Sherif Adem Bajraktari lindi në vitin 1881 në fshatin Kizharekë të Drenicës.
Edhe pse pjesëtar i një familjeje të varfër, babai i tij, Ademi e dërgon në Shkup, në medrese. Ishte më i moshuar, por edhe më i gjatë ne trup nga medresistët e gjeneratës. Pasi kryen medresenë kthehet në fshat. Meqë ishte kohë e vlimeve dhe e kryengritjeve, babai nuk i preferon të vazhdojë më tej shkollimin fetar. Mjaftonte që tradita familjare e përkushtimit për fe po ruhej. Ademi kishte hoxhë edhe vëllanë, mulla Ismajlin.
Mulla Sherifi, kishte prirje dhe talent të lindur për humor.
Duke qenë se kishte inteligjencë shumë më të ngritur se mjedisi në të cilin jetonte, ai do të ballafaqohet me injorancën, varfërinë e njerëzve dhe me hallet e tyre të përditshme. Qysh në moshë të re e kupton se populli po vuante nga uria, nga sëmundjet shfaronjëse dhe nga padituria, ishte në gjendje kaotike, në gjendje të një mjerimi të paskajshëm.
E vetmja rrugëdalje për të mos pëlcitur nga mllefi, marazi, nga ajo gjendje e trishtueshme, ishte humori. Kishte hetuar se njerëzit edhe në krizën më të madhe, edhe në dhembjen e padurueshme, kanë nevojë për fjalë, për komunikim, e sidomos për humor. Sepse një moment i të qeshurës e liron përkohësisht barrën e dhembjes e të urrejtjes dhe gjendjen e tensionuar të individit.
Ata që e kanë njohur për së afërmi mulla Sherifin përshkruajnë tiparet e njeriut të thjeshtë në dukje, por shumë të thellë ne mendime. Në fotografinë e tij të vetme që është ruajtur, hetojmë mprehtësinë, qëndrimin dinjitoz, seriozitetin e brendshëm shpirtëror, karakterin e tij të baraspeshuar dhe të pathyeshëm.
Tërë jeta e tij ishte rrugë e veçantë misionare. Ishte hoxhë në një midis krejtësisht të paarsimuar, pa institucione arsimore edukative fetare e kombëtare. E kishte kuptuar se besimi islam te shqiptarët e Drenicës ishte sipërfaqësor. Vetëm pak prej njerëzve dinin përmendsh shahadetin ndonjë kulhuvallah apo elhamdulilah. Ishin të rrallë ata që i dinin shartet e imanit dhe të islamit.
Në një mes të tillë ai ishte hoxhë, mjek, hajmali-shkronjës dhe një njeri të cilit i drejtoheshin si shpëtimtar. Në anën tjetër, sëmundjet, kolla e keqe, lia, fruthi, tuberkulozi, varfëria, dhuna sistematike e pushtetit turk dhe serb kundër shqiptarëve, kishin katandisur popullin buzë shfarosjes kolektive. Njerëzit nga vuajtjet dhe fatkeqësitë kishin humbur edhe besimin në fe madje dhe në zot. Madje, varfëria e mizorishme krijonte edhe tipa të tillë që blasfemonin dhe qesëndiseshin në llogari të fesë.
Mulla Sherifi, në saje të rrëfimeve që ende ruhen të freskëta për rrugën e tij vullnetare misionare, fjalët dhe vepra e tij ishin njëlloj ilaçi shërues dhe qetësues për popullin halleshumë, me fjalët e tij, me humorin e lehtë por në raste të veçanta edhe me satirën fshikulluese, ai u bë subjekt dhe objekt rrëfimesh me përmbajtje filozofike. Vetëm fjala, asokohe iu kishte mbetur shqiptarëve, dhe ajo ishte burimi kryesor i shërimit shpirtëror por edhe fatkeqësive të shumta, sepse në raste kur fjala denoncohej, apo keqinterpretohej, sidomos ajo që ishte thënë në mënyrë lakonike si shpoti kundër ndonjë partiaku apo kundër pushtetit, bëhej shkaktare e burgosjes dhe ndëshkimit.
Mulla Sherifi, kishte qenë një hoxhë popullor, që e kishte kuptuar thellë esencën e jetës në vendin e vet, në mesin e popullit fukara mbi kurrizin e të cilit derdhej mllefi i djallit edhe i pushtetit të huaj e shpeshherë edhe zemërimi i Perëndisë. Të gjitha fenomenet i shpjegonte sipas filozofisë dhe bindjes së tij, që e kishte fituar me përvojë dhe kundrim realist të aspekteve të ndryshme jetësore. Ai ka disponuar qasje autentike për jetën, kombin, fenë, fjalën dhe rrethin shoqëror, të cilit i takonte, dhe me të cilin dashur pa dashur zihej në të njëjtin kazan.
Si vrojtues i thellë i fenomeneve shoqërore, bën përpjekje për të ndikuar pozitivisht te njerëzit me mjetet që dispononte.
Dhe, krejt ajo që dispononte ishte në radhë të parë fjala, dhe profesioni i hoxhës së popullit, jo edhe aq i çmueshëm dhe i nderuar, asokohe, në Drenicë. Ai duhej të përkujdesej për të vdekurit, duhej t`i lante gjenazet sipas ritit islam, duhej të kryente ceremoninë e varrimit. Ishte njeriu i parë, të cilit njerëzia i drejtoheshin në rast të ndonjë zënke apo vrasje të kobshme. Në raste të tilla ishte mes dy zjarreve dhe binte në derte, pa i pasur borxh askujt. Sepse duhej bërë përpjekje për t`i ulur gjakrat dhe për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohej. Dhe për krejt misionin e tij, si hoxhë dhe njeri i parë i popullit. ai nuk realizonte dot të ardhura, për të siguruar as edhe ekzistencën normale të familjes. Për të siguruar bukën e fëmijëve, duhej të bënte edhe punë fizike në ara, në male e në livadhe.
Në një mes të tillë, intelekti i gjeniut, të vetmin shpëtim e gjen në humor, në stigmatizimin e shkaktarëve të mjerimit dhe në përpjekje për të shëruar sadopak shpirtin e lënduar, përmes së qeshurës. Kjo ishte katarza e vetme shpirtërore, ishte ajo shpërlarja e domosdoshme e shpirtit të traumatizuar nga dhuna, skamja, padituria dhe shumë të liga të tjera që e kishin pllakosur popullin helleshumë. Në një situatë të tillë, pasi e kishin përjashtuar nga Medreseja e Shkupit, Fetah Jashari i Sedllarit, kishte luajtur rolin e të çmendurit, për të shpëtuar nga babëzia e turmave të paarsimuara.
Mulla Sherifi, kishte zotëruar vetveten, andaj edhe kishte kryer me shumë sukses misionin e tij jetësor, misionin më të shenjtë dhe më të drejtë të mundshëm për kohën, të cilës i ka takuar. Shpotitë e tij, humori, satira, gjuha ezopike, tregimtaria filozofike popullore janë margaritarë të vërtetë të rrëfimtarisë sonë tradicionale.
Mulla Sherifi ka qenë hoxhë i zakonshëm i fshatit. Njeri i thjeshtë i popullit, i cili rronte me hallet dhe dertet e të gjithëve tok, e krejt pak me hallet dhe dertet e veta.
Ka qenë hoxhë i lënë jashtë kujdesit të Vakufit dhe të Bashkësisë Islame të asaj kohe, ashtu sikurse kanë qenë edhe Mulla Sinani i Dukës, Mulla Emin Miftari i Krojmirit e shumë të tjerë.
Ishte vrojtues i thellë i fenomeneve shoqërore, fetare e politike. Satira e tij fshikulluese drejtohej kundër të gjithëve pa dallim, e sidomos kundër atyre shqiptarëve që mundoheshin me çdo kusht ta instalonin pushtetin komunist të kolhozeve socialiste, në vendin tonë.
Me satirën e tij të mprehtë fshikullonte edhe hoxhallarët që iu kishin nënshtruar regjimit, atyre që Kiblën e kishin kthyer drejt Beogradit, shpotiste kreun e Myftidares, e sidomos ata, që ishin pajisur edhe me triska të partisë.
Përgjithësisht ishte i pamëshirshëm ndaj të gjithëve, por në të njëjtën kohë ishte shumë komunikues, i dashur, i çiltër, i hareshëm, ishte një Diogjen i ripërsëritur i kohës sonë.
(Mulla Sherifi ka lënë dy djem, Habibin i cili ka vdekur në vitit 2003, në fshatin Kizharekë dhe Brahimin, i cili jeton me familjen e tij në Arbanë të Prizrenit. Nipi i mulla Sherifit, Dauti është arsimtar në shkollën e Kizharekës. Gjatë kohës së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej fillimit e deri në mbarim të saj ka qenë luftëtar i lirisë, komandant toge në Batalionin Imer Alushani të Brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova).
Ju lexues të nderuar, po qe se shkoni në Kizharekë, mos u zhgënjeni nëse nuk gjeni monument të ngritur për mulla Sherifin, madje asnjë pllakë në kujtim të jetës dhe veprës së tij. Mos u habitni nëse nuk iu tregojnë qoftë edhe në anekdotë të tij, apo për të, mos u bezdisni, në rast se pyesni për të, nëse ndokush i rrudh kriht kur përmendni emrin e tij. Kështu ka qenë gjithmonë ndër shqiptarë dhe kështu do të jetë. Njeriut të vet, në vendin tonë nuk ia dinë kimetin, ka thënë mulla Sherifi. Ky konstatim i tij duket të ketë qenë dhe jetë realiteti faktik, metafizik, që ka mbretëruar dhe duket sikur gjithmonë do të mbretërojë te njerëzit tanë, jo vetëm në Kizharekë dhe jo vetëm në Drenicë
Mulla Sherifi, në kohën e tij, këtë realitet e kishte kuptuar më mirë sesa e kuptojmë ne sot, dhe iu kishte qasur me humor sipas motos: Zor me buj e në hall me kie, -thoshte hoxha i popullit dhe shtonte: buajt janë aq të ngadalshëm sa ta plasin shpirtin, ndërsa kiet i thumbon xekrri dhe ta thyejnë kerrin…
Shpoti, anekdota dhe rrëfime
Rrëfimi për Drenicën e Pashës
Një fshatar i Nekocit njëherë e pyet hoxhën:
Mulla Sherif, kah e mori emrin Drenica e Pashës?
Hoxha, i cili nuk i zvarriste fare fjalët, fillon rrëfimin.
–
-Nuk po qejnitem hoxhë, insiston fshatari dhe vazhdon, po të pyes pa hajgare, sepse ata të Drenicës andej poshtë, neve na trajtojmë pak me përbuzje, si njerëz që iu kemi bindur Pashës.
Hoxha, në insistimin e fshatarit fillon rrëfimin.
-Qohen njiherë musharati në Drenicën e Poshtme kundër Pashë Gjinollit. Ia rrahin zaptinë, ia vrasin qaushët, ia plaçkisin karavanet dhe i çojnë fjalë Pashë Gjinollit në Prishtinë.
Pasha i shkretë, e thërret parinë e vendit nga çdo fshat i Drenicës, për ta ba dert atë punë.
Popullata e Drenicës andej, kah i themi Drenica e Poshtme, nuk e lejojnë parinë me shkue në Prishtinë, ndërsa paria e kësaj pjese të Drenicës shkojnë, pa e pyetur miletin.
Pasha ishte shqiptar me orgjinë, mandej, për hatër të Baba Dovletit paria jonë i tha:
-Mos u bëj merak pasha, na shqiptarët e Drenicës së Epërme nuk kemi marrë pjesë në muharebe kundër teje. Ti je pasha ynë dhe ne vetë t`i mbledhim të dhetat, veç caktimin për të dhjetat me caktue na, e jo qaushat tu.
Pasha i pranon kushtet e parisë tonë dhe për një dy tri vjet puna shkoi mbarë. Mirëpo u hidhëruan paria e Drenicës dhe i i shtinë pykat. Në fillim i quan fjalë Januz Çupit të Vukocit, dhe ky së bashku me çetën e tij u zu pritën sejmenëve të Pashës në Bellaqevc, i vrau dhe ua mori tërë plaçkën që e kishin praçkitur nëpër katunde të Rrafshit. Më vonë edhe do komitë të tjerë si Miftar Shema, Shaban Sinani, e të tjerë u bashkuan me parinë e Drenicës së Poshtme, kështuqë u prish sulli i parisë sonë. Prej asaj kohe na mbeti nofka e keqe, Drenica e Pashës.
-Valla hoxhë, po m` vjen keq me të thanë por nuk po m` doket e vërtetë, ka diçka tjetër që ti nuk po don me kallxue,- ia kthu fshatari pasi e kishte dëgjue me kujdes rrëfimin, në odën plot burra.
Mulla Sherifi duke e parë se kishte të bënte me një prej atyre fare që nuk e ha
Pasha hoxhën, mor bir, atje s jam kanë, por kshtu e kam nie, e ti n` mos besofsh, shko në Prishtinë dhe pyete Pashë Gjinollin.
Kush e ka yllin e Stalinit, treqind qese bira minit
Një hafije e kishte denoncuar mulla Sherifin se, në një kuvend burrash në Kizharekë kishte thënë:
E thërrasin hoxhën në UDB të Prishtinës dhe fillojnë ta marrin në hetime
-Ke thanë, i thotë hetuesi,
-Nuk kam thanë, mohon hoxha.
-Ke thanë madje në prani të këtij e atij burri!
-Nuk kam thanë!- mohon Mulla Sherifi me vendosmëri.
-A po ban be n` Kur`an pra, – i thotë hetuesi!
-Jo, thotë hoxha.
-Atëherë po rren!
-Nuk po rrej, shton Mulla Sherifi.
-Si nuk po rren, kur nuk don me ba be n` Kur`an?
-Për Stalinin dhe për kryqalitë nuk bahet beja në Kur`an. Për ta mundem me ba be në Ungjill.
-Ti je hoxhë. I beson Kur`anit apo ungjillit?
-I besoj edhe Kur`anit edhe ungjillit, secilit për fe të vet.
Hetuesi ishte zënë ngushtë. S` dinte si të vepronte me hoxhën.
E kishin dënuar për propagandë verbale.
Ndërkohë Titua kishte prishur marrëdhëniet me Stalinin. Mulla Sherifin sërish e marrin në hetime.
-Ku e dite ti punën e Stalinit? – i drejtohet inspektori serb.
-Kam pa andërr, ia kthen hoxha.
Dhe tash po e pranon se ke thanë:
– Nuk kam thanë treqind qese bira minit, po njëqind qese bira minit! Dyqind qese të tjera m`i kanë shtue shpiunat, të cilëve po u besoni më shumë se ëndrrave të mia.
Gatitu!
Derisa Mulla Sherifi po e thërriste ezanin, para hyrjes së odës së vogël e cila shërbebte si faltore, disa burra nga mesi i xhematit vendosin që në kohën kur duhej të ngriheshin në këmbë për t u falur, të mos ngrihej askush, për të parë kundërveprimet e hoxhës.
Pasi hyri në odë, hoxha, në vendin e caktuar para xhematit u drejtua kah kibleja dhe filloi përgatitjet për t u lidhur në namaz. Në momentin kur bën ikamet edhe xhemati duhej të lidhej pas tij, asnjeri nuk kishte lëvizur nga vendi.
Për një moment kthehet, paksa i habitur, por duke e kuptuar me kohë hilenë kthehet nga xhemati, që vazhdonte të rrinte ulur, duke pritur me befasi veprimet e hoxhës. Merr pozitë gatitu, e ngrit dorën ushtarakisht dhe bërtet me krejt fuqinë e zërit në gjuhën serbe:
Mi-rno!
Tërë xhemati përnjëherësh ngritën në këmbë.
-Hë dinsuza! Për ezanin e Muhamedit as kush nuk e luajti bythen e për komandën e Titës menjëherë në këmbë, a!
Nuk e shti në dhe
Ishte një femër e përdalë që këndonte në kafene dhe bënte punë të liga.
Hoxha, gjatë ligjërimit me përmbajtje fetare në xhami kishte kërkuar nga xhemati, që të kujdeseshin për vajzat dhe për edukatën e tyre. Si shembull të së ligës dhe amoralitetit, e kishte identifikuar gruan e përdalë.
Një besimtar nga mesi i xhematit pyet hoxhen, se kur të vdes ajo grue, a duhet t`i falet xhenazja, pasi që me rastin e ceremonisë së varrimit hoxha gjithnjë pyeste xhematin, se e njihnin për të mirë apo për të keq akëcilin grua apo burrë që kishte vdekur.
Mulla Sherifi i mllefosur për rastin në fjalë, kishte thënë se gruas së tillë të përdalë, nuk mund t i falet xhenazja, ajo duhet të futet në dhe pa ia thirrë tallkinin dhe pa ia falë xhenazën.
E përdalura, kishte dëgjuar dhe e kishte paditur hoxhën në polici.
Pasi e kishin arrestuar, hetuesit e kishin pyetur Mulla Sherifin.
-A është e vërtetë që ke thanë se Filan Fistekes nuk ia lanë xhenazen dhe nuk e shtin në dhe?
-Jo, kishte thënë prerë hoxha.
-Ti ke thënë, ne kemi dëshmi për këtë!
-Nuk kam thënë,- kishte mohuar sërish Mulla Sherifi.
-Ke thënë, kishte insistuar hetuesi!
-Unë nuk i laj xhenazët e grave, kishte mohuar sërish hoxha.
–
-Unë nuk kam për detyrë me shti në dhe, këtë e bëjnë xhemati.
–
-Nuk i varrosim të gjallët, vrajeni ju, sillmani këtu dhe do të bindeni se e shti apo nuk e shti në dhe, thotë hoxha, gjithnjë i përgatitur për t i përballuar situatat.
Nuk është haram, por meqruh
Takohen në një dasëm Mulla Sherifi dhe Velë Keqa.
Xhemati pyet, hoxha përgjigjet dhe nuk
Velës i kujtohet ta pyes hoxhën për një punë dhe i drejtohet,
-Hoxhë efendi!
-Byjrum, ia kthen ky.
-Me të pyet diçka a idhnohesh!
-Paj pyet njëherë se s` bahet nami!
-Jo nëse nuk ma jep fjalën që nuk idhnohesh, insiston Vela.
-Ta paça dhënë, ia kthen Mulla Sherifi.
-A është haram me hangër bukë në qenef, pyet Vela, i sigurt se një pyetje të tillë nuk ia kishte bërë askush hoxhës.
Xhemati kishte ngritur veshtë për të dëgjuar përgjigjen e hoxhës.
– Haram nuk asht, por hallku mund të mendojnë mos po ha tjetërsend..
Bane aminin hoxhë
Një natë Mulla Sherifin e zë nata në Baicë dhe hyn për të buajtur te një mik. Miku ishte i varfër. Për darkë kishte shtruar bukë misri, lëng rasoji dhe lakra turshi.
Hoxha han buk dhe e falënderon të zotin e shtëpisë, sipas zakonit.
Pasi e kryen ushqimin i zoti i shtëpisë i drejtohet hoxhës.
-Hoxhe efendi, përse kur ka hallvë, apo ravani, ti pa një pa dy dhe ia bën aminin ushqimit, ndërsa kur ka rasoj sikur sonte, ti s ban kurrëfarë duaje?
-Druaj, i thotë hoxha, se çfarë nimeti i bekuem është ky rasoji, nëse i lutem Zotit të na shtojë, na shtohet dhe na zë, jo vetëm kacat por edhe bunarët.
Njëherë tjetër te po i njëjti mik, meqë ishte natë e madhe për darkë kishin çitur hallvë.
Sapo mbaroi darka, Mulla Sherifi, tha: Amin!
Të gjithë i kthyen duart dhe dëgjuan bekimin e hoxhës për ushqimin.
-Lutju Zotit të na shtojë hallvën ashtu sikur rasojin o hoxhë, i tha miku me qesendi.
Mbane në brina
Një ditë Bajrami, meqë xhamia nuk i zinte tërë xhematin, sepse atë ditë vinin për ta falë namazin edhe besimtarë nga fshatra përreth Kizharekës, hoxha propozon që namazin e Bajramit ta falin jashtë oborrit të xhamisë, në një pllajë.
Dikush propozon një kodër, dikush tjetër rrahun, dikush livadhin. E sheh hoxha se ka gabuar që ia ka lënë përzgjedhjen e vendit xhamatit dhe për të mos u vonuar shumë, thotë:
-Këtu do të falemi.
Vendi ishte paksa i pjerrët dhe kur besimtarët ranë në gjunj disi u përmbajtën por kur ranë në sexhde, me kokë për dhe, disa filluan të rrëshqasin dhe të rrokullisen. Hoxha duke e parë se po prishej namazi iu drejtua xhematit.
-Mbane në brina kush të mundet!
Ramazani në Krojmir
Shkon Mulla Sherifi për Ramazan në Krojmir.
Kur kthehet në Kizharekë, bashkëfshatarët e pyesin.
Si e kalove ramazanin te dajtë , hoxhë,
Kur e fillojsha elhamdulilahin, daja Haxhë Halili ma merrte prej goje dhe s kisha ma nevojë me përcjellë me zë asnjë dua, veç i ndërroniom reçatet në rend.
Kur e fillojsha dersin, daja Ajet më prijke përpara dhe s` lente kënd me folë. Fjalë e bisedë e hajgare deri në syfyr, e prej syfyri gjumë deri n` iftar. Ramazan ma të lehtë s mbaj mend, kishte përfunduar Mulla Sherifi.
Mulla Sherifi dhe Rizah Bllaca
E thirrin Mulla Sherifin në dasmë në Krojmir të Drenicës së Pashës.
I zoti i dasmës përveç që kishte ftuar shumë krushq, e kishte ftuar edhe Rizah Bllacën, një këngëtar i njohur asokohe në Llapushë e në Drenicë. Rizah Bllaca kishte dëgjuar për Mulla Sherifin. Pasi këndon disa këngë, fillon biseda, në orën përplot krushq, zhurmë dhe tym duhani.
– Baba hoxhë, i drejtohet thërret Rizah Bllaca, Mulla Sherifit.
– Fol, i thotë hoxha.
-A ban me të pyet diçka.
-Ban, si nuk ban, ia kthen Mulla Sherifi.
Kam pyet edhe shumë hoxhallarë të tjerë për një punë dhe, më duket se askush nuk m`ka kallxue drejt.
-Fol de, nxiton Mulla Sherifi, i sigurtë në përgjigjen e shpejtë
-Ku e kemi vendin, na këngëtarët në atë dynjanë tjetër, pyet Rizah Bllaca dhe shton, -na po bajmë gjymysh, po e kënaqim popullin me kangë, namaz nuk po mund të bajmë, nganjiherë besa edhe raki po pimë..
-A ke ma?- i rri në pritë hoxha.
-Jo veç e due me më tregue drejt, i thotë Rizah Bllaca.
-Drejt dhe shpejt, si për grykë të pushkës, ia kthen Mulla Sherifi.
Krushqit ishin bërë sy e vesh nga vëmendja për të dëgjuar përgjigjen e hoxhës.
-Kam ndigjue prej ylemave, se këngëtarët në atë dynjanë tjetër e kanë vendin te dyert e xhenetit, po mbrendë nuk i lanë me hye.
-Kjo domethanë si qentë në këtë dynja, te dera odës, ia kthen Rizah Bllaca, po ashtu hokatar i fortë dhe i gatshëm për humor.
Krushqit gajasen së qeshuri, ndërsa Mulla Sherifi, vazhdon.
-Nuk e di a si qentë a si sejmentë, veç e di se tepër vështirë asht me mbërrie në atë derexhe sa mu afrue te dera e xhenetit. Mendoj se me mujtë me mbërri edhe te dera e xhenetit duhet me kanë t` kënaqun!
-Qe besa mor hoxhë, ia kthen Rizah Bllaca, n`u baftë çashtu çysh po thue, në koftë se në atë dynje unë bahem roje, domethanë qen i xhenetit, nuk kam me lanë hoxhë me hi n` xhenet, ia kthen Rizah Bllaca.
Hoxha, pasi u mendua pak tha:
-Mos u ba
Me ra Bajrami n` Ramazan
-Hoxhë, mor, e pyet një fshatar Mulla Sherifin, derisa po udhëtonin së bashku.
-Çka duhet me ba në koftë se bjen Bajrami n` Ramazan.
-Nuk bjen kurrë Bjarami n` Ramazan,- ia kthen hoxha.
-E pse Ramazani pra po luen për vjet, herë në vjeshtë, herë në dimën herë në pranverë, kurrë nuk po bjen në të njajtën kohë, insiston fshatari.
-Luen Ramazani luen edhe Bajrami, – i thotë hoxha.
Fshatari kishte qëlluar nga ata që nuk marrin vesh dhe nuk i shkoqet hoxhës.
–
Hoxha duke e parë se fshatari nuk angllatisej iu përgjigj.
-Nigjo ti, në koftë me ra Bajrami në Ramazan, bjen edhe Ramazani në Bajram.
Fshatari nuk e kishte kuptuar përgjigjjen shpotitëse të hoxhës.
-E në koftë ashtu çka me ba pra, insiston ai.
-Duhet, ditët e ramazanit m`i ba bajram e ditët e Bajramit, Ramazan.
Qebesa tash ke folë drejt, baba hoxhë, ia kthen fshatari. Unë për veten teme du me pritë me ja nisë agjinimi të Ramazanit kur t` fillon mu sjellë mothas, kah Bajrami.
Mulla Sherifi e kishte kuptuar se fshatari nuk ishte aq i pagëdhendur por sherrexhi .
Pasi bëjnë edhe disa hapa tutje i drejtohet:
-Ndigjo mor bir,
Ju hangshin partizanët
Një ditë Mulla Sherifi kalon nëpër katund dhe e sheh një fshatar duke i rrahur dhe duke i mallkuar qetë që nuk i braziteshin..
-Ptëhu ju hangërt dreqi, ju marrtë mortja ju hangshin shtatë qind mijë dreqen,- mallkon ai.
-Kadalë mor Mujë, kadalë e me të mirë, ia pret Mulla Sherifi.
-Mor s’ ka kadalë hoxhë, këta nuk janë kie po dreqen, thotë fshatari i mllefosun duke i rrahur në thupër thane qetë, që herë i dilnin në një anë të rrugës, herë në tjetrën.
Merr hoxha me i ndihmue fshatarit por e sheh qi s bën punë dhe i thotë.
-Përzo mor Mujë boll telashe paske me këta kie, por mbasi po i mallkon, mos thuej ju hangshin shtatëqind dreqën, se shtatë qind dreqen i hanë edhe malet e Kizharekës, mjafton me i mallkue e me ju thanë -ju hangshin dy partizanë…
Mulla Sherifi dhe mevludi
E thërrasin hoxhën për me këndue mevludin në Kleçkë. Në fund të mevludit, hoxha i këndon edhe vargjet bekuese : Atij që e këndon mevludin në atë sene nuk i bahet as një e keqe, as një qeder, por i shtohet bereqeti.
I zoti i konakut i kishte mbajtë mend sidomos fjalët e fundit.
Të nesërmën pasi e përcjellë Mulla Sherifin kthehet në stane dhe çka me pa, ujku kishte hyrë në ahur dhe ia kishte pre kiet dhe një lopë barsë.
Malësori i shkretë bëhet helm e vrerë.
I kujtohet fjala e Mulla Sherifit që gjatë këndimit të mevludit kishte thanë, ai që këndon mevlyud për një vit nuk i bahet asnjë dam. i mllefosun në fjalët e hoxhës niset me vrap dhe e zë në rrugë.
-O Mulla Sherf! thërret nga larg.
Mulla Sherifi e kthen kokën dhe ndalet, pa e ditur përse e thërriste malësori
Ishte bërë tërë djersë, fytyra iu kishte mpirë nga dhembja
-Fol i thotë Mulla Sherifi, duke e parë ashtu të shqetësuar.
-Çka me folë mor hoxhë, ti mbramë thae ai që këndon mevlud një vjet nuk i bahet kurrëfarë dami, e mua mbramë ujku m`i
-E mor lum miku, paj ujkut nuk i zihet besë m` sa shkaut, mandej ku i ndigjon ujku fjalët e mevludit, mor i uruem.
–
-Mor mik lee punë e fjalëve të mevludit, po tjetër herë futja mirë shulin derës së ahrit, se pasha hoxhën ujku nuk i merr vesh as fjalët e mia as mevludin, ia kthen Mulla Sherifi.
Me m` frye hoxhë
Një fshatari nuk po i ndalej dhembja e kokës. Një ditë shkon te mulla sherifi dhe i drejtohet.
-O baba hoxhë, a po fryn pak bre se mu ça ky kry i shkretë dhe e s`po i gjej çare veti.
Mulla sherifi pa vonuar fillon ta këndojë pa zë një lutje dhe pas çdo fjalie i frynte në kokë fshatarit. Pasi fryn një copë herë, fshatari i drejtohet.
-Valla mor hoxhë hiq s ia ke lanë, veç ishalla duaja ban memfatë ma vonë.
-Ashtu asht!-ia kthen Mulla Sherifi, duke u ndarë nga fshatari.
Fshatarit, meqë nuk i kishte pushuar dhembja e kokës, të nesërmen sërish shkon te mulla Sherifi.
-Mor baba hoxhë, le ç`i nuk mu ndal dhimta e kresë, por po m` doket prej se m` ke frye dhimta mu ka shtue, thotë ai.
-Qebesa, mor bir, e kishe një krye t fortë ti, qi nuk e
Mblodhi, sistemoi dhe editoi: Ahmet Qeriqi