Ahmet Qeriqi: Nga oda e Vehbi Qeriqi vendosemi në Shkollën e fshatit ( E diel, e hënë, e martë 12, 13, 14 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga oda e Vehbi Qeriqi vendosemi në Shkollën e fshatit ( E diel, e hënë, e martë 12, 13, 14 korrik, 1998)

Gjatë tri ditëve të kaluara, nuk kam arritur të përshkruaj zhvillimet në kronikë. Është hera e parë që nuk kam pasur kohë as për të për të përshkruar  sado shkurt zhvillimet ditore. Është hera e parë që po vërej dhe po bindem përfundimisht se në mungesë të një organizimi të mirëfilltë, gjendja më tepër po i përngjet kaosit. Këtu tanimë nuk të del kohë as për të ngrënë bukë se lërë më për të fjetur. Sonte, i kam lënë anash të gjitha dhe prej orës 22, jam ngujuar në një dhomë të vogël në shtëpi, ku kam filluar të shënoj zhvillimet e katër ditëve të fundit, të cilat përgjasojnë me një ditë të vetme. Do të bëj përpjekje  që herëve të tjera, doemos të gjej kohë, qoftë edhe në orët e vona të natës, dhe të shënoj të gjitha zhvillimet.

Është puna e vetme me prioritet që ia kam ngarkuar vetvetes, meqë jam i sigurt se këtë punë tani për tani nuk e bën askush më mirë se unë. Jam duke i shënuar  të gjitha ngjarjet, të gjitha lëvizjet, por nuk po arrij t`i kornizoj në suaza të caktuara, sepse kam edhe një varg punësh ditore, të cilat nuk mund t`i lë anash, edhe pse me asnjë punë konkrete nuk jam i angazhuar. Këtu veproj për të ndihmuar gjithsecilin, dhe për të vendosur rregull, rend e disiplinë. E di se te shumica puna ime çmohet ashtu sikurse jam tejet i vetëdijshëm se ka në mesin tonë edhe të atillë që me dëshirë nuk do të më kishin takuar kurrë.

Rruga në relacion Prishtinë, Magurë, Shalë, ende nuk është mbyllur. Policia serbe ndodhet në Magurë, Ushtarët tanë kanë marrë nën kontroll tërë kompleksin pyjor e malor të Blinajës.

Fshatrat përreth Blinajes, janë vënë nën kontroll të UÇK-së.

Vajtje ardhjet e banorëve jo vetëm që nuk kanë të ndalur por ato nuk pushojnë as për një çast. Këto ditë ka filluar edhe korrja e drithit.

Nga zonat e luftës në Dukagjin përditë vijnë kamionë, të cilët kërkojnë artikuj ushqimorë e sidomos miell, për popullatën. Shkolla e re në Krojmir, të cilën kemi filluar ta meremetojmë me punë vullnetare dhe me mbështetje të logjistikës së luftës, është bërë pikë takimi për të gjitha strukturave ushtarake e civile. Aty ngarkohen e shkarkohen mallrat që vijnë nga Ribari i Madh, nga Dobraja e sidomos nga Mulliri elektrik i Ismet Asllanit në Hallaq, i cili brenda ditës jep  dhjetëra tonë miell për zonat e luftës.

Ismet Asllani me vëllezër është furnizuesi gjigant që kemi tani për tani në disa vende në Kosovë, sidomos në rajonin tonë.

Të gjitha rrugën e fshatrave të Rrafshit kanë synim Krojmirin, Shalën e Pjetërshticën.

Këtu kemi krijuar një bazë lëvizëse të logjistikës. Punët janë shumëfishuar. Punojmë në adaptimin e shkollës. Po ashtu kemi filluar ta ndërtojmë një furrë për pjekjen e  3000 bukëve në ditë.

Angazhim të posaçëm në të gjitha punët dhe aktivitetet po tregojnë sidomos Heset Hamdiu, Ramadan Rizani, Hashim Olluri, Vehbi Qeriqi, Idriz Qeriqi, Idriz Hamza, Emin Olluri  e shumë të tjerë. Kohëve të fundit është  kthyer në fshat edhe Xhevat Olluri, aktualisht kryetar i Degës të LDK-së në Lipjan. Xhevati, si duket ende po mëdyshet. Duke qenë njëri prej veprimtarëve tejet të zellshëm të LDK-së, ende duket i hutuar. Mirëpo, hapin e parë e ka kaluar me sukses. Tani për tani ka filluar të na ndihmojë në rregullimin e punëve në shkollë dhe me iniciativën e tij është riaktivizuar Këshilli për kryerjen e obligimit financiar për meremetimin e shkollës. Xhevati, Selatin Qeriqi, Ramadan Rizani e shumë intelektualë të të tjerë të Krojmirit ka më shumë se dhjetë vjet që angazhohen për ndërtimin e shkollës së fshatit. Ata, kanë marrë nisjativë që kërkojnë nga bashkëfshatarët, kryerjen e obligimit. Xhevati i ka ruajtur regjistrat dhe janë evidentuar sidomos ata kryefamiljarë, të cilët me qëllim iu kanë ikur obligimeve. Ka në mesin e tyre që janë deklaruar haptas kundër kontributit financiar për ngritjen e shkollës.

Për t i ardhur në ndihmë aksionit, Ramiz Qeriqi ka caktuar tre ushtarë, të cilët do t u bëjnë me dije obliguesve që në afat prej dy tri dite apo një javë ditësh t i kryejnë obligimet. Duket se nisma është e qëlluar meqë qysh në ditët e para ka  filluar arkëtimi i borxhit.

Në lokalet e shkollës po punohet intensivisht nga ora shtatë e mëngjesit e deri natën vonë. Brenda objektit kemi filluar ngritjen e një furre të madhe të bukës. Kemi sajuar edhe një depo për të grumbulluar grurin.

Për të trajtuar disa punë specifike, kemi angazhuar edhe Shyqri Iballin nga Shtimja. Ai deri tani ka sjellë shumë ndihma nga donatorë dhe nga dega e Shoqatës Nëna Tereze. Shyqa është mjeshtër i njohur dhe si duket i ka marrë me seriozitet të gjitha punët.

Të gjitha materialet dhe pajisjet e nevojshme për punë janë siguruar me donatori, nga dhurues të fshatrave përreth. Dikush ka dhuruar hekurin, dikush tjetër zallin, gëlqerën, tullat, dërrasat, telin dhe pajisjet përcjellëse për rrymë.

Edhe Xhevat Olluri po punon në instalimin e rrymës me një ekip elektricistësh. Të gjitha punët po shkojnë në rregull. Rezistenca e disa bashkëpunëtorëve të regjimit serb, tani për tani është ilegale. Ata janë tejet të befasuar. Duhet shtuar vigjilencën.

Shkolla e Krojmirit është kthyer në një kantier pune e mobilizimi të përgjithshëm.

Në objektin e ri të shkollës, të cilën kemi filluar ta meremetojmë, kemi siguruar edhe një lokal që shërben si zyrë informative për punët në shkollë, për grumbullimin e drithit, si dhe për informata publike lidhur me kërkesat apo informimin e qytetarëve.

Po në këtë zyrë, kohë pas kohe kthejnë edhe komandantët e luftës, e sidomos Shukri Buja me ushtarët e tij. Shukriu momentalisht i ka siguruar të gjitha pikat strategjike në Blinajë, ka vendosur shtabin lokal ushtarak ne ish Hotelin e Kompleksit të Blinajës dhe po përgatitet të zgjerojë zonat e kontrollit sidomos në fshatrat Jezerc, Petrovë, Mullapolc, Reçak e Rancë.

Në shkollë kthen shpesh edhe Ramiz Qeriqi, i njohur si komandant Luani.

Është ky një kushëri i largët i imi, një person i vrullshëm dhe tejet virulent, jo sa duhet i arsimuar, mjaft i papërshtatshëm në komunikim sidomos me ata që nuk i do. Shprehjet e tij agresive, sharjet e fyerjet, përpjekjet për të vendosur një disiplinë të çeliktë, derisa vetë nuk e respekton atë, për ditë po na sjellin probleme. Ramizi, tani për tani më respekton dhe më nderon dhe nuk ma kthen fjalën, por para pshpine vepron krejt sipas tekeve të tij. Është fat që Sylë Qeriqi po mundohet ta mbajë nën kontroll. Ramizin duhet pasur në kujdes të shtuar. Ai ka filluar të veprojë krejtësisht krye në veti. Nuk i përfillë urdhrat e Shtabit, nuk e duron dot Shukri Bujën, ka prirje të sëmurë për të përgojuar secilin. Ka momente kur është tepër i qetë, madje emocionalisht tejet i paekuilibruar. Veset e tij të liga po i shkaktojnë dëm organizimit dhe atë po e shfrytëzojnë sidomos ata që në radhët e UÇK-së kanë hyrë për qëllime të caktuara, të cilat dihen mirëfilli. Është fat që Syla e ka marrë përsipër kujdesin për të dhe vazhdimisht e mbanë në kontroll. Përndryshe, dyshimet dhe rezervat që kam unë për Ramizin, janë tejet brengosëse. Kthimi i tij  nën uniformën e UÇK-së në Drenicë më tepër do të na prishë punë. Ai nuk është i aftë për të përballuar sfidat, nuk është i arsimuar as i emancipuar, është tejet agresiv dhe i papërmbajtur kundër kundërshtarit. Veprimet e tij janë tejet të papërgjegjshme dhe shpeshherë mendoj se mos është i rekrutuar nga ndonjë shërbim i veçantë i UÇK-së, për të cilin unë nuk kam njohuri…( pesë rreshta të koduar)

Veprimet e tij të paligjshme dhe krejt të papërgjegjshme duket si po i konvenojnë dikujt. Mirëpo vendosmëria e tij në terren, i mbulon sipërfaqësisht këto veprime.

Disa muaj më parë, Azem Syla, përmes Faruk Gashit ka kërkuar mendimin tim për të. Asokohe as i kam besuar fare Farukut, por as e kam njohur Ramizin, meqë ai një kohë të gjatë ka jetuar në Perëndim dhe në Shqipëri. Syla dhe Elezi më kanë përshkruar karakterin  e tij kontraverz por asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim përcaktimin e tij kombëtar.

Ata, e kanë ditur se është i papërshtatshëm dhe agresiv, mirëpo shumë kohë kanë bashkëvepruar dhe besojnë se mund të ushtrojnë ndikim.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …