Herët në mëngjes te tenda vjen Haki Sherifi, rojtar i shkollës dhe më tregon se disa eprorë kanë ardhur nga Kleçka dhe kërkojnë të bisedojnë.
Pa humbur kohë nisemi nga Gryka dhe arrijmë në Shtab.
Pasi përshëndetemi, eprori të cilin e quanin Top, më tha se ka urdhër nga Komanda që tërë grurin e grumbulluar në Shkollën e Krojmirit ta transportojnë në Kleçkë. Me këtë rast ata kanë sjellë te shkolla edhe shumë traktorë me rimorkio dhe kamionë për ta ngarkuar grurin e deponuar në shkollë, për nevojat e ushtrisë.
Pasi që nuk jam i ngarkuar drejtpërdrejt me grurin, i drejtohem ushtarakut që e quanin Top, se në situatën e tanishme, derisa në Grykën e Krojmirit kemi më shumë se 10. 000 të zhvendosur dhe shumë ushtarë, do t` ishte e rrugës që një sasi e grurit të futej në Grykë.
Eprori nuk lëshon pe dhe arsyetohet se ai ka vendim për ekzekutim të urdhrit, edhe pse një imponim i tillë më duket mjaft i nxituar dhe tejet i pavend. Për të mos shkaktuar ndonjë revoltë apo veprim të pakontrollueshëm, eprorit i tregoj se në radhë të parë gruri nuk është kompetencë imja, por nuk siguroj nëse ndokush nga Shtabi lokal vepron ndryshe. Ai sërish mbetet në qëndrimin e tij imponues në formë dhe me një dozë mospërfilljeje.
Pasi përshëndetemi me ta i them Elezit që t`i ketë në kujdes ushtarët e sidomos Luanin Sylën dhe Jetën në mënyrë që të mos rezistojnë lidhur me grurin. Elezi i cili nuk m`i thyen fjalët, kësaj radhe djersitet nga sikleti dhe më duket se është paksa i penduar përse ka dërguar të më thërrasin. Si duket dikush tjetër ka kërkuar që të jem unë prezent, përndryshe Topi do t`ishte kthyer pa asnjë kokërr grurë.
Në mbrëmje Luani i hakërritur vjen në tendë. E shoh nga larg se është çartur dhe dufin e nxjerrë me të shara. Duke e kuptuar thellësisht këtë çështje Luanit i shpjegoj se gruri është marrë në radhë të parë për të gjithë ushtarët dhe jo vetëm për popullatën civile. Ai më kundërshton me argumente se atje për ku është nisur gruri, nuk ka më asnjë ushtar dhe grurin e kanë marrë matrapazët dhe tregtarët të cilët e kanë nisur për në Dukagjin. Edhe pse dyshoj në supozimet e tij, ato mund të jenë të vërteta. Ai ndihet tejmase i revoltuar dhe më zotohet se tani e tutje, atyre që sipas tij po rrijnë nëpër lluga nga frika do t ua ndalojë edhe kalimin nëpër zonën tonë atyre që, sipas tij nuk kanë guxim të rrinë as në shtab se lërë më në frontet e luftës.
Luani përgjithësisht është egërsuar tejmase. Tani për tani përmes Sylës e kemi nën kontroll, por ka rrezik të veprojë krye në vete, meqë e din se shumica e ushtarëve e përkrahin, edhe pse shpeshherë i shan dhe i përçmon, por edhe i do.
Duhet shtuar vigjilencën. Sylës duhet bërë me dije që ta ketë në kujdes Luanin, edhe pse kë saj radhe ka shumë të drejtë…