“Studiuesi” dhe hartuesi i enciklopedive subjektive, private, Ndriçim Kulla, të ashtuquajturin “neoshqiptarizëm” e sheh si prodhim të një kaste intelektualësh të veriut të Shqipërisë të lidhur me katolicizmin, jo si fe që përfaqëson 10 për qind të shqiptarëve, por si ideologji kishtare, tempullare, mbi një bazë të përçarjes së rafinuar brendakombëtare.
Përpjekjet e tij për ta definuar shqiptarizmin dhe ndërgjegjen kombëtare, sipas bindjes dhe shijes së vonuar të tij, janë donkishoteske dhe nuk përbëjnë asnjë bazë reale shkencore, përveç imagjinatës fiktive në disa shkrime fragmentare të disa autorëve të mjegullt si Branko Merxhani, Zef Valentini, Anton Harapi, e ndonjë si këta, po jo duke u bazuar korifenjtë e shqiptarizmës si: Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sami Frashëri, Fan Noli, Anton Zako Çajupin, Kristë Maloku dhe emrat më meritorësh të kësaj shqiptarie që kemi trashëguar dhe e cila përfaqëson 99 për qind të shqiptarëve në trojet etnike dhe kudo në botë.
Për të mos e zgjatur, sepse edhe kështu është punë koti të merresh me lajthitjet e të lajthiturve si ky Kulla, i cili pretendon të na bind se shqiptarizmi apo ndërgjegjja kombëtare shqiptare, nuk ka fare emra shqiptarësh islamë, qofshin ata edhe si Naim Frashri, Sami Frashëri, Ymer Prizreni, Ismail Qemali e baballarë të tjerë të kombit, por nxjerrë nga naftalina emra krijuesish që kanë mbetur pezull dhe në gjysmë të rrugës me krijimtarinë e tyre të varfër shpirtërore, emra të ndershëm shqiptarësh por gati krejt të panjohur dhe të cilët Kulla mendon t i ngrehë në qiell dhe ta zbulojë për të dytën herë Amerikën.
Ja si e definon neoshqiptarizmin e tij, z. Kulla
“Merxhani në fillimet e tij, kur së bashku me filozofët e qerthullit katolik shkodran, i frymëzuar nga ata “dishepujt dëshmorë të shqiptarizmës” që kishin krijuar Shqipërinë, u nis t’i shkruante “ungjillin e modernizmit” të saj, jo vetëm me formulat mbresëlënëse të neo-shqiptarizmës, por edhe me mënyrat, idetë, mjetet dhe programet për realizimin real të një Shqipërie jo më historike, por qytetëronjëse”.
Cilët na qenkan këta filozofët e qerthullit katolik shkodran dhe a mund ta kenë përfaqësuar shqiptarizimin e shqiptarinë qytetëruese ndonjëherë këta anëtarë, të cilëve Kulla, për së vdekuri u vë një barrë aq të rëndë sa asnjëri prej tyre nuk do ta dëshironte, po të ishte gjallë.
Skribët që kanë krizë identiteti dhe të tillë që pretendojnë se gjithçka që është krijuar e zhvilluar deri në vitin 1991 ka qenë jo demokratike, natyrisht se me fiksionin e tyre njëdimensional nuk arrijnë të shohin kompleksistetin dhe zhvillimin sinkronik e diakronik të botës shqiptare si tërësi, e cila në periudhat e së kaluarës ka qenë pjesë e historisë rajonale dhe botërore dhe e integruar në të në të gjitha pikëpamjet qofshin ato kulturore, fetare, gjuhësore, arsimore e shoqërore.
Të pretendosh të nxjerrësh identitet kombëtar specifik, duke u bazuar në shkrimet fragmentare të dy tre emrave krejt pak të njohur, por të nderuar të literaturës sonë dhe të anashkalosh një botë të rërë krijuesish, autoktonë dhe autentikë të shqiptarizmit dhe neo shqiptarizmit të vërtetë, kjo vetvetiu flet për një tendencë të sëmurë që në emër të integrimit politik të shqiptarëve në Bashkimin Evropian, të zbulosh edhe prijatarë të këtij integrimi duke u kufizuar në disa emra që më së paku i ka njohur dhe ata e kanë njohur Evropën. Ndriçim Kulla me fiksionet e tij për ta paraqitur ndryshe botën krijuese shqiptare, me pretendime për ta ndarë atë sipas përkatësisë fetare, duke e mohuar shumicën dërrmuese, duke anashkaluar me qëllim krijuesit më të mëdhenj të kombit, të cilët kanë emra myslimanësh, nuk është asgjë më shumë se një zë i vetmuar në shkretëtirën e tij fiktive, pse jo edhe naive.
(Shkrimi i Kullës “për neoshqiptarizmën” është botuar në Mapo.al)