Edhe gjatë tërë ditës së sotme ka rënë shi dhe dëborë.
Në raste të tilla shumë vështirë kalohet nëpër Grykën e Thatë të Nekocit për të depërtuar në Rrafshnaltë. Kemi vendosur që sot të qëndrojmë këtu, meqë as atje nuk kemi ku di çfarë punësh.
Tërë ditën e kemi kaluar duke biseduar me ushtarë dhe me të njohur të tjerë. Këtu zakonisht vijnë ushtarët për të na parë dhe për të qëndruar pak kohë. Ata mendojnë se ne jemi pjesë e kreut të luftës, andaj edhe pyesin, iu intereson të dijnë se si po zhvillohen punët.
Në mbrëmje, së bashku me Luanin. nga Divjaka ka ardhur, Martin Çuni.
Edhe më herët nga Jakup Krasniqi kam mësuar se Martini ndodhej në radhët e UÇK-së në Drenicë. Unë kam kërkuar që sa më parë të vijë te ne, në Krojmir.
Përshëndetemi me Martinin me të cilin nuk jemi parë qysh prej daljes nga burgu më 1991. Me te jemi dënuar së bashku në shkurt të vitit 1983, për veprimtari të ashtuquajtur kundërrevolucionare.
Martini na lajmëron se muaj më parë ka kaluar nëpër malet e Pashtrikut dhe është futur në Dukagjin. Pastaj është sistemuar në Zonën Opretaive të Drenicës, te komandant Sylejman Selimi. Ka operuar në njësitin luftarak të Baicës së Elshanit. Martini ka sjellë me vete një diktafon, një aparat fotografik digjital. Ai po ashtu na bën me dije se kohë pas kohe raporton për Radion Dojçe Vele, me emrin, Antoni.
Martini është kuadri i cili na duhet më së tepërmi për të aktivizuar Radion. Ai ka përvojë si në punën e gazetarit të Radios ashtu edhe në teknikën e transmetimit.
Deri në orët e vona të natës kemi bisduar me Martinin.
Ai njihet edhe me Berat Luzhën me të cilin një kohë kanë qenë së bashku në Burgun e Nishit.
Kemi vendosur që nesër ne të tre, Martini, Berati dhe unë të shkojmë në Divjakë dhe konkretisht të bisedojmë për fillimin e punëve konkrete në Radion Kosova e Lirë dhe në Agjencinë e lajmeve Kosovapres. Tani kemi një arsye më tepër për t`u ngutur, meqë Martini është kuadër profesionist në këtë drejtim. Pa humbur kohë mund të fillojmë punën.