Ahmet Qeriqi: Nga pika e re ushtarake e forcave armike në Zborc po granatohen fshatrat e Drenicës (E enjte 30 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga pika e re ushtarake e forcave armike në Zborc po granatohen fshatrat e Drenicës (E enjte 30 korrik, 1998)

Në orën shtatë të mëngjesit predhat e armëve të armikut po godasin në Krojmir, Pjetërshticë e Shalë. Të shtënat dhe detonimet e fuqishme po jehojnë edhe nëpër lugjet e Grykës së Krojmirit. Ashtu nëpër breshërinë e granatave nga fshati janë larguar disa burra të cilët për punë të ndryshme shkojnë nëpër shtëpitë e tyre kohë pas kohe. Pak më vonë ka ardhur edhe mixha, Mehdi Qeriqi. Ai rrëfen se në shënjestër të goditjeve është shtëpia e jonë e cila shihet fare mirë nga pozicionet e tanishme serbe. Predha e ka goditur shtëpinë e Halim Qeriqit dhe e ka rrënuar në tërësi. Më vonë mësojmë se në qendër të granatimeve ka qenë edhe shkolla, ku aktualisht i kemi 120 tonë grurë. Duhet bërë përpjekje që gruri gjatë natës të mbartet me traktorë, meqë ende i kemi edhe dhjetë fuqi të naftës, rezervë.

Nga distanca me projektilë të tankeve dhe me predha të minahedhësve janë goditur edhe shtëpi të tjera. Nuk ka pasur të vrarë as të lënduar meqë  fshati është zbrazur me kohë.

Kreu i Shtabit civil i ka ndërmarrë të gjitha masat për sigurimin e kushteve nëpër tenda në Grykë. Nga shënimet që ka sjellë Ramadan Rizani del se nga katër pesë mijë banorë sa ishim në Grykë më 27 korrik, kanë  mbetur aktualisht vetëm pesë qind e pesëdhjetë. Shumica e të ikurve nga Krojmiri e Pjetërshtica janë vendosur në fshatrat Ribar i Madh, në Dobrajë dhe në fshatra të tjera të Lipjanit.

Janë marrë të gjitha masat për përgatitjen e ushqimit për ushtarët, të cilët janë në shumicë.

Po ashtu i kemi marrë masat edhe për përgatitjen e ushqimit secila familje  me radhë për personelin mjekësor të cilin aktualisht e përbëjnë: Naser Bytyçi nga Qylaga, i cili iu ka bashkuar luftës që në ditë e para  Jakup Ismajli, Reshat Gashi, Fitim Selimi, dhe teknikët medicinalë,  Tahir Krasniqi, Musa e të tjerë.

Jeta në Grykë është stabilizuar. Momentalisht kemi ushqime të mjaftueshme, por duket bërë përpjekje për të siguruar ushqimet dhe naftën për një kohë më të gjatë.

Agjencitë e huaja të lajmeve bëjnë të ditur se forcat serbe po ndërmarrin ofensiva në vazhdim edhe në Anadrin dhe në Dukagjin. Nën rrethim ndodhet edhe Drenica Qendrore, edhe pse forcat serbe  ende nuk kanë depërtuar në thellësi.

Aktualisht ndodhet në rrethim edhe Zona e Neredimes. Edhe atje po zhvillohen luftime, sidomos nga ana e Budakovës, ku po flitet për një rezistencë të jashtëzakonshme.Në krye të luftës është Sadik Halitjaha, një ish i burgosur poltik dhe veprimtar i njohur, i cili ka ardhur nga Zvicra dhe iu ka bashkuar radhës. I paprekshme tani për tani në anët tona mbetet Bajraku i Kumanovës, në Luzhnicë dhe në disa fshatra përreth, në krye me komandant, Ismet Jasharin-Kumanova, Fatmir Limaj, Haxhi Shala, etj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …