edhe në ato raste ai qëndronte i patundur në të drejtën e tij.
Në personin e Miranit frymon jo vetëm autori i librit, por tërë një klasë atdhetarësh të mërgimit, të cilët u gjenden kryesisht të përgatitur për të përballuar sfidat e rënda dhe të zeza të robërisë shekullore.
Duke qenë se regjimi titist, UDB-ja, kishte arritur të fuste njerëzit e vet madje në të gjitha celulat e organizmit ilegal, veprimtaria atdhetare vazhdimisht kishte pësuar goditje pas goditjesh dhe vazhdimisht ishte treguar e gatshme për të përballuar ato goditje. Mirani ishte i vetëdijshëm për këtë fenomen, por kjo nuk i ngjallte panik, përkundrazi, duke qenë veprimtar i përhershëm dhe i pandashëm në rrugën drejt lirisë, ai as habitet, as dorëzohet kur e lënë anash shumica e shokëve. Atij, në shumë raste i mjafton besimi në vetvete dhe besimi se e vërteta kurdo qoftë del në shesh, qoftë edhe pasi të është thyer kurrizi, sikur iu ka ndodhur shumë e shumë shqiptarëve nëpër shekuj.
Duke qenë në shpirt idealist, por idealist i një lloji të veçantë, ai vëren se jo të gjithë mërgimtarët politikë e kishin trasuar përnjëmend rrugën e tyre drejt realizmit të aspiratave. Vëren se idealistët si Vasili, Jusufi, Kadriu e të tjerë jo vetëm pretendojnë, por besojnë me gjithë mend se Kosova një ditë do të çlirohet nga robëria, jetuan ata apo jo deri në atë kohë.
Mirani, ashtu sikur paraqitet në këtë vepër është gatuar prej sojit të atyre njerëzve që në popull thuhet se e kanë “qimen” e ujkut, madje edhe vesin e ujkut. Atij i ndodhin të papriturat dhe pasojat e rënda edhe atëherë kur nuk ka asnjë qëllim të keq, edhe atëherë kur niset me qëllimin më të mirë për të kryer një punë, apo një detyrë dhe has në një njeri tjetër, që është ters dhe i cili i shkakton dhembje e vështirësi.
Martirizimi i Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës
Në tipizimin e personazheve dhe realizimin e tyre qoftë edhe dokumentar, autori i librit “Atentatet” ka përshkruar me besnikëri edhe një pjesë të jetës dhe veprës se treshes së njohur revolucionare: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Duke qenë jo vetëm njohës i thellë i ngjarjeve, por edhe shok ideali me këta tre idealistë të lirisë, Ibrahim Kelmendi ka shpalosur jo vetëm kujtimin për ta, por edhe ngjarje e ndodhi të shumta të aktivitetit të tyre atdhetar. Në tipizimin e këtyre figurave reale, ai nuk ka kursyer asnjë të dhënë apo detal me interes pa e pasqyruar, qoftë edhe atëherë kur ka rënë ndesh me qëndrimet e tyre. Duke u nisur për të rrëfyer të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, autori nuk kursen askënd, madje as vetveten. Ai e kupton me kohë qëndrimin humanist e atdhetar të Jusuf Gërvallës, i cili donte të bënte të pamundurën, me qëllim për ta bashkuar dhe unifikuar faktorin politik, veprues në shtetet e Evropës, ku shqiptarët ishin katandisur si punëtorë krahu, si të përndjekur, apo si bajraktarë të regjimeve të perënduara, që prisnin në foletë e tyre të qyqeve ditën derisa të ndodhnin çudirat. Jusuf Gërvalla, ky personazh shumë i dashur, i respektuar dhe i dhembshëm i historisë më të re të Kosovës, në këtë vepër është dhënë duke frymuar gjallë me idealizmin e tij të pakursyer, në rrugën e tij plot pengesa për unifikim, ndërkohë që Mirani, i cili tashmë kishte një stazh të jetës në Perëndim ishte rrahur me vaj dhe uthull dhe nuk çante kokën fort për një bashkim të tillë të domosdoshëm, në radhë të parë sepse ai më shumë ishte veprimtar pragmatik, madje i etiketuar edhe si anarkik, sesa idealist i papërmirësueshëm. Veprimtaria e vëllezërve Gërvalla dhe ajo e Kadri Zekës janë përshkruar me dimensionin e vërtetë dhe realist të ndikimit të tyre, apo të përpjekjeve për të mos thënë edhe mbinjerëzore për t’i unifikuar dhe bashkuar shqiptarët, të cilët i kishte përçarë dhe i kishte katandisur UDB-ja.
Jusufi te Mirani kishte gjetur një shok të ngushtë dhe besnik, por një njeri tjetër fare, i gatuar me një tjetër brumë, i kalitur në rrethana të tjera, një njeri me qimen dhe vesin e ujkut, i cili përfaqëson një qasje origjinale kritike kundrejt zhvillimeve dhe rrjedhave të migracionit politik dhe ekonomik shqiptar në shtetet e Perëndimit.
Me dëshirën e zjarrtë të iluministit dhe atdhetarit, Jusuf Gërvalla, por edhe Kadri Zeka pretendojnë të bashkojnë sa më shumë shqiptarë, në mënyrë që veprimet të koordinohen dhe të krijohet një qendër e vetme, por edhe e aftë për të përballuar sfidat, sidomos pas kryengritjes së rinisë shqiptare të Kosovës, në mars dhe prill të vitit 1981. Duke pasur kurdoherë në konsideratë studimin monografik për Jusuf Gërvallën të veprimtarit e atdhetarit, Kadri Rexha në librin e tij “Fati i luleve” dhe përshkrimit po ashtu të arrirë që i ka bërë Ibrahim Kelmendi, si dhe shkrimeve të shumta kryesisht publicistike, që janë botuar për Jusufin, arrijmë në përfundim se ky personalitet i kombit shqiptar, shquhej në radhë të parë për përpjekjet e tij tejet humaniste në drejtim të unifikimit të Lëvizjes, qoftë edhe sipas mësimeve dhe teorive të Enver Hoxhës, pikërisht në çastin më kaotik dhe më të pamundshëm për ta arritur atë unitet.
Shqiptarët që i kishte përçarë jo vetëm e kaluara feudale bajraktare, krahinore e fisnore, por dhe ideologjike e fetare nuk ishte e mundshme të bashkoheshin me çdo kusht, edhe pse ata pajtoheshin në mënyrë deklarative për nevojën e një bashkimi të tillë. Atë unifikim që Enver Hoxha e kishte arritur në Shqipëri me aktivizimin e tërë një mekanizmi pushtetar, nuk mund ta arrinte askush ndryshe, edhe pse dominonte bindja se pa një bashkim, pa një qendër të vetme unifikuese ishte e vështirë të veprohej, në kohën kur UDB-ja jugosllave dhe tërë mekanizmi veprues shtetëror ishte orientuar në drejtim të thyerjes dhe shkatërrimit të të gjitha celulave, grupimeve dhe organizatave, që vepronin në platformë të bashkimit kombëtar të shqiptarëve.
Demonstratat e shqiptarëve në qendra të ndryshme të qyteteve të Evropës po i çirrnin maskën Jugosllavisë së “moderuar” dhe aq shumë të përkëdhelur të Perëndimit. Andaj UDB-ja kishte marrë të gjitha masat që ta shkatërronte elementin unifikues, nga i cili frikësohej me të drejtë. Pikërisht për këtë shkak, UDB-ja kishte shtrirë duart thellë në mërgatën shqiptare të Kosovës dhe kishte arritur që të mos lejonte bashkimin nën një platformë. Bashkimin e forcave e bënte të pamundshëm edhe prejardhja ideologjike e partiake e grupeve, apo individëve që improvizonin se ishin në krye të grupeve me rëndësi, edhe pse vetë kishin “shpëtuar” duke ikur dhe shokët i kishin lënë nëpër burgje. Nga prejardhja e tillë laramane dhe bajraktare e individëve dhe grupeve nuk mund të gatuhej një organizatë e mirëfilltë, aq më keq, kur secili pretendonte kreun e Lëvizjes dhe nuk lëvizte nga pozicioni, pa kushtëzuar vetveten në maje të hierarkisë. Në rrethana të tilla bashkimi dhe unifikimi ishte një absurditet i llojit të veçantë edhe për faktin se mercenarët e UDB-së ishin kudo, në mesin e çdo grupi, në mesin e çdo organizate, në çdo kohë. Këto përshkrime realiste janë pasqyruar gjerë e gjatë në këtë vepër të rëndësishme të letërsisë sonë të pas luftës.
Vrasja barbare, që kreu regjimi titist me likuidimin e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, la prapa shumë dilema, të cilat e dëmtuan jo vetëm unifikimin e faktorit veprues, por edhe të gjitha grupimet dhe individët e caktuar. Me këtë vrasje pas shpine regjimi i Beogradit, kishte goditur kreun, dhe kishte mbjellë shumë thellë farën e dyshimit, e cila u përhap si epidemi e rrezikshme për tërë lëvizjen çlirimtare të asaj kohe. Në kushte dhe rrethana të tilla ishte dëmtuar rëndë përpjekja për bashkim, ndërkohë që grupe e klane të caktuara veprojnë pa u ndalur, madje sikur të mos kishte ndodhur asgjë, kësaj radhe duke përvetësuar të martirizuarit, me qëllim për t’ u shërbyer me veprën dhe kapitalin e tyre atdhetar.
Tipizimi negativ i disa personazheve
Vepra “Atentatet” është e mbushur me një galeri personazhesh. Disa nga ta janë realizuar me mjeshtëri, ndërsa jo pak prej tyre janë skicuar vetëm sipërfaqësisht dhe janë skematizuar deri në groteskë. Kjo është bërë me qëllim të diskreditimit të të gjithë atyre “veprimtarëve”, për të cilët autori pretendon se ishin vegla të pushtuesit, njerëz të thyer, të cilët kishin mbetur peng për veprat e tyre të liga, dhe për të shpëtuar kishin pranuar të bashkëpunonin me UDB-në. Në këtë segment autori është treguar tejet i pamëshirshëm. Ai ka marrë nëpër gojë disa nga ata që ishin postuar apo vetëpostuar në kreun e Lëvizjes. Të gjithë këta si Sabit Katunriu, Xhafari, Xhabir Shatori, Avdyl Prapashpina, Xhahili, Proletari, Sadeku e shumë të tjerë janë satirizuar dhe ironizuar deri në skajin ekstrem, duke i kursyer nga të gjitha meritat dhe të gjitha vetitë madje edhe kombëtare e njerëzore. Ky skematizim, i cili në këtë rast i përshtatet metodës së realizmit socialist të letërsisë shqipe, bën që kjo vepër të vuajë nga këto defekte, të cilat pa dyshim se ia ulin një segment të vlerës, por nuk mendoj se e lëndojnë bazamentin e fortë të saj, që është thurur me shumë mjeshtëri dhe përkushtim.
Tipizimi negativ dhe tejet grotesk, që autori i bën Rezil Mejtepit, duket më tepër se një përpjekje për ta shfryrë mllefin e tij personal, meqë as sot e kësaj dite nuk është zbuluar konkretisht se ky Rezili, ka qenë vrasës, apo njëri ndër vrasësit e Jusufit, Kadriut e Bardhit. Ky personazh i irrituar dhe i urryer nga autori mund edhe të mos ketë qenë vrasës i porositur nga UDB-ja dhe vrasjen, nëse e ka kryer, mund ta ketë bërë nga motivet e ulëta të xhelozisë, sikur kishte pranuar se kishte bërë me rastin e përgatitjes së atentatit kundër Jusuf Gërvallës, përmes Vasilit, i cili edhe e denoncon para Miranit dhe Jusufit. Të tillë dhe skematikë janë paraqitur edhe shumë nga veprimtarët e Lëvizjes, me të cilët Miran Bruçaj ka rënë në kundërshtim, jo vetëm njëherë dhe jo vetëm njëherë është pajtuar me ta dhe ka bashkëvepruar, madje edhe atëherë kur i ka zënë në flagrancë të kurdisjeve prapashpine.
Realizimi me sukses i personazhit të Vasilit, (H.G.) besimi që ai shpreh për këtë idealist të paepur, është dhënë me besnikëri dhe me një realizëm të theksuar. Autori i librit “Atentatet” këtë personazh emblematike të Lëvizjes sonë çlirimtare mbase e ka pasur lehtë ta realizojë, meqë ka hetuar se në shpirtin e tij ka bërë çerdhe besa, vetëmohimi dhe përkushtimi idealist. Ai ecën drejt rrugës së ferrit, me të vetmin qëllim për të bërë diçka që edhe mund të paguhet me kokë, ose me burg të gjatë, me qëllim për të treguar praninë e liridashësve me aksione konkrete kundër pushtuesit dhe jo vetëm me teoretizime e përgatitje ideore, të cilat ai edhe nuk i kuptonte sa duhet, sepse kishte kryer pak shkollë, por kishte kryer me suksese edhe fruthin e kollin.
Vepra “Atentatet”, e autorit, Ibrahim Kelmendi ka ngjallë reagime të ndryshme dhe të shumta, sidomos në mesin e ish-veprimtarëve të Lëvizjes në mërgim. Janë të shumtë ata që e kanë gjetur veten, ashtu sikur nuk do të dëshironin. Janë të pranishëm dhe e gjejnë veten mirë disa nga ata, për të cilët autori ka pasur konsideratë. Kjo ndarje skematike e personazheve, edhe pse mund të jetë krejtësisht e vërtetë, mendoj se e lëndon veprën në aspektin letrar, por e bën të fortë në aspektin dokumentar. Këtu edhe qëndron vështirësia e trasplatimit të dokumentaritetit në roman, sepse të shkruash roman për të gjallët gjithnjë ballafaqohesh me mundësinë e shembjes, meqë nuk thuhet kot në trimit nuk bën t’ i këndohet kënga, qoftë edhe tri ditë para vdekjes. Por ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Ndonjëri nga këta personazhe ka pasur dhe ka mundësi ta mbyllë me çmim të lartë kapitullin e jetës së vet.
Sido qoftë, duke analizuar vetëm pak segmente të këtij romani, i cili shtrihet në një kohë dhe hapësirë të caktuar në të gjitha poret e mërgatës shqiptare, deri në Amerikë, arrij në përfundim se “Atentatet” është një vepër e arrirë, një vepër që mbanë gjallë kureshtjen e lexuesit, një vepër që shpalos me mjaft besnikëri tërë një periudhë të Lëvizjes sonë, duke e përshkruar atë Lëvizje me një realizëm tipik dhe duke e segmentuar në të gjitha aspektet që mund të inkorporohen në një vepër, dokumentare në tematikë dhe brendi, por artistike në formë dhe konceptim letrar.
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …