Në trevat e Veriut të Shqipërisë, tradicionalisht janë ruajtur këngët rapsodike shqiptare, në mënyrën më origjinale të mundshme të këndimit, madje kjo trashëgimi kulturore artistike ka qenë burim frymëzimi edhe për poetë e krijues të njohur, sidomos për Gjergj Fishtën, i cili me të drejtë cilësohet si Homeri Shqiptar. Ai burim frymëzimi kishte këngën e popullit të kësaj pjese të Shqipërisë. Po kështu kjo është po thuajse e vetmja zonë e trashëgimisë folklorike shqiptare në të cilën nuk ka depërtuar as edhe një element i ndikimit të muzikës orientale, sllave, apo greke. Dhe ajo që është me rëndësi, ky ta quamë bastion autentik folklorik i ka përballuar kohës deri në ditët tona kur tallavaja e kënga e degjeneruar në disa treva të vendit, po përpiqet t’ ia zë frymë muzikës tradicionale shqiptare.
Kur dëgjon duke kënduar Gjovalin Prronin që zbraz zëra si vetëtima me bubullimën prapa, por me një harmonizim të mrekullueshëm të tërësisë së këngës, Kur dëgjon duke kënduar, Ndue Shytanin, me zërin e tij të fuqishëm si jehonë bjeshke e alpeve shqiptare, me një fonetikë të pastër të shqiptimit të fjalëve, Fran Kodrën, që e zotëron magjishëm këngën, të cilën e thur dhe e këndon vetë në mënyrë origjinale, Gjon Frrokun, që këndon me pasion të talentit të lindur dhe kur këndon bëhet një me këngën, pastaj Gjovalin Shanin me zërin melodik dhe talentin e shquar të këndimit, Gjelosh Hajdarin, i cili kur këndon për Kryetrimin e Arbrit, duket se po vërtit shpatën e Gjergj Kastriotit, kur dëgjon këngën e pajtimit e të vëllazërisë shqiptare pa dallim feje e ndasie, të Gjin Donës, apo këngët e këngëtareve të mirënjohura, Dava Gjergji, Prena Beci, Mrika Trumshi, Anjeza Ndoj, Vida Kunora, Gofile Papleka, Fatmira Breçani, Violeta Shqau e të tjera, dëgjuesi doemos se përjeton jo vetëm disa këngë më shumë të një programi të pasur artistik, por ajo që ngelet në kujtesë për shumë kohë është mënyra heroike, arkaike e këndimit nga të gjithë këta këngëtarë e këngëtare, një këndim i mobilizuar, i lidhur, i sistemuar, i harmonizuar në të gjitha segmentet artistike, që të mbanë vëmendjen vazhdimisht të lidhur për këngën, me përmbajtjen, ritmin dhe gradacionin e saj të fuqishëm.
Të shkruash për këta këngëtarë veç e veç është një punë sa e rëndë aq edhe me peshojë e përgjegjësi, sepse ke të bësh me një plejadë të fuqishme zërash, emra këngëtarësh e këngëtare shumë të njohur, ku e ke vështirë të përcaktohesh se cili është më talent se tjetri, se cili apo cila është më e dalluar me zërin, shqiptimin, këndimin, qasjen ndaj këngës, njëzimin dhe përjetimin e fuqishëm, repertorin e pasur, talentin e lindur për këngë, vitet e këndimit e sa e sa veçori, veçanti e karakteristika të tjera.
Gjovalin Prroni
Nga ky mes rapsodësh të mirënjohur, kësaj radhe kam veçuar, këngëtarin e Dukagjinit të Shkodrës, Gjovalin Prronin, i cili i takon plejadës së këngëtarëve ndër më të njohurit, jo vetëm të trevës nga e cila rrjedhë, por të këngës shqiptare në përgjithësi, sepse ai i këndon lirshëm, me përkushtim e dashuri secilës këngë të trojeve shqiptare, duke ia ruajtur tiparet, melosin, veçantitë madje edhe vokabularin autentik, krahinor.
