leoni

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit, Milaim Mezini

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit, Milaim Mezini

Lufta e UÇK-së, betejat e shumta dhe fitorja vendimtare kundër forcave kriminale serbe, Çlirimi e më pas Shpallja e Pavarësisë së Kosovës,  kanë lënë dhe po lë gjurmë në të gjitha zhanret e krijimtarisë, në poezi, prozë, roman, publicistikë, në studime të ndryshme, monografi për dëshmorët,  në artin figurativ, e mbi të gjitha në këngët folklorike, aq të dashura e të preferuara nga publiku ynë, jo vetëm në Kosovë po kudo në trojet shqiptare.

Deri tanë vetëm në Kosovë janë krijuar dhe përditë këndohen mijëra këngë për dëshmorët e martirët. Janë qindra këngëtarë, madje ndër më të njohurit që kanë kënduar e këndojnë këngët e tyre më të përkushtuara për dëshmorët. Në mesin e tyre ka edhe luftëtarë-këngëtarë, madje edhe shumë të njohur, të cilët edhe gjatë luftës, në kohën e pakët të pushimit, kanë marrë në duar çiftelinë dhe iu kanë kënduar bashkëluftëtarëve edhe vëllezërve të tyre.

Milaim Mezini

Në luftën e UÇK-së kanë rënë dëshmorë e martirë edhe shumë emra të njohur si këngëtarë, në mesin e tyre  edhe Beqir Gashi, Mujë Krasniqi, Muhamet Malësori, Bejtë Rexhepi Shaqë Avdia, Feriz Krasniqi e të tjerë.

Në mesin e këngëtarëve  që kanë këndur dhe këndojnë këngë patriotike e sidomos këngë për dëshmorët e UÇK-së, shquhet edhe këngëtari nga Zona e Sharrit, Milaim Mezini, i cili këngën e ka nisur me këngëtarin, po ashtu të njohur dhe të afirmuar, Mahmut Ferati.

Në periudhën e pas luftës, ai iu ka përkushtuar veçanërisht këngëve për dëshmorët, atdhetarët e njohur, pastaj këngë për ngjarje të caktuara të historisë, këngë lirike, madje edhe humoristike  e satirike, këngë sociale duke krijuar në këtë mënyrë, një opus shumë të pasur me disa karakteristika të veçanta të këndimit dhe me një stil tanimë të standardizuar.

Ajo që e dallon këtë këngëtar nga të tjerët, është mënyra autentike e këndimit me nuanca krahinore të muzikës së rajonit të Sharrit, nga ajo baritore e lirike deri te muzika e orkestruar me shumë mjeshtëri dhe me komponentë të begatshëm muzikorë, artistikë, të cilat e radhisin në mesin e këngëtarëve të mirënjohur, jo vetëm nga treva nga e cila vjen, por në përgjithësi në “Korin e Madh” të këngëtarëve që i këndojnë lirisë, heroizmit të dëshmorëve e heronjve dhe që janë mjaft të përhapur e mjaft të dëgjuar në Kosovë e kudo në trojet shqiptare.

Milaim Mezini këndon burrërisht, në të shumtën e rasteve me një seriozitet të veçantë, veçmas në këndimin  e këngëve të dëshmorëve, të cilat i përshtaten edhe temperamentit burrëror, tipike kjo për malësorët e Sharrit e të Grykës heroike të Kaçanikut,  një trevë karakteristike shqiptare, e njohur jo vetëm për trimëri e heroizëm, por edhe për shumë veçanti të tjera të jetës  dhe rezistencës e heroizmit nga antikiteti e deri në ditët tona.

Ky këngëtar me zërin e fuqishëm e shpeshherë edhe rrëmbyes ashtu si oshtima e ortigjeve të shkrepave dhe rrëpirave të Malit të  Sharrit në dimër,  veçmas në pranverë, kur fillon të shkrihet bora, në sensin e tij krijues ka tiposur disa elementë autoktonë të trevës së përthyer malore, me fusha e pllaja të gjëra e të gjelbëruara të rrafshnaltave dhe në majat me dëborë, që nuk shkrihen as në verën me vapë gjithandej  maleve, pllajave malore, luginave, prrojeve dhe ambienteve natyrore që e karakterizojnë Malësinë e Kaçanikut, të Hanit të Elezit e përgjithësisht majave malore të cilat frymëzojnë krijuesit, këngëtarët, poetët, shkrimtarët.

Këngëtari, Milaim Mezini, disponon  një repertor tejet të pasur të këngëve të motiveve të ndryshme në radhë të parë si kantautor, formulues tekstesh të ndryshme,  të disa këngëve karakteristike të zonës sikur është,  “Kënga e Stagovalisë”, mbase me motive të trashëguara,   pastaj këngë për pësimet e vuajtjet tragjike të familjes së atdhetarit e patriotit të madh Hysen Tërpeza,  këngë me motive atdhetare dhe krejt natyrshëm e domosdoshëm edhe këngë lirike e këngë të tjera ashtu sikur janë të pranishme në repertorin e  të gjithë këngëtarëve.

Ky këngëtar këndon lirshëm, natyrshëm, bindshëm në vargjet që i nxjerrë me një artikulim të qartë e të kuptueshëm, duke i pasuruar të gjitha këto me një zë burrëror, që i korrespondon sidomos këngëve heroike dhe që shpeshherë duket se dalin nga gryka e pushkës.  Këngët e Milaim Mezinit shquhen për  kompozim të jashtëzakonshëm të në studioje profesionale, që e begaton tërësinë e këngës dhe e plotëson me një përcjellje të harmonishme  muzikore…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …