Që në më mëngjes është konfirmuar lajmi se sot në Polac të Skënderajt do të bëhet ceremonia ushtarake e varrimit të 34 dëshmorëve të cilët kanë rënë në kufirin te Likenet e Hasit.
Kam kontaktuar me anëtarët e Shtabit civil dhe kemi vendosur se kush do të shkojë, së bashku me disa nga anëtarët e familjeve të dëshmorëve. Fillimisht të interesuarit për të marrë pjesë në varrim do të nisen në drejtim të Kizharekës dhe atje nën përkujdesje të ushtarëve tanë do të bëhen kalimi nëpër shtigje të sigurta, fillimisht drejt Likocit e pastaj në Polac. Shumica e të interesuarve janë nisur këmbë edhe pse në kushte dhe rrethana të tilla duhen më tepër se pesë apo gjashtë orë për të arritur në vendin ku do të varrosen dëshmorët. Askush nuk pyet për lodhjen, askush nuk do t ia dijë borës dhe acarit dimëror.
Meqë, për shkaqe sigurie nuk është publikuar saktësisht vendi i varrimit jam nisur për në Spitalin Ushtarak të fshatit me qëllim që përmes telefonit të marr ndonjë informatë shtesë. Aty kam takuar Galanin, i cili pa vonuar më ka dhënë një numër telefoni, por duke më porositur paraprakisht që të mos tregoj se kush ma ka dhënë atë numër. Edhe pse kjo nuk më pëlqen e marr lidhjen dhe më lajmërohet një zë, jo aq i njohur. Personi nga i cili kërkoja informatë dhe të cilit i kisha treguar se kush jam, fillimisht më pyet se kush ma ka dhënë numrin e telefonit. I them se tani për tani nuk më kujtohet se kush ma ka dhënë numrin, meqë kemi dhembje dhe halle të tjera dhe për këtë mund të sqarohemi më vonë. Ai më nuk foli, por e mbylli telefonin.
Galani më vonë më tregon se me kë kam komunikuar…
Ndërkohë, më bëjnë me dije se nga Godanci kanë ardhur prindërit e dëshmorit Arben Hyseni, Xhemshir Hyseni, nëna dhe dy vëllezër të dëshmorit. Ata kërkojnë të nisen me veturën e tyre por nuk dinë nga duhet shkuar.
Kam biseduar me Naim Ismajlin i cili ka marrë përsipër që familjarët e Arben Hysenit të nisen në drejtim të Kizharekës. Pa vonuar janë tubuar edhe disa të interesuar të tjerë për të marrë pjesë në varrim dhe të gjithë së bashku janë nisur në drejtim të Drenicës Qendrore.
Në orët e pas ditës nga Divjaka janë kthyer Shemsi Syla, Ahmet Isufi, Hilmi Ramadani, Fatmir Xhelili e të tjerë. Ata pa vonuar janë nisur me traktorin e Nusret Gashit në drejtim të pyjeve të Blinajës nga ku gjatë natës duhet ta kalojnë lumin Sitnicë në Lipjan dhe më pas do të marrin rrugë drejt Malësisë së Zhegovcit. Në mesin e tyre prin Naim Imeri, i cili tanimë i ka mësuar të gjitha ecejakët e zonave të UÇK-së dhe i ka kaluar me siguri të plotë, pa asnjë zbulim nga armiku. Të tillët si Naimi janë të rrallë në mesin tonë…
Në mbrëmje Elez Durmishi na ka treguar se është identifikuar edhe trupi i dëshmorit Ramadan Elshani, ndërsa trupi i një dëshmori tjetër ende mbetet i paidentifikuar. Ata nesër do të varrosen në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë.