Ahmet Qeriqi: Në Negroc, te zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi (E martë 16 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Negroc, te zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi (E martë 16 qershor, 1998)

Ashtu sikur jemi marrë vesh, me Sylën dhe me Elezin, herët në mëngjes jemi nisur për rrugë. Meqë ata për një punë të tyre duhet të shkojnë  në Likoc, unë vendosa të shkoj me ta deri në Negroc, te Jakup Krasniqi. Babai i Jakupit, Januzi, është tezak i im. Nuk jam parë me Jakupin qysh moti dhe shkoj për të biseduar lidhur me disa probleme të caktuara, tani kur është emëruar zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fillimisht kemi shkuar te Adil Cena, në Nekoc. Atje, Elezi e takon Ilirin, ushtar, nga i cili kërkon  të na sigurojë një veturë për të shkuar në Likoc. Pas pak kohe nisemi nëpër “Grykën e Thatë”. Rrugën e kanë rregulluar ushtarët të ndihmuar nga popullata e fshatit.

Ajo është plot gropa. Nga lëvizja e pandërprerë e automjeteve dhe e traktorëve, është krijuar një shtresë e dendur e pluhurit e cila ngrihet si re.

Kalojmë nëpër Divjakë, nëpër Fshat të Ri dhe lëshohemi në drejtim të Arllatit. Në udhëkryqin: Arllat-Negroc, patrullojnë ushtarët tanë, të cilët pasi na kontrollojnë, na urojnë rrugë të mbarë.

Në hyrje të Negrocit, te shtëpia Januz Krasniqit, ku ndodhet edhe Jakupi  me vëllezërit e tij, është vendosur një pikë ushtarake. Është improvizuar një barrierë dhe nuk lejohet kalimi pa leje paraprake. Ushtaraku, i cili na ndalon dhe preferon që të çlodhemi e të pimë ujë të ftoftë, është Ferat Shala, një  ish i burgosur politik, për të cilin kam dëgjuar, por nuk e kam njohur. Ai, pas një kohe më lajmëron se Jakupi nuk ndodhet në shtëpi, por megjithatë unë duhet të pres derisa  Syla, Elezi dhe Iliri të kthehen nga Rezalla e Likoci, ku shkojnë, për të takuar Ilaz Dërgutin, Sami Lushtakun e të tjerë.

Pasi isha çlodhur dhe isha freskuar, në odën e xha Jonuzit, i cili ka disa vjet që jeton i tërhequr dhe i strukur në botën e tij meditative, pak para mbrëmjes, vjen Jakupi me të cilin përshëndetemi përzemërsisht.

Jakupi duket tejmase i lodhur nga puna e përditshme, e sidomos nga pa gjumësia, meqë nuk ka kohë, as për të fjetur. Shtabi i ka ngarkuar detyrën më të rëndë, më me përgjegjësi dhe gjithsesi më të vështirë, meqë duhet të ballafaqohet me opinionin, i cili ende e pranon me rezervë,  ose nuk e pranon fare UÇK-në.

Te Jakupi kam besim të plotë. Ai do ta përballojë me sukses detyrën, meqë ka natyrë tejet këmbëngulëse, është i matur dhe tejet i vendosur në qëndrimet e tij. Edhe Jakupi ka kaluar dhjetë vjet në burgjet e kazamatet serbe. Familja e tij qysh moti ka qenë në shënjestër të regjimit serb. Ai ka mbajtur kontakte ilegaliteti me Adem Jasharin dhe me trimat e tjerë çlirimtarë të Drenicës, të Llapit e të Dukagjinit.

Pasi kishim filluar një bisedë lidhur me zhvillimet, sidomos në Grykën e Carralevës, Ferat Shala, hyn në odë dhe pas pak e lajmëron Jakupin, se në krye të detyrës, duke luftuar ballë për ballë me forcat serbe, në fshatin Bllacë kishte rënë trimërisht, Imer Krasniqi, një i njohur dhe i afërt i Jakupit.

Të gjithë në odë shqetësohen. E kanë njohur dhe e kanë dashur shumë  Imerin, luftëtar nga fshati Carrallukë. Ishte një moment i dhembshëm, meqë në fytyrat e të gjithëve hetoj një shqetësim të veçantë. Ishte krijuar një atmosferë e papritur e dhembjes dhe ishte ndërprerë biseda që sapo patëm filluar.

Pas pak,  roja lajmëron se Elezi me Sylën janë kthyer nga Likoci dhe kërkojnë që të nisemi sa më parë, meqë kemi edhe shumë rrugë për të bërë.

Përshëndetem me Jakupin, xha Jonuzin, Avdylin, Agronin, Halimin e të tjerë, me shpresë se do të shihemi së shpejti. Pas dy orë rrugëtimi nga Negroci, diku pak para mesnatës arrijmë në Krojmir, të lodhur, të pluhurosur dhe të sfilitur nga rruga e mundimshme.

Kontrolloni gjithashtu

Shote Galica

Mehmet Bislimi: Shotë Galica – Qerime Halili (1895 – 1927)

Femra shqiptare në vazhdimësi është përballur me vrazhdësitë dhe ashpërsitë e jetës, mbi të rëndoi …