Kur zëri i Gjovalinit reflekton dhe amplifikon lartësive të Alpeve shqiptare, ai jehon fuqishëm lugjeve e brigjeve nga Malësia e Madhe, shpërndahet kudo nëpër trojet kombëtare, ashtu si zëri i rapsodive homerike, që jehon në vazhdimësinë e ritmikës epike-heroike, që nuk shter kurrë në trojet tona, ku kënga ka shoqëruar shqiptarin që nga antikiteti së bashku me ushtën e heshtën, me jataganin e pushkën e gjatë, me maliherin e mauzerin e deri në kallashin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilës me aq përkushtim e zë grykëholle iu këndon këngëtari i mirënjohur, Xhovalin Prroni.
Në bashkëpunim me emra të njohur kompozitoresh si Edmond Zhulali, Kolë Susaj, Roland Çukaj dhe tekst-shkruesin e papërsëritshëm të Malësisë dhe tërë Shqipërisë, Gjokë Beci, e disa të tjerë, kënga e Gjovalin Prronit del e kompletuar në pikëpamje të kompozimit artistik, melodisë, përmbajtjes të cilën e shtjellon dhe e këndon me një seriozitet e përkushtim të veçantë, duke i ndërshtënë zërin e fuqishëm shpërthyes, heroik e mobilizues, zërin e amplifikuar me tonalitetin e pasur të alpeve shqiptare, të cilat jehojnë në metafizikën e tyre përjetësore, duke u fragmentuar në kohë e hapësirë, në këngën e heroizmit dhe të tragjikes shqiptare…
Gjovalin Prroni e zotëron këngën nga të gjitha segmentet e saj, e këndon dhe e përjeton duke u bërë një me të, ashtu sikur bëjnë vetëm këngëtarët më të njohur, e shqipton drejt tingullin, fjalën, e ndan për mrekulli sintagmën dhe e përmbaron me lehtësi vargun, duke mos u ndalur deri në dhjetëra e qindra vargje të tjera.
Përshtypja e parë që krijohet kur e dëgjon duke kënduar këtë këngëtar, është zotërimi i këndimit nga ana e tij, zëri si i grykëhollës, zë i fuqishëm mashkulli që arrin tonalitetet më të larta të shprehjes zanore, zë të cilit nuk i mungon muzikaliteti i caktuar, po kështu një tipar i veçantë i lindur i fonetikës së tij, sepse zërat e fuqishëm e marrin dhe e përlajnë para “ngjyrën” e zërit.
Po kështu veçohet serioziteti në lëvizjen me elegancë dhe të matur të gjymtyrëve të trupit, gjatë këndimit, një lëvizje e harmonishme, e matur por edhe prezantuese e imponuese, me zërin-pushkë dhe paraqitjen me dinjitet, sidomos me veshjen tradicionale shqiptare dhe fragmentet e flamurit në plisin e bardhë, që ia shtojnë edhe më shumë tiparin burrëror dhe atë tradicional.
Paraqitja e tij në këngë, veçmas në këngët solo është paraqitje origjinale dhe të sjellë në kujtesë rapsodin shqiptar gjatë shekujve, që këndon herë ulur, këmbëkryq, pastaj në këmbë por edhe duke ecur nëpër fusha, male e kodrina.
Kënga e kënduar me përkushtim e Gjovalin Prronit do të dëgjohet me ëndje kudo në trojet shqiptare, sepse i plotëson të gjitha komponentët, madje në nivel shumë të lartë artistik, për të qenë këngë konkurrente dhe për t’ i nxitur këngëtarët, jo për ta kopjuar sikur bëjnë disa, por për të mësuar nga shembulli dhe qasja e tij autentike ndaj këngës.
Ahmet Qeriqi
Prill 2021