Ahmet Qeriqi: Nga Drenica Qendrore ka ardhur Shaban Shala dhe një luftëtare të plagosur (E mërkurë 30 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga Drenica Qendrore ka ardhur Shaban Shala dhe një luftëtare të plagosur (E mërkurë 30 shtator, 1998)

Edhe një ditë tjetër në rrethana të bllokadës dhe paparashikueshmërisë. Edhe pse të rrethuar nga të gjitha anët vazhdojmë të gjallojmë dhe të marrim masa për të rezistuar në rast të ndonjë sulmi të papritur.

Përderisa zyrtarët serbë kanë shpallur mbarimin e ofensivës dhe sikur thonë ata shkatërrimin e çerdheve kryesore të terroristëve, luftimet nuk kanë të ndalur. Edhe sot po dëgjohen gjëmimet e topave dhe goditjet e tankeve si në Drenicën Qendrore ashtu edhe në drejtim të Graiçecit, të Budakovës dhe të Jezercit. Serbët plaçkitin, djegin, shkatërrojnë gjithçka.

Ata mendojnë se popullata shkatërrimi shtëpive dhe i pasurisë i detyron të marrin rrugë drejt Shqipërisë. Ky edhe është qëllimi kryesor i serbëve, para se të fillojë ndonjë marrëveshje me kreun politik pacifist, këtë kancer të luftës dhe të kombit tonë në përgjithësi.

Në orën 15.00 nga Drenica Qendrore ka ardhur Shaban Shala me një ushtare të plagosur dhe me luftëtaren, Hilmie Plakiqi.

Shabani është lodhur e sfilitur nga rrëmuja dhe luftimet e pandërprera. Ai gjendjen në Drenicë e përshkuan si tejet kaotike, edhe pse luftëtarët janë të vendosur për të rezistuar deri në fund. Kemi biseduar edhe për Bedriun vëllain e Shabanit i cili ka rënë dëshmor në Junik, së bashku me Bekim Berishën. Shabani  na ka treguar edhe për rënien e dëshmorëve dhe të Komandant Fehmi Lladrocit.

Shaban Shala ka ardhur me qëllim të sigurimit të një baze për anëtarët e Shtabit, konkretisht për Jakup Krasniqin dhe për disa anëtarë të tjerë.

Gjatë bisedës që kemi zhvilluar në shtëpinë time në Krojmir, Shabanin e kam njoftuar se tani për tani kjo pjesë e Drenicës është më e sigurt dhe ka kushte për punë dhe aktivitet të kreut të luftës. E kam siguruar se përveç ushtarëve të cilët janë kthyer në pozicione, do të bëjmë edhe një rojë shtesë gjatë natës, me qëllim të evitimit të çdo rreziku.

Shabani më bën me dije se këto ditë do të vijë edhe Berat Luzha, i cili është sëmurë dhe ka nevojë të shërohet. Ndërkohë vjen edhe Jakup Krasniqi e të tjerë.

Të gjithë këta do të qëndrojnë në shtëpinë e Salih Qeriqit, ku po qëndroj edhe unë me familjen time të ngushtë.

Shabani me Hilmie Plakiqin dhe luftëtarën Yrfete Spahiu janë nisur për në Nekoc në orët e mbrëmjes.

E kam lajmëruar Elezin për qëllimin e ardhjes së Shabanit dhe kemi marrë vendim që për shkaqe sigurie ta mbajnë fshehtë ardhjen e Jakup Krasniqit.

Elezi më ka njoftuar se Jetë Hasani, Ajvaz Karpuzi, Faruk Gashi dhe dy ushtarë të tjerë kanë shkuar në Godanc për punë, që i di vetëm Jeta. Elezi ka besim në gjeturinë e Jetës, mirëpo shpreh  mospëlqim lidhur me disa veprime të ngutshme  dhe të paakorduara si duhet.

Nga lajmet e mbrëmjes hetoj se Masakri serb në Abrinë e Epërme ka ngjallur indinjatë dhe revoltë të qarqeve përparimtare demokratike të botës. Po dënohet akti i tillë i shëmtuar, edhe pse serbët janë shumë gjakftohtë në këtë drejtim dhe nuk pranojnë ta kenë vrarë qoftë edhe një shqiptar. Për të gjitha krimet ata i fajësojnë  `terroristët shqiptarë` dhe përkrahësit e tyre

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …