Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999” VI

Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999” VI

Në Rrafshnaltën e rrethuar në të katër anët nga forca armike, në majën e Pallanikut rregullohet studio bunkeri i Radios-Kosova e Lirë (E martë 6 prill, 1999)

 

Jemi zgjuar ende pa zbardhur.

Pa humbur kohë unë dhe Neza nisemi drejt fshatit Berishë.

Sapo kemi arritur në rrugë kemi takuar Martinin, Nusretin, Rizën, Valdetin dhe Fatmirin. Të gjithë së bashku nisemi në drejtim të Pallanikut ku po rregullohet bunkeri i Radios.

Nga Maja e Pallanikut shihet e tërë Drenica e Epërme, sidomos pjesa kah Blinaja.

Ndërkohë vërejmë një njësit tankist që kthehet nga Risinovci në drejtim të Kamaranit.

Në tërë lugun e Drenicës po përhapet tymi nga shtëpitë, gjerdhet dhe plevicat e djegura.

Grykat e maleve janë mbushur me dhjetëra mijëra të zhvendosur. Edhe pse ende nuk kemi bërë ndonjë regjistrim, mendoj se afër 100.000  të zhvendosur janë strehuar në gjashtë grykat strategjike të Rrafshnaltës, në Grykën e Kizharekës e cila është e përbashkët me fshatin Berishë, në Grykën e Gashit të fshatit Nekoc, po ashtu në të njëjtën shtrirje me Fshatin e Ri, Gryka e Thatë e Nekocit korrespondon me Divjakën, Gryka e Baicës dhe e Shalës, korrespondojnë me Kleçkën, Gryka e Shpëtimit e  Krojmirit takohet me fshatin Javur, ndërsa gryka e rrëpishme e Pjetërshticës zgjerohet në Dukë, Karaçicë e Luzhnicë.

Fatmiri dhe Vali kanë filluar punët në nxjerrjen e gurëve. Martini Riza dhe Nusreti iu ndihmojnë. Ata nuk kërkojnë punë fizike nga unë meqë  jam më i moshuari prej tyre. Kemi qëndruar në Pallanik deri në orët e mbrëmjes. Sipas prognozimeve të Martin Çunit, bunkeri do të jetë i gatshëm për dy tri ditë. Ka gjasa që të rifillojmë transmetimin. Do të jetë një sfidë tejet e rrezikshme për armikun. Serbët i kemi përballë në Nekoc në Mahallën e Lugut vetëm pesëqind metra vijë ajrore. Po aq e ndoshta më afër i kemi trupat serbe që janë vendosur në Kizharekë. Mirëpo në të dyja anët kemi mbrojtjen e qindra ushtarëve tanë.

Nuk ka gjasa reale që serbët të mësyjnë me këmbësori malit të rrëpishëm përpjetë.

Në kohë të drekës të gjithë tok kemi depërtuar te tenda ku është vendosur Rizah Berisha. Edhe pse të rrezikuar dhe me shumë mysafirë, familja e Rizës na konsideron si anëtarë të vet dhe vazhdimisht na mbanë me ushqim. Në tenda nëpër zabel janë vendosur mijëra të zhvendosur.

Rreth orës 17 unë dhe Nezir Myrtaj largohemi nga Pallaniku. Nezi ka ka shkuar në selinë e Agjencisë, në Fshatin e Ri, ndërsa unë jam drejtuar në Divjakë ku e kam takuar Hilmi Ramadanin. Pas pak së bashku me Hilmiun nisemi drejt  Kleçkës e prej andej në Grykën e Shpëtimit. Hilmiu ka shfaqur interesim që bashkëshorten dhe fëmijët e Jakupit t`i vendos në një shtëpi të Fshatit të Ri, meqë koha ende është e ftohtë dhe ka rrezik për fëmijët.

Unë mendoj ata janë  më të sigurt janë në Grykë, aty së bashku me familjet tona dhe me një përkujdesje të veçantë nga eprorët e UÇK-së, veçmas të Elez Durmishit e Sylë Qeriqit.

Nga ana e sipërme e Leshkës, së bashku me Hilmiun sodisim Grykën e Shpëtimit. Mijëra banorë të zhvendosur iu kanë rrekur jetës. Ana e lumit është përplot rroba të bardha dhe batanije që graria i ka larë dhe i ka çitur për t`i tharë. Ushtima e lumit dhe  bërtiturat entuziaste të fëmijëve çajnë eterin. Zhurmërima dhe rrymimi i ajrit krijojnë simfoninë përjetësore të natyrës në lëvizje. Gryka e Shpëtimit është kthyer në një kamp  gjigant, që më përfytyron fushimet e pelegrinëve  budistë rreth Lumit Gang në Hindi. Nganjëherë, me kaplojnë mendime të trishtueshme dhe më kujtohet kampi i Srebrenicës, por këtë nuk ia them askujt, edhe pse kam frikë të jashtëzakonshme, meqë jemi në rreth. Por tani kur kanë fillura bombardimin aeroplanët e NATO-s serbët nuk po arrijnë t i koordinojnë veprimet, pasi nuk janë më të sigurt.

Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999” VI

 …

Mesrrëfim

Gjashtë ditët e kaluara janë ditët më të rënda që i kemi përjetuar deri tani qysh prej fillimit të luftës. Sulmi i barbarisë serbe, tanimë ka kaluar në çmenduri kolektive, sidomos tani kur NATO-ja ka filluar bambardimin e caqeve ushtarake dhe strategjike,  në Jugosllavinë e mbetur. Nuk kemi të dhëna të mjaftueshme nga terreni, ndërsa do dyshime të liga më bëjnë të mendoj mos ka ndodhur ndonjë shëmti e padëgjuar. Nuk dihet për fatin e mijëra shqiptarëve. Thuhet se i kanë djegur në Shkritorën e Zveçanit, apo edhe në Feronikel. Flitet për të masakruar sidomos në Gjakovë, në Suharekë, në Krushë, në Celinë të Rahovecit, në Izbicë të Drenicës, në disa fshatra të Llapit, në Mitrovicë, në disa fshatra të Vushtrrisë…

Mbi pesëqind mijë shqiptarë deri tani kanë kaluar apo janë duke pritur për të kaluar nëpër pikat kufitare në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në ish RJ të Maqedonisë. Qindra, mijëra të tjerë kanë mbetur të rrethuar në zonat e luftës. Nuk ka mbetur as edhe një fshat i pa djegur dhe i pa shkatërruar.

Metodat e terrorit janë krejtësisht fashiste. Serbët i ndajnë meshkujt nga familjet e tyre dhe i pushkatojnë ose i shfrytëzojnë për punë të ndryshme dhe më pas i vrasin. I dhunojnë femrat, ndërsa fëmijët ua vrasin para syve. Të gjitha këto tmerre janë tmerrësisht të tmerrshme, vetëm po t`i mendosh, ndërsa ne aktualisht jemi ballë për ballë me këto forca të errësirës më barbare dhe të monstruozitetit.

Ndodhemi para sprovave më të rënda që ka përjetuar ndonjëherë ky popull gjatë historisë.

Sa e sa familje janë degdisur dhe nuk dinë gjë për më të afërmit e tyre. Për t iu ardhur në ndihmë këtyre njerëzve disa mediume botërore kanë hapur faqet e kërkimit dhe komunikimit me të afërmit.

Lajmet që kemi marrë nga terreni gjatë këtyre ditëve nuk janë të verifikuara.

Druhet se serbët po kryejnë masakra dhe po i fshehin gjurmët e krimeve.

Krejt kjo përputhet me strategjinë e tyre fashiste për të konfirmuar para botës se në Kosovë jetojnë vetëm 800, ose 900 mijë shqiptarë.

Ata po ashtu po i djegin dokumentet personale shqiptarëve gjatë ikjes për në Maqedoni dhe në Shqipëri. Po i shkatërrojnë zyrat  e ofiqarisë dhe të dhënat e regjistrimit të popullsisë.

Të dëbuarve në kufi po ua marrin letërnjoftimet dhe paratë.

Krejt kjo strategji është vënë në veprim për ta shpërbërë kompaktësinë etnike shqiptare në Kosovë.

Serbët po mendojnë se Kosova tani e tutje do të jetë vetëm serbe dhe po ashtu po mendojnë se ky është momenti i fundit i lojës tipike serbe, “krejt ose hiq”. Ata synojnë të parën. Ata tanimë kanë filluar ta realizojnë këtë, edhe pse aeroplanët e NATO-s e kanë vënë në shënjestër këtë regjim gjenocidal dhe antinjerëzor. Ndoshta kësaj radhe Serbia do të ndëshkohet ashtu sikur ishte ndëshkuar Sodoma biblike! Ndoshta krejt kjo do të përfundojë ndryshe.

 …

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …