Demokracia u ka sjellë shqiptarëve shumë të mira, e mbi të gjitha ka sjellë mendimin e lirë, madje edhe të shfrenuar për të shkruar, për të sharë e për të fyer këdo, për ta fajësuar të kaluarën si atë komuniste ashtu edhe të kohës së Skënderbeut. Kjo demokraci e kuptuar kështu, dita ditës po e sheshon kaosin dhe po përzien përfundimisht vlerat dhe jo vlerat, të cilat po zihen në të njëjtin kazan, që e kanë farkuar e mbushur me ujë dhe që po i fryjnë zjarrit antishqiptarët, nga jashtë e nga brenda.
Nuk di a ka kund ndonjë popull tjetër që prodhon aq bastardë se ky populli ynë, bastardë të tillë që ka prodhuar jeta nga robëria në robëri, saqë tani, në këtë lirinë e përgjithshme e pa fre, “ këta përngjajnë me kafshët e egra, që kanë ikur nga Kopshti Zoologjik, dhe kur nuk arrijnë të gjejnë ushqimin, kthehen prapë në kopsht, sepse janë mësuar që atje ta gjejnë racionin ditor të ushqimit.” Të tillë janë disa analistë dhe disa nga ata, që veten e quajnë shkrimtarë dhe të cilët mundohen me çdo kusht t’ i japin munxët Shqipërisë dhe kombit shqiptar, në emër të modernizmit, në emër të altruizmit, por gjithnjë në shërbim të qarqeve, që i financojnë me qëllim për të shkatërruar njësinë kombëtare, gjuhësore dhe kulturore shqiptare.
Nuk ka personazh të historisë dhe të kulturës shqiptare, që të mos jetë kontestuar nga ky soj i skribëve.
Kohëve të fundit ka filluar gara për ta përdhosur edhe figurën madhështore të Skënderbeut, pasi janë përdhosur, sharë e fyer të gjithë, me radhë deri te këta të kohës sonë.
Në këtë luftë bastardësh për të “demitizuar” historinë dhe për t’i çmontuar shtyllat e bazamentit kombëtar, është arritur edhe deri te shtylla kryesore, deri te figura e Skënderbeut. E kishin filluar këtë punë të pandershme disa islamikë të ndërkryer, pastaj një sulm tjetër të poshtër i ka dhënë edhe Ben Blushi në romanin e tij “Të jetosh në ishull” dhe tash së fundi edhe botimi i monografisë për Skënderbeun nga Oliver Shmit, që ka nxitur debate, meqë kjo vepër edhe është përkthyer me qëllim për ta diskredituar këtë figurë madhështore të kombit.
Në këtë aktivitet antikombëtar po marrin pjesë njerëz me prirje të sëmurë, me qëllim për të qenë të pranishëm në medie dhe për të dhënë gjykime ndër më të ndryshmet.
Të tillë, në figurën e Skënderbeut shohin mitin, jo historinë. Historisë nuk duan t i besojnë, sepse thonë se është shkruar shtrembër, por duan ta bindin opinionin se paska qenë Rilindja Kombëtare, ajo që nxori në sipërfaqe Skënderbeun dhe e madhëroi atë, me qëllim për t’ i dhënë hov luftës kundër Turqisë. Dhe çuditërisht, sipas tyre, ishin vetë shqiptarët islamë ata që po e kryesonin këtë luftë, nipat e atyre që ishin konvertuar. Ja për shembull si e përkufizon mitin e Skënderbeut, sociologu nga Tirana Enis Sylstarova.
(Kryengritja e Skënderbeut në shek. XV ishte një dështim. Qëllimi i saj, qoftë ky hakmarrje personale, kryqëzatë apo ruajtja e zgjerimi i zotërimeve të tij, nuk u arrit. Shumë kohë pas vdekjes së tij, kujtimi i Skënderbeut në Shqipëri nisi të harrohej. Kryengritjet në zonat malore nuk patën sukses dhe një popullatë që shkallë-shkallë po myslimanizohej nuk kishte pse të investonte në kujtimin e një luftëtari të krishterë, që i ishte kundërvënë padishahut. Miti i Skënderbeut u krijua nga Rilindja Kombëtare Shqiptare qindra vjet më vonë vdekjes së tij. Qëllimi i Rilindjes ishte krijimi i shtetit kombëtar shqiptar dhe miti i Skënderbeut i shkonte për shtat: periudha e Skënderbeu u kujtonte shqiptarëve ekzistencën e shtetit mesjetar; Skënderbeu kishte luftuar kundër Perandorisë Osmane; me mitin e Skënderbeut si “mbrojtës i Evropës” mund të kërkohej nëpër kancelaritë evropiane përkrahje për të drejtat e kombit shqiptar. Në njëfarë mënyre, Rilindja Kombëtare e zbuloi mitin e Skënderbeut nga vetë shkrimtarët evropianë të Rilindjes Evropiane që e kishin krijuar atë…)
Në të gjitha segmentet ky përkufizim është tendencioz dhe i mbrapshtë. Në radhë të parë, sepse jo vetëm kryengritja e Skënderbeut, por të gjitha kryengritjet e shekujve 15-16 të popujve të Ballkanit dhe të Evropës qendrore kanë dështuar në luftë kundër Turqisë. Ky sociolog nuk e njeh historinë, ose i bën bisht, për arsye që vetëkuptohen. Nuk është aspak i vërtetë fakti se Rilindja Kombëtare e zbuloi Mitin e Skënderbeut nga shkrimtarët e Rilindjes Evropiane. Dihet mirëfilli se në cilën kohë është shkruar vepra e parë madhore e Marin Barletit për Skënderbeun dhe qindra vepra të periudhës pasuese të Renesansës dhe iluminizmit jo vetëm në Itali, Gjemani, Francë, Angli por edhe në shumë shtete të Evropës e të botës.
Nuk ishte shpikje kjo, për më tepër, përfaqësuesit e Rilindjes Kombëtare shqiptare, nuk kishin sa duhet njohuri për veprat e Skënderbeut, sepse ato nuk i gjenin dot në gjuhën turke, por as në gjuhën shqipe, që ishte gjuhë e ndaluar. Vetëm ata, që në rrethana të ndryshme kishin mësuar frëngjisht , italisht apo gjermanisht kishin kontaktuar me veprat e romanet e shkruara për Skënderbeun.
Skënderbeu nuk ishte “mbrojtës i Evropës”, as ishte “atlet i Krishtit”, as që mund të ishte i tillë, përderisa Evropa nuk e përkrahu, meqë paraprakisht kishte humbur dy beteja të mëdha në luftë kundër Perandorisë Osmane, në vitin 1389 në Fushë të Kosovës, dhe në vitin 1448, po në Fushë të Kosovës, kur pësoi fatalisht prijësi i Evropës së krishterë, Janosh Hunjadi dhe tërë fisnikëria evropiane e kohës. Dihet mirëfilli se në këto beteja kanë marrë pjesë shqiptarët, sllavët hungarezët, austriakët, çekët, polakët, rumunët dhe popujt e tjerë të Ballkanit etj.
Përse u dashka “çmitizuar” Skënderbeu?
Realisht, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk iu përket tregimeve popullore, edhe pse ka ndonjë rrëfim të tillë. Ashtu sikur nuk i përket mitit e mitologjisë as Milosh Kopiliqi, që është një personazh i mirëfilltë i historisë sonë, për të cilin kujtesa jonë kombëtare, e përcjellë përmes rapsodësh homerikë, ka ruajtur hiq më pak se 3400 vargje këngësh, që kanë mbijetuar deri në ditët tona. Në Shalë, në Drenicë, në Dukagjin e gjithandej nëpër Kosovë janë shënuar 8 këngë epike heroike për këtë trim me gjak arbëri. Mitin për këtë hero të Mesjetës, e ndërtoi me mjeshtëri dhe e përdori për qëllime ekspansioniste kisha serbe dhe kreu nacioanlshovinist i Serbisë.
Po të mos ishte shqiptar, Milosh Kopiliqi, për çfarë arsye do ta ruanin kujtimin dhe këngët për të, pikërisht shqiptarët që ishin islamizuar? Të gjithë rapsodët shqiptarë, të cilët kanë kënduar këngë epike historike për Milush Kopiliqin dhe që këndojnë edhe sot, me ndonjë përjashtim, janë shqiptarë të besimit islam. Përse ata nuk do ta hymizonin Sulltanin, edhe pse në disa variante këngësh, të cilat me kohë kishin ndërruar përmbajtjen hymnizohet fuqia e Sulltanit, i cili luftonte kundër 7 krajlive.
Figura e Milush Kopiliqit ka qenë fatkeqe me faktin se nuk u njoh nga Rilindja jonë Kombëtare, ndërsa regjimi kolonizator dhe shqiptarvrasës serb e kishte përvetësuar, duke ia ndërruar edhe emrin e mbiemrin dhe duke e nxjerrë so Milosh Obiliq. Regjimi pushtues sllav kishte bërë përpjekje shekullore ta përvetësonte, në mos edhe e ka përvetësuar, meqë janë vetë historianët shqiptarë të kohës sonë, të cilët shprehin rezerva dhe nuk kanë gatishmëri ta mbrojnë të vërtetën historike, meqë për një kohë kishin qenë në shërbim të historiografisë serbe.
Po çka ka të përbashkët “miti” për Skënderbeun, përderisa ai i takon historisë dhe është personazhi i saj më realist, i kundruar nga kronikat dhe shkrimet e kohës. Nëse në një rrëfim, apo në një tregim të Barletit gjemë ndonjë të dhënë, që na duket jo reale, apo nëse hasim në një shprehje artistike ku thuhet “se shpata e Skënderbeut çante malet”, kjo nuk na lejon që të kokludojmë se kemi të bëjmë me mite. Fakti se kujtimi për Skënderbeun është ruajtur në traditën e rrëfimeve apo edhe në kodet dokesore, nuk na lejon të përfundojmë se ai qenka mitizuar, përveç kur me pretendime të tilla, dëshirohet të rrënohet morali i kombit.
Nuk është aspak e vërtetë se regjimi komunist në Shqipëri e ka mitizuar këtë hero të kombit. Përkundrazi regjimi komunist i Enver Hoxhës në vitin 1968 organizoi një Simpozium mbarëkombëtar, ku studiues shqiptarë dhe shumë të huaj nga Evropa e bota, hodhën dritë dhe ndriçuan në tërësi jetën dhe veprën e Skënderbeut. Të krisurit dhe të çmendurit mund të “logjikojnë” se pikërisht ky simpozium dhe shumë të tjerë paskan bërë të Skënderbeu të “mitizohet”. Kemi të bëjmë me historinë e mirëfilltë, të shkruar e të dokumentuar me mijëra referenca, me qindra burime, turke, italiane, gjermane, franceze, ruse etj, dhe jo me mite e gënjeshtra. Në atë Simpozium u lexuan qindra kumtesa, të gjitha kumtesa shkencore, të qindra autorëve madje edhe rusë e turq, italianë e gjermanë, anglezë, austriakë e arbëreshë nga Italia, etj.
Natyrisht se po të mos nxirrej fare në sipërfaqe, Skënderbeu edhe do të harrohej, ashtu sikurse është harruar dhe është injoruar pabesisht dhe tmerrësisht, Halil Patrona nga Hurpishti i rrethit të Manastirit, Kryengritësi i Stambollit në vitin 1730, që është njëri ndër personazhet më të njohura të historisë turke dhe botërore, shumë më i njohur në botë, sesa Skënderbeu. Ky është shembulli më ilustrues që tregon se çka ndodh kur memorja kombëtare pëson defekt, sepse defektet e tilla i shkaktojnë bastardët e të gjitha kohërave dhe politikat e qarqeve të caktuara antikombëtare si në të kaluarën ashtu edhe sot.
Për dallim nga Skënderbeu, i cili me ushtarët e tij besnikë u kthye në Krujë, në pronat e babait dhe të njerëzve të gjuhës e të gjakut dhe ngriti flamurin, të cilit iu bashkuan shumica e princërve shqiptarë, Halil Patrona ngriti në këmbë turmat e pakënaqura të Stambollit kundër Sulltanit, i cili jetonte në ar dhe begati, duke kultivuar tulipanë dhe duke ndërtuar shtëpi publike në Stamboll. Kërkesat e Halil Patronës ishin kërkesa njerëzore, universale. Ai kërkonte që të zbuteshin tatimet, të shfuqizoheshin tatimet e përjetshme, “malikanet”, dhe në kohën kur në Stamboll populli vdiste urie, të prisheshin dhe të digjeshin 150 shtëpitë e dëfrimeve, të prostitucionit, të cilat po i ndërtonin inxhinierët francezë, në vendin “Te ujërat e ëmbëla”.
Jetën dhe veprën e Halil Patronës nuk e njohin shqiptarët, sepse ai është përjashtuar nga tekstet e historisë tonë kombëtare, meqë nuk ka kërkuar ta bëjë Shqipërinë. Është e vërtetë se ai ndoshta as ishte kujtuar ta bënte Shqipërinë, por donte drejtësi për të gjithë dhe dënonte amoralitetin, perversitetet dhe marrëzitë. Qëllimi i tij ishte universal, ashtu sikur qëllimi i Nënë Terezës, e cila asnjë ndihmë nuk i dha kombit të vet as fëmijëve të sëmurë shqiptarë, por me përkushtimin e saj rrezatoi mbi tërë njerëzimin, meqë ajo doli nga suazat e ngushta të kombit dhe iu përkushtua fesë e humanizmit. E tillë, për nga dimensioni ishte vepra e Halil Patronës, i cili edhe u vra pabesisht nga Sulltan Mahmudi në nëntor të vitit 1730 së bashku me 12.000 jeniçerë shqiptarë.
Ben Blushi në romanin e tij “Të jetosh në ishull” në mënyrën më bastarde shtrembëron figurën e Halil Patronës, ashtu sikur edhe atë të Skënderbeut dhe Ali Pashë Tepelenës, por madhëron dhe ngrit në qiell figurat mitologjike serbe e greke. Ky është shembulli tipik i një bastardimi të marrë.
Të pretendosh, se vetëm shqiptarët e krishterë e paskan ruajtur kombësinë dhe shqiptarët islamë paskan qenë dhe qenkan mercenarë dhe njerëz pa identitet, kjo nuk është më pak se një urrejtje morbide, të cilën e ka lakmi Beogradi dhe Athina, për të mos thënë se edhe e financojnë po këto dy pole antishqiptare.
Por e vërteta nuk mund të mbyllet “në një ishull” të një bastardi, as ne komente të një të marri, as me sharjet e një pisi, meqë të gjitha figurat më madhore të kombit tonë, me përjashtime të rralla kanë qenë dhe janë shqiptarë të besimit islam, edhe pse ata kurrë nuk e kanë trajtuar fenë mbi fenë, por kanë mbajtur një qasje krejtësisht emancipuese në këtë drejtim, me moton “Fe e shqiptarit është shqiptaria”.
Kjo moto i pengon bastardët, ashtu sikur iu pengon Skënderbeu, Halil Patrona, Ali Tepelena, Avdyl Frashëri, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha e deri te personalitetet e sotme të njohura të kombit shqiptar, si Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Ismail Kadare, madje edhe Adem Jashari, të cilin një bastard i tillë, e quan “fshatar kopuk që mori në qafë tërë familjen”.
Tash për tash kemi vetëm disa emra arrogantësh që po bëjnë përpjekje ta përçajnë njësinë kombëtare, historike e kulturore të kombit, si Ben Blushi, Fatos Lubonja, Avdi Baleta, Pirro Misha, Maks Velo, Ardian Klosi, Migjen Kelmendi, Halil Matoshi, Mufail Limani, Baton Haxhiu, Jusuf Buxhovi e të tjerë, që hiqen pas tyre. Të tillët, në dukje janë pak, por duke parë disponimin e disa qarqeve evropiane, proserbe, në politikat e tyre antishqiptare, duket se politika e moderuar e Evropës, e cila po shpik identitete të reja mbi kurriz të kombit shqiptar, dhe e cila nuk pranon në asnjë mënyrë që shqiptarët të bëhen bashkë me një shtet, sikur kombet e tjera të Ballkanit, atëherë kjo çështje duhet të merret me seriozitet, në radhë të parë nga të gjitha ata, që nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga kombi, historia, gjuha dhe kultura e tyre.
Bastardë ka pasur në çdo kohë dhe do të ketë.
A mund të mos quhet bastard një shqipfolës, i cili i ftuar në emisionin e RTK-së, “Oksigjen” me cinizëm deklaron se shqiptarët janë popull aq i vjetër se edhe majmunët po thonë se e kanë prejardhjen nga shqiptarët. Dhe çuditërisht, udhëheqësi i emisionit dhe të pranishmit në studio gajasen së qeshuri, së bashku me një invalid të luftës së UÇK-së, i cili merrte pjesë në emision. Nuk pati asnjë reagim nga të pranishmit kundër deklaruesit dhe kryesuesit të emisionit.
Është mirë kur bastardët vetë identifikohen. Ka rrezik nga ata bastardë që veprojnë nën maska dhe të kamufluar si ideologë të politikave të caktuara, të cilët po e drejtojnë kombin e ndarë në pesë shtete dhe po bëjnë përpjekje që kësaj ndarje t’i japin vulë të përjetshme.