Ahmet Qeriqi: Në Krojmir do të fillojë punën një spital i luftës (E diel 8 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir do të fillojë punën një spital i luftës (E diel 8 nëntor, 1998)

Në mëngjes, si zakonisht, Jakupi, Rama dhe Agroni janë nisur në drejtim të Divjakës. Atje, në shtëpinë e Nezir Zogajt, i cili aktualisht ndodhet në burg, i dënuar me Nait Hasanin e të tjerë,  do të vendosen kuadrot e Shtabit të Përgjithshëm. Në Kleçkë janë rikthyer ushtarët tanë, ndërsa në Berishë, në Fshat të Ri, në Tërpezë e gjetkë pikat ushtarake kanë qëndruar gjatë tërë kohës, edhe pas depërtimit të forcave serbe, në Kleçkë.

Ndërkohë në vendqëndrimin tonë, në Krojmir kanë ardhur Fatmir Xhelili Nazmi Iballi, Jakup Ismajli, Reshat Gashi, Naim Ismajli e të tjerë. Të dielave zakonisht tubohemi të gjithë, meqë nga fshatrat e Rrafshit na vijnë vizitorë të shumtë. Mjeku, Jakup Ismajli ka shtruar nevojën e zgjerimit të ambulancës dhe ka propozuar që mundësisht të caktohet një shtëpi për tërë personelin mjekësor. Fatmir Xhelili po ashtu ka shfaqur interesim që të themelohet një lloj spitali në Krojmir, i cili do të shërbente për krejt jugun e Drenicës. Të gjithë janë të mendimit për domosdoshmërinë e zgjerimit, meqë në shtëpinë e Aziz Hamdiut ku tani punojnë mjekët nuk ka vend të mjaftueshëm, edhe pse Azizi e ka lënë gati krejt shtëpinë në disponim.

Reshat Gashi propozon shtëpinë e Xhezair Ali Ollurit i cili ndodhet në Gjermani. Është shtëpia më e madhe dhe më e mirë në fshat, mirëpo është afër rrugës dhe në një vend ku identifikohet lehtë nga armiku.

U vendos që përmes telefonit të kërkohet pëlqimi Xhezairit, edhe pse para ofensivës së verës, kemi biseduar për këtë mundësi. Kuadri mjekësor është deri diku i kompletuar. Ndërsa Fatmiri do të bëjë përpjekje të angazhojë edhe mjekë të tjerë.

Nazmi Iballi tregon se ka paraqitur interesim për të ndihmuar edhe mjeku Rifat nga Caraleva si dhe mjekë të tjerë të cilët kohë pas kohe rrezikojnë dhe depërtojnë në zonat e luftës, si Isë Haxhiu, Hysni Arifi e të tjerë.

Në këtë spital të improvizuar do të punojë edhe Naser Bytyçi cili parasheh ta marrë edhe karrigen speciale të dentistit, të cilën e ka në shtëpi.

Si duket kjo çështje tanimë është në realizim e sipër.

Ndërkohë ka ardhur edhe Idriz Hyseni, i cili po ashtu e përkrahë iniciativën dhe nga ana e tij e shtron edhe një kërkesë. Ai mendon se duhet që diku në Prishtinë apo gjetkë të shtypet një formular unik i dëftesave për inkasim, në mënyrë që të evidentohen të gjitha hyrje daljet. Ajo dëftesë do të jetë unike dhe nuk do të mund të keqpërdoret nga persona të papërgjegjshëm.

Ka mbetur që Fatmiri të bisedojë me Hilmi Ramadanin, në mënyrë që ai të angazhohet në këtë drejtim.

Në mbrëmje e përcjellim ditarin televiziv, në RTSH, meqë në atë kohë e aktivizojmë gjeneratorin.

Si zakonisht në mbrëmje pasi ka ardhur Jakup Krasniqi kemi biseduar për zhvillimet më të reja në bisedimet me Kristofer Hillin. Sipas shpjegimeve të zëdhënësit, Hilli kërkon që kreu politik i UÇK-së, të hartojë një projekt-dokument, ku do të përshkruheshin qëndrimet rreth statusit të Kosovës në fazën kalimtare, me të drejtë të referendumit, pas tri apo pesë vitesh. Mirëpo për hartimin e një projekt-dokumenti të tillë kërkohet një kuadër profesionist i shkencave juridike. Kam propozuar që të thërrasim, Arsm Bajramin apo Esad Stavilecin. Duke qenë se mjeku Naser Bytyqi ka lidhje miqësie me Arsim Bajramin jemi përcaktuar që fillimisht të bisedojmë me të, për ta marrë fillimisht mendimin e tij se pranon apo jo të vijë për të biseduar, meqë kjo punë kërkon sakrificë dhe mund të rrezikohet.

Është arritur pëlqimi që të njoftohet Arsim Bajrami përmes mjekut Naser Bytyqi, në mënyrë që ai të vijë sa më parë në Krojmir për të biseduar lidhur me këtë problematikë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Po bëhen përpjekje për zgjerim dhe konsolidim të radhëve (E diel 1 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Po bëhen përpjekje për zgjerim dhe konsolidim të radhëve (E diel 1 nëntor, 1998)

Edhe sot kemi kaluar një ditë relativisht të qetë. Forcat serbe po taktizojnë dhe po …