Naim Frashëri

Ahmet Qeriqi: Naimi i shqiptarizmës

Vdiq Naimi, po ç të gjeti

O moj Shqipëri e mjerë,

Vdiq, Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s ka të tjerë. (Çajupi)

 

Këto vargje kuptimplote të poetit, Andon Zako Çajupi, të shkruara me zemër të zhuritur, me rastin e  vdekjes së poetit të madh shqiptar, Naim Frashëri, sot na rikthejnë në kujtesë një të kaluar të largët, datën  20 tetor të vitit 1900, kur kishte ndërruar jetë, poeti dhe intelektuali më i madh i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri, i cili për më shumë se një shekull mbeti figura qendrore e letërsisë dhe e gjuhës shqipe, të cilës ai, i vuri themelet e forta dhe të shëndosha.

Por, tani, në kohën e hallakamës  dhe batërdisë së madhe si po  trajtohet Naimi dhe disa nga  poetët e mëdhenj të kombit?

Për Naimin thuhet se paskësh qenë një mysliman bektashi, për Gjergj Fishtën një katolik nacionalist, për Çajupin një krijues kontrovers, për Migjenin një ateist, për Sterjo Spassen një maqedon, për Jakov Xoxën, një vllah, për Petro Markon një grek, e kështu me radhë…

Në disa deceniet e fundit në mediet elektronike dhe në shtypin shqiptar na ka rënë të lexojmë  shumë e shumë shkrime e “vlerësime” të autorëve të papërgjegjshëm, me mungesë të theksuar morali e dinjiteti kombëtar, të cilët nuk kanë lënë gurë pa rrokullisur me qëllim të përçudnimit të vlerave të vërteta kombëtare. Natyrisht se këtë punë të turpit e kanë bërë për lekë, që kanë marrë e marrin edhe sot nga qarqe të ndryshme të Greqisë, Serbisë, mbase edhe nga Vatikani dhe nga kapitali i huaj, që ka hyrë dhe po shpërndahet kudo në Shqipëri dhe në Kosovë, me qëllim të degradimit të idesë së bashkimit kombëtar të shqiptarëve.

Andaj, sot, në 123-vjetorin e vdekjes së Naim Frashërit,  Bilbilit të Gjuhës shqipe, hartuesit të abetareve të para, sajuesit të qindra neologjizmave të gjuhës tonë, mësuesit të madh dhe intelektualit, që rrezonte dituri, emancipim, tolerancë, dashuri të zjarrtë për kombin e Atdheun, dikush edhe do të kujtohet për ta përkujtuar, por institucionet, si duket tashmë e kanë harruar edhe Naimin, dhe nuk kanë si të mos tingëllojnë, më shumë se aktuale, vargjet e Çajupit:

 

Vdiq Naimi po ç të gjeti

O moj Shqipëri e mjerë,

Vdiq, Naimi, po kush mbeti

Si Naimi s ka të tjerë…

 

Dimensioni i angazhimeve të vëllezërve Frashëri për pavarësinë e Shqipërisë, për rizgjimin kombëtar të shqiptarëve dhe për rrugën e emancipimit kulturor, lindor e perëndimor, ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm dhe unik në historinë tonë kombëtare.

Naimi do të shquhej në drejtim të filleve të arsimimit dhe rizgjimit kombëtar. Ai, edhe pse me shëndet delikat, i preokupuar edhe me pasojat e regjimit turk kundër familjes, lidhur me veprimtarinë atdhetare të vëllezërve të tij, sidomos Avdylit, nuk reshti asnjëherë për t’ i ardhur në ndihmë kombit, në kohën më të vështirë dhe tejet të mundimshme  të fillimit të ndarjes nga Turqia dhe nga robëria pesëshekullore.

Duke qenë i pajisur me nivelin më të lartë të diturive për atë kohë, Naim Frashëri rrugën e tij jetësore në krijimtari do ta orientojë, në drejtim të hapave të parë, që duhej të merrnin shqiptarët, për ta ribërë Shqipërinë. Ishte tejet i ndërgjegjshëm se kombi ishte nisur në rrugën vendimtare të rizgjimit dhe ai do të  përparonte vetëm nëse arsimohej kombëtarisht, nëse në rrugën e tij drejt qytetërimit do të ruante vlerat autentike, si nderin, besën, respektin, mikëpritjen dhe tëra vlerat pozitive dokësore, morale e fetare.

I bindur se rruga ishte e gjatë dhe me shumë pengesa, ai do të tretej si qiriri duke bërë dritë për të tjerët. Dhe, në këtë drejtim arriti më shumë se të gjithë bashkëkombësit. Naimi, edhe pse i sëmurë dhe me aftësi të kufizuara fizike, botën e tij të pasur shpirtërore e emancipoi duke përhapur rreze drite, duke i kënduar gjuhës shqipe, shkollave shqipe, që po hapeshin, dhe në çast po mbylleshin nga Porta si shkolla të rrezikshme, sepse po t’ i shkëputej Shqipëria Turqisë, Stambolli e dinte se çfarë e priste.

Naimi, ishte përfaqësues i vërtetë dhe i denjë i kohës së tij. Njohës i shkëlqyer i gjuhëve dhe u kulturave evropiane dhe atyre të Lindjes, përfaqësues tipik i rrymave iluministe e romantike, fetar tejet tolerant dhe liberal në kuptimin më të mirë të fjalës, ai i sintetizoi të gjitha këto veçori në unin e tij krijues, duke u bërë rreze drite jo vetëm për kohën e tij.

 

Krijimtaria e gjerë letrare, artistike e iluministe e Naim Frashërit, me veprat e tij të njohura poetike dhe  didaktike, shtrihet  në një periudhë kohore prej 13 vjetësh (1886-1899). Në vitin 1886 ai botoi veprat “Bagëti e Bujqësia”, “Vjersha për mësonjtoret e para”, “Histori e përgjithshme” dhe poemën greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”. Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht “Tehajylat” (Ëndërrimet) më 1888 botoi “Dituritë”, më 1890 “Lulet e verës”, më 1894 “Parajsa dhe fjala fluturake”, më 1898 “Historia e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë” dhe më 1889 “Historia e Shqipërisë”. Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën që s’e pa dot të lirë.

 

Jo rastësisht, por pas  një përvojë të gjatë  hulumtuese, shkencore, albanologët dhe krijuesit meritorë të kombit, zgjodhën si bazament  për krijimin e gjuhës së njësuar kombëtare, pikërisht gjuhën e Naimit dhe të trevës ku ai u lind dhe u rrit.  Dhe, kjo gjuha jonë, e ëmbël, e mirë, e bukur dhe e vlerë, po i përballon me sukses ndeshtrashave dhe thirrjeve të hapura për dezintegrim dhe përçarje kombëtare e gjuhësore të qarqeve pro serbe e progreke, në Prishtinë dhe në Tiranë. Përpjekjet për ta prishur gjuhën letrare nuk po reshtin, por trimëron fakti se në të gjitha shkollat shqipe mësohet sot gjuha e njësuar letrare. Të gjitha tekstet shkollore janë të hartuara  në këtë gjuhë, 98 për qind e medieve të shkruara dhe elektronike emetojnë dhe shkruajnë në këtë gjuhë, kudo në trevat shqiptare dhe në diasporë. Në dy përqindëshin e përçudnuar gjendet ndonjë paçavure e shkruar, në “gege dialekat”, apo ndonjë trampolinë magjupisht e markës “Shero shero”… ndonjë  “shkodrançe” apo  ndonjë përpjekje e mjerë dhe e gjorë e pseudo-gjuhëtarëve dhe pseudo- intelektualëve për fillimin e gërmimeve në bazamentin e gjuhës shqipe, gjuhës së arsimit dhe të kulturës së kombit shqiptar…

“E po ku shkruhen në kartë fjalët e gjuhës së zjarrtë”!

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …