Këngëtari, i mirënjohur, Nikollë Nikprelaj, me origjinë nga Trieshi i Malësisë së Madhe, radhitet në mesin e këngëtarëve më të njohur e më të preferuar të këngës burimore shqiptare, i cili qysh moti ka dalë jashtë folesë krahinore, duke hyrë lirshëm e natyrshëm, duke depërtuar në radhët e para të Panteonit të botës autoktone shqiptare të artit të këndimit. Ashtu së këngëtarët e lindur me talent e zërin dhuratë nga natyra bio-fiziologjike, me kordat harmonike të zërit të mrekullueshëm, Nikollë Nikprelaj, ka kënduar e këndon me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, duke derdhur tërë dashurinë e tij si këngëtar, duke mos e kursyer veten për t’ u bërë gjithnjë bashkë me këngën, andaj edhe nuk heq dorë nga ajo, sepse kënga nuk është rrobë që vjetrohet, e pastaj hidhet, nuk është mall tregu që blihet lirë e shitet shtrenjtë. Kënga është art, për më tepër është segment i artit që buron nga zemra e shpirti dhe i referohet dëgjuesit e shikuesit, andaj këngëtarët e njëmendtë, që kanë krijuar identitet dhe dinjitet, nuk i nënshtrohen fushatave të ditës, nuk heqin dorë nga repertori, nga trashëgimia shumë e begatë e këngës shqipe, por e pasurojnë atë në sendimentin autokton, duke ndërtuar identitet, origjinalitet, me specifika të kohës e hapësirës, të sintonisë muzikore, e cila u ka bërë ballë shekujve të pushtimeve e konvertimeve, që nga e kaluara e largët…
Digresion
Kam shkruar dhe shkruaj veçmas për këngëtaret e këngëtarët shqiptarë, jo me qëllim lavdërimi, hatri, apo me porosi, por në radhë të parë për qëllime objektive, kulturore, por edhe për faktin se një pesë e programit të Radios Kosova e Lirë, Radio e luftës dhe e paqes në Kosovë, të cilën e drejtoj nga 4 janari i vitit 1999, mbulohet me këngë të këngëtarëve më të njohur të muzikës shqiptare. Andaj, shkrimet afirmative dhe publikimin e tyre e ndiej një obligim parimor, intelektual, në shenjë falënderimi për këngëtarët e këngëtaret, këngët e të cilëve i transmetojmë për çdo ditë, por edhe një përpjekjeje për të vënë në pah vlerat përmbajtësore e artistike të këngëtarëve të shquar, jo të gjithëve, sepse është e pamundshme, por të këngëtarëve e këngëtareve, të cilët me këngët e tyre janë dëshmuar për cilësi, origjinalitet, profesionalizëm, përkushtim, vokal cilësor e veçanti të tjera krijuese të këndimit.
Shtjellimi
Në studimet dhe vrojtimet e mia për këngën shqiptare, këngëtarët e këngëtaret e të gjitha trevave tona nga Çamëria, nga kënga arvanitase e mallit dhe e humbjes historike të identitetit gjuhësor e kombëtar, kënga arbëreshe e mbijetesës shekullore, dhe këngët e të gjitha trevave shqiptare, kam vërejtur në radhë të parë begatinë e madhe dhe të shumëllojshme të shprehjes së botës artistike shqiptare përmes këngës e valles, dhunti këto që Hyji i ka dhënë njeriut, në këtë rast këngëtarit, për të qenë subjekt dhe objekt i saj.
Duke qenë dikur, një popull i madh që shtrihej gjerë e gjatë në Iliri, si proto-ilirë, dardanë, epirotë, arbër e më vonë shqiptarë, ata i rrudhi koha, gjatë pushtimeve, por ruajtën tabanin, ruajtën veçoritë e begatshme krahinore, veshjet karakteristike, vallëzimin natyral edhe të improvizuar nganjëherë edhe teatral, sipas kërkesave të dëgjuesve dhe shikuesve të kohës.
Nuk mohohet dot fakti se këngëtarët shqiptarë kanë dhënë e kanë marrë, por mendoj se më shumë u kanë dhënë popujve fqinjë, sidomos atyre me të cilët kanë jetuar më shumë, gjatë shekujve.
E veçanta këndimit të Malësisë së Madhe është ruajtja e këngës burimore nga ndikimi oriental, por me një nivel të ndikimit të këngës së dikurshme bizantine e romane e paksa edhe veriore, sepse melodia, kënga nuk njohin kufij. Ato, në çdo kulturë muzikore të çdo populli të botës formësohen me notat; do re mi fa so la si do, ashtu sikur matematika me numrat elementarë nga 1 në nëntë e deri në pakufi…
Këngëtari, meritor, Nikollë Nikprelaj me kohë i ka thyer barrierat krahinore, ku ka marrë hovin e parë të këndimit, i frymëzuar nga këngët e trimërisë të Lahutës së Malësisë së Gjergj Fishtës, pastaj nga kënga burimore e Malësisë së Madhe me motive të pasura të trashëgimisë autoktone, duke e pasuruar fondin edhe me këngë të trevave të tjera shqiptare kryesisht të Veriut të trevave tona, tashmë të rrudhura nga kafshimet e fqinjëve grabitqarë, por të pa harruara nga mbamendja e rapsodëve, që ka përcjellë rrjedhat historike të rënieve e ngritjeve nga brezi në brez, nga lashtësia homerike e deri në ditët tona.
Pikërisht në këtë kuantum unik të këndimit, bën pjesë Nikollë Nikprelaj, me të veçantat dhe specifikat e këndimit të tij. Ai, ashtu si këngëtarët antologjikë, shquhet për zërin melodik, të lindur por dhe të maturuar, një zë që aq shumë amalgamohet me akordin e sintonisë instrumentale muzikore, zë i pasuruar me vokacion origjinal që për mrekulli i përshtatet tingujve të lahutës, çiftelisë, fyellit, harmonikës dhe çdo lloj orkestrineje profesionale.
Ai i referohet këngës, duke e formësuar dhe duke e ngjeshur me shumë komponentë autentikë, duke ruajtur në radhë të parë jehonën historike të këngës autoktone shqiptare dhe duke e njëzuar atë me këngët e trevave të tjera, në të cilën janë përshtresuar elementë autentikë muzikorë, të cikluar e të ricikluar, që nga kohët e hershme e deri në ditë tona.
Konkretizimi dhe individualizimi
E veçanta mbi të gjitha të tjerat e këndimit dhe përshtatja fenomenale e zërit të këngëtarit, Nikollë Nikprelaj, vërehet sidomos në duet me këngëtare e këngëtarë të nivelit sipëror si me, Shkurte Fejzën, Ilir Shaqirin, Kastriot Tushën, Arif Vladin, Mahmut Feratin e të tjerë. Akordimi i tillë, edhe i ndërsjellë, shënon binom e trinom ekskluziv, me një përshtatshmëri lapidare të këndimit origjinal, muzikor, sui generis…
Në këtë kuantum vlerash, origjinale, këngëtari, Nikollë Nikprelaj shkëlqen në radhë të parë me origjinalitet krijues, perceptim të natyrshëm të brendisë, përmbajtjes e motivit të këngës, duke i shtjelluar dhe duke i harmonizuar të gjitha elementet, me të cilat përbëhet një këngë, qoftë ajo popullore, e përpunuar apo e zhanreve të tjera muzikore.
Paraqitja e tij para publikut është impozante me shtatin e hedhur të malësorit, me këndim mbresëlënës, pasi arrin ta zotërojë natyrshëm këndimin, t’i japë përmbajtjen e duhur natyrale me lëvizjet ritmike, me qëndrimin kurdoherë entuziast, duke qenë se në skenë kërkohet një manifestim sa entuziast aq edhe serioz e burrëror. Të gjitha këto dhunti e vlera shprehëse artistike i disponon dhe i vë në lëvizje me maturi, ky këngëtar ndër më meritorët e këngës shqipe.
Po ashtu, Nikollë Nikprelaj disponon një repertor të pasur me këngë të motiveve të ndryshme, prej atyre me përmbajtje atdhetare deri te këngët e dashurisë, të cilat i këndon me përkushtim, duke dhënë gjithçka nga vetja, me qëllim që ato të dalin sa më të bukura dhe sa më të pëlqyera për publikun, dëgjuesin e shikuesin. Realisht, kështu bëjnë të gjithë këngëtarët e këngëtaret, por secili e arrin cakun e vet të mundësive…
Do të veçoj me këtë rast këngën antologjike, për të mos thënë këngën e këngëve të tij, Oj lulja e Malësisë, Kjo është përzgjedhja sipas shijes sime individuale-emocionale, dhe nuk ka të bëj me ndonjë hulumtim…
Ritmika e kësaj kënge, zëri harmonik, teksti popullor, artistik tipik shqiptar, këndimi me plot emocione që dalin nga thellësia e ndijimit shpirtëror dhe shkrihen nëpër vargje, përbëjnë një tërësi fenomenale, artistike, ku janë bërë bashkë të gjitha elementet përmbajtësore në tërësinë e komponimit dhe këndimit…
Kënga burimore, shqipe e Nikollë Nikprelajt dhe e shumë këngëtarëve e këngëtareve të kohës sonë, që nga e kaluara e shtrirë në mënyrë sinkronike e diakronike, iu ka përballuar shekujve të riciklimeve e konvertimeve dhe po i përballon me sukses tallavasë e çoroditjes, e do t’ i përballojë krejt deri sa të ketë, komb, gjuhë, kulturë e traditë kombëtare, shqiptare. Këtë e kanë bërë të mundur dhe e bëjnë këngëtarët e këngëtaret që kanë idealizëm kombëtar, që i duan, i respektojnë, i ruajnë dhe i përparojnë, në radhë të parë vlerat kombëtare, por edhe ato të përbashkëtat, vlerat unike, kulturore, qytetëruese mbarë njerëzore.
Niveli i lartë artistik i këngëve të Nikollë Nikprelajt dhe këngëtarëve të radhës së tij, nuk do të arrihej sa duhet pa një orkestrim profesional dhe të shumëllojshëm me instrumente të ndryshëm muzikorë, nga veglat e moçme muzikore deri te orkestrina e kombinuar, e cila iu korrespondon për mrekulli këngëve të këtyre këngëtarëve, të cilat kanë begatuar dhe po e begatojnë me përkushtim këngën shqipe, këngën që më së miri shpreh shpirtin shqiptar, shpeshherë të lënduar e të dhunuar, por gjithnjë të mbijetuar.
Këngëtari, Nikollë Nikprelaj është aset shumë i çmuar i këngës burimore shqiptare.
Shtojcë me disa të dhëna të tjera të publikuara për këngëtarin, Nikollë Nikprelaj
Nikollë Nikprelaj është këngëtar i njohur nga Trieshi i Malësisë së Madhe. Nikolla gjithmonë ka pasur pasion për këngën, ai filloi të këndoi si profesionist në vitet e vonshme të rinisë. Nikolla poashtu është udhëheqës
i grupit folkloristik “Besa Trieshit”. Grupi ka fituar shumë herë vendin e parë nëpër koncerte dhe festivale nëpër Malit të Zi, Kosovë dhe Shqipëri. Nikolla është gjithashtu i njohur se luan në disa instrumente si,
lahutë, çifteli, sharki dhe fyell. Gjatë viteve, Nikolla ka nënshkruar kontrata me disa studio muzikore në Mal të Zi, SH.BA dhe Kosovë. Gjatë luftës në Kosovë, ai krijoi një album për të përkrahur popullin e Kosovës në luftën kundër Serbisë. Albumi ishte “Çlirimtarët Kokë Për Tokë” dhe u realizua në vitin 1999. Ky album ishte hit i madh në mesin e popullit të Kosovës, dhe si rezultat Nikolla u bë shumë i njohur në viset shqiptare, për zërin e tij të
shkëlqyeshëm dhe këngët me ndjenja patriotike mbi popullin shqiptar dhe luftën e tij gjatë shekujve
Gjatë karierës së tij, ai këndoi edhe në duete me këngëtarë të tjerë shqiptar si, Paulin Trieshi, Shkurte Fejza, Lirie Dedvukaj, Lekë Dedvukaj, Kristë Lleshi, Mahmut Ferati, Malësori, dhe të tjerë. Nikollë Nikprelaj, poashtu ka marrë pjesë në koncertet në New York, Michigan, Malësi, Kosovë, Shqipëri dhe Gjermani. Sot, ai jeton me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, Albinin dhe Arbenin, në Tuz të Malësisë, që gjindet në jug të Podgoricës, kryeqytetit të Malit të Zi. Përveç albumeve të suksesshëm, Nikolla poashtu ka realizuar edhe shumë single-hite. Këto përfshijnë hitet: “Oj Kosovë e kuqe”,
“Nuk Kem Tjetër Veç Një Nanë”, “Oj lulja e Malësisë”, “Pse jem Toskë e pse jem Gegë”, “Nuk jetoj n’tjetër fole”, “A durohet shkjau n’oborr”, “Dedë Gjo’Luli”, “Moj Kosovë t’u njeft e mira”, dhe të tjera.
Literatura
Ahmet Qeriqi, edicioni, Nëpër shekuj kënga e popullit, vepër në dorëshkrim.
Radio-Kosova e Lirë, Kultura,
Nikollë Nikprelaj – Biografia – Bio Shqip
Wikipedia