Ahmet Qeriqi: Në Reçak të Shtimes, serbët kanë vrarë dhe kanë masakruar. Kanë rënë edhe disa dëshmorë. Ende nuk kemi të dhëna të sakta për humbjet në radhët tona, 15 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Në Reçak të Shtimes, serbët kanë vrarë dhe kanë masakruar. Kanë rënë edhe disa dëshmorë. Ende nuk kemi të dhëna të sakta për humbjet në radhët tona, 15 janar, 1999

Herët në mëngjes bëhet e ditur se forca të mëdha ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe kanë rrethuar Reçakun. Detonimet dhe shpërthimet e fuqishme po dëgjohen deri këtu në Rafshnaltë.

Sipas të gjitha gjasave serbët po ndërmarrin një ofensivë në shkallë të gjerë, pasi që nga marrëveshja e tetorit, Hollbruk Milosheviq, nuk ka mbetur asgjë. Edhe trupat e OSBE-së që aktualisht po qëndrojnë në Kosovë, nuk po arrijnë të ushtrojnë asnjë ndikim në frenimin e kësaj politike gjenocidi, që po e ushtron regjimi serb kundër popullatës shqiptare.

Sot kemi transmetuar një emision 40 minutë me informata, komente dhe muzikë patriotike.

Nuk kemi informacione nga Zona e Neredimës dhe ende nuk dimë se ç’ po bëhet në Reçak. Krismat dhe detonimet ende nuk kanë pushuar.

Sapo e kemi transmetuar programin ditor  së bashku me Berat Luzhën kemi shkuar në Shtab, në Divjakë.

Atje kemi takuar Jakup Krasniqin dhe Bislim Zyrapin.

Ndërkohë kanë ardhur Ramë Buja, Ferat Shala dhe Ramadan Dobra.

Ramë Buja na ka njoftuar se sipas disa burimeve, në Reçak ka shumë ushtarë dhe civilë të vrarë nga radhët tona. Ende nuk dihet numri i saktë por dyshohet se janë me dhjetëra.

Më vonë, Ferat Shala me xhipin e tij na ka përcjellë për në Berishë. Në seli kemi takuar  Bajram Kosumin dhe Hilmi Ramadanin, të cilët kanë ardhur sot në orët e para ditës.

Gjatë tërë kohës kemi biseduar ashtu sikur bisedojnë zakonisht të burgosurit politikë. Berati e qorton Bajramin dhe përmes e tij edhe shokët e tjerë të cilët po hezitojnë të na bashkohen. Bajrami edhe pse është simpatizues i luftës, si duket ka rezerva. Nuk e di sesa është në gjendje të sakrifikojë. Megjithatë, ai është një kuadër i fortë dhe politikisht i ngritur. Mendoj se Bajrami, pastaj Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Basri Musmurati e të tjerë mund të na ndihmojnë në raste të veçanta në ndonjë organizim politik dhe asnjëherë nuk kam insistuar, që ata doemos të futen në radhët tona, sikur insiston, Berat Luzha.

Të mirët dhe të dëshmuarit, kudo ku janë bëjnë punë. Në këtë segment kurrsesi nuk pajtohet Berat Luzha, duke harruar se edhe vetë ka ardhur me vonesë, dhe vetëm pasi ishte rrezikuar me rastin e burgosjes së shumë atdhetarëve në Ferizaj e në Kaçanik, nga policia serbe.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …