Ahmet Qeriqi: Në orën 8.20 minuta, dy aeroplanë bombardues të armikut marrin në shënjestër selinë e Radios Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosovapress (E shtunë 27 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në orën 8.20 minuta, dy aeroplanë bombardues të armikut marrin në shënjestër selinë e Radios Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosovapress (E shtunë 27 mars, 1999)

Jam zgjuar herët në mëngjes por duke parë se ishte mjegull dhe të gjithë ende po flinin, sërish jam futur në shtrat. Ndihem tejmase i sensibilizuar dhe nuk qetësohem. Sa herë që më kaplojnë shqetësime të tilla parandiej ndonjë të papritur. Tërë kjo vjen edhe nga ngjarjet e ditëve të fundit.

Rreth orës 8.00 kam dalë Lisat këtu afër shtëpisë së Rizah Berishës dhe po vështroja fshatrat e Drenicës, të cilat i ka mbuluar tymi i zi mbuluar me mjegull. Pas pak u zgjua edhe Isë Krasniqi i cili filloi ta montonte adapterin e telefonit satelitor në akumulatorin e veturës, meqë nuk kemi rrymë. Ndërkohë duke parë dy aeroplanë mbi Blinajë bëj pak hapa tutje drejt gardhit për të hulumtuar se kah po fluturojnë. Në moment kanë bërë kthim të stërshpejtuar përmbi Gradinë dhe të dy paralelisht me furi të rrufeshme janë drejtuar në drejtim të selisë. Instinktivisht jam përplasur te gardhi dhe kam mbuluar kokën me duar. Aeroplani ka kaluar përmbi kokë në lartësi ndoshta 80-100 metra. Në moment kam dëgjuar shpërthimet e fuqishme në lagjen e Berishve. Livadhi përballë ishte mbuluar me disa elemente të vogla të plastikës, të cilat nuk di se si u shpërndanë dhe kah erdhën. Në Lagjen përballë afër 150-200 metra u dëgjuan shpërthime të fuqishme. Një si re pluhuri kam hetuar te shtëpia e Kadri Mehmet Berishës.

U nisa në drejtim të Selisë, pa e ditur se të gjithë ishin zgjuar. Nga shtëpia dalin me shpejtësi, Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Rizah Berisha, Valdet Hoti, Ismet Sopi, Besnik Berisha, Fatmir Dugolli, Berati, Qemali, Meta e të tjerë. Krisma e ka zgjuar edhe Nusretin. Ai ka rënë për të fjetur në mëngjes meqë ka qenë në roje.

Martin Çuni, Ismet Sopi, Besnik Berisha dhe Valdet Hoti janë nisur në drejtim të shtëpisë së Kadri Mehmet Berishës. Pas pak ata kanë lajmëruar se si pasojë e shpërthimit të bombave të tipit kasetë, të hedhura  nga dy aeroplanët Mig 21 të forcave armike, ka vdekur Elbasan Jakup Berisha 15 vjeçar, vëlla i katër motrave dhe janë plagosur rëndë e lehtë edhe tetë pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje dhe të një familjeje tjetër mike që ka qenë e strehuar aty. Janë plagosur edhe prindërit e Elbasanit, dy bijat e Nuhi Berishës e të tjerë.

Ishte ky sulm i paralajmëruar në njëfarë mënyre, por ne nuk kemi sens për preventivë. Të gjithë anëtarët e stafit jemi vendosur  një 100 metra më poshtë te Zabali afër varrezave. Atje e kemi maskuar edhe xhipin dhe sakaq Isë Krasniqi e ka transmetuar informatën për sulmin e aeroplanëve në Berishë.

Rreth orës 12,30 në vendqëndrimin tonë Te Zabeli ka ardhur Haxhi Shala, Komandant i Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova. Së bashku me Haxhiun ka ardhur edhe bija ime Arbanë Qeriqi dhe Faruk Gashi, të cilët kur kanë dëgjuar për sulmin, nga Gryka e Krojmirit këmbë kanë depërtuar në Kleçkë e prej andej së bashku me ta ka ardhur me xhip edhe Haxhi Shala. Arbana është shqetësuar tejmase, meqë ishte përhapur lajmi se është goditur selia jonë.  Pas një gjysmë ore, Arbana dhe Faruku janë nisur së bashku me komandant Topin në drejtim të Kleçkës.

Arbana është kthyer sa më parë,  meqë e kupton se familja dhe të tjerë janë tejet të shqetësuar.

