Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999”. I

Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999”. I

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

(E enjte 1 prill, 1999) Filloi sulmi mbi fshatrat e Drenicës jugore. Qindra ushtarë të lodhur e të dërrmuar kalojnë nga Zona e Pashtrikut në Rafshnaltë. Kanë rënë dëshmorë Xhavit Kelmendi dhe Vezir Kolshi

 Në mëngjes herët nisemi në rrugën tonë të caktuar. Ditëve të fundit kemi udhëtuar vetëm unë dhe Nezir Myrtaj. Ali Mullini na ka lënë në vendin e caktuar meqë vetura nuk bën më tutje. Edhe qindra të zhvendosur të tjerë dynden drejt Grykës së Gashit. Sa më afër Rrafshnaltës dëgjohen shpërthime predhash  të minahedhësve të armikut që sulmojnë nga ana perëndimore, nga Llazet dhe Smonicat. Që në mëngjes ka filluar sulmi i armikut me qëllim të depërtimit në Rrafshnaltë kah Lagja e Bytyçve të Arllatit dhe në drejtim të Terpezës. Forcat tona po rezistojnë trimërisht. Nga kalimtarë të rastit mësojmë se në radhët tona ka ushtarë të rënë dhe të plagosur. Edhe pse serbët kanë vënë në përdorim tërë armatimin e tyre, ata nuk do të kalojnë. Shtigjet për të depërtuar nga kjo anë janë zënë me kohë dhe janë fortifikuar në të gjitha vend-përqendrimet.

Në rrugë për të depërtuar në Seli, takojmë Idriz Hysenin, i cili na tregon se nga atje janë tërhequr të gjithë anëtarët e stafit të Agjencisë. Disa janë nisur drejt Berishës disa të tjerë kanë biseduar për t`u larguar drejt Zonës së Neredimës. Kjo nuk më habit fare sepse e marr me mend se Qemali dhe Berati mendtë i kanë në këmbë, jo në kokë.

Së bashku me Idriz Hysenin kthehemi në shtab.

Rrugës takojmë qindra ushtarë të cilët gjatë natës kanë depërtuar nga pozicionet e tyre në Anadrin, të cilat si duket janë thyer keq. Ushtarët dy tri ditë nuk kanë ngrënë dhe duke luftuar fyt për fyt kundër armikut mezi kanë arritur në Rrafshnaltë. I shohim se si marrin dushk për shtrojë dhe lëshohen për të pushuar, mbi dëborë. Disa shtrojnë ndonjë batanije mbi borën tashmë të lagësht. Disa të tjerë janë futur në zonën e Shtabit. Ata tanimë janë të rraskapitur dhe nuk bëjnë dot tutje. Janë më shumë se 1000 dhe nuk ka kurrfarë mundësish për t`i ushqyer. Në mesin e tyre janë gjashtëdhjetë të plagosur. Ata janë vendosur në dhomat e shtabit tani të boshatisura, disa nga të plagosurit i kanë dërguar në Spitalin Ushtarak të Divjakës.

Duke biseduar me Idriz Hysenin, Nezir Myrtajn  dhe Hilmi Ramadanin arrijmë në përfundim se duhet depërtuar sa më parë në mesin e popullatës për të marrë bukë të gatshme nga popullata e zhvnedosur dhe jo për të pritur që ajo të gatuhet, në këtë mënyrë për dy tri orë do të mund të depërtonin në Rrafshnaltë disa qindra kilogramë bukë. Në përpjekje për ta vënë në jetë këtë propozim së bashku me Hilmi Ramadanin dhe Nezir Myrtajn pa humbur kohë nisemi në drejtim të Grykës së Thatë, e cila po ashtu është mbushur përplot me të zhvendosur. Pas një rruge të gjatë arrijmë në Fshatin Nekoc.

Në hyrje të fshatit, në gjendje gatishmërie e takojmë ushtarin,  Ismet Hoxha të cilit i tregoj se si do të duhej të vepronte. Ismeti me disa ushtarë nisen pa humbur kohë dhe premtojnë se më së largu për dy orë buka e krejt çka do të gjendet nëpër shtëpi të fshatarëve të Nekovcit do të arrijë në Divjakë. Ali Mullinin nuk e takojmë meqë sikur mësojmë nga një ushtar që bën vëzhgim, ai ka shkuar për t`i marrë disa ushtarë tanë të plagosur,  të rënë në Terpezë. Edhe pse bie shi pa pushuar të tre nisemi këmbë nëpër baltë në drejtim të Baicës dhe të Shalës për të kryer porosinë dhe për të çuar sa më parë bukë për ushtarët, e Zonës së Anadrinit  që kanë mbetur të shtrirë mbi dëborë, dy tri ditë pa ngrënë dhe vazhdimisht duke ndërruar pozicionet.

Me ta dhënë lajmin në Baicë mësojmë se gjatë luftimeve në fshatin Tërpezë, kanë rënë dëshmorë: Vezir Hazir Kolshi i fshatit Baicë, dhe Xhavit Kelmendi, vëllai i Shaip Kelmendit nga fshati Karaçicë. Tani e kuptoj se Ali mullini ka shkuar për t`i marrë ushtarët e rënë,  të cilët janë tërhequr nga fushëbeteja nga bashkëluftëtarët e tyre. Pas shtatë orë rrugëtimi të asaj dite arrijmë në Shalë për ta dhënë lajmin për bukë. Aty mësojnë se buka një orë më parë është nisur në drejtim të Rrafshnaltës. Bëjmë tutje gjithnjë këmbë dhe pas një kohe  arrijmë në Krojmir. Edhe atje na tregojnë se qindra bukë të gatshme janë dhuruar nga familjet dhe me traktorë i kanë çuar në Divjakë.

Xhavit Hazir Kelmendi (13.3.1977 - 1.4.1999)

Sapo arrijmë të dërrmuar e të lodhur nga rruga e gjatë nëpër baltë, 10 orë dhe këmbë, në vendqëndrimin tonë në Krojmir erdhën: Elez Durmishi, Sejdi Elezi dhe Shaip Kalemendi, vëllai i Xhaviti. E ngushëllojmë Shaipin, ndërsa ai kërkon që trupi i vëllait të tij dëshmor të varroset sonte në Karaçicë, te Varrezat e fshatit edhe pse aktualisht në fshatin e djegur nuk jeton asnjë familje. E mbështes propozimin e Shaipit dhe pa pushuar fare nisemi në drejtim të grykës, te Shtabi i cili tani për tani është ndodhet në shtëpi të Ragip Sylës. Atje kanë sjellë edhe shumë ushtarë të plagosur të cilët i kanë tërhequr nga vend-luftimet  bashkëluftëtarët e tyre. Disa prej të plagosurve janë vendosur në Spitalin ushtarak të Divjakës, ndërsa shumë të tjerë këtu, në spitalin e Krojmirit. Janë angazhuar tërë ekipi ushtarak për t` iu ardhur në ndihmë të plagosurve. Atje është vendosur edhe trupi i dëshmorit Xhavit Kelmendi.

Vezir Hazir Kolshi (17.1.1970 - 1.4.1999)

Prej Krojmirit, nisemi në drejtim të Grykës. Trupin e shkallmuar nga predha armike të dëshmorit Xhavit Kelmendi e kanë vendosur në një qerre të klasike të cilën e ka siguruar Rrahim Qeriqi. Prapa qerres i zvarrisim këmbët unë, Nezir Myrtaj, Ali Kelmendi (babai i Sejdiut), pastaj Syla, Elezi, dhe dy bashkëluftëtarë të dëshmorit.

Rruga nga duhet të kalojmë është thikë përpjetë, nëpër anën e përmbysur të Mysit. Bëjmë tutje. Shaipi tregohet i fortë. Vëllai i tij tani dëshmor, Xhavit Kelmendi ka qenë luftëtar i dalluar në radhët e njësive speciale të Shtabit të Përgjithshëm. Në fillim të nëntorit të viti të kaluar në një pritë në Karaçicë, ai me bashkëluftëtarë ka vrarë disa policë serbë. Vetëm një ditë më parë është kthyer së bashku me Milaim Behën dhe Vezir Kolshin nga një  detyrë speciale në Drenicë, ku iu kanë shkuar në ndihmë disa eprorëve të zonës, me urdhër të SHP të UÇK-së.

Edhe pse qerrja nuk është gjithaq e rëndë, kali është lodhur dhe mezi ecë. Ndalojmë në çdo 50 apo 100 metra. Më në fund pas një rrugëtimi afër dy orë arrijmë në vendin ku bashkëluftëtarët dhe banorët e fshatit e kanë hapur varrin për luftëtarin 23 vjeçar, dëshmorin e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Kelmendi.

Në varrim marrin pjesë edhe shumë ushtarë të Batalionit tonë.

Varrimi bëhet me nderime ushtarake dhe është përgatitur me kujdes nga eprorët: Naim Ismajli dhe Selatin Rizani. Me komandë pas zbrazjes së rafalëve të nderimit ndahemi nga trupi i dëshmorit, i cili tani e tutje do të prehet në përjetësi. Në momentin kur dëshmorit ia japim lamtumirën e fundit, vëllai i tij, Shaip Kelmendi  papritmas ulet në këndin e një lisi dhe për një çast pikëllimi kishte  bërë përpjekje për të mos nxjerrë lot. Tërë ditën kishte qëndruar si i mpirë dhe më në fund pas tërë asaj odesejade e lodhjeje ai nuk u përmbajt. Lotët na shkonin rrëke edhe disa të tjerëve, por ishte  terr dhe nuk shihej…

Pas ceremonisë së varrimit lëshohemi grykës së rrezikshme dhe tejet të thepisur të Pjetërshticës. Depërtojmë nga një dhiare në tjetrën, me frikë mos po përplaseshim në mysin tërë shkëmbinj.

Në orën 21.00 me Nezir Myrtajn dhe të tjerë arrijmë në shtëpinë tonë të përbashkët, në Krojmir. Sipas llogarisë që kemi bërë derisa po hanim bukë, doli se kemi ecur pa ndalur 13 orë, në relacion: Krojmir-Shalë-Nekoc-Fshati i Ri  dhe në kthim, duke vazhduar pastaj për në Karaçicë, Pjetërshticë e sërish në Krojmir Këmbët më janë mpirë. Nga lodhja jam shtanguar dhe nuk arrij dot të shlodhem.

Pak më vonë ka ardhur sërish Elez Durmishi. Ai më tregon se në orët e natës në Krojmir janë vendosur edhe 2000 të zhvendosur të tjerë nga fshatrat rreth Malishevës. Nga 1000 ushtarët që sot kanë depërtuar në Rrafshnaltë 300 janë caktuar të mbesin në pikat tona ushtarake. Disa të tjerë do të depërtojnë në Zonën e Neredimës.

Të gjithë kanë rënë për të pushuar ndërsa unë me atomin e fundit të energjisë i radhis këto ngjarje të kësaj dite tejet të mundimshme, ndoshta dita ime më e mundimshme deri tani prej fillimit të luftës.

A thua çka do të sjellë dita në vijim?

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …