Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Bexhet Jagodini

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Bexhet Jagodini

Këndimi  arkaik i këngëtarëve të trevës së Kërçovës,  përgjithësisht është këndim serioz,  që duket se mbart me  vete një formë të këndimit me një meditacionit tipik, një stoicizëm unik,  i cili nuk hetohet në asnjë trevë tjetër shqiptare, por as në trevat e Ballkanit. E veçanta e këtij këndimi vërehet në thjeshtësinë e rrëfimit fragmentar dhe artistik, karakteristikë e këngëve të jugut të Shqipërisë. Kënga tipike e malësorëve të Kërçovës ka edhe karakter  meditativ sa në shumë raste, kënga në trio, pa përcjellje muzikore, duket e njëjtë me meditacionin dhe këndimin arkaik të popujve të Lindjes, njëlloj këndimi, jo aq karakteristik për trevat e tjera të Iliridës. Këtë përshtypje subjektive kam për këto këngë, të cilat gjatë shekujve, mendoj se  kanë ruajtur trajtat arkaike të manifestimit artistik dhe krejt kjo dëshmon qartë se banorët e kësaj pjese të Iliridës kanë një strukturë të fortë të ADN-së kombëtare, e cila i ka përballuar me shumë sukses, mizorive  pushtuese,  dhunës së sundimtarëve të ndryshëm të veriut e jugut, të Lindjes e Perëndimit. Ata,  pavarësisht zezonave shekullore kanë qëndruar si digë e fortë gjenetike, kombëtare kundër  eliminimit  dhe asimilimit, edhe pse pësimet kanë qenë të një pas njëshme deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila me gjakun e derdhur të dëshmorëve stopoi asimilimin dhe dëbimin e shqiptarëve nga trojet stërgjyshore.

Në studimet dhe vrojtimet e mia për këngën shqiptare, këngëtarët e këngëtaret e të gjitha trevave tona nga Çamëria, kënga arvanitase e mallit dhe e humbjes historike të identitetit gjuhësor e kombëtar, kënga arbëreshe e mbijetesës shekullore,  dhe këngët e të gjitha trevave shqiptare, kam vërejtur në radhë të parë begatinë e madhe dhe të shumëllojshme të shprehjes së botës artistike shqiptare  përmes këngës e valles, dhuntia që Hyji i ka dhënë njeriut, këngëtarit, për të qenë subjekt dhe objekt i shprehjes artistike.

Duke qenë dikur një popull i madh që shtrihej gjerë e gjatë në Iliri, si dardanë, epirotë, arbër e më vonë shqiptarë, ata  i rrudhi koha, pushtimet, por ruajtën tabanin, ruajtën veçoritë krahinore, veshjet karakteristike, vallëzimin natyral edhe të improvizuar nganjëherë edhe teatral, sipas kërkesave të dëgjuesve dhe shikuesve të kohës. Nuk mohohet dot fakti se këngëtarët shqiptarë kanë dhënë e kanë marrë, por mendoj se më shumë u kanë dhënë popujve fqinjë, sidomos atyre me të cilët kanë jetuar më shumë,  gjatë shekujve.

Kënga e Behxhet Jagodinit dallohet me shumë veçanti në mesin e këngëve burimore kërçovare

Në opusin shumë të pasur të këngëve kërçovare, këngët me origjinale dhe më të shumëllojshme nga shumë treva shqiptare,  shquhet për këndim sa origjinal, aq  edhe përkushtues e frymëzues, Behxhet Jagodini, i cili tashmë radhitet në mesin e këngëtarëve më të njohur, jo vetëm në trevën e vetë, por  në nivel kombëtar.

I rritur, i edukuar dhe i shkolluar në një klimë kombëtare, edhe pse deri vonë nën dhunën e robërinë pushtuese, ky këngëtar i trevës së Kërçovës qysh në rini kishte thithur nektarin e këngëve të  pararendësve dhe shpirti ia kishte kërkuar e zemra ia kishte kënduar këngën e vendlindjes, ‘këngën e deles Rude’, këngën e pikëllimit të “udhës së Shullanit”, këngën e “shtatë bilbilave shtatjeshila”, “shamikuqen”, e sa e sa këngë kujtimesh e përjetimesh fragmentare,  me të cilat përbëhet jeta dhe të cilat e përcjellin gjatë tërë kohës  si frymëzim, si valvul i jetës, pa të cilin nuk thith, nuk nxjerrë frymë,  as varg kënge.

Janë tingujt magjikë të  këngëve, të cilat rrjedhin krejt natyrshëm, qysh nga lindja e njeriut, duke e dëgjuar këngën e kënduar nga të tjerët, pastaj  duke i ndjerë thellë në qenie tingujt e natyrës, duke dëgjuar zërin melodik të fyejve e kavallit, të dairesë e tupanit, të çiftelisë e sharkisë, por në rastin konkret të këngës kërçovare të këngës semi-polifonike, atëherë të gjithë këta elementë bashkë-dyzuesh shpërthejnë, ashtu si bima që del prej toke dhe fillon kënga bashkë me jetën, apo jeta me këngën, krejt një.

Te Bexhet Jagodini fjala e këngës shprehet krejt magjishëm përmes tingujve, tinguj  që thyhen  e përthyhen në të gjitha nivelet e timbrit muzikor,  duke i nxjerrë asaj çdo nuancë shprehjeje,  që disponon me intelektin e tij muzikor ky këngëtar, vazhdues, interpretues   dhe begatues i denjë i këngës kërçovare, këngës  së këngëve shqiptare të lashtësisë, një motërzim i natyrshëm i monofonisë dhe polifonisë, polifonike shqiptare, që ka origjinë nga para  Iliria e Dardania, nga kënga bizantine e mallit me nuansa edhe të begatisë muzikore lindore, e cila i dedikohet më shumë shpirtit, karakteristikë kjo e kulturës muzikore lindore-orientale.

Këngëtari,  Bexhet Jagodini, ka përvetësuar shumë nga nektari i këngës kërçovare, të cilës ia di të gjitha fshehtësitë mjeshtërore të shprehjes, por duke qenë këngëtar  i lindur për të kënduar dhe për  ta mbërthyer këngën  nga çdo cep i saj, ai shtrihet gjerë e gjatë,  në frymëzimin dhe begatinë që i ofron ajo. Ka çaste kur ai ndihet mbret i këngës, por edhe shërbëtor i saj. Ndërsa gjatë këndimit duket se gjithnjë zbulon të veçantat e shprehjes poetike, gjithnjë gjurmon dhe gjithnjë gjen nga diçka nga ajo që kërkon ta shpreh, për veten dhe për të tjerët, që e dëgjojnë. Sepse këngëtari apo këngëtarja janë artistë të vërtetë,  vetëm atëherë kur këndojnë për vete dhe për të tjerët. Shumë nga këngëtarët këndojnë vetëm për të tjetër dhe kjo shpie deri  te ajo “industria” e shpërfytyruar e tallavasë, njëlloj kanceri i këngës shqipe, por që nuk po arrin ta infektojë këngën burimore sheiptare, e cila po shënon kulmet e shprehjes së saj bashkë me frymëmarrjen e lirisë së shqiptarëve, të larë me gjakun e dëshmorëve e martirëve të kombit.

Këngëtari i apasionuar,  Behxhet Jagodini, disponon një fonetikë shumë të pasur zanore të këndimit, e cila vibron me tonalitet shumëtingëllor me një begati fonematike magjiplote, që buron nga thellësitë e shpirtit  dhe që i referohet qoftë narracionit dhe përmbajtjes së këngës, qoftë begatimit të saj tingëllor, duke e stisur nga çdo anë,  për ta nxjerrë  sa më të natyrshme, më tipike dhe më autentike.

“Semantika” muzikore e Bexhet Jagodinit ka disa veçanti, me të cilat ai si edhe këngëtarë të tjerë të mëdhenj, ka ndërtuar stilin autentik të këndimit, stilin origjinal, stilin e ‘vajzamanit’ shekullor shqiptar,  të ndjenjave të kohëve të humbura e të tërhequra zvarrë  nëpër shekuj, të këngëve të mallit dhe të rravgimeve  të jetës shqiptare,  këngë e mall, këngë e vaj, këngë e frymëzim,  këngë e  këngë, të valvulit më të fortë të shprehjes shpirtërore, të  nxjerrjes  së saj nga  thellësitë e shpirtit…

Ky këngëtar, ashtu sikur edhe vëllezërit Sejdiu e vëllezërit Dervishi, por edhe shumë të tjerë, secili sipas nivelit të vet, (që është vështirë ta zgjedhësh më të mirin), ka të veçantat e këndimit dhe ato vërehen  sidomos në mënyrën sesi i përkushtohet këngës, të cilën e përjeton në çdo zanore, rrokje e fjalë, me një “gramatikë” të pasur muzikore me kombinim notash e zërash, që tipizojnë fuqinë shprehëse duke krijuar një botë sa reale aq edhe imagjinare, duke u futur  thellë në të fshehtat artistike të këndimit.

Këngët  e Behxhet Jagodinit, vëllezërve Sejdiu e vëllezërve Dervishi, pastaj të Besiana Mehmedit, Ylmize Tafallarit, ( e cila për nga mënyra e këndimit i përket kësaj treve të këngëve, që nis nga Opoja e Shari, Tetova e bën tutje Gostivarit)  Daut Zenkut, Lumturie Axhami-Sejdinit, Sylejman Memishit, Besnik Bajramit, Mejreme Kurtit,  e jo pak  të tjerëve, janë këngë të nivelit të lartë artistik, këngë të frymëzuara dhe të përforcuara artistikisht e profesionalisht nga të gjitha segmentet, me qëllim për ta ruajtur traditën shekullore me brumin e kohës, por edhe për t’ i përballur kafshimeve “tallava” të kohës, për të ruajtur dhe për ta restauruar me sukses identitetin autentik të këndimit shekullor shqiptar, si pjesë e qenies homogjene artistike,  historike.

Niveli i lartë artistik i këtyre këngëve nuk do të arrihej si duhet pa një orkestrim profesional dhe të shumëllojshëm me instrumente të ndryshëm muzikorë nga veglat e moçme muzikore deri te orkestrina e kombinuar, e cila iu korrespondon për mrekulli këngëve të këtyre këngëtarëve, të cilat kanë begatuar dhe po e begatojnë me përkushtim këngën shqipe, këngën që më së miri shpreh shpirtin shqiptar, shpeshherë të lënduar e të dhunuar, por gjithnjë të mbijetuar.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …