Sot nuk do të shkoj në Berishë. Nga puna e përditshme dhe nga rrugëtimi këmbë jam lodhur së tepërmi.
Sapo kanë dëgjuar se sot do të qëndroj në shtëpi kanë ardhur për të biseduar, Sylë Qeriqi, Elez Durmishi, Ajvaz Karpuzi, Dalip Rizani, Agron Olluri e të tjerë. Jemi mësuar shumë kohë së bashku dhe tani po shihemi rrallë. Nga biseda e gjatë që kemi pasur hetoj se punët në Batalion janë vënë në vijë. Ka ende dobësi por edhe ato do të kalohen.
Syla dhe Elezi janë dy luftëtarë veteranë dhe e kanë besimin e të gjithë ushtarëve tanë, mjerisht nuk e kanë besimin e një grupimi të caktuar në Shtab. Si duket dikush atje mendon se UÇK-ja ka filluar në kohën kur ata i kanë marrë armët. Të tillët nuk duan të dinë për veprimtarinë dhjetëvjeçare ilegale të Sylës, Elezit, të dëshmorit Jetë Hasani dhe shumë të tjerëve. Kjo më mundon dhe më shqetëson tejmase.
Situata është përkeqësuar sidomos pas publikimit të shkrimit tim për Jetë Hasanin, ku është folur edhe për veprimtarinë atdhetare të Sylës dhe Elezit. Dikush e ka kontestuar këtë shkrim, por asnjëri nuk është në gjendje ta demantojë as edhe një varg të këtij shkrimi. Krejt kjo më brengos, sepse druaj me të drejtë si dikush në radhët tona po bën punë të liga dhe pa mend, të cilat një ditë mund të kulmojnë me ndonjë përplasje të rrezikshme.
Pas largimit të Luanit në operativë janë angazhuar oficerët Shaban Draga dhe Muharrem Sylejmani nga Leletiqi. Muharremi ka ardhur para disa javësh dhe tani është sistemuar në Brigadën 121. Unë kam përshtypje të mirë për të, meqë ai është edhe vëlla i Murtez Sylejmanit, po ashtu ushtar qysh prej fillimit të luftës, me profesion arsimtar. Nuk e di sa është e arsyeshme frika se këta dy janë eprorë të Bukoshit. Si duket ose këta kanë folur ose dikush flet sa për të krijuar huti dhe përçarje. Në kontakt me ta nuk kam arritur të kuptoj se këta janë të ashtuquajtur farkistë. Të tillë në radhët tona jam mjaft i besueshëm se nuk ka. Këta ashtu sikurse të gjithë eprorët dhe ushtarët e tjerë kanë uniformat e UÇK-së dhe iu nënshtrohen hierarkisë ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm.
Pas dite e kam hartuar një shkrim tematik dokumentar për dëshmorët e Batalionit Ruzhdi Salihu. Edhe këtë shkrim mendoj ta botoj në Bota e Re, meqë ndërkohë kam siguruar edhe fotografitë për të gjithë dëshmorët e rënë nga ky batalion.