Vazhdon vapa e rëndë e cila po djeg gjithçka. Sulmet serbe nuk kanë të ndalur. Asnjë marrëveshje nuk është arritur as ka fare logjikë ndonjë marrëveshje në kushte dhe rrethana të tilla. Serbët kanë zënë disa pozicione të reja dhe nga ato granatojnë fshatrat që deri tani kanë qenë të mbrojtura. Ata po përgatisin edhe një ofensivë tjetër, kësaj radhe në Qafë të Duhlës, në bastionin ende të pamposhtur të Komandant Kumanovës.
Po flitet se në Kosovë, në rast se nuk ndërpritet lufta do të ketë katastrofë humanitare. Ata që bëjnë këso konstatime nuk e dinë ose nuk duan të dinë se në Kosovë po ndodh katastrofa humanitare, po ndodh lufta e cila është mbi të gjitha katastrofat.
Kah ora 9.30 minuta jam nisur në drejtim të Shtabit. E shoqja e Elezit, Ymrija më tregon se Elezi ka temperaturë dhe tërë natën nuk ka fjetur. Sapo ma dëgjon zërin ai brof dhe del te dera. E shoh se vërtetë është i sëmurë rëndë por ai nuk jepet. Më tha se mjeku, Jakupi, i ka dhënë një terapi dhe nuk ndihet edhe aq keq. Me të depërtojmë në Shtab, derisa Syla dhe Luani po bëheshin gati me disa ushtarë për të shkuar në Kleçkë. Fillimisht nuk më tregojnë, meqë dyshojnë se do t iu shkoj prapa, por me insistimin tim Syla më tregon se Luanin e kanë ftuar me urgjencë të paraqitet në Shtab.
Edhe pse Elezi është i sëmurë, vendosim që të katërtit të shkojmë në Kleçkë për t`i sqaruar të gjitha mosmarrëveshjet. Luani nuk dëshiron që të shkojmë të gjithë por e kupton se nuk mund të bëhet ndryshe.
Nga frika se mund të ndodh ndonjë e papritur, sepse Luanit kurrë nuk i dihet as mund t`i besohet krejtësisht, Elezin e bindi që të qëndrojë në Shtab, meqë edhe ashtu është tejet i sëmurë, ndërsa unë Luani, Syla dhe një ushtar tjetër nisemi në relacion Shalë Kleçkë.
Oda e madhe e Man Kleçkës, ku është ende Shtabi tanimë nuk e ka shkëlqimin e para një muaji. Nuk është më roja, nuk ngrihet flamuri, nuk janë njësitë elite. Gjithçka duket se ka ndryshuar edhe pse ende asgjë nuk ka ndodhur.
Sapo kemi arritur nëpër vapë e pluhur jemi futur në dhomën e madhe.
Përshëndetemi si zakonisht dhe Luani kalon në dhomën ku rrinë komandantët. Unë me Sylën kemi qëndruar me të tjerët në odë. Aty e takojmë edhe eprorin Ajet Kastrati, nga Kuzhareka me disa ushtarë. Ajeti për nga natyra është shumë i çiltër. Është një ushtarak i sprovuar dhe ka autoritet të pakontestueshëm
Në kohën kur ne po bisedonim dëgjohen zëra dhe kërcënime në dhomën e komandantëve. Pas pak del Fatmir Lima dhe na shpjegon se para dy ditësh kanë sjellë dhjetëra ushtarë të plagosur nga Dukagjini dhe Fitimi është marrë me qëllim të ndihmës në shërimin e tyre, por kjo është mbajtur sekret. Ai nuk shprehet haptas kundër Luanit, të cilin si duket e qorton Musë Jashari.
Fitim Selimi më bën me dije se në mesin e të plagosurve është edhe ushtaraku Naim Maloku, komandanti i Smolicës së Dukagjinit. Ai nuk ka plagë të rënda dhe ka shpresë që për dy javë të ecë lirshëm. Disa ushtarë dhe eprorë të tjerë të Dukagjinit janë të plagosur rëndë. Atmosfera në Shtab është shumë e rëndë dhe më duket se nuk ka vend për kurrëfarë dueli verbal, për të cilin isha përgatitur.
Kam vërejtur se Fatmiri dhe Shukriu vazhdimisht më ikin dhe nuk duan të bisedojnë për gjëra të tilla, ose nga respekti, ose nga që mendojnë se mbajë lidhje me Azem Sylën apo Jakup Krasniqin, edhe pse raportet e mia me të gjithë janë të mira. Unë te e fundit nuk kam ndonjë kompetencë të caktuar në Shtab Pres që të fillojë puna e informimit, e cila mjerisht po zvarritet dhe po na kushton shtrenjtë.
Pas pak, në dhomë hyn edhe Musë Jashari me të cilin përshëndetemi dhe pa humbur kohë, me Sylën, Luanin dhe ushtarin që po përcillte nisemi me veturë në drejtim të Javurit.
Luanin nuk e pyes se ç kanë biseduar ndërsa ai shfryn duke i sharë me radhë. E qortoj si zakonisht por tanimë është frustruar dhe nuk bën dobi qortimi.
Në Javur, pasi freskohemi te burimi, unë dhe Syla nisemi në drejtim të grykës, ndërsa Luani mbetet në Shtab të Javurit meqë pret dikë.
Në mbrëmje si zakonisht kemi darkuar dhe kemi pirë qaj para tendave, duke i komentuar lajmet e fundit. Ushtarët tanë në vëzhgim, na bëjnë me dije se forcat serbe kanë filluar lëvizjet. Ka gjasa se do të fillojë ofensiva.
Kësaj radhe jemi edhe më keq edhe më ngushtë. Derisa po i radhis këto ngjarje të ditës, dëgjohen shpërthime të fuqishme të raketave në drejtim të Javurit dhe të Divjakës. Pas pak vetëtima dhe bubullima edhe nga qielli.
Jemi strukur në Grykën e Shpëtimit, pa e menduar mirë se çka mund të na ndodhë. Megjithatë kemi besim të patundur…