Në trevat e Veriut të Shqipërisë, tradicionalisht janë ruajtur këngët rapsodike, epike-lirike shqiptare, në mënyrën më origjinale të mundshme të këndimit. Kjo trashëgimi kulturore artistike ka qenë burim frymëzimi edhe për poetë e krijues të njohur, sidomos për Gjergj Fishtën, i cili me të drejtë cilësohet si Homeri Shqiptar. Ai burim frymëzimi kishte këngën e popullit të kësaj pjese të Shqipërisë. Po kështu kjo është po thuajse e vetmja zonë e trashëgimisë folklorike shqiptare, në të cilën nuk ka depërtuar as edhe një element i ndikimit të muzikës orientale, sllave, apo greke. Dhe ajo që është me rëndësi, ky ta quamë bastion autentik folklorik i ka përballuar kohës deri në ditët tona, kur tallavaja piliherdhe, e kënga e degjeneruar në disa treva të vendit, po përpiqet t’ ia zë frymë muzikës burimore shqiptare. Përveç këtij bastioni, ka edhe kështjella të tjera, muzikore, që kanë përballuar dhe po i përballojnë kohës, anë e mbanë trojeve shqiptare…
Kur dëgjon duke kënduar, Nik Çarkun, që zbraz e reflekton zëra si vetëtima me bubullimën prapa, por me një harmoni të mrekullueshme të tërësisë së këngës, kur dëgjon duke kënduar, Gjovalin Prronin me zërin si rrufe nga qiell, kur dëgjon Ndue Shytanin, me zërin e tij të fuqishëm dhe një fonetikë të pastër të shqiptimit të fjalëve, Fran Kodrën, që e zotëron magjishëm këngën, të cilën e thur dhe e këndon vetë në mënyrë origjinale, Gjon Frrokun, që këndon me pasion të talentit të lindur dhe kur këndon bëhet një me këngën, pastaj Gjovalin Shanin me zërin melodik dhe talentin e shquar të këndimit, Gjelosh Hajdarin, i cili kur këndon për Kryetrimin e Arbrit, duket se po vërtit shpatën e Gjergj Kastriotit, kur dëgjon këngën mbresëlënëse me emocione shpirtërore të Nikollë Nikprelajt, kur dëgjon këngët antologjike e magjepëse të Arif Vladit, Ilir Shaqirit, Behxhet Jagodinit, vëllezërve, Jashar dhe Idajet Sejdiu, kur dëgjon këngën e pajtimit e të vëllazërisë shqiptare pa dallim feje e ndasie, Gjin Donës, apo këngët e këngëtareve të mirënjohura, Dava Gjergji, Shkurte Fejza, Yllmize Tafallari, Prena Beci, Mrika Trumshi, Anjeza Ndoj, Vida Kunora, Gofile Papleka, Fatmira Breçani, Zoja Pali e shumë të tjera, dëgjuesi doemos se përjeton, jo vetëm disa këngë më shumë të një programi të pasur artistik, por ajo që ngelet në kujtesë për shumë kohë është mënyra lirike-heroike dhe arkaike e këndimit, nga të gjithë këta këngëtarë e këngëtare, një këndim i mobilizuar, i lidhur, i sistemuar, i harmonizuar në të gjitha segmentet artistike, që të mbanë vëmendjen vazhdimisht të lidhur për këngën, me përmbajtjen, ritmin dhe gradacionin e saj të fuqishëm, që shërojnë sa e sa shpirtra njerëzish, që këngën e kanë oksigjen të domosdoshëm, për të përballuar të priturat e të papriturat e jetës.
Të shkruash për këta këngëtarë veç e veç, është një punë sa e rëndë aq edhe me peshojë e përgjegjësi, sepse ke të bësh me një plejadë të fuqishme zërash, emra këngëtarësh e këngëtare shumë të njohur, ku e ke vështirë të përcaktohesh se cili është më talent se tjetri, se cili apo cila është më e dalluar me zërin, shqiptimin, këndimin, qasjen ndaj këngës, njëzimin dhe përjetimin e fuqishëm, repertorin e pasur, talentin e lindur për këngë, vitet e këndimit e sa e sa veçori, veçanti e karakteristika të tjera.
Paraqitja
Këngëtari, i mirënjohur, Nik Çarku, me origjinë nga Thethi i Malësisë së Madhe, radhitet në mesin e këngëtarëve më të njohur e më të preferuar të këngës burimore shqiptare, i cili qysh moti ka dalë jashtë folesë krahinore, duke hyrë lirshëm e natyrshëm në Panteonin e muzikës sonë, duke depërtuar në radhët e para të botës autoktone shqiptare të artit të këndimit. Ashtu si këngëtarët e lindur me talent e zërin dhuratë nga natyra bio-fiziologjike, me kordat harmonike të zërit të mrekullueshëm, Nik Çarku, ka kënduar e këndon me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, duke derdhur tërë dashurinë e tij si këngëtar, duke mos e kursyer veten për t’ u bërë gjithnjë bashkë me këngën, andaj edhe nuk heq dorë nga ajo, sepse kënga është art, për më tepër është segment i artit që buron nga zemra e shpirti dhe i referohet dëgjuesit e shikuesit, andaj këngëtarët e njëmendtë, që kanë krijuar identitet dhe dinjitet, nuk i nënshtrohen fushatave të ditës, nuk heqin dorë nga repertori, nga trashëgimia shumë e begatë e këngës shqipe, por e pasurojnë atë në sendimentin autokton, duke ndërtuar identitet, origjinalitet, me specifika të kohës e hapësirës, të sintonisë muzikore, e cila u ka bërë ballë shekujve të pushtimeve e konvertimeve, që nga e kaluara e largët…
Digresion
Kam shkruar dhe shkruaj veçmas për këngëtaret e këngëtarët shqiptarë, jo me qëllim lavdërimi, hatri, apo me porosi, por në radhë të parë për qëllime objektive, kulturore, por edhe për faktin se një pesë e programit të Radios Kosova e Lirë, Radio e luftës dhe e paqes në Kosovë, të cilën e drejtoj nga 4 janari i vitit 1999, mbulohet me këngë të këngëtarëve më të njohur të muzikës shqiptare. Andaj, shkrimet afirmative dhe publikimin e tyre e ndiej një obligim parimor, intelektual, në shenjë falënderimi për këngëtarët e këngëtaret, këngët e të cilëve i transmetojmë për çdo ditë, por edhe një përpjekjeje për të vënë në pah vlerat përmbajtësore e artistike të këngëtarëve të shquar, jo të gjithëve, sepse është e pamundshme, por të këngëtarëve e këngëtareve, të cilët me këngët e tyre janë dëshmuar për cilësi, origjinalitet, profesionalizëm, përkushtim, vokal cilësor e veçanti të tjera krijuese të këndimit, pa pretenduar se nuk ka ede shumë të tjerë, po kaq meritor e të popullarizuar…
Shtjellimi
Në studimet dhe vrojtimet e mia për këngën shqiptare, këngëtarët e këngëtaret e të gjitha trevave tona nga Çamëria, nga kënga arvanitase e mallit dhe e humbjes historike të identitetit gjuhësor e kombëtar, kënga arbëreshe e mbijetesës shekullore, dhe këngët e të gjitha trevave shqiptare, kam vërejtur në radhë të parë begatinë e madhe dhe të shumëllojshme të shprehjes së botës artistike shqiptare përmes këngës e valles, dhunti këto që Hyji i ka dhënë njeriut, në këtë rast këngëtarit, për të qenë subjekt dhe objekt i saj. Duke qenë dikur, një popull i madh që shtrihej gjerë e gjatë në Iliri, si proto-ilirë, dardanë, epirotë, arbër e më vonë shqiptarë, ata i rrudhi koha, gjatë pushtimeve, por ruajtën tabanin, ruajtën veçoritë e begatshme krahinore, veshjet karakteristike, vallëzimin natyral edhe të improvizuar nganjëherë edhe teatral, sipas kërkesave të dëgjuesve dhe shikuesve të kohës.
Nuk mohohet dot fakti se këngëtarët shqiptarë kanë dhënë e kanë marrë, por mendoj se më shumë u kanë dhënë popujve fqinjë, sidomos atyre me të cilët kanë jetuar më shumë, gjatë shekujve. E veçanta e këndimit të Malësisë së Madhe është ruajtja e këngës burimore nga ndikimi oriental, por me një nivel të ndikimit të këngës së dikurshme bizantine e romane e paksa edhe veriore, sepse melodia, kënga nuk njohin kufij. Ato, në çdo kulturë muzikore të çdo populli të botës formësohen me notat; do re mi fa so la si do, ashtu sikur matematika me numrat elementarë nga 1 në nëntë e deri në pakufi…
Këngëtari, emblematik, Nik Çarku, me kohë i ka thyer barrierat krahinore, ku ka marrë hovin e parë të këndimit, i frymëzuar në radhë të parë nga këngët e trimërisë të Lahutës së Malësisë të Gjergj Fishtës, pastaj nga kënga burimore e Malësisë së Madhe me motive të pasura të trashëgimisë autoktone, duke e pasuruar fondin edhe me këngë të trevave të tjera shqiptare kryesisht të Veriut të trevave tona, tashmë të rrudhura nga kafshimet e fqinjëve grabitqarë, por të pa harruara nga mbamendja e rapsodëve, që ka përcjellë rrjedhat historike të rënieve e ngritjeve nga brezi në brez, nga lashtësia homerike e deri në ditët tona.
Pikërisht në këtë kuantum unik të këndimit, bën pjesë Nik Çarku,, me të veçantat dhe specifikat e këndimit të tij. Ai, ashtu si këngëtarët antologjikë, shquhet për zërin melodik, të lindur por dhe të maturuar, një zë që aq shumë amalgamohet me akordin e sintonisë instrumentale, muzikore, zë i pasuruar me vokacion origjinal që për mrekulli i përshtatet tingujve të lahutës, çiftelisë, fyellit, harmonikës dhe çdo lloj orkestrineje profesionale. Ai i qaset këngës, duke e formësuar dhe duke e ngjeshur me shumë komponentë autentikë, duke ruajtur në radhë të parë jehonën historike të këngës autoktone shqiptare dhe duke e njëzuar atë me këngët e trevave të tjera, në të cilën janë përshtresuar elementë autentikë muzikorë, të cikluar e të ricikluar, që nga kohët e hershme e deri në ditë tona.
Konkretizimi dhe individualizimi
E veçanta, mbi të gjitha të tjerat, e mënyrës së këndimit dhe përshtatja fenomenale e zërit të këngëtarit, Nik Çarku, në të gjitha segmentet shprehëse, artistike, është qasja origjinale e këndimit, me një zë të lindur e të fuqizuar me oksigjenin e Alpeve Shqiptare, një zë që dridh ambientin me drithërima emocionale, një zë që buron nga lashtësia ilire, dardane, i fuqizuar me tringëllimat e shpatës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, zë jehonë që rrjedhë fuqishëm e harmonishëm si ujëvarat e alpeve, shqiptare, zë sui generis, autoctonus…
Ritmika e kësaj kënge, zëri harmonik, teksti popullor, artistik tipik shqiptar, këndimi me plot emocione që dalin nga thellësia e ndijimit shpirtëror dhe shkrihen nëpër vargje, përbëjnë një tërësi fenomenale, artistike, ku janë bërë bashkë të gjitha elementet përmbajtësore në tërësinë e komponimit dhe këndimit…
Kënga e Skënderbeut, kënduar nga Nik Çarku, na kthen kujtesën në Motin e Madh, me mënyrën epike heroike të këndimit, me ritmin luftarak të dyluftimeve, me dinamikën e ndeshjeve nëpër beteja, dhe duket sikur koha ka ri sjellë ato, që i ka ricikluar, nga shekulli në shekull, deri në ditët tona, deri në këndimin krejt të natyrshëm nga një këngëtar shtat-hedhur, si kalorës i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, në atë kohë me shpatë, tani me çifteli, duke i kënduar Epopesë Skënberbegiane.
Në këtë kuantum vlerash, origjinale, muzikore këngëtari, Nik Çarku, shkëlqen në radhë të parë me perceptim të natyrshëm të brendisë, përmbajtjes e motivit të këngës, duke i shtjelluar dhe duke i harmonizuar të gjitha elementet, me të cilat përbëhet një këngë, qoftë ajo popullore, e përpunuar apo e zhanreve të tjera muzikore. Në opusin e këngëve të tij dallohet kënga epike-heroike, e rrëfimit fishtjan, ‘100 vjet Malësia priti’, kushtuar të vrarëve, katolikë e myslimanë të masakruar nga Austro-hungaria pushtuese, në vitin 1918.
Si për kob e mallkim, si ndodh vetëm te shqiptarët pa identitet historik e kombëtar, një këngëtar tjetër, sikur ndodhi në një koncert për Vitin e Ri, këngëtari të cilit, kësaj radhe nuk po i përmendi emrin, merr duartrokitje për këndimin e këngës ‘Faleminderit Austri’ ironikisht për pushtimin trevjeçar, për vrasjet e shqiptarëve, katolikë e myslimanë. Për pushtim Austro-hungarez, ka shkruar edhe i madhi, Gjergj Fishta.
