Fotografia, që ka publikuar deputetja e PDK-së, Flora Brovina, duke menduar se ajo ishte filmuar gjatë luftës në Kosovë dhe duke pretenduar që ajo nxirrte në sipërfaqe mizoritë e kriminelëve serbë mbi femrat shqiptare gjatë luftës në vendin tonë, nga disa medie dhe emra të përveçëm, zyrtarësh e deputetesh nxori në sipërfaqe një histeri të çoroditur, një sulm mizor kundër një veprimtareje, që ka kaluar nëpër kalvarin e burgjeve serbe në kohën e luftës.
Sulmin histerik e bënë në radhë të para ata, që rrinë kujdestarë për të goditur pikërisht viktimat serbe në Kosovë. Meqë fillimisht nuk u zbulua autenticiteti i fotos, ku shihen tre kriminelë që dhunojnë një femër, histeria e goditja që iu drejtuan Flora Brovinës, kishte të bënin me pamjen e rëndë të fotos, ndaj atyre, që pretendohej se iu kthente në kujtesë kohën e dhunimeve. Pale, disa nga femrat që kanë reaguar edhe mund të jenë ndier keq në shpirt, po jo në ndërgjegje, sepse dhunimi nuk e vret ndërgjegjen, por e dhunon shpirtin.
Shtrohet edhe pyetje tjetër, po pse aq shumë u histerizuan disa meshkuj, madje nga mesi i atyre, që luftën në Kosovë e kanë parë nga televizorët në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi apo gjetkë në Evropë. Flitet se disa syresh janë dhunuar gjatë atij rrugëtimi, apo janë vetëshpallur të dhunuar, por nuk pranojnë të denoncojnë publikisht dhunuesit serbë.
Histeria ishte aq e çoroditur sa ka mbetur vetëm të ngrihet në këmbë krejt një racë, “shqipo-jurishnikësh” për ta demonizuar deputeten Brovina, vetëm sepse u solli në kujtesë dhunimet serbe, në kohën kur pas njëzet vitesh disa politikanëve tanë iu ka ra në mend se duhet paditur Serbia për krimet që ka kryer në Kosovë. Deri tani nuk kanë pasur kohë sepse kanë zhvatur pasuritë e Kosovës, dhe tani që janë bërë milionerë e miliarderë duan ta godasin Serbinë.
Ja çfarë histerie bombarduese prodhon në medie një Resul Sinan:
Si ndihen viktimat e përdhunuara? Si ndihen familjarët e tyre? Në çfarë gjendje janë ato? Çfarë tronditje kanë përjetuar ato? Pse të ju bëhet një akt i tillë? Pse, sot, pas 20 vjetësh, pas kaq ditësh e netësh nëpër të cilat kushedi sa kanë vuajtur deri më sot dhe sa janë munduar të harrojnë dhe për një moment, ju kthehet gjithçka, që për një moment i shemb emocionalisht e shpirtërisht, një gafë epike e një deputeteje na e cila nuk kërkohej asgjë më shumë se të heshtte, e të mos prekte mbi plagën e tyre!. Ja tërë një arsenal goditjesh hava.
Ku burri, që nuk duket të jetë dhunuar nga serbët ( kudi, mbase) flet në emër të të gjithë grave të dhunuara, sepse ato qenkan munduar ta harrojnë dhunën, po ja paska ndodhur një “gafë epike” dhe paska shembur gjithçka. Një termet i vërtetë. Një histeri e shpifur e përcjellë sikur me pyetjet e inspektorëve të UDB-së si:
-Ku e mori fotografinë? Kush ia dha? Prej kur e ka pasur këtë fotografi? Pse nuk e ka publikuar më herët? Kush kishte interes për një manipulim të tillë?
Ja çfarë kontraverze bën ky burri i cili e demonizon deputeten për publikim dhe madje pyet pse nuk e ka publikuar më herët, por pikërisht tani kur po “mundohemi të pajtohemi me Serbinë”.
Dhe ja çfarë shkruan në fund Resuli: Mbrëmë shkrova në një status, apo më mirë të them rënkova duke thënë: “Nëse nuk ke turp, bëj ç’të duash! Po pse bre zonjë në këtë moshë e turpërove veten? Amani te qoftë, jep dorëheqje, e mos e ha ketë turp me bukë!..
Ky zotëri Sinani kërkon që deputetja përnjëherë të japë dorëheqje, madje jo vetëm ajo po krejt partia e saj, sepse në Kosovë paska ndodhur një termet i vërtetë.
Shembull më histerik, më të egër, më neveritës se se ky shkrimi i R. Sinanit i botuar në “Epoka e Re” nuk besoj të ketë lexuar kush në Kosovë. Kjo do të ngel në kujtesë si turp i turpeve, nëse ai vërtetë e di peshën e kësaj fjale.
Ja cili është reagimi po kështu histerik i ish kryetares së Zarfit të ambasadorit Dell, Atifete Jahjaga
Ja cili është reagimi po kështu histerik i ish kryetares së Zarfit të ambasadorit Dell, Atifete Jahjaga, e cila për aq vite sa e kishte qeverisur Kosovën nuk arriti ta konceptojë, ta kumtojë apo ta deklarojë drejt, as edhe një periudhë të vetme në gjuhën shqipe, madje asnjë fjali, përveç atyre që ia kishin mëshuar përmendsh.
Ajo shkruan:
“Veprimi i deputetes është joetik, joligjor, e jonjerëzor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit, që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”, ka thënë Jahjaga, shkruan GazetaBlic. Atifetja iu ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë këtë veprim të deputetes Brovina dhe të veprojnë në përputhje me ligjin! Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike”, ka shkruar ajo krejtësisht e egërsuar po ashtu si ai mashkulli, Resul Sinani.
A nuk është histeri kjo?
Njëzet vjet pas luftës shihet se pezmi e çoroditja shpirtërore që kanë grumbulluar këta njerëz, të cilët asgjë nuk kanë pësuar nga lufta, por kanë vjelë të gjitha favoret e lirisë së Kosovës, mbi gjakun e derdhur, mbi nderin e grave të dhunuara, mbi trupat e 1300 fëmijëve të vrarë e të masakruar mizorisht nga barbaria serbe.
A ka folur ndonjëherë a ka shkruar ndonjëherë ky njeri dhe kjo grua për këto krime, apo ka pritur 20 vjet ta derdh mllefin kundër një femre, kundër një deputeteje, kundër një luftëtareje të lirisë, kundër një nëne, kundër një veteraneje, mjeke, humaniste, që e njeh krejt bota.
Për një gabim pa qëllim po kërkohet linçimi i saj, kërkohet “dhunimi” mediatik sikur bën Resuli, Atifetja e zarfit të ambasadorit Dell, disa gra të tjera, që nuk duan në asnjë mënyrë të përmenden dhunimet, që kanë kryer serbët, edhe pse ata i kanë kryer ato, ata nuk mund t’ i vrasin më shumë.
Zbardhja e krimeve serbe me foto është detyrë mbi detyrat. Fshehja dhe mospublikimi i shkon përshtat kriminelëve serbë të Milosheviqit, Vuçiqit, Daçiqit e të tjerëve, sepse ata mohojnë të kenë kryer krime të tilla në Kosovë.
Po të mos i kishim publikuar krimet e shëmtitë serbe e masakrës serbe në fshatin Reçak qysh në kohë të luftës, edhe ajo masakër do të ishte harruar si shumë të tjera. Është e vërtetë se me rastin e hapjes së ekspozitave disa herë kanë reaguar familjarët, por në fund janë bindur se bota duhet ta dijë çfarë mizorish ka kryer Serbia në Kosovë.
Mllefi e zemërimi që kanë grumbulluar disa individë kundër deputetes Brovina ka të bëjë me një çoroditje të llojit të vet, sepse histeria tregon mungesë të shpirtit të emancipuar, të ndjeshëm e të kulturuar. Sërish po ringjallen recidivët e kohës së pushtimit, sërish projektuesit e fushatave kundër luftëtarëve të lirisë po i manipulojnë faktet, po mundohen ta harrojnë luftën, po mundohen t’ i zhdukin faktet, po i gëzohen deri në thellësi të shpirtit Gjykatës Special kundër UÇK-së, po e linçojnë një deputete me prejardhje nga lufta.
Histeria kundër deputetes, Flora Brovina do të mbetet një njollë turpi për ata që fjalën turp e kanë në maje të gjuhës, për ta fshehur turpin brenda qenies së tyre.