Ahmet Qeriqi: Një ditë jo aq e zakonshme në Divjakë. (E diel 13 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një ditë jo aq e zakonshme në Divjakë. (E diel 13 dhjetor, 1998)

Heret në mëngjes të gjithë tok jemi nisur për në Divjakë. Kemi udhëtuar me Niven e Luanit. Ai është ndër të vetmit që depërton deri në Rafshnaltë edhe nëpër dëborë dhe në akull.  Ramizi është shumë i përkushtuar në luftë, por ka një temperament të rrëmbyeshëm,  dhe shumë agresiv.

Në Shtab nuk e kemi takuar Jakup Krasniqin. Në shenj konspiracioni Rama nuk na tregon se ku ndodhet, por  thotë thjesht nuk është dhe nuk pritet të vijë së shpejti. Nuk më pëlqen kjo mungesë e shprehur e mos-besimit sepse te e fundit ne të gjithë kemi qenë nëpër burgjet e pushtuesit dhe ia dimë mjaft mirë qëndrimet dhe biografinë e njëri tjetrit. Kjo do të thotë se edhe sot kemi ardhur kot edhe një ditë tjetër ashtu si shumë të tjera.

Kemi biseduar me Sokol Dobrunën. Ai ka filluar t`i vë bazat e para të Drejtorisë së jurisprudencës por po has në shumë vështirësi të natyrës objektive. Nuk mjafton një njeri për krejt atë shërbim kompleks, por ja që kështu duhet filluar…

Meqë kemi ardhur kërkojmë të takohemi me eprorët Salih Veseli dhe Naim Maloku.

Salihu dhe Naimi shprehin simpati për punën dhe organizimin e Batalionit Ruzhdi Salihu. Ata po ashtu i kanë kuptuar mjaft mirë raportet jo të mira që ekzistojnë në mes të Luanit dhe disa anëtarëve të Shtabit. Duke qenë oficerë me përvojë, ata kanë identifikuar shumë dobësi në organizim që mund të tejkalohen me vullnet të mirë të ushtarëve.

Majori Salih Veseli është militant i vërtetë. Ai mbështetë në vijë të fortë të demarkacionit në mes të UÇK-së dhe forcave pacifiste, ndërsa Naim Maloku në këtë drejtim duket më liberal. Në një intervistë të tij dhënë një gazete ditore në gjuhën shqipe, ai megjithatë shpreh rezerva ndaj Rugovës, por nuk e stigmatizon ashtu si Salih Veseli dhe kryesisht i gjithë kreu i luftës.

Nuk e di se cila është pozita e tyre konkrete në Shtab, por jam më se i sigurt se disa prej anëtarëve të Shtabit, që unë i njoh, kanë shumë rezerva ndaj të dyve.

Në Divjakë tani për tani është përqendruar kreu ushtarak dhe politik i luftës. Këtu, edhe pse në kushte të këtij dimri të ashpër ka vazhduar stërvitja e luftëtarëve të Njësive Speciale të Shtabit të Përgjithshëm. Janë pranuar në këtë mes shumë nga ushtarët tanë më të dalluar si Milaim Beha i Caralevës, Fatmir Maliqi i Busovatës, Hamit Qeriqi, Ilir Qeriqi, Xhavit Kelmendi, Adnan Muharremi i Zborcit, Agon Krasniqi, djali i Sheremet Krasniqit nga Karaçica, me vendbanim në Prishtinë dhe shumë të tjerë, të gjithë luftëtarë të sprovuar. Këto njësite janë nën përkujdesje dhe përgjegjësi  të oficerit të armatës shqiptare, Tahir Sinani nga Tropoja. Një punë efektive në këtë drejtim jep edhe Ajvaz Berisha, pastaj Agush Gjoci e të tjerë.

Derisa po prisnim Luanin, i cili duhej të na kthente në Krojmir, në Divjakë erdhën Ramadan Dobra dhe Idriz Hyseni. Edhe Ramadani është ndër demonstruesit e marsit e prillit të vitit 1981, i cili ka qenë i dënuar dhjetë vjet burg, së bashku me Gani Kocin, Murat Musliun, Bajram Kasumin dhe me shumë studentë të tjerë.

Idriz Hyseni na bën me dije se Luani po na pret te dera dhe kërkon që sa më parë të nisemi. Me ne vjen edhe Ramadan Dobra. Ai dëshiron të takohet me Berat Luzhën dhe Martin Çunin. Po ashtu na bashkohet edhe Sokol Dobruna.

Nisemi në drejtim të Krojmirit, ndërsa Ramadani shfaqë habi se si nuk përplaset apo ende nuk e ka thyer kokën Luani me këtë vozitje aq të shpejtë.

-Ndoshta shpëtojmë edhe kësaj radhe i them Ramadanit.

-I qofshi falë bacit Sokol që është me ne thotë Luani, se qysh jam mërzitur prej juve të burgosurve politikë, do t` ua kisha treguar qejfin.

-Po edhe ky baci Sokol i yt është i burgosur,- i them Luanit me qesendi.

-Edhe nëse jam i burgosur, Luani e di se nuk jam si ju, ia mbanë anën Ramizit, në shaka.  Luani me niven e tij kapton lugjet e brigjet herë duke rrëshqitur herë duke rrëshqitur  nga një kënd në tjetrin.

-Sa është larg Krojmiri, nga këtu pyet Ramadani.

-Varet, i them. Kështu si vozit Luani është shumë afër, nëse arrijmë gjallë.

Të gjithë qeshim më shumë nga zori dhe nga përplasjet.

Në Krojmir takojmë Martin Çunin, Berat Luzhën, Sylë Qeriqin e të tjerë.

Ramadani për herë të parë gjatë luftës ka depërtuar në anën tonë. Ai po ashtu është njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së. Aktualisht është i angazhuar përgjegjës i Drejtorisë për Administrim Civil në Zonën Operative të Drenicës.

Kemi biseduar gjerë e gjatë deri në orët e vona të mbrëmjes…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Si gjithnjë me halle e derte (E enjte 10 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Si gjithnjë me halle e derte (E enjte 10 dhjetor, 1998)

Së bashku me Reshat Gashin i cili e nget veturën e kemi përcjellë deri në …