Hyrje
Këngëtari, i përmasave kombëtare me origjinë nga Lura e Dibrës, Arif Vladi radhitet në mesin e këngëtarëve më të njohur e më të preferuar të këngës burimore shqiptare kudo në trojet tona, në mërgatë e më gjerë. Koha që e lindi, e rriti e arsimoi dhe e maturoi, këtë këngëtar ndër më emblematikët, ishte koha e entuziazmit të ndërtimit dhe begatimit të jetës shqiptare, pas shkatërrimit mizor që kishte lënë robëria shekullore, ishte koha e zgjimit të përgjithshëm revolucionar, koha e arsimimit masiv, e zhvillimit me hov të të gjitha segmenteve të jetës, për herë të parë ishte koha e dëgjimit të vullnetit të zërit të vegjëlisë, të shtypur e të shfrytëzuar ndër shekujt e robërisë, ishte koha e kthesave kolosale, që i hapi shtigjet e lirisë në kuptimin më njerëzor e më human të fjalës, pavarësisht si kundrohet dhe si atakohet sot e kaluara 50-vjeçare e Shqipërisë Socialiste.
Rrethanat e reja që u krijuan në Shqipërinë e kohës, interesimi i pushtetit popullor për arsimimin dhe edukimin patriotik të masave, pretendimet e zgjimit dhe kalitjes së vetëdijes klasore e kombëtare, shpalimi i ngjarjeve historike dhe rikthimi i porosisë për bashkimin e kombit, ishin pjesë e programit për ndërtimin e identitetit kombëtar të shqiptarit bashkëkohor, pavarësisht sa u arrit në atë drejtim dhe pavarësisht si komentohet sot nga kundërshtarët e ish-regjimit, jo pak prej të cilëve kishin marrë pjesë në ngritjen e tij.
Pikërisht në atë kohë të zgjimit të madh, në atë kohë të mobilizimit të tërë një populli, që jetonte i ndarë nga bota dhe i rrethuar nga fqinjët grabitqarë, kënga, artet, kultura ishin bërë pjesë mobilizuese e politikës së Shtetit dhe të Partisë, dhe, si të tilla ato u bënë pjesë e kulturës socialiste, por me përmbajtje thellësisht kombëtare, pse jo edhe ideologjike, meqë në atë kohë socializmi ishte ideologji mbisunduese në pjesën më të madhe të shteteve të botës.
Natyrisht se kënga shqipe nuk erdhi me socializmin, meqë ajo kishte qenë pjesë e jetës shpirtërore e shqiptarit në tërë të kaluarën, dhe ishte ricikluar në përmbajtjen e saj, duke marrë e duke dhënë, sepse arti, këndimi, janë dhunti hyjnore, të tërë qytetërimit njerëzor, janë pjesa e entuziazmit dhe shprehjes së ndjenjave të natyrës gjenetike të qenies njerëzore.
Digresion
Kam shkruar dhe shkruaj veçmas për këngëtaret e këngëtarët shqiptarë, jo me qëllim lavdërimi, hatri, apo me porosi, por në radhë të parë për qëllime objektive, kulturore, por edhe për faktin se një pesë e programit të Radios Kosova e Lirë, Radio e luftës dhe e paqes në Kosovë, të cilën e drejtoj nga 4 janari i vitit 1999, mbulohet me këngë të këngëtarëve më të njohur të muzikës shqiptare. Andaj, shkrimet afirmative dhe publikimin e tyre e ndiej një obligim parimor, intelektual, në shenjë falënderimi për këngëtarët e këngëtaret, këngët e të cilëve i transmetojmë për çdo ditë, por edhe një përpjekjeje për të vënë në pah vlerat përmbajtësore e artistike të këngëtarëve të shquar, jo të gjithëve, sepse është e pamundshme, por të këngëtarëve e këngëtareve, të cilët me këngët e tyre janë dëshmuar për cilësi, origjinalitet, profesionalizëm, përkushtim, vokal cilësor e veçanti të tjera krijuese të këndimit.
M këtë rast kam për të shpalosur edhe një të veçantë tjetër, që ka të bëjë me luftën e UÇK-së dhe fillimin e transmetimit të programit të Radios Kosova e Lirë.
Në hulumtim të gjetjes së një efekti muzikor, për siglën paralajmëruese të programit Radios, meqë nuk kishim mundësi për një kompozim origjinal, isha përcaktuar për efektet muzikore të këngës, Jam Kosova e shqiptarisë, kënduar nga Arif Vladi dhe kompozuar nga Edmond Zhulali. Natyrisht në kushte dhe rrethana lufte, pa pasur asnjë mundësi për të marrë leje nga autorët. Pas fillimit të programit, kënga Marshi i UÇK-së, transmetohej gati çdo ditë në emisionin e përditshëm muzikor.
Shtjellimi
Në studimet dhe vrojtimet e mia për këngën shqiptare, këngëtarët e këngëtaret e të gjitha trevave tona nga Çamëria, nga kënga arvanitase e mallit dhe e humbjes historike të identitetit gjuhësor e kombëtar, kënga arbëreshe e mbijetesës shekullore, dhe këngët e të gjitha trevave shqiptare, kam vërejtur në radhë të parë begatinë e madhe dhe të shumëllojshme të shprehjes së botës artistike shqiptare përmes këngës e valles, dhunti këto që Hyji i ka dhënë njeriut, në këtë rast këngëtarit, për të qenë subjekt dhe objekt i saj.
Duke qenë dikur, një popull i madh që shtrihej gjerë e gjatë në Iliri, si proto-ilirë, dardanë, epirotë, arbër e më vonë shqiptarë, ata i rrudhi koha, gjatë pushtimeve, por ruajtën tabanin, ruajtën veçoritë e begatshme krahinore, veshjet karakteristike, vallëzimin natyral edhe të improvizuar nganjëherë edhe teatral, sipas kërkesave të dëgjuesve dhe shikuesve të kohës.
Nuk mohohet dot fakti se këngëtarët shqiptarë kanë dhënë e kanë marrë, por mendoj se më shumë u kanë dhënë popujve fqinjë, sidomos atyre me të cilët kanë jetuar më shumë, gjatë shekujve.
E veçanta këndimit të Malësisë së Dibrës së Aziz Ndreut, Qerim Sulës e jo pak të tjerëve është ruajtja e kultivimi i këngës burimore pavarësisht edhe ndonjë ndikim, sepse melodia, kënga nuk njohin kufij. Ato në çdo kulturë muzikore të çdo populli të botës formësohen me notat; do re mi fa so la si do, ashtu sikur matematika me numrat elementarë nga 1 në nëntë e deri në pakufi…
Individualizimi dhe konkretizimi
Këngëtari i mirënjohur, Arif Vladi, me kohë ka krijuar stilin e vet autentik të këndimit, duke qenë edhe i arsimuar në artin e muzikës, andaj çdo këngë e tij shquhet për specifika origjinale, me korda të lindura, të begatshme e të pasura zanore, tonalitet të pastër në shqiptimin e fjalëve, në fillim me ndikim nga kënga dibrane e më vonë duke ndërtuar individualitetin me përmasa ndër më lapidaret, duke prekur majat e këndimit si pak këngëtarë të tjerë të muzikës burimore shqiptare. Shquhet mbi të gjitha për përmbajtjen kombëtare e shoqërore me fuqinë mobilizuese, fuqinë shprehjes artistike, në këndimin e këngëve të trimërisë, këngëve të dëshmorëve, por edhe të gjitha këngëve të zhanreve të tjera
Duke qenë këngëtar i afirmuar me kohë, Arif Vladi, i ka mbetur besnik traditës së këngës së tij, i ka mbetur besnik kohës, e cila ia hapi të gjitha shtigjet dhe i ofroi krejt çka kishte për t’ i ofruar dhe së cilës ai nuk ia ka kthyer shpinën, sikur mjerisht kanë bërë disa këngëtarë, pa kurriz, pa talent, shpërfillës e bukëshkalë…
Ai, asnjëherë nuk e ka tradhtuar kohën, e cila e arsimoi dhe e nxori në dritë me identitet, njerëzi, besë, moral tradite, sepse nuk ka kënduar “nga zori”, sikur përpiqen të na bindin disa sharlatanë, që jetojnë jashtë “kohës e hapësirës”, por ka kënduar e këndon me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, duke derdhur tërë dashurinë e tij si këngëtar, duke mos e kursyer veten për t’ u bërë gjithnjë bashkë me te, andaj edhe nuk heq dorë nga ajo, sepse kënga nuk është rrobë që vjetrohet, e pastaj hidhet, nuk është mall tregu që blihet lirë, e shitet shtrenjtë. Kënga është art, për më tepër është segment i artit që buron nga zemra e shpirti dhe i referohet dëgjuesit e shikuesit, andaj këngëtarët e njëmendtë, që kanë krijuar identitet dhe dinjitet, nuk i nënshtrohen fushatave të ditës, nuk heqin dorë nga repertori, nuk e mallkojnë as e përbuzin kohën, e cila i ka krijuar dhe së cilës edhe i kanë kënduar, jo nga zori, por nga dëshira, dashuria për këngën që buron nga thellësia e shpirtit të tyre.
Këngëtar, në mesin a atyre që i kënduan atdheut, partisë, lirisë dhe prijësit komunist, Enver Hoxha
Të kesh qenë këngëtar apo artist i nivelit më të lartë interpretues në kohën e Enver Hoxhës, ishte e arritura më e madhe jetësore. Gënjejnë dhe gënjejnë shumë ulët ata kameleonë, që ndërrojnë ngjyrë për përfitime çasti, por çasti, cilido qoftë ai nuk të bën përnjëherë artist apo krijues të njohur, përveç se sharlatan, pasi për t’ u bërë i njohur e për të arritur majat, duhet punë, mund, duhet të kalosh në sa e sa vështirësi me qëllim që t’ ia dalësh dhe janë krejt pak ata që ia dalin e shumë të tjerë, ngelin në rrugë.
Disa nga këngëtarët që i kanë kënduar me zemër e shpirt, Enver Hoxhës, të gjendur nën presion e kritikës fashiste e falangiste në vitet 90-të, e këndej janë detyruar ta ulin kokën duke arsyetuar se kishin kënduar prej zori. Disa nga më trimat që i kishin shërbyer Enverit, si pak kush donin të konvertoheshin brenda natës dhe nga besnikë e ithtarë fanatikë u kthyen në sharës e mohues, po aq fanatikë.
Disa e mohojnë tani, ashtu si Shën Pali kishte mohuar Krishtin, disa të tjerë e shajnë dhe e fyejnë edhe pse i kishin kënduar me zemër e dashuri. Pak prej tyre kanë ruajtur burrërinë, nderin, respektin, njerëzinë dhe nuk e shajnë prijësin, që kishte nxjerrë Shqipërinë nga errësira mesjetare dhe e kishte bërë evropiane në të gjitha segmentet.
Vetëm një krahasim kalimthi.
Të shkrish sot të gjitha grupet e këngëtarëve të ka Shqipëria, nuk e nxjerrë dot cilësinë e profesionalizmin e shfaqjes së një nate të vetme të Festivalit të Gjirokastrës sa i përket profesionalizmit, përkushtimit të këngëtarëve për këngë, seriozitetit në këndim, përmbajtjes së këngëve, prezantimin madhështor të skenave, entuziazmin e pa përmbajtur të publikut, për të cilin tani thuhet se paskësh qenë i improvizuar.
Njeriu qan prej zori, bërtet, pisket, hakërrohet, shëmtohet, çirret por nuk këndon prej zorit, përveç kur improvizon. Mund të këndohet një këngë pa dëshirë, po atë e hetojnë shikuesit e dëgjuesit, të cilët të fishkëllejnë të përbuzin, t’ i vënë brirët… Por si kanë mundur të këndojnë këngë për partinë dhe Enver Hoxhën mijëra këngëtarë nga zori?
Po si mund të këndohet një këngë me krejt fuqinë e shpirtit, të zërit, të përkushtimit, pa pasur motiv, pa pasur zemër, talent, arsimim përkatës dhe krejt kjo të bëhet prej zorit?.
Sipas këtij paragjykimi të çoroditur, del se krejt shqiptarët paskan kënduar prej zori. Nëse ka ndodhur kështu duhet pranuar edhe faktin tjetër, se krejt ata paskan qenë hipokritë dhe të pa ndërgjegje. Nuk ka këngëtar serioz dhe i njohur në botë që pendohet për këngët që i ka kënduar, mund të pendohet vetëm nëse nuk ka kënduar, aq sa ka mundur e sa ka ditur.
Në këtë aspekt, kënga e Arif Vladit është këngë tipike shqiptare, këngë e kohës sonë, këngë lirie por edhe epike, këngë e cila është fermentuar me tharmin e këngës shekullore shqiptare, me përmbajtje të vetë historisë sonë kombëtare e shoqërore, sidomos në 30 vitet e fundit. Arif Vladi e dashuron këngën, e dashuron me gjithë shpirt, e respekton e ndien thellë në shpirt dhe i përkushtohet asaj ashtu sikur, Shivan Perveri i Kurdistanit, si Salim Halali i Algjerisë dhe i Francës, ashtu si Ahmet Kaja i ndjerë, apo arvanitasi, Thanasi Moraiti, e shumë të tjerë
…
shtojcë
Arif Vladi, lindi më 3 shtator të vitit 1956 në Lurë ku kreu shkollën fillore, për të vazhduar Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe Akademinë e Arteve – dega kanto (1980). Si nxënës i klasës së gjashtë, u ngjit për herë të parë në skenë, në festivalet e zonës, për të vazhduar pa shkëputje në të gjitha festivalet folklorike të Rrethit, ndërsa kënga e parë e kënduar nga ai para publikut ishte “Djemtë e Lumës, hiç s’kanë dert”. Fama e tij artistike nisi në fillim të viteve të ’80-ta, ku pas mbarimit të Akademisë, dy vjet punoi si këngëtar në Ansamblin Shtetëror të Këngëve e Valleve dhe pastaj në Estradën e Peshkopisë (deri në vitin 1989), kurse kulmin famës e arriti në vitet e fundit të shekullit XX. Përhapja e famës së Arif Vladit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e diasporë, u bë me punimin e këngëve “O prite Azem Galicën”, “Hajredin Pasha”, “Jakup Ferri me bajrak”, “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “Jam Kosova e shqiptarisë”, “Marshi i UÇK-së”, etj. Si talent i rrallë i këngës shqipe, me popullaritet të pazakonshëm, merr pjesë në shumë turne ndërkombëtare, ku këngët e tij ishin “ajka” e repertorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, si në Francë (1980), Zvicër (1981), Gjermani Perëndimore (83), Algjeri-Tunizi (1984), Itali-Austri (85), Egjipt (89), etj. Në sirtarin e tij artistik rradhiten këto albume muzikore: “Arif Vladi këndon”, “Kënga ime për shqiptarët”, “Unë dhe këngët e mia”, “Jam Kosova e shqiptarisë”, “Marshi i UÇK-së”, etj.
Arif Vladi me këngën e tij të kënduar me profesionalizëm dhe përkushtim të pashoq, u bë “pushka” atdhetare e shqiptarisë, krisma e të cilës u dëgjua në luftën heroike çlirimtare të UÇK-së së Kosovës, për çlirimin njëherë e përgjithmonë nga regjimi i Serbisë. Sot ai bashkë me familjen jeton e vepron në Belgjikë, por kohë pas kohe vjen në Shqipëri e Kosovë, ku me bashkëpunëtorët e tij: tekstshkruesin Agim Doçi, kompozitorët Edmond Zhulali e Përparim Tomçini, me këngëtarin që kanë realizuar disa hite kushtuar heronjve dhe kombit shqiptar Ilir Shaqiri, punon projekte të reja. Sivjet, për personalitetin dhe veprimtarinë e tij artistike, të pazakontë deri më tani, është realizuar një film dokumentar nga kolegu i tij Ilir Shaqiri, regjisori Blerdi Malushi, e gazetari Besart Galica, i titullluar “Arif Vladi – Zëri i këngëve lapidare” u shfaq në Muzeun Historik në Tiranë dhe në Qendrën për Kulturë “Haki Stërmilli” në Peshkopi. Emri i Arif Vladit do të përmendet gjithnjë, asnjë kohë nuk do të kalojë pa e kujtuar këtë këngëtar brilant, dhe do ngrihet në krahët e kujtesës për të fluturuar në fushat e mbjella me histori e kultura të reja të së ardhmes.
Veprat
Enver Hoxha Tungjatjeta
Arif Vladi është këngëtar i njohur. Më datë 10 Nëntor 2018, Arif Vladi, Ilir Shaqiri & Nikolle Nikprelaj publikojnë videoklipin “Kaloresi I Lirise”. Muzika e këngës u punua nga Edmond Zhulali, teksti u shkrua nga Ilir Shaqiri, ndërsa për orkestrimin u kujdes Edmond Zhulali.
Më datë 7 Dhjetor 2019, Arif Vladi & Kastriot Tusha publikojnë videoklipin “Per Ty Shqiperi”. Muzika e këngës u punua nga Edmond Zhulali, teksti u shkrua nga Çun Lajçi, ndërsa për orkestrimin u kujdes Edmond Zhulali. Më datë 9 Shkurt 2020, Arif Vladi publikon videoklipin “Rexi Amerikani”.
Më datë 11 Shkurt 2020, Arif Vladi publikon videoklipin “Djemte E Dibres, Djemte E Camit”. Muzika dhe orkestrimi i këngës janë punuar nga Edmond Zhulali. Më datë 18 Shkurt 2020, Arif Vladi publikon videoklipin “Lisi I Gjakut Lisi I Trimave”. Muzika e këngës u punua nga Edmond Zhulali, teksti u shkrua nga Agim Doçi, ndërsa për orkestrimin u kujdes Edmond Zhulali. vikipedia
Arif Vladi, një legjendë e gjallë e këngës epiko-historike
Repertor i larmishëm me këndë të theksuara epiko-historike e bënë Arifin një këngëtar emblematik të veçantë dhe të pa zëvendësueshëm në interpretimin e tyre. Po kështu, ai këndon shumë mirë dhe këngën lirike. Ka shumë këngë që i kushtohen vendlindjes së tij, Lurës, bukurive natyrore të saj, njerëzve të mrekullueshëm të atyre anëve dhe vlerave njerëzore dhe humane të tyre. I tillë është Arif Vladi, krenaria e Lurës, krenaria e këngës Dibrane, krenaria e gjithë shqiptarisë. Arifi ka një bashkëpunim të mirë edhe me disa këngëtarë të tjerë dhe ka nxjerr me to disa videoklipe, si “Kalorësi i lirisë”, një bashkëpunim me këngëtarët e mirënjohur e të afirmuar, Ilir Shaqiri dhe Nikoll Nikprelaj, me tekst të Ilirit dhe orkestrim të Edmond Xhulalit. Me Ilir Shaqirin ka shumë bashkëpunime, mes të cilave janë të njohura këngët “Arbëria, Dardania”, “Kënga e bashkimit”, “Zëri im, shpirti im, gjaku im Shqipëria:, “Këngë për Remzi Ademin”, “Sherif Jasharin” etj. rruga e arbërit