Ahmet Qeriqi: Nga Prishtina kanë ardhur Nezir Myrtaj dhe Sheqir Zeneli, (E premte 11 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga Prishtina kanë ardhur Nezir Myrtaj dhe Sheqir Zeneli, (E premte 11 dhjetor, 1998)

Isë Krasniqi dhe Martin Çuni kanë bërë përgatitjet e duhura teknike për fillimin e punëve në Agjenci. Ata kanë krijuar parakushte të punës edhe pse ende na mungojnë shumë pajisje të tjera e në radhë të parë mungon një kartelë e telefonit satelitor, ku do t’ i dërgonim informatat jashtë.

Kemi vendosur që një bazë të transmetimit të informatave ta bëjnë në Cyrih të Zvicrës. Isa dhe Martini megjithatë disa punë i kanë lëvizur nga vendi dhe shpresoj se kësaj radhe do t ia dalim t`i aktivizojnë Agjencinë dhe Radion, ndërsa si të do vejë halli pastaj pasi të fillojë transmetimi, këtë nuk e di askush dhe nuk pyet askush. Me rëndësi është të fillojmë sa më parë punën.

Ndërkohë kanë ardhur Naim Imeri dhe Vehbi Zeqiri, dy luftëtarët e pandashëm të cilët kanë ndihmuar dhe aktualisht na ndihmojnë në të gjitha aspektet.

Naimi ka propozuar që të lejohet një njësit ushtarësh t`i sulmojë gjuetarët serbë të cilët po marrin guxim për të hyrë në Blinajë, gjoja për të gjuajtur kafshë të egra. Për këtë punë mund të vendos Luani dhe ushtarakët e tjerë.

Pas dite nga Prishtina kanë ardhur edhe Nezir Myrtaj dhe Sheqir Zeneli.

Me ta nuk jemi parë qysh prej ofensivave të verës. Neza dhe Sheqa qysh atëherë kanë shfaqur interesim që të punojnë në informim, sapo të krijohen kushtet. Si duket Hilmiu iu ka bërë me dije se jemi në përfundim e sipër të angazhimit për të filluar nga puna.

Në mbrëmje kanë ardhur për të biseduar mjeku, Jakup Ismajli, apo doktor Zhaku sikur e quan me qesëndi Reshat Gashi, Faruk Gashi e të tjerë. Edhe pse jemi ngushtë jemi tubuar si zakonisht me dhjetëra dhe mezi sigurojmë nga një vend për t u ulur.

Reshati si zakonisht shpalos atë humorin e tij të lehtë, sa për ta nxitur bisedën. Doktor Zhaku e ngacmon më tej, duke i zbuluar ndonjë gaf, të cilin Reshati edhe nëse e ka bërë nuk e pranon, sepse zakonisht krijon versionin rezervë, edhe pse nuk merr qëndrim të prerë.

Herë-herë gjatë bisedave harrojmë që jemi nën rrethim dhe në luftë. Jeta  njerëzore është e çuditshme. Njeriu ka nevojë të lindur për të jetuar i lirë. Sepse vetëm ashtu e shpreh vetveten dhe i beson lirisë dhe sakrifikon për të. Shembullin më të fortë sesi luftohet dhe vdiset për liri e ka dhënë Komandanti i parë i UÇK-së, Adem Jashari me tërë familjen e tij dhe të  gjithë Jasharët e Prekazit, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Natën vonë, derisa po bëheshim gati për t`u shpërndarë, nga Pjetërshtica erdhi ushtaraku Naim Ismajli me bashkëluftëtarin e tij, Hasan Avdyli, Ata i treguan Jakupi Ismajlit se duhet të shkojë sa më parë në Spital, meqë është një rast urgjent.

Duke qenë se këtu në vendqëndrimin tonë në Krojmir jemi ngushtë dhe nuk ka vend për të gjithë, Neza, Sheqa, së bashku ma Reshatin shkojnë në Spital, meqë atje ka mjaft vend për të pushuar dhe për të fjetur.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen Martin Çuni. (E premte 4 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen Martin Çuni. (E premte 4 dhjetor, 1998)

Edhe gjatë tërë ditës së sotme ka rënë shi dhe dëborë. Në raste të tilla …