Edhe pse në natyrë dhe pa kushtet elementare për punë iu kemi rrekur sajimit të informacioneve duke i shkruar me stilolaps në letër, ndërsa pastaj i përshkruan me dorë, Nusret Pllana, me qëllim që informatat t`i lexojë pa gabime.

Luftimet kanë filluar edhe në rrezen e veprimit të Brigadës sonë drejt maleve të Kizharekës, të Arllatit e të Llapushnikut. Serbët kanë bërë përforcime në Komaran dhe kanë filluar të djegin shtëpitë. Banorët e Komaranit janë larguar më herët nga shtëpitë e tyre.

Ushtarët tanë në Bajrak na bëjnë me dije se një cifël predhe e ka goditur edhe antenën e Radios. Martin Çuni, Valdet Hoti, Rizah Berisha dhe Fatmit Dugolli kanë shkuar te antena me qëllim që nga vendi ku tanimë janë identifikuar antenat të vendosen në një pikë tjetër, meqë në orarin e caktuar dihet të japim informacionet dhe t’ ia bëjmë me dije opinionit se e kemi mbijetuar sulmin shkatërrimtar të aeroplanëve të armikut.

Në orën 15.00 pas një rrugëtimi katër orë nëpër grykat e maleve të Baicës e të Nekocit te Zabeli kanë ardhur edhe biri  im, Epiri dhe Elhami Sylë Qeriqi. Ata me të dëgjuar për sulmin në Berishë kanë mësyrë këmbë. Duken të lodhur e të dërrmuar nga ecja, por nuk duan t ia dinë rrugës kur kuptojnë se kemi shpëtuar. Pas një gjysmë ore, Epiri dhe Elhamiu nisen në drejtim nga kanë ardhur. Duhet të ecin edhe katër orë të tjera deri në Krojmir..

Në orën 16.00, ashtu si gjithnjë pre 4 janarit  përhapet në eter  zëri paralajmërues i fitores, Ju flet Kosova e Lirë. Është kjo një sfidë tejet e rrezikshme për armikun, meqë mjetet serbe të informimit kanë dhënë lajmin se është asgjësuar radioja e “terroristëve” në Berishë. Kjo është përgjigjja jonë, tanimë e përjetësuar me qëndrimin e patundur, kthim prapa nuk ka.

Pasi është errësuar kemi depërtuar në podrumin e selisë dhe jemi ngrohur te stufa. Të gjithë jemi të lodhur dhe të dërrmuar. As në këto çaste tejet dramatike familja e Rizah Berishës, nuk na ka harruar. Buka është gati. Atë në rrebeshin e granatave e ka përgatitur familja e Rizah Berishës.

Kjo na bën edhe më të fortë, sepse tanimë po bindemi përfundimisht se nuk ka forcë që na ndanë, nuk ka forcë që e largon këtë popull nga ushtria e vet çlirimtare.

Pasi kemi ngrënë darkë, së bashku me Rizah Berishën, Matrin Çunin dhe Nusret Pllanën kemi shkuar për ngushëllim te Kadri Mehmet Berisha. Gjëmimet e topave të armikut po dëgjohen në drejtim të Abrisë dhe të Likocit. Dritë nuk ka askund. Rruga është e mbushur me baltë dhe ujë.

Xha Kadriun, dhe bijtë e tij Jakupin e Mehmetin i gjejmë në shtëpi. Ata kanë dhembje por nuk jepen. Jakupi, babai i Elbasanit martir, e ka një plagë në qafë, të cilën ia kanë lidhur me fasho. Janë plagosur edhe dy bijat e Nuhi Berishës, të cilat janë dërguar për trajtim të mëtejmë në Shalë. Të tjerët kanë plagë të lehta.

Xha Kadriu qëndron. I fortë duket edhe Jakupi, edhe pse në shpirtin e tij hetoj një dhembje të papërshkrueshme. Elbasani ishte djali i vetëm,  i lindur më 28 nëntor të vitit 1983, i lindur në datën më të rëndësishme të historisë sonë. Një koincidencë domethënëse.

Pas qëndrimit njëorësh, nga shtëpia e Xha Kadriut nisemi drejt selisë.

Derisa po rrugëtonim nëpër baltë hetoj se këmbët janë mpirë dhe nuk e kuptoj se trupi po i zvarrisë, apo ato po më tërheqin zvarrë. Dymbëdhjetë orë në këmbë…

Futemi në podrumin e selisë. Dikush ka rënë në një qoshe. Një tjetër gërhet. Njërin e ka zënë gjumi pa u mbuluar me batanije. Një tjetër dremit apo flet përçart. Nëpër terr lëshohemi kush ku mundet…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …