Ahmet Qeriqi: Nga Zona Operative e Drenicës kanë ardhur Shaban Shala, Sami Lushtaku dhe Ilaz Dërguti (E martë 8 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga Zona Operative e Drenicës kanë ardhur Shaban Shala, Sami Lushtaku dhe Ilaz Dërguti (E martë 8 dhjetor, 1998)

Elez Durmishi më ka lajmëruar se Përgjegjësi i Policisë Ushtarake në Shalë, nuk e ka pranuar në radhët e policisë, Dalip Rizanin, njërin ndër luftëtarët e parë të kësaj ane i cili i ka kryer stërvitjet ushtarake në Shqipëri, së bashku me disa ushtarë të tjerë të Krojmirit në fillim të viteve të 90-ta. Arsyetimi është bërë shkurt. Dalipi nuk e paska besimin e Shtabit. Është ky edhe një veprim tjetër i pamatur, të cilin kësaj radhe, me siguri se nuk do ta përfillin dhe nga ana e ime nuk do të insistoj që ta përfillin. Nëse ata paskan vërejtje për një luftëtar si Dalipi, atëherë tërë kjo tregon se ata kanë vërejtje komplet në të gjithë ne, por tani për tani nuk mund të na eleminojnë. Kjo është krejtësisht punë e pamend dhe kjo më shqetëson tejmase, meqë ditë e më tepër po bindem se në radhët tona kanë depërtuar edhe forca, të cilat po mundohen që të na shkatërrojnë nga brenda.

Martin Çuni dhe Mehdi Qeriqi kanë shkuar te Halil Kolshi në Baicë. Martini ka qëndruar një kohë në burg me Halilin dhe dëshiron ta vizitojë. Halili është një ushtar me tipare shumë të veçanta. Ai ka qenë shpeshherë i arrestuar dhe i keqtrajtuar nga policia okupatore.

Gjatë tërë ditës  këtu kemi qëndruar vetëm unë dhe Berati.

Në mbrëmje na bëjnë me dije se te Sylë Qeriqi kanë ardhur eprorët e Shtabit të Zonës së Drenicës, Shaban Shala, Sami Lushtaku dhe Ilaz Dërguti. Pa humbur kohë kemi shkuar te Syla. Ata kanë ardhur edhe për të na ngushëlluar për Jetë Hasanin dhe për të biseduar për probleme të caktuara.

Jemi përshëndetur me eprorët, me të cilët edhe ashtu njihemi një kohë të gjatë, sidomos me Shaban Shalën. Janë këta tre ndër eprorët dhe udhëheqësit e luftës në ato anë, ku janë shkruar sa e sa faqe trimërie e lavdie. Sami Lushtaku dhe Ilaz Dërguti kanë qenë bashkëluftëtarë të ngushtë të kryetrimit, Adem Jashari.

Samiu është temperament tipik i drenicakut kryengritës. Ai është i drejtë i sinqertë dhe shumë i vendosur për ta çuar luftën deri në fund. I tillë është edhe Ilaz Dërguti edhe pse është pak më i tërhequr nga natyra. Ai flet më rrallë dhe zakonisht dëgjon me vëmendje. Edhe Shaban Shala, një veprimtar i hershëm i radhëve atdhetare është ushtarak që tanimë ka bërë emër. Këta kanë ardhur për të na parë dhe si duket kanë qenë të lajmëruar se kemi probleme të caktuara në instancat organizative. Mirëpo kjo kohë e luftës, e luhatjeve dhe e përplasjeve brendakombëtare  me tërë vrazhdësinë është përplasur edhe në atë pjesë të Drenicës.

Edhe atje ka probleme mjaft të thella. Ka edhe imponime dhe propagandë të keqe kundër luftës dhe kundër personave të caktuar.

Deri vonë pas mesnatës kemi biseduar për shumë çështje. Dominon mendimi se radhët në organizimin e luftës, sidomos ato komanduese nuk janë të harmonizuara. Megjithatë falë aktivitetit dhe syçeltësisë të disa kuadrove, punët po ecin në vijë edhe pse kjo nuk premton shumë.

Duhet sa më shumë angazhim, punë, syçeltësi dhe vigjilencë për t i ruajtur radhët dhe për të bashkë-rënditur veprimet. Po ashtu mendimi i të gjithë përputhet edhe në një pikë të rëndësishme, që kuadrot e dëshmuara e sidomos ata të radhëve të para të ruhen me çdo kusht dhe të mos lejohet ndonjë përçarje e cila do të mund të na kushtonte. Syla dhe Elezi  qysh prej vitit 1991 kanë mbajtur kontakte të pandërprera me Ilaz Dërgutin, Sami Lushtakun, Hysen Ngucatin, Ilaz Kocin dhe shumë të tjerë. Ata, nuk e japin njëri tjetrin dhe kjo më bën përshtypje të veçantë…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen Martin Çuni. (E premte 4 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen Martin Çuni. (E premte 4 dhjetor, 1998)

Edhe gjatë tërë ditës së sotme ka rënë shi dhe dëborë. Në raste të tilla …