Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “400 ditë-Kronika e Luftës”, III

Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “400 ditë-Kronika e Luftës”, III

(E hënë 29 mars, 1999) Drenica jugore është vënë në rrethim të hekurt. Pritet fillimi i depërtimit të  forcave të armikut

Në mëngjes, nga Krojmiri me Nezir Myrtajn dhe Fatmir Dugollin jemi nisur për në Berishë. Një sasi të mjaftueshme të najlonit, për tendë e kemi marrë te Idriz Qeriqi, dhe e kemi transportuar deri në Kizharekë. Prej  andej duhet që Riza, apo ndokush tjetër me traktor ta dërgojë në tendën, të cilën mendojmë ta rregullojmë qysh sot.

Sot duket një ditë pak më e qetë në rajonin tonë, meqë nuk ka shumë granatime, por forcat serbe po përgatitën për të na futur në rreth, në të ashtuquajturin “Rrethi i patkoit”. Ata mund të fillojnë ofensivën drejt Rrafshnaltës nga çasti në çast.

Kemi arritur se vendqëndrimi i ri në natyrë, te Varret e Berishës. Isë Krasniqi po jep dhe po merr informacione. Neziri, edhe në kushte të tilla ku nuk kemi as ku të ulemi e  ka përgatitur një koment për zhvillimet aktuale. Nusreti i ka përshkruar informatat. Valdet Hoti dhe Fatmir Dugolli po përkujdesën për gjeneratorin dhe teknikën transmetuese, të cilën e kemi vendosur në xhip. Ushqehemi me çka kemi. Me veti kam marrë disa krofne që i ka përgatitur bashkëshortja ime, Zymrytja, të cilat i hamë të gjithë së bashku.

Edhe pse ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet për të qëndruar këtu në vijën e parë të fronit, por larg popullatës civile, me qëllim që ajo të mos pësojnë pasi ne jemi shënjestra kryesore e sulmeve Berat Luzha dhe Qemali duan me çdo kusht të largohen nga këtu. Ata si duket vetëm tani  e kanë kuptuar se jemi në luftë dhe në rrezik permanent. E ndiej se do të ndahemi përgjithmonë por nuk merakosem. Është rrjedhë logjike e situatës, sepse  jo të gjithë njerëzit janë krijuar për të qëndruar.

Sipas burimeve ende të pakonfirmuara të lajmeve, që kryesisht dëgjohen përmes radiolidhjeve të ushtarëve tanë thuhet se në fshatin Izbicë serbët kanë vrarë e masakruar më shumë se 200 pjesëtarë të popullatës civile. Është një informatë e tmerrshme, por ende nuk është konfirmuar. Do  Zoti të mos jetë e vërtetë, për numrin aq të madh…

Pas transmetimit të Programit së bashku me Nezirin  sërish nisemi drejt Kizharekës, nga një rrugë tjetër më afër maleve të Llaushnikut. Meqë Ali Mullini nuk ka ardhur në vendin dhe kohën e caktuar, sepse as i kemi thënë që nga Kizhareka nisemi drejt Mahallës së Lugut, në Nekoc, me qëllim që atje ta takojmë Ilir Dugollin. Ilirin e kemi takuar te shtëpia e tij dhe ai na ka dërguar në Krojmir. Iliri po ashtu na tregon se shumica e banorëve të Nekocit, Kizharekës dhe të fshatrave të tjera ose kanë hyrë në Grykë ose presin të gatshëm për të hyrë.

Edhe në Baicë,  Shalë, Risinnovc, Krojmir, Pjetërshticë  janë marrë të gjitha  masat për të depërtuar në Grykë. Gjatë ditëve të fundit është trefishuar numri i popullatës në Krojmir. Duket se qysh nesër do të fillojë dyndja e madhe drejt Grykës së Shpëtimit…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …