Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim sa për ta marrë pak veten (3 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim sa për ta marrë pak veten (3 mars, 1999)

Sot kam vendosur të pushoj. Gjatë para  ditës kam qëndruar shtrirë, ndërsa Arbana më ka dhënë një inxheksion.

Ndërkohë kanë ardhur Altini, Qëndresa dhe Gresa. Ata zakonisht shëtisin deri te kroni, rrëshqasin nëpër borë dhe herë pas herë hyjnë në shtëpi për të lozur apo për të shikuar ndonjë film në televizor.

Qëndresa më lutet që kur të shkoj në Berishë ta marr me vete dhe ta qoj te babi sepse është përmalluar shumë. Altini vetëm shikon vëngër. Gresa i thotë Qëndresës se sonte babi vjen te ne. Edhe pse janë të vegjël dhe shumë lozanjarë thellë në qeniet e tyre e hetoj shqetësimin dhe frikën fëmijërore. Sa herë dëgjohet ndonjë shpërthim i fuqishëm hetohet bezdia dhe frika, te të gjithë këta fëmijë të luftës.

E marr me mend se janë përmalluar. Mendoj se Jakupi sonte ose më së largu nesër vjen për t`i parë. Ai iu ka munguar afër një muaj meqë  ka qenë në Rambuje.

Këtu në shtëpi kam mbetur vetëm me Zymryten dhe Zamirin, i cili sa hyn sa del. Ai zakonisht luan me Valmirin dhe Ilirin, bijtë e vëllait tim Hasanit, të cilët po ashtu janë vendosur në odë të Salihut, këtu pranë. Me ta shoqërohet edhe Elmiu i Sylë Qeriqit e të tjerë. Mësimi ka filluar dhe të gjithë shkojnë në shkollë edhe pse nuk ka kurrfarë mësimi as angazhimi. Edhe këta fëmijë të luftës dhe të mundimeve me të cilat po përballemi i kanë brengat dhe preokupimet e tyre. Ata nuk e mendojnë fort se në një çast të befasishëm mund t`i bëjë plojë ndonjë predhë e armës armike. Tërë ditën rrëshqasin me saje e skija. Në shtëpi kthehen vetëm kur i merr uria dhe sapo hanë bukë, ikin.

Në mbrëmje kanë ardhur për të më vizituar mjekët Naser Bytyçi dhe Jakup Ismajli. Jakupi konstaton se gripi do të më kalojë së shpejti por preferon që edhe disa ditë të qëndrojë shtrirë. Naseri punon po ashtu në Spitalin e luftës. Ai atje ka vendosur karrigën stomatologjike dhe iu  bën shërbime të caktuar ushtarëve dhe eprorëve. Mendoj se në të vetmin vend në zonat e luftës vetëm në Krojmir kemi këtë shërbim aq të domosdoshëm mjekësor.

 Angazhimi dhe puna që kanë kryer këta dhe mjekët e tjerë në zonën tonë deri tani është e papërshkrueshme. Gjeturia dhe vendosmëria e tyre ka ndikuar edhe në mobilizimin e radhëve në mesin e popullatës dhe të ushtrisë. Po të mos ishte ndihma e tyre, por të mos kishin barna dhe të gjitha këto shërbime, shumica e popullatës do të kishte ikur nga këto zona.

Më vonë ka ardhur edhe Heset Sahiti me Sheqë Kelmendin nga Rufci, vëlla i Avdi Kelmendit, ish i burgosur politik i cili ka vdekur vite më parë.

Heseti për çdo unë që bën ka dëshirë të konsultohet edhe me mua. Këtë e bën nga respekti, edhe pse e di se unë nuk kam ndonjë kompetencë në këtë drejtim…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …