– Jemi popull hyjnor dhe shqip kemi folur qe 30.000 vjet. Ne u kemi dhënë emrat fushave qyteteve e krahinave të tërë Evropës, jemi nga farë e parë pellazge, mbase edhe kemi pirë qumësht pelash, ashtu si hunëzakët tanë të mirë që kanë ngelur në Azi ashtu si romakët bijë, të ulkonjave e grekët, që mbajnë veten si bijtë e dritës, të heliosit, gjoja, bij të diellit.
– Jemi raca që e kemi ndërtuar botën për së mbari, po ja që bota përreth nesh është e egër, është mos-mirënjohëse, nuk po na i jep të drejtat, nuk po na i kthen trojet nga Ararati, që na i ka zaptuar Turqia, deri në Peskara të Italisë, ( një toponim tipik i begatisë dhe mbarësisë së madhe shqiptare) pastaj deri të Lumbardhia e Lumi Po, që grekët hileqarë i shtuan atë “mos”, dhe doli mbrapshtë “Potamos”.
Dikur shtriheshim prej Detit Egje, nga ku mbiu egjra e deri te vendi ku e kemi endur linin, ku e kemi bërë lirin, deri në Berlin, e deri në Bukuresht, që dikur ishte Bukurishte por na ndërruan vllahët, vëllezërit tanë të parë.
A nuk është fjala vëlla, nga vëllah?
Po ja që këta vëllezër të lashtë nuk po na duan më e si të na duan, kur ne nuk e duam as vëllanë, se lërë më fqinjët.
– Të tillë jemi ne disa nga mendjendriturit shqiptarë, madje edhe kur na thonë “sharlatanë”, nuk e bëjmë qejfin qeder, sepse edhe kjo fjalë e jona është. Na e morën fracezët, hajna, madje na i morën edhe zanoret hundoore. Edhe kjo fjalë do studiuar mirë, sepse shqip është, Shar, me siguri nga Mali i Bardhë, ku as në verë nuk shkrin dëbora, nga Shari, ndërsa ajo llatan, mund të ketë qenë llapan, por dikush nga fqinjët na e ka ndërruar dhe e ka bërë llatan, pra, sharlatan.
Në asnjë gjuhë, kjo fjalë nuk tingëllon më mirë se në gjuhën tonë, e cila është folur para krijimit të tokës dhe Zoti e solli me rastin e krijimit të gjithësisë, por ja që u tret e po tretet.
Mund të ketë qenë edhe kjo fjalë e pellazgjishtes sonë të lashtë, që na e kanë deformuar grekët, ata që çdo të dytën e të treten fjalë e kanë pella, pellagonia, pellazgia, pella-pella, mbase edhe fjalën tonë autentike, palla- palla mund të na kenë keqpërdorur.
Po ne nuk na ha palla për asgjë, sepse jemi populli më i vjetër në botë dhe pikërisht për këtë, për këtë na kanë zili, fqinjët, prandaj edhe Evropa na ka katandisur kështu. Na mori inat për një strofë të pa peshuar të poetit tonë të Madh, Gjergj FIshta dhe rrethprerjes që na bënë turqit, dhe për këto dhe nuk po na fal.
Po ashtu nuk po na i fal as fyerjet, që i ka bërë, Enver Hoxha, Nënëmadhes tonë, Evropë.
– Grekët e vjetër shqiptarë kanë qenë dhe shqip kanë folur. Këta grekët e sotëm janë mashtrues. Homeri shqiptar ka qenë pa dyshim dhe nuk kishte lindur i verbër sikur thonë grekët, por ata duke parë se shkruante shqip, e verbuan dhe veprat e tij të mëdha i rishkruan në një gjuhë, të cilën nuk e kuptojnë as ata, mjerisht nuk po e kuptojmë as ne…
– Serbët, kanë qenë drapnaxhinj të shqiptarëve, A nuk do të thotë “drapën” fjala serbe, “srp”?. Dikur ata ishin shërbëtorët tanë, mbase kanë qenë edhe shërbëtorë të romakëve meqë fjala “servus”, do të thotë skllav, pra serb.
Edhe Deti Kaspik yni ka qenë. Deti i Zi po se po, Deti i Kuq, gjithashtu…
– Edhe Irlanda dikur shqiptare ka qenë. Por nga Ilir-Land, sikur ishte dikur dhe që do të thotë toka e ilirëve ajo u shndërruar në Irland.
– Edhe fjala Evropë lidhet me Evën, gjyshe-madhen e njerëzimit. Emri i kontinentit Evropë mund të jetë sajuar nga Evë, Eva dhe “rob”, meqë ishte grua, pra robëreshë e Adamit. Shkronjën “b” të gjuhës shqipe evropianët e bënë “p” ndoshta dikur ka qenë një kod që ka përcaktuar gjininë.
– Të mos harrojmë se edhe Faraonët janë nga fara jonë, madje kjo është krejt e qartë si drita e diellit, faraon- farajon, ka rënë një “j” por kjo ndodh në çdo gjuhë të botës.
Edhe krejt Arabistani, fara jonë është. Fjala araben do të thotë populli që bën ara, që i punon arat.
–Janë me mijëra fjalë të gjuhës shqipe kudo në botë dhe akademitë tona që nuk bëjnë asnjë punë, duhet sa më parë dhe urgjentisht ta botojnë “Enciklopedinë e fjalëve të shqipes nëpër gjuhët e botës”. Vetëm në këtë mënyrë ne i dalim hakut gjuhës e kombit tonë. Por edhe kësaj ia kemi gjetur ilaçin.
Tani kemi një super akademi me 320 ekademca, me shkolla e pa shkolla me tituj të shumtë sa disa nga pleqtë vështirë i bartin mbi supe, por kemi akademca edhe pa tituj, me dije superiore. Tani pasi kemi nxjerrë enciklopedinë e parë të “florinjtë”, do të nxjerrim edhe fjalorin unik botëror me fjalët e gjuhës sonë, me qëllim për ta dokumentuar se gjuha jonë është gjuha e perëndive, gjuha e Adamit dhe e Evës dhe gjuha e tërë botës. Nuk janë pak 320 akademca sa për fillim sepse Akademia jonë është e hapur dhe në të mund të regjistrohen edhe 3000 brenda vitit.
– Le ta dijë bota se ne ishin të parët dhe le të na japë hakun. Nuk po kërkojmë të na japim krejt botën apo krejt Evropën, por të paktën të na japin Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Bullgarinë, sepse tonat kanë qenë dhe këtë e dëshmojmë me ADN-në e gjuhës shqipe, gjuhës së vjetër 30.000 e ndoshta 300.000 vjet.
– A nuk është puro shqip fjala Ballkan, e cila përbëhet nga dy fjalë: “ballë,-balli“, pra pjesa kryesore e kokës dhe folja “kam”, në vetën e tretë shumës do të thotë kanë-ballë, pra Ballkan.
Dikur ky vend ishte Balli i Ilirisë Pellazgjisë, ku të parët tanë jetonin në paqe e mirësi, dhe ku shtëpia e Shqiptarit ishte e Zotit dhe e mysafirit, sikur e ka lënë Leka, jo ky Lekë Dukagjini sikur themi ne, por Leka i Madh, shqiptari më i madh i të gjitha kohëve. Por duke qenë shtëpi e mikut dhe e Zotit erdhën dhe u futen do do raca të këqija dhe na dëmtuan, andaj duhet që këtë pikë të kanunit të Lekës ta shpallim “non gtata” sepse me siguri dikush ia ka falsifikuar Lekës, këtë nen të Kanunit.
Por, duhet pranuar me keqardhje faktin se të parët tanë nuk kanë qenë shumë vigjilentë. Pas një kohë erdhën fqinjët tanë si barinj e lypsarë, dhe ne si racë humane ua hapëm potat, i pranuam si mysafirë nëpër shtëpi, sepse shtëpia jonë është e Zotit dhe e mikut.
I morën për të na punuar, dhe pas një kohe ata u futen brenda, u shumuan e na kthyen shpinën dhe meqë ishin të pafytyrë, na morën tokat që ua kishim dhënë për të punuar në to. Kështu na punuan fqinjët tanë drapnaxhinj e barinj.
Këtë fakt duhet mirë t’ ia bëjmë me dije Evropës, e cila nuk po na i jep të drejtat, që na takojnë.
– Por kurrë nuk duhet të harrojmë se jemi popull hyjnor, kemi folur shqipen qe 30.000 vjet, u kemi dhënë emrat fushave qyteteve e krahinave të tërë Evropës por edhe shumë shteteve të botës, andaj edhe thërrasim trurin shqiptarë, që ka ikur jashtë, sepse në atdhe nuk po gjejnë shprehje, thërrasim atë tru të pasur e të pastër që sa më parë ta hartojmë “Enciklopedinë botërore”, ku do ta dëshmojmë me fakte se jemi yndyra, pra ADN-ja e njerëzimit. Shikona pra ADN- ANDYRË, krejt shqip, kode shqip…
– Andaj bota duhet të ketë kujdes kur përmenden shqiptarët, sepse ne jemi të parët e të parëve, të të parëve, meqë ashtu deshi vetë Zoti, Zeusi pra, Zoti i zotërave që edhe këtë fjalë na e kanë marrë grekët, fqinjët tanë pisanjosë që na kanë fëlliqur edhe vendin me tërë ato varreza dhe nuk u vije fare turp, madje vinë në mes të Shqipërisë dhe na shajnë e na fyejnë, na thonë se jemi qen e kafshë. Po ne si populli i parë i borës jemi durimtarë, sepse tekefundit edhe këta janë fëmijët tanë shkapërdarë.
Por ne duke qenë populli më i vjetër dhe më human i botës nuk reagojmë në gjuhën e tyre, sepse jemi të qytetëruar. Edhe po të vinë grekët e të na i marrin gratë tona, për pak ditë, nëse do të jetë me pëlqimin e tyre, pra të grave tona, ne do t’ ua japim sepse jemi të kulturuar, jemi puro pacifistë botërorë, jemi yndyra e njerëzisë. Edhe ashtu ne Greqi kemi 40.000 gra që merren me zanatin më të vjetër në botë, zanatin tonë pra, sepse ne jemi më të moçmit në botë. Çdo gjë e kërkojmë me paqe, mirësi, mirëkuptim, dashuri, lutje, përulësi, përkulje… me lepe-peqe, moljim lepo, yes-oky. Andaj bota duhet të ketë kujdes për ne, sepse shembulli i gjenit të popullit tonë i përket ardhmërisë së njerëzimit.
– Ne nuk fyhemi kur na thonë sharlatanë, sepse sharlatanë e mjeranë janë vetë ata që nuk i pranojnë këto fakte, dhe mijëra fakte të tjera që kanë sjellë etërit tani të pellazgjisë, arefët, berefet, derefet, gerefët dhe emrat e shkencëtarëve tanë në inicialet e 36 shkronjave tona hyjnore, që nuk i ka asnjë gjuhë në botë.