Paraqitja e Nik Çarkut para publikut është impozante, me shtatin e tij të hedhur të malësorit, me këndim mbresëlënës, pasi arrin ta zotërojë natyrshëm këndimin, t’i japë përmbajtjen e duhur natyrale me lëvizjet ritmike, me qëndrimin kurdoherë entuziast, duke qenë se në skenë kërkohet një manifestim sa entuziast aq edhe serioz e burrëror. Të gjitha këto dhunti e vlera shprehëse artistike i disponon dhe i vë në lëvizje me maturi, ky këngëtar ndër më meritorët e këngës shqipe.
Kënga burimore, shqipe e Nik Çarkut, dhe e shumë këngëtarëve e këngëtareve të kohës sonë, që nga e kaluara, e shtrirë në mënyrë sinkronike e diakronike, iu ka përballuar shekujve të riciklimeve e konvertimeve dhe po i përballon me sukses tallavasë e çoroditjes, e do t’ i përballojë krejt deri sa të ketë, komb, gjuhë, kulturë e traditë kombëtare, shqiptare. Këtë e kanë bërë të mundur dhe e bëjnë këngëtarët e këngëtaret që kanë idealizëm kombëtar, që i duan, i respektojnë, i ruajnë dhe i përparojnë, në radhë të parë vlerat kombëtare, por edhe ato të përbashkëtat, vlerat unike, kulturore, qytetëruese mbarë-njerëzore.
…
Në këtë shkrim-studim analitik, jam bazuar në analogji me shkrimet e mia paraprake për, Gjovalin Prronin dhe Nikollë Nikprelajn, me të cilët, sipas vlerësimit tim, Nik Çarku, ka më shumë afri e ngjashmëri, në shumë segmente të këndimit, por edhe të përmbajtjes dhe temave të këngëve, ku dominojnë ato me motive atdhetare.
…
Me qëllim për të zgjeruar njohuritë për jetën e veprat muzikore të Nik Çarkut, po postoj, me këtë rast edhe një shkrim përmbajtësor e profesional të Ramazan Çekës, me besim se ai nuk do të reagojë, pasi shkrimin po e botoj pa e pyetur, në mungesë të adresës së tij. Këtë qasje e kam praktikuar disa herë deri tani por kam hasur në mirëkuptim, shpresoj ta kem edhe pëlqimin e tij, në të kundërtën i kërkoj falje paraprakisht, dhe mund ta tërheq, pa të keq, shkrim e tij shumë të goditur me të dhëna, që mbeten në mbresa kujtimesh…
Shtojcë studimore, plotësuese, nga Ramazan Çeka
Mes gjithë këtyre personazheve të artit muzikor dhe njëkohësisht miqve të spikatur të jetës sime, një vend të veçantë zë edhe muzikanti e këngëtari i talentuar Nik Çarku, djali i nderuar i Dukagjinit, i veshur me cilësitë më të mira të burrit të Malësisë, zëëmbël e shpirt madh, që veç dhuntisë që i ka falur Zoti për të kënduar, e ka bërë të njohur edhe si kantautor, sepse një pjesë të krijimtarisë së tij ai e ka shkruar e kompozuar vetë.
Nik Çarku vlerësohet si një artist i madh që kompletohet me cilësi e virtyte si një qytetar model, si një intelektual dhe familjar i përkushtuar, mikpritës e bujar në konak, i matur dhe manifestues i traditave më të mira shqiptare në komunitetin ku bën pjesë. Ai është një inxhinier i shkolluar në Amerikë që drejton një grup inxhinierësh amerikanë në degën e elektromekanikës dhe energjisë termike në një nga kompanitë më të njohura në New York City ESRT. (Pjesë e Empire State Building), por njëkohësisht është i angazhuar edhe si profesor në Institutin Technic TRI New York City.
Të gjitha këto angazhime të jetës së përditshme, nuk e privojnë Nik Çarkun nga jeta artistike, sepse në shpirtin e tij nuk flejnë, por rrijnë zgjuar dhe shfaqen pasioni për këngën dhe vlerat kombëtare të saj, që ai i ka marrë me vete nga Shqipëria dhe i mban e i manifeston të gjitha atje.
Nik Çarku ka lindur në një nga perlat e Alpeve Shqiptare, në Thethin e bukur e të pashoq, por është rritur në një vend të bukur e të pashoq, siç është Shkodra, në djepin e kulturës shqiptare, nga e cila ai mori dashurinë për këngën e bukur popullore, humorin e saj por dhe bekimin që e ndjek nga pas edhe sot e kësaj dite. Ashtu si të gjithë emigrantët që kanë shkelur Tokën e Ëndrrave, Amerikën, edhe Nika nuk e pat të lehtë, por falë karakterit të tij, shpirtit të paepur të malësorit dhe optimizmit të artistit, ai arriti shpejt të bënte emër mes komunitetit të shqiptarëve, sepse me zërin dhe krijimtarinë e tij ai u vu në shërbim të tyre. Këngët, që shpejt krijuan një repertor të gjërë, u bënë pjesë e pandarë e eventeve familjare e shoqërore të Diasporës në gjithë Amerikën.
Nika nuk është thjesht një këngëtar që mjaftohet me interpretimet e tia, por është edhe një kompozitor dhe rapsod i talentuar edhe si instrumentist, pasi ai bie çiftelisë dhe fizarmonikës.
Krijimtaria e Nik Çarkut nuk ka ngeluar asnjëherë brenda kornizave të një krijimtarie vetjake, por është gërshetuar me bashkëpunimet e tij të shumta me kolegë poetë e kompozitorë si: poetët Gjokë Beci, Sali Mani, Kadri Fikaj, Gjovalin Lumaj dhe Ramazan Çeka, duke vijuar me kompozitorët; Ymer Neli e Behar Neli, si dhe me Edmond Xhani në orkestren e Radio Televizionit Shqiptar dhe me kompozitorin Tom Lleshaj në Amerikë, duke u bërë kështu garanci e suksesit në aktivitete kulturore, festivale e koncerte, por dhe festa kombëtare, si ngjarje të rëndësishme kulturoro-artistike dhe historike për komunitetin shqiptar në Amerikë, si dhe në gëzime familjare.
Për këto aktivitete mund të veçojmë ngjarje të tilla si: “Festa e Flamurit” dhe “Vite të Reja” në Los Angelos, San Francisco California, Boston, Michigan, Filadelfia, New York e deri në Australi e në Londër, Angli, duke bashkëpunuar në koncerte të ndryshme me maestro Raif Hyseni dhe këngëtaren e madhe Merita Halili, Anita Bitri, Sunaj Saraçi, Vera Uruçi, Haxhi Zeneli, Haxhi Maqellara, etj.
Puna e palodhur dhe me shumë vlera e këtij artisti ka sjellë edhe vlerësimin e tij nga institucione të pushtetit vendor si “Qytetar nderi” në “Malësi të Madhe”, “Qytetar nderi” në Komunen Rrethina, si dhe shumë vlerësime e mirënjohje të tjera.
Këto vlerësime janë bërë këtij artisti në karrieren e tij, nisur nga sukseset që ai ka korrur, duke lënë të pashlyera interpretimet brilante të këngëve: “Luj Lirie Lujë” (1994), “Kam Kosovën gjak e shpirt”, “Jemi bij të këtij vendi”, “Ulni burra t’pajtojmë vendin”, “Bjeshkëve të Shalës ju çoj një fjalë”, “Veten e mallkova”, “100 vjete Malsia priti”, “Kënga e Zeqir Kukës” etj, etj.
Të gjitha këto që unë po shkruaj për këtë personazh, për portretizimin e tij fizik e shpirtëror, tregojnë se unë atë e njoh mirë, jo vetëm si shkodran, por edhe si artist, sepse këto karakteristika më kanë motivuar që të krijoj me të jo vetëm marrëdhënie shoqërore, por edhe marrëdhënie pune, siç është bashkëpunimi në krijimtarinë artistike, e cila që nga njohja e parë ka pasur jo vetëm vlerësime, por edhe suksese. Dashuria për Atdheun, dashuria dhe respekti për njeriun, dashuria për këngën dhe traditen shqiptare, janë jo vetëm motivimi i tematikës së krijimtarisë së këtij artisti interpretues, por edhe kredoja e tij, frymëzimi i tij kombëtar, që në gjithë këto vite i kanë sjellë reputacion dhe suksese, jo vetëm në trevat shqiptare, por kudo anë e mbanë botës ku jetojnë shqiptarë. Kjo tematikë e gjërë pasqyrohet më së miri në repertorin e tij të pasur, me të cilin vazhdon të jetë në majat e suksesit si një kulm i karrierës së tij të hershme si këngëtar, kantautor apo rapsod. Në repertorin e tij ka larmi tematika e jetës shqiptare, historike e bashkëkohore. Ai i këndon me epizëm ngjarjeve të mëdha historike, por i këndon me lirizëm e ndjenjë edhe dashurisë, familjes dhe natyrës së vendeve tona të mrekullueshme