Ahmet Qeriqi: Në radhët e UÇK-së ka eprorë të lartë të Armatës së Shqipërisë, vullnetarë nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike dhe nga mërgata (E mërkurë 12 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në radhët e UÇK-së ka eprorë të lartë të Armatës së Shqipërisë, vullnetarë nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike dhe nga mërgata (E mërkurë 12 maj, 1999)

Sot në orën 8 të mëngjesit jam nisur në drejtim të Berishës. Sapo kam kaluar në kodrën mbi Arat e Shkreta, në kufirin që e ndanë Krojmirin nga Kleçka,  kam hetuar se mbi kokë më kanë shpërthyer  predha apo plumba armësh, që vinin prej pozicioneve serbe nga ana jugperëndimore. Kam dredhuar rrugën dhe jam nisur në drejtim të Mrizeve të Kleçkës, duke menduar se ajo pjesë nuk ishte në shënjestër. Për të mësuar më hollësisht se ç po ndodhte jam ndalur përballë Kleçkës. Pas pak kam konstatuar se serbët po godasin nga drejtimi i Bllacës apo i Bellanicës drejt pozicioneve tona në Rrafshnaltë. I frikësuar nga ndonjë e papritur kam depërtuar drejt luginës dhe prej andej te Mrizet dhe sërish në përpjetës drejt rrugës për në Divjakë.

Meqë kam mënjanuar rrugën, kam ecur më gjatë nëpër ecejake këmbësore  dhe jam lodhur tejmase.

Në tendë si zakonisht kam takuar Nezir Myrtajn, Valdet Hotin me Mentorin dhe Behxhetin, Nusret Pllanën dhe Fatmir Dugollin. Martin Çuni dhe  Gazmend Elshani ende  nuk janë kthyer nga Drenica.

Kemi punuar si zakonisht në përgatitjen e emisionit ditor informativ, tematik dhe muzikor. Neziri ka zhvilluar një intervistë me Azem Sylën. Kemi përgatitur për transmetim edhe një intervistë tjetër të huajtur të Havier Solanës, lidhur me zhvillimet e fundit diplomatike rreth luftës në vendin tonë.

Burimet tona të lajmeve nga terreni bëjnë të ditur për luftime tejet të ashpra në brezin kufitar e sidomos në Koshare, ku për një muaj rresht forcat tona po bëjnë përpjekje që të depërtojnë në brendi të Kosovës, por nuk po arrijnë t`i thyejnë forcat armike. Bëhet e ditur po ashtu se në mesin e vullnetarëve, në brezin kufitar, në Koshare,  kanë zbarkuar  edhe luftëtarë internacionalistë nga Franca, Italia, Gjermania Algjeria dhe vende të tjera.

Po flitet se një batalion vullnetarësh shqiptaro amerikanë së shpejti do të futet në frontet e luftës çlirimtare. Ata janë pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku” dhe tanimë kanë zbarkuar në Kukës. Pritet që së shpejti të futen në frontet e luftës

Thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizim të Përgjithshëm prej moshës 18 deri në 55 vjet iu kanë përgjigjur shumë vullnetarë shqiptarë kudo nëpër botë por edhe nga Shqipëria. Në radhët e UÇK-së ka luftëtarë nga Gjirokastra, nga Berati, Kavaja, Shkodra e sidomos nga Malësia e madhe, Bajram Curri dhe Tropoja. Në mesin e tyre janë edhe disa eprorë të dalluar si Tahir Sinani, në zonën tonë, Shpëtim Golemi, në Zonën Operative të Neredimës, Adem Shehu në zonën e Llapit, Bardhyl Tahiri në Shtabin e përgjithshëm në Divjakë dhe disa  të tjerë në Drenicën Qendrore. Inkuadrimi i këtyre dhe oficerëve të tjerë të armatës së Shqipërisë, jo vetëm që ka ndikuar në ngritjen e doktrinës ushtarake profesionale, por po bën jehonë edhe te ushtarët dhe popullata e zhvendosur.

Në radhët e UÇK-së tanimë kemi luftëtarë nga të gjitha viset etnike të Shqipërisë dhe nga mërgata. Kjo është me rëndësi, ashtu sikurse është shumë i rëndësishëm fakti se jemi aleatë të fuqisë më të madhe ushtarake botërore të quajtur NATO, të cilës i prijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krejt kjo të jep zemër, por sapo hedh sytë nga tendat dhe sheh se në ç’ kushte jetojmë të rrethuar nga të katër anët, atëherë të duket se ende jemi larg, mirëpo kthim prapa nuk ka, deri në fitore.

Emisionin i cili sot ka zgjatur 40 minuta e kemi përgatitur me kohë.

Në kohën kur afrohet koha për transmetim për atje nisen Nusret Pllana, Valdet Hoti dhe Fatmir Dugolli. Ata fillimisht e aktivizojnë gjeneratorin, i cili për fat të mirë ka punuar deri tani pa asnjë defekt dhe pikërisht në orën 16.00 fillon transmetimi i programit. Po në këtë kohë fillojnë edhe bombardimet serbe drejt vend-transmetimit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Gryka e Krojmirit sërish ringjallet. Ajo po rilindet nga hiri i vet (E martë 1 shtator, 1999)

Ahmet Qeriqi: Gryka e Krojmirit sërish ringjallet. Ajo po rilindet nga hiri i vet (E martë 1 shtator, 1999)

Edhe një ditë tjetër me shqetësime të vjetra dhe me të papritura, si gjithnjë. Nga …