Ahmet Qeriqi: Nga Zona e Neredimës ka ardhur eprori i Zonës në Kaçanikut, Qamil Ilazi, i quajtur Bardhi. (E diel 27 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga Zona e Neredimës ka ardhur eprori i Zonës në Kaçanikut, Qamil Ilazi, i quajtur Bardhi. (E diel 27 dhjetor, 1998)

Ditë e më tepër po na shtrëngon edhe acari dimëror. Ofensiva serbe në kushte dhe rrethana të këtilla është katastrofale sidomos për popullatën civile, e cila po qe se detyrohet të futet nëpër gryka malesh do të pësojë në çdo aspekt.

Me Elez Durmishin dhe me Luanin duhej të niseshim për në Divjakë, mirëpo Luani e ka në defekt Niven dhe u kthyem. Në rrugë e takojmë Nusret Pllanën, i cili na tregon se Martin Çuni e ka siguruar një shtëpi në fshatin Berishë, në ç vend do të vendoset teknika transmetuese dhe stafi i gazetarëve e punëtorëve të Radios dhe  Agjencisë. Me Nusetin jemi marrë vesh që qysh nesër t`i ngarkojmë të gjitha mjetet dhe pajisjet që i kemi në Krojmir, për t`i çuar në Berishë.

Një kohë të gjatë kam biseduar me Luanin i cili ka filluar të degjenerojë në të gjitha aspektet. Mbase e ka nga frika, nga pamundësia për ta përballuar përgjegjësinë, apo vuan nga ndonjë problem tjetër, për të cilin unë nuk kam sa duhet informata. Ai kohëve të fundit më duket i frikësuar, nuk është sa duhet i koncentruar as në bisedë, nuk komunikon dhe nuk dëshiron të bisedohet për probleme, të cilat i kemi preokupim parësor.

 Me Elez Durmishin kemi shkuar në Shalë dhe kemi takuar Heset Sahitin. Jemi marrë vesh që një sasi të drunjve të cilat po priten në kompleksin pyjor të Blinajës të barten për nevoja të kuzhinës në Krojmir, meqë tani  bora i ka zënë shtigjet në Grykën tonë nuk mund të depërtohet me traktorë. Heseti pajtohet plotësisht por më duket se as ai nuk e ka në dorë situatën.

Edhe sot ka ndodhur një konflikt verbal në mes të personit që quhet Bashkim Fino, një tjetër të cilin e quajnë Nexhi dhe Sylë Qeriqit. Ata e kanë urdhëruar Sylën që të largohet nga zyra e policisë në Shalë. Nuk i kanë dhënë arsyetime përse bëhet kjo dhe në emër të kujt bëhet. Syla është i shqetësuar tejmase. Kam frikë se mos do të na ndodh ndonjë përplasje e brendshme e cila do të na rrezikonte skajshmërisht. Nuk kam pikë dyshimi se këta farë policësh të emëruar apo të vetemëruar i ka nën kontroll Shtabi. Këta mund të përfaqësojnë një klan të rrezikshëm dhe në rastin më të keq një klan destruktiv…

Nuk mund ta kuptojmë përse krejt kjo urrejtje, ky mos durim, kjo shtypje fare e pamend sidomos kundër luftëtarëve të radhëve të para. Kjo gjithmonë e nxjerrë në sipërfaqe çështjen e vrasjes ende të pasqaruar të Jetë Hasanit.

Kush janë këta njerëz që natë e ditë rrinë në Shtab. Askush dhe asnjëherë nuk i ka parë në frontet e luftës dhe që sapo të dëgjohen krisma ua mbathin.

Sa e sa herë kam kërkuar të takohem me ndonjërin prej tyre por kjo ende nuk ka ndodhur. Krejt kjo po m`i thellon edhe më tej dyshimet e liga…

Në mbrëmje ka ardhur edhe ushtaraku Qamil Ilazi, nga rrethina e Kaçanikut, mik i Berat Luzhës. Qamili ka qenë në rajonin tonë në ditët pas ofensivës të 25 dhe 26 korrikut. Është një burrë i matur, i qëndrueshëm dhe mbi të gjitha i vendosur për ta çuar luftën deri në fitore.

Gjatë bisedës që kemi pasur me të hetojmë se edhe ai ka ankimet e veta sidomos në planin organizativ dhe në mënyrën e postimit të kuadrove. Aktualisht atë e kanë larguar nga radhët organizative dhe ai ka ardhur që të merret vesh në Shtab, meqë konsideron se po bëhen padrejtësi të mëdha, të cilat mund të kenë pasoja të rrezikshme. Deri tani ka qenë komandant i një Brigade në zonën e Kaçanikut.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Prelloc afër Polacit në Drenicë sot është bërë varrimi i 34 dëshmorëve të rënë gjashtë ditë më parë, në Gorozhup të Hasit. (E diel 20 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Prelloc afër Polacit në Drenicë sot është bërë varrimi i 34 dëshmorëve të rënë gjashtë ditë më parë, në Gorozhup të Hasit. (E diel 20 dhjetor, 1998)

Që në më mëngjes është konfirmuar lajmi se sot në Polac të Skënderajt do të …