Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Shaqir Cërvadiku, këngëtar i lindur në akordin e çiftelisë

Këngëtari, Shaqir Cërvadiku, ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, duke derdhur tërë  dashurinë e tij si këngëtar, duke mos e kursyer  veten  për t’ u bërë gjithnjë bashkë me këngën, andaj edhe nuk heq dorë nga ajo, sepse kënga nuk është rrobë që vjetrohet,  e pastaj hidhet,  nuk është mall tregu që blihet lirë e shitet shtrenjtë. Kënga është art, për më tepër është segment i artit që buron nga zemra e shpirti dhe i referohet dëgjuesit e shikuesit, andaj këngëtarët e njëmendtë, që kanë krijuar identitet dhe dinjitet, nuk i nënshtrohen fushatave të ditës, nuk heqin dorë nga repertori, nga trashëgimia shumë e begatë e këngës shqipe, por e pasurojnë atë në sendimentin autokton, duke ndërtuar identitet, origjinalitet, me specifika të kohës e hapësirës, të sintonisë muzikore, e cila u ka bërë ballë shekujve të pushtimeve, që nga e kaluara e largët…

Digresion

Kam shkruar dhe shkruaj veçmas  për këngëtaret e këngëtarët shqiptarë, jo me qëllim lavdërimi, hatri, apo porosie, por në radhë të parë  për qëllime objektive, kulturore, por edhe për faktin se  një pesë e programit  të Radios Kosova e Lirë, Radio e luftës dhe e paqes në Kosovë,  të cilën e drejtoj nga 4 janari i vitit 1999, mbulohet me këngë të këngëtarëve më të njohur  të muzikës shqiptare. Andaj, shkrimet afirmative  dhe publikimin e tyre e ndiej një obligim parimor, intelektual, në shenjë  falënderimi  për këngëtarët e këngëtaret, këngët e të cilëve i transmetojmë për çdo ditë, por edhe një përpjekjeje për të vënë në pah vlerat përmbajtësore e artistike të këngëtarëve të shquar, jo  të gjithëve, sepse është e pamundshme, por të këngëtarëve e këngëtareve, të cilët me këngët e tyre janë dëshmuar për cilësi, origjinalitet, përkushtim, vokal cilësor e veçanti të tjera krijuese të këndimit.

Shtjellimi

Në studimet dhe vrojtimet e mia për këngën shqiptare, këngëtarët e këngëtaret e të gjitha trevave tona nga Çamëria, nga kënga arvanitase e mallit dhe e humbjes historike të identitetit gjuhësor e kombëtar, kënga arbëreshe e mbijetesës shekullore, dhe këngët e të gjitha trevave shqiptare, kam vërejtur në radhë të parë begatinë e madhe dhe të shumëllojshme të shprehjes së botës artistike shqiptare përmes këngës e valles, dhunti këto  që Hyji i ka dhënë njeriut, këngëtarit, për të qenë subjekt dhe objekt i shprehjes artistike.

Duke qenë dikur, një popull i madh që shtrihej gjerë e gjatë në Iliri, si dardanë, epirotë, arbër e më vonë shqiptarë, ata i rrudhi koha, gjatë pushtimeve, por ruajtën tabanin, ruajtën veçoritë krahinore, veshjet karakteristike, vallëzimin natyral edhe të improvizuar nganjëherë edhe teatral, sipas kërkesave të dëgjuesve dhe shikuesve të kohës. Nuk mohohet dot fakti se këngëtarët shqiptarë kanë dhënë e kanë marrë, por mendoj se më shumë u kanë dhënë popujve fqinjë, sidomos atyre me të cilët kanë jetuar më shumë, gjatë shekujve.

Këngëtari, Shaqir Cërvadiku, ka filluar të këndojë që në fëmijëri bashkë me të atin, Halilin, asokohe një rapsod i njohur, në Drenicë e më gjerë.  Ai ka bërë bashkë zërin e lindur me korda të pasura dhe të pastra zanore, me talentin për të kënduar, që ishte edhe  traditë familjare, sepse zëri dhe talenti  janë  alfa dhe omega, pasi nuk bëhesh dot këngëtar, as këngëtare, pa i disponuar këto dy dhunti të natyrës, me specifika e veçanti. Ky këngëtar  mirënjohur, i cili sipas vlerësimit tim është në dhjetëshen e këngëtarëve më të njohur të Kosovës, tashmë i ka mbushur mbi 50 vjet këndim, qoftë në solo, duet, apo grup dhe vazhdimisht ka mbajtur tempon, të cilën e ka begatuar nga viti në vit, duke i qëndruar besnik traditës së këngës burimore shqiptare, në radhë të parë këngës atdhetare, këngëve për heronjtë, dëshmorët, martirët, por edhe këngë me motive të tjera, në të cilat ka shënuar nivelin më të lartë të mundshëm të këndimit, orkestrimit profesional, me  tekste të ndryshme të  këngëve por edhe tekste autoriale.

E veçanta dhe më specifikja e këndimit të Shaqir Cervadikut, është timbri i lindur i zërit melodik, një zë që aq shumë amalgamohet me  akordin e çiftelisë, zë i lindur për çifteli, me kohë i maturuar dhe  i pasuruar me vokacion origjinal. Ai i referohet këngës, duke e formësuar dhe duke e ngjeshur me shumë komponentë autentikë, duke ruajtur në radhë të parë jehonën historike të këngës autoktone së Drenicës dhe duke e njëzuar atë me këngët e trevave të tjera, në të cilën janë përshtresuar elementë autentikë muzikorë, që nga kohët  e hershme e deri në ditë tona.

Me këtë rast, dua të veçoj një sugjerim, që mund të jetë edhe kritikë e lehtë, sikur është konvertimi i teksteve të disa këngëve, për shkaqe të ndryshme, nga ky këngëtar,  por edhe nga jo pak  të tjerë.

Kënga ndër më të moçmet, e kënduar që nga koha e Perandorisë Osmane, në Drenicë, Kosovë e më gjerë, “Çuni i vogël shkon në mejtep” është konvertuar në “Çuni i vogël shkon në kurbet”, me apo pa qëllim të caktuar është injoruar koha dhe arsimi fetar e shoqëror  i shqiptarëve në kohën e Turqisë. Duke i ikur përmbajtjes origjinale, janë konvertuar edhe vargjet: Dy tri ditë para Bajramit,  me: Dy tri ditë para Shëngjergjit. Në dukje kemi një konvertim të paqëndrueshëm, sepse çunat e moshës së shkollave fillore, sikur ata që mësonin në mejtep, nuk janë në  moshë për të shkuar në kurbet. Po ashtu në një variant të këngës për Çerqiz Topullin, mbase nga pakujdesia, është ndërruar vargu ku përmenden Bajo Topulli dhe Mihal Grameno. Në vend të:  Luigj Gurakuqin, Bajon dhe Mihalin, këndohet: Luigj Gurakuqi mbanë në dorë nagantin. Janë dy raste që nuk çojnë peshë, por te këngëtarët e afirmuar, vërehen më shumë se të tjerët. Ruajtja e tekstit në origjinal,  sidomos i këngëve të vjetra është më se  domosdoshme, sepse i referohet një të kaluare, që është pjesë e memories historike, kombëtare.

Kënga burimore, puro shqipe, i ka përballuar shekujve të riciklimeve e konvertimeve dhe po i përballon me sukses tallavasë e çoroditjes, dhe do t’ i  përballojë krejt deri sa të ketë, komb, gjuhë, kulturë e traditë kombëtare, shqiptare. Këtë e kanë bërë të mundur dhe e bëjnë këngëtarët e këngëtaret që kanë idealizëm kombëtar, që i duan, i respektojnë, i ruajnë dhe i përparojnë, në radhë të parë vlerat kombëtare, por edhe ato të përbashkëtat, vlerat unike, kulturore,  qytetëruese e njerëzore.

Niveli i lartë artistik i këtyre këngëve nuk do të arrihej si duhet pa një orkestrim profesional dhe të shumëllojshëm me instrumente të ndryshëm muzikorë, nga veglat e moçme muzikore deri te orkestrina e kombinuar, e cila iu korrespondon për mrekulli këngëve të këtyre këngëtarëve, të cilat kanë begatuar dhe po e begatojnë me përkushtim këngën shqipe, këngën që më së miri shpreh shpirtin shqiptar, shpeshherë të lënduar e të dhunuar, por gjithnjë të mbijetuar.

 

Përfundimi-shtojcë

 

Me qëllim që lexuesit të kenë sa më shumë informacione për veprimtarinë muzikore të  këngëtarit, Shaqir Cërvadiku, për fund, kësaj radhe,  po prezantojmë një shkrim të publikuar në Vikipedia, ku është vënë në  pah, rruga jetësore krijuese e artistike e këtij këngëtari të mirë njohur e të talentuar.

Duke dëgjuar këta këngëtarë të mëdhenj, Shaqir Cervadiku  u mishërua dhe u dashurua në këngën, për të vazhduar deri ditët e sotme. Fillimisht me babanë këndoi në dasma e gazmende, pastaj më 1977 u angazhua ne ansamblin “Shote Galica”, ku dhe arriti afirmimin e plotë si këngëtar. Me këtë ansambël kanë dhënë qindra e qindra koncerte dhe kanë bërë incizime të shumta në Radio e TV. Me 1983 arriti afirmimin e plote te publiku shqiptar .Ne ato vit disa kangë te tij ishin hite ne Kosovë si:” Moj e mira bregut t’Cemit”,”Moj e mira nga Gjakova” etj. Pastaj e vazhdoi akitvitetin muzikor me ansamblin “Bajram Curri” të Prishtinës, me te cilin po ashtu patën shumë koncerte në Kosovë dhe Diasporë. Pas vite te 90-ta Shaqiri vepron si këngëtar i pavarur. Ka dhënë  shumë koncerte Në Kosovë e diasporë gjithë andej ku jetojnë shqiptarët nëpër botë Ka edituar deri më tani 24 albume personale dhe 7 albume me kengetarët e ndryshem dhe tri videokaseta. Tre albume i ka punuar me ansamblin “Shote Galica”, (albumin “Mos harro tokën që t’lindi “,”Flakë e vatër” dhe”Zëri i Zotit”). Me anasmblin “Bajram Curri”, (albumin “Besa lart e ka ngritë burrin”) dy albume i ka punuar me grupin “Corona”, (“S’kam kujtue se m’gjen pranvera”dhe “Shkova kah nuk shkova”), ndërsa albumet tjera i ka punuar me Burim Krasniqin në studion e tij Ethnomusic (“Këndoj të mos qaj” ,”Për Liri “,”Bylbylat e Lirisë”,”Dasma e Kosovës”,”Kështu ja thotë kangës bylbyli”,”Lutjet e zemrës “,”Mjalti i jetës “,” Une jetoj per ata sy”,”Flladi i zemres”, 2 albume”Kangë per dëshmorë”,”Alfabeti i dashurisë”,”E baj dasmen’vendin tim”,’N’diten e Bashkimit”,”Symagjike”,”Shqip shqip kuq e zi”,”Kangë i ba dashnia”,”Buzëqesh”si dhe 7 albume me kengetar tjerë.Disa këngê i ka të realizuar ne studion e Shpejtim Gashit dhe studion e Shkupit. Videokasetat janë « Nji grusht dhe», në regji të Isa Qosjes, « Shkova kah nuk shkova », në regji të Sunaj Raqës dhe « Dasma e Kosovës », në regji të Luan Dakës.Ka shumë videoklipe dhe misione televizive. Kangët i komponon vetë, por ka kënduar edhe kangë të këngëtarëve tjerë.

Shumicen e teksteve i shkruan vet po ka marrë tekste nga autorë të ndryshëm, siç janë:Sali Mani, Izet Rraci, Faruk Tasholli, Riza Grajqevci, Fatmir Muja,Milaim Islami, Milaim Mezini, Maki Canolli, Athem Hoti, Rexhep Hasani, e të tjerë. Në repertuarin e tij ka edhe shumë duete me këngëtarët: Mahmut Ferati, Sala Bekteshi,Violeta Kukaj, Shyhrete Behluli,Shqipe Kastrati,Nikollë Nikprelaj,Asim Gashi,Arian Agushi(Golg Ag),Haki Godanci etj.Shaqir Cervadiku ka pase shume hite ne karieren e tij muzikore, e disa nga to duete siq jane kanget “Moj e mira bregut t’Cemit”,'”Moj e mira nga Gjakova”,”Mos harro tokne qe t’lindi”,”Kangë per Avni Rrustemin””Nji grusht dhe”,”S’kam kujtu se m’gjen pranvera”,”Shqiperinë e dua se jam shqiptar”,”Rrezja e parë Prishtinën ndriqon”,”Ditelindja”,”Shkova kah nuk shkova”,”Dasma e Kosoves”,”Bac u kry u ba Kosova” ,Vajza ështê pranverë e jetës”, “Nuk eshte jeta 1000 vjet”,”More djalë prej diaspore”(Duet me Sala Bekteshin),”Nji letër m’ka ardhë”,”Zengjin a fukara”(Trio Me Afërdita Demakun e Florim Kleqken),”OKb mu ka ba shpija”(Duet me Mahmut Feratin)”I menqmi e budalla”(Duet Me Mahmut Feratin),”Hymni i dashurisë”,”Elegji per bashkeshorten”,”Shqip shqip kuq e zi”,”Hymni i dashunisë”,”Dy kambt me nji këpucë”(trio me Mahmut Feratin e Shqipe Kastratin),”I menqmi e budalla”(Duet me Mahmut Feratin),”Pritna Nanë Shqipni”(Duet me Haki Godancin),”Plisi”(duet me Asim Gashin),”Qou Rexho” etj.  Familja Cërvadiku ( Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …