Nga papërgjegjësia e Berat Luzhës e Isa Krasniqit po vështirësohet informimi në Radion Kosova e Lirë
(E premte 9 prill, 1999)
Sot papritmas ndërroi moti. Ka filluar të bjerë shi i imët dhe jeta e të zhvendosurve në tenda është vështirësuar tejmase. Si do të vejë halli i qindra mijëra të zhvendosurve në të gjitha zonat e luftimeve, në rrethim të forcave masakruese ushtarake e policore serbe.
Çka do të ndodhë nëse lufta zgjat dhe na kaplon uria? Uria të çon në dyer të armikut, thotë një fjalë e urtë e kësaj ane, por tani ajo nuk ka më fare kuptim.
Premtimet e organizatave humanitare se do të na dërgojnë ushqim përmes aeroplanëve transportues, deri tani kanë mbetur vetëm një shpresë e mjerë.
Si do t’ ia bëjmë?
Vetëm në rrezen e veprimit të Brigadës 121, Kumanova janë afër 100.000 të zhvendosur në pesë grykat kryesore të Rrafshnaltës. Një pjesë e popullatës së zhvendosur dhe e rrezikuar tejmase po fshihet edhe në pyjet e kompleksit të Blinajes, në relacion Ribar i Madh, carrabreg, Varigoc, Kraishtë e Godanc. Edhe në zonat e tjera ka shumë të zhvendosur.
Sot në mungesë të informatave nga terreni kemi përgatitur një emision dhjetë minuta të lajmeve. Berat Luzha dhe Isë Krasniqi nuk na japin njërin prej dy telefonave satelitorë, me arsyetim se nuk aktivizohet njëri pa tjetrin.
Njëri nga telefonat na takon, ashtu sikurse edhe shumë nga pajisjet e tjera të cilat në njëfarë mënyre mbahen peng e një mjeromanie të pashpjegueshme dhe të pajustifikueshme në rrethana të tilla.
Në orën 15.00 forcat armike të pozicionuara te Kodra e Kizharekës me minahedhës kanë granatuar në drejtim të Pallanikut. Ndërkohë në orën 16.00 drejtpërdrejt nga bunkeri, Nusret Pllana i ka lexuar informatat që Nezir Myrtaj i ka sajuar pasi i ka dëgjuar në tranzistor nga agjencitë e huaja të lajmeve.
Pas transmetimit të emisionit kemi shkuar te tenda e familjes së Rizah Berishës ku kemi ngrënë bukë.
Luftimet e ashpra që kanë filluar dje në anën jugperëndimore kanë vazhduar edhe sot. Forcat serbe të përqendruara ne vendin e qujtur Te Smonicat, në hyrje të fshatit Arllat dhe në Tërpzë synojnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. Pozicionet e UÇK-së n këto anë janë të fortifikuara dhe janë në epërsi strategjike. Këmbësoria armike e ka shumë të vështirë të depërtojë nga kjo anë.
Gjatë luftimeve në mes të Llapushnikut dhe Arllatit ushtarët tanë kanë vrarë dy policë serbë, të cilëve pastaj ua kanë marrë edhe armatimin. Njëri nga ushtarët tanë është plagosur rëndë.
Në orën 19.00 aeroplanët bombardues të NATO-s kanë goditur bazën ushtarake serbe, në Golesh. Atë e kemi parë të gjithë.
Edhe sot ka vazhduar dëbimi i popullatës në drejtim të Shqipërisë. në një informatë të paverifikuar thuhet se serbët kanë urdhëruar të gjithë banorët shqiptarë të fshatrave të Fushë Kosovës, që të ikin për në Shqipëri.