leoni

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë e varrosim trupin e dëshmorit, Ramadan Elshani, djali i motrës së Ramiz Qeriqit (E hënë 21 dhjetor, l998)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë e varrosim trupin e dëshmorit, Ramadan Elshani, djali i motrës së Ramiz Qeriqit (E hënë 21 dhjetor, l998)

Rreth orës 10.00, jemi nisur në drejtim të Divjakës. Në veturën e Ali Mullinit kemi hipur unë, Berat Luzha, Elez Durmishi dhe Martin Çuni. Fillimisht kemi shkuar në Divjakë për të mësuar orën kur do të bëhet varrimi i dëshmorit.

Pasi kemi arritur këmbë dhe të lodhur nga rruga, na kanë bërë me dije se varrimi do të bëhet në orën 14.00.

Në Divjakë kemi takuar edhe Ferat Shalën, që kishte ardhur me qëllim të identifikimit të një dëshmori, por pas përshkrimit që i ka bërë trupit të tij ka konstatuar se nuk është ai. Është konstatuar po ashtu se nuk është as trupi i Bashkim Krasniqit, për të cilin ishte menduar kohë më parë.

Sot do të varroset vetëm trupi i Ramadanit, ndërsa për dëshmorin tjetër mbetet që sa më parë të identifikohet.

Nga Divjaka për të marrë pjesë në varrim jemi nisur për në Kleçkë  vetëm unë dhe Elez Durmishi. Në rrugicën e cila çon te Varrezat, kemi takuar Agush Gjocin dhe disa luftëtarë të njësive speciale, të cilët janë caktuar si njësit që do të merr pjesë në varrim.

Varrimi i paraparë për të filluar në orën 14 ka vonuar për shkak se nuk kishte ardhur Ramiz Qeriqi, Luani, daja i Ramadanit, po ashtu nuk kishte arritur me kohë as Ramë Buja i caktuar për të mbajtur një fjalë rasti për dëshmorin.

Ushtarët ishin rreshtuar. Varri ishte hapur me kohë. Te koka e dëshmorit rrinte motra e vetme e tij, Irfetja. Pak më tutje edhe nëna e dëshmorit, kushërira, Hajria,

Nga Krojmiri, Shala e Pjetërshtica kishin ardhur për të marrë pjesë në varrim qindra  veta. Ishte aty edhe Isë dhe Idriz Qeriqi. Nga radhët e eprorëve ishte edhe Naim Maloku. Duke qenë se po shtyhej koha e paraparë dhe meqë bënte ftohtë Idriz Qeriqi, daja i dëshmorit kërkon nga unë që të merremi vesh me eprorin Naim Maloku dhe të fillojmë varrimin, pa pritur ata që kanë qenë në dijeni dhe nuk kanë ardhur me kohë.

E pyes Naim Malokun dhe ai po ashtu mendon që të fillojë ceremonia. Ai kërkon nga unë që ta them një fjalë rasti, por unë nuk pranoj, i bindur se në rast i tillë i takonte pikërisht eprorit, Naim Maloku apo ndonjë eprori tjetër.

Pa vonuar kemi filluar ceremoninë e varrimit.

Në momentet kur ushtarët po bëheshin gati që trupin e dëshmorit ta lëshonin në varr, motra  e dëshmorit duke çarë me zë, i kishte penguar.

-Nuk do ta mbuloni me dhe! Nuk lejoj,  shpërtheu ajo në vaj e gjëmë.

-Jo! jo! nuk iu lejoj ta mbuloni me dhe!

Të gjithë kishin shtangur nga pikëllimi dhe vaji i motrës së dëshmorit.

Në kohën kur po bëhesha gati për t u afruar dhe për ta bindur disi Erfeten, disa ushtarë me ndihmën edhe të Idriz Qeriqit atë e largojnë nga arkivoli.

Në kohën e ceremonisë ushtarake të varrimit erdhi një ushtar i quajtur Ylli, i cili kërkon të dijë se kush ka urdhëruar fillimin e varrimit, pa ardhur Ramë Buja. Elezi i tregon se përse kemi vepruar ashtu, por ai i kërcënohet Elezit e veçmas Naim Malokut duke  bërë me dije se kjo nuk ishte punë e tij. Si duket ky djalosh ose ka paragjykime, ose nuk di se në raste të tilla nuk bën të pritet askush. Dhe, nëse ka qenë dashur të pritet, do të duhej të pritej daja i dëshmorit, Ramiz Qeriqi, komandant i Batalionit Ruzhdi Salihu, pjesëtar i të cilit ishte edhe Ramadan Elshani. Luani, nuk ka ardhur tani për tani për shkaqe të panjohura. Ylli, një djalosh shumë i vrullshëm,  si duket nuk i di këto dhe për më tepër fillon edhe një bisedë tjetër, duke e akuzuar Elez Durmishin se një ditë nuk e ka gjetur në Shtab.

Në kohën kur ceremonia ishte kryer, me një xhip të zi erdhi Ramë Buja. Ai, doli para të pranishmëve dhe  tha çka kishte paraparë të thoshte. Pas  tij iu dha fjala edhe një burri të moshuar me mustaqe i cili rradhit disa fjali retorike patriotike.

Ishte një ditë e rëndë pikëllimi, e rëndë edhe me faktin se në varrim nuk mori pjesë Luani, daja i dëshmorit, e rëndë edhe me faktin se doli sheshi një imponim i pazakontë, që nuk ka të bëjë me asnjë rregull të shkruar të cilit duhet përmbajtur. Ishte një ditë  e rëndë mbi të gjitha se kishim varrosur Ramadan Elshanin, njërin ndër ushtarët tanë më të përkushtuar, i cili kishte marrë pjesë në të gjitha betejat, por ja që kishte rënë në pritën e ushtarëve serbë me bashkëluftëtarët e tij.

Edhe kësaj dite do t`i mjaftojë pikëllimi i vet.

Pas varrimit të dëshmorit dhe të gjitha shqetësimeve shtesë që përjetuam unë dhe Elezi jemi nisur këmbë nëpër Grykë të Nekovcit. Në hyrje të Grykës si zakonisht na ka pritur ushtari i radhëve të para nga Fshati Pjetërshticë Ali Ramadan Baftiari, i njohur ndër ne me mbiemrin karakteristik Mullini, ose Ali Mullini. Ai me veturën e tij na solli deri në Krojmir.

Në mbrëmje kanë ardhur nga Prishtina, nëna e Martin Çunit, Gjystina, pastaj djali, Agroni dhe daja i Martinit, Anton Noka.

Kemi biseduar si zakonisht deri në orët e vona të natës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Lajme tragjike nga kufiri. Nuk dihet numri i ushtarëve tanë të rënë në pritat e armikut. (E hënë 14 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Lajme tragjike nga kufiri. Nuk dihet numri i ushtarëve tanë të rënë në pritat e armikut. (E hënë 14 dhjetor, 1998)

Në mëngjes, kur edhe zakonisht fillon aktiviteti ynë ditor, Sokol Dobruna dhe Martin Çuni